Përjetësi » Kripa
Reshat Kripa: Hosana, Baraba!
E premte, 18.05.2012, 06:59 PM
Hosana, Baraba!
Replikë me një të panjohur
Nga Reshat Kripa
Lexova
shkrimin e një të panjohuri në gazetën “Metropol” me një titull bombastik “Kur
Reshat Kripa flet si Nexhmije Hoxha” dhe pyesja veten se kush është ky njeri që
më njeh kaq mirë dhe unë s’e njoh. Pyeta gjithandej, në Vlorë dhe në Berat, në
Përmet dhe në Skrapar por asnjë nuk e njihte. U habita. Çfarë kishte me mua ky
i panjohur? Në atë çast m’u kujtua një shkrim tjetër nga një “miku im” botuar
disa muaj më parë po në të njëjtën gazetë.
E shfletova dhe rilexova. Çuditërisht vura re një ngjashmëri të madhe midis dy
shkrimeve dhe, ndoshta e kam gabim, por m’u dukën si të shkruara nga e njëjta
dorë. Këtë shkruesin e dytë nuk e njoh, por të parit ia njoh kapacitetin dhe
aftësinë për të shkruar pasi, për njëzet vjet nuk ka botuar ndonjë shkrim të
tij. Atëherë kush e kishte shkruar artikullin apo, më mirë, artikujt binjakë?
Në
këto çaste m’u kujtuan vargjet e famshme të të madhit Noli: “Allallah, o rrezil e katil allallah!” Hedh
vështrimin në shkrimin e parë dhe lexoj:
“Reshat, ku e ka origjinën reale
guximi yt për të kërcënuar? Tek tre-katër vitet e burgut që ke bërë apo tek
motra jote që luajti si artiste për dekada të tëra role “heroinash”partizane?”
E
krahasoj këtë shkrim me të dytin:
“Reshati pas një burgosje rreth katër vjeçare u
konsiderua i rehabilituar… Motra
e tij , Drita Pelinku (Kripa), Artiste e Popullit, ka qenë bashkënxënëse me Nexhmije Hoxhën në
institutin “Nana Mbretëreshë”dhe pastaj shoqe e idealeve të përbashkëta.”
Kthehemi përsëri në shkrimin e parë:
“Reshat pas
daljes tënde nga burgu, nën kujdesin e partisë, u sistemove si brigadier apo
dhe përgjegjës në sektorin e investimeve në ndërmarrjen e ullishtes në Vlorë.”
Ndërsa i dyti plotëson:
“ I dhanë një
vend pune si brigadier në qytetin e tij.”
Më thoni, të nderuar lexues, a nuk janë të dy shkrimet nga e njëjta dorë? Kush është
ajo? Natyrisht jo ata që kanë vënë emrat e tyre sipër sepse, sikurse e thashë
edhe më lart, asnjëri prej tyre nuk ka kapacitet për një shkrim të tillë dhe
nuk është dukur asnjëherë në këto njëzet e ca vite në shtypin shqiptar. Nga dolën
tani? Unë e kam të qartë. Janë mjeshtrat e pokerit që i luajnë kartat sipas dëshirës
dhe përdorin këta fatkeqë si viktima të egoizmit të tyre.
Dhe përsëri më kujtohen vargjet e Nolit të madh: “Shtroni udhën me hithër e shtog turfanda.”
Tani dua t’ju bëjë një sqarim këtyre “bandill këndezave”
që ligjërojnë nga qymezet e tyre si korbat në mesnatë. Po është e vërtetë që
kam bërë pesë vjet burg dhe jo tre-katër siç thonë zotërinjtë, aq sa isha dënuar.
