Përjetësi » Kripa
Reshat Kripa: Një libër për një martir, Kristo Kirka
E merkure, 11.07.2012, 07:48 PM
Një libër
për një martir, Kristo Kirka
Nga Reshat Kripa
Në galerinë e madhe të
martirëve që ka nxjerrë ky komb
dhe të pasqyruara në letërsinë e re shqipe, një vend nderi zë edhe libri
i ri i Uran Butkës “Kristo Kirka” që sot
ne po e promovojmë. Karshi kollosëve të tjerë të nacionalizmit shqiptar, duke
filluar nga apostulli i shqiptarizmës, Mit’hat Frashëri, Safet Butka e të tjerë
martirë, sot kemi ndër duar një libër për një dishepull tjetër të
nacionalizmit, për një nga burrat e rrallë që zor se mund t’i gjesh në ditët e
sotme. Në libër, krahas aktivitetit të këtij martiri nga dita e lindjes deri sa
mbylli sytë në qelitë e burgut të Burrelit, do të gjesh edhe mendimet e miqve
të tij për të, apo kujtimet e djalit,
Nikos dhe vajzave, Merit dhe
Ritës.Të gjitha këto të japin përshtypjen se ke të bësh me një njeri të jashtëzakonshëm, një individ që, për
tërë jetën, nuk rreshti së punuari për atdheun dhe lirinë e tij.
Është bërë zakon që letërsinë e kësaj natyre, mbi ngjarje
historike të shtrembëruara nga propaganda komuniste, apo heronj që i vunë
gjoksin luftës për çlirim kombëtar