U dënova sepse, për katër muaj rresht, shkruaja në muret e qytetit tim: “Për Liri, për Shqipëri, për Flamurin Kuq e Zi!” Isha vetëm pesëmbëdhjetë
vjeç atëherë. Nuk e di se çfarë kanë bërë më tepër zotërinjtë nëse kanë qenë në burg. Thonë se më
paskan bërë privilegj që më paskan caktuar brigadier. Po a e dinë se çfarë
ishte brigadieri në ndërtim? Një specialist i brigadës që duhej të organizonte
atë dhe njëkohësisht të punonte edhe vetë. Për këtë kishte një shpërblim plus,
po të ishte realizuar norma, të barabartë me 10% të realizimit. Ky ishte privilegji
i pretenduar prej tyre? Sa për përgjegjës në sektorin e investimeve nuk kam
qenë asnjë ditë. Për të gjitha këto ju rekomandoj të pyesin Luan Kokën, që ka
bërë njëzetenëntë vjet burg dhe kur u lirua punonte së bashku me mua në
sektorin ku unë kisha “postin e madh” të brigadjerit. Le të pyesin edhe Ilia Thereskën, që e përmendin
në shkrimin e tyre, pasi edhe me atë kam qenë së bashku në burg dhe më njeh
mjaft mirë. Atëherë do të mësoni se kush kam qenë unë. Mbarova gjimnazin me
rezultate të shkëlqyera (të gjitha notat dhjeta). Gjithë shokët e mi vazhduan
studimet e larta kurse mua m’u mohuan. Mos vallë edhe ky ishte privilegji që më
bëhej? Nuk besoj se zotërinjtë e kanë provuar një gjë të tillë pasi nuk e di nëse
u është mohuar kërkesa për studime të larta ndonjëherë. Për më tepër nuk e di
nëse e kanë kryer apo jo shkollën e mesme.
Vazhdojmë më tej. Motra ime nuk ka luajtur ndonjëherë
role “heroinash” partizane siç thoni juve. Në pjesën dëmuese asaj i jepnin të
luante rolet e të deklasuarave (Po përmend këtu rolet e Budes, borgjezes
Mukades në filmin “Radiostacioni” apo kujdestares tek filmi “Vajzat me kordele
të kuqe”) Rolet e heroinave i ka luajtur në kryeveprat botërore si mbretëresha
tek “Hamleti” apo Luiza Miler tek
“Intrigë e Dashuri”, role të cilat e bënë atë një nga aktoret më në zë të
skenës shqiptare dhe nga më të preferuarat e publikut, qofshin këta të majtë
apo të djathtë. Për këtë unë jam krenar.
Motra ime nuk është Artiste e Popullit dhe këtë titull
nuk e fitoi jo se nuk e meritonte por sepse kishte dy vëllezër në burg, unë me
pesë vjet dhe vëllai me dymbëdhjetë. Titullin “Mjeshtre e Madhe e Punës” dhe
urdhërin “Nderi i Kombit” i fitoi vetëm pas ndryshimeve demokratike, në këto
vitet e fundit. Nuk ka qenë gjithashtu bashkënxënëse me Nexhmije Hoxhën. Ndërsa
e veja e diktatorit është e datëlindjes 7 shkurt 1921, motra ime është 3
dhjetor 1926 domethënë gjashtë vjet diferencë. Hapni internetin, nëqoftëse dini
ta përdorni dhe do të gjeni të dhënat e mësipërme. Edhe për këtë unë jam
përsëri krenar. Ndaj u them juve apo atyre që bënë shkrimet tuaja:
- Mos gënjeni, se gënjeshtra i ka këmbët të shkurtëra dhe
ky është turpi juaj.
Çuditërisht sot nuk m’u ndakan vargjet e Nolit: “Gumëzhit o zinxhir e kamzhik batërma!”
Në shkrimin tuaj ju, shkruesi i dytë, ngrini problemin që
paskam përmendur unë në intervistën time mbi të dënuarit ordinerë që u
konsideruan politikë. Fillimisht dua t’ju sqaroj se këtë intervistë e kam dhënë
para se një gjë të tillë ta deklaronte zonja Hoxha. Dua t’ju bëjë me dije dhe këtë
duhet ta dini edhe ju në rast se keni qënë i burgosur politik, se kjo gjë është
mëse e vërtetë. Ishte taktikë e Sigurimit të Shtetit që në gjirin e të përndjekurve
politikë të infiltronte njerëzit e tij më
të përshtatshëm siç ishin ata që vidhnin apo kryenin vepra të tjera të ulta.
Kush ishin, në përgjithësi, punonjësit e prapavijës, guzhinierët, tellallët,
punonjësit e zyrave teknike dhe të tjerë të këtij lloji? Gjithë ata që në
akt-akuzat e tyre kishin edhe nene ordinere. Nëpër kampe kishte ish hajdutë që
pasi ishin dënuar disa herë për vjedhje i dënonin përsëri gjoja për agjitacion
dhe propagandë për t’i mbajtur sa më gjatë në burg. Kishte edhe nga ata që
kishin përdhunuar familjarët e tyre dhe, për t’i shpëtuar turpit, kishin
tentuar të arratiseshin. Sot janë pikërisht këta që çirren e bërtasin si çakejtë
për gjoja të drejtat e tyre. Janë këta që
kanë uzurpuar poste në hierarkit partiake, nën petkun e të përndjekurit politik,
madje edhe në ndonjë shoqatë të përndjekurish. Çuditërisht, për ta janë të
hapura dyert e ekraneve televizive dhe faqet e shumicës së gazetave. Nuk e di nëse
ju bëni pjesë në këtë kategori. Reagimi juaj më bënë të besoj se i përkisni
pikërisht kësaj hordhie. Ndoshta edhe shkruesi i dy shkrimeve të mësipërme mund
të jetë nga kjo kategori.
Ku janë sot këta “të përndjekur”? Do t’i gjeni në Partinë Socialiste gjoja për rivendosjen e të
drejtave të të përndjekurve politikë. Do t’i gjeni në atë parti që për gati shtatëdhjetë vjet na vrau
dhe na sakatosi, na syrgjynosi dhe depersonalizoi. Dhe sot, pa pritur dhe pa
kujtuar na dilka si mbrojtëse e flaktë e çështjes tonë. Për këtë qëllim asaj i
nevojiten zëra që të ndjekin ritmet e daulles së saj dhe këta zëra janë pikërisht
ata që përmenda më sipër.
Jo më kot Noli shkruante: “Lehni laro, kaba!” Janë pikërisht larot “e përndjekur politikë” që
i bëjnë iso persekutorëve të tyre të djeshëm. Janë pikërisht këta persekutorë përpiluesit
e vërtetë të shkrimeve, si këta dy të përmendur më lart dhe për këtë kanë një qëllim
të caktuar, luftë në të gjitha frontet kundër frymës nacionaliste që është
hapur në vendin tonë. Të tillë tipa të urryer nuk kanë vend në shoqatën tonë.
Përse janë drejtuar shigjetat drejt meje? Sepse gjatë gjithë këtyre muajve kam shkruar disa artikuj
me frymë nacionaliste. Po përmend: “Diktator apo president”, “Liria dhe
hekurat”, “Dosjet dhe “të përndjekurit politikë”, “Kolaboracionist apo
patriot”, “Edhe një herë mbi kolaboracionizmin”, “Për Liri, për Shqipëri, për
Flamurin Kuq e Zi!” e të tjera, të gjitha
në mbrojtje të kësaj fryme. Kjo
gjë u vret veshët atyre që kërkojnë të ngjallin të vdekurin nga varri, sistemin
e përmbysur në fillimin e viteve 90-të. Një shërbim të veçantë u bëjnë atyre shërbëtorët
e zellshëm të ish Sigurimit famëkeq që thërrasin, ashtu siç e mbyllte Noli
poezinë e tij, “Hosana Baraba!”
I përndjekur i panjohur i shkrimit të mësipërm. Dëshëroja
të vinit të ballafaqohemi së bashku për të gjitha çështjet e ngritura në këtë shkrim.
Këtë kërkesë ia kam bërë edhe “shkruesit” të shkrimit të parë por nuk guxoi. Le
të shpresojmë se ju do të vini. Por, më parë, merrni me vete dosjen tuaj. Merrni
aktivitetin që keni kryer në këto vite të demokracisë., nëqoftëse keni. Unë
timen e kam marrë. Le t’i krahasojmë me njëra-tjetrën dhe le të shohim se nga
do të anojë kandari.
Unë nuk e çaj kokën për ulërimat e hienave dhe as për intrigat e hijeve të së kaluarës pasi, siç thotë një fjalë e urtë popullore: “Le të jetë oxhaku i shtrembër, vetëm tymi të shkojë drejt!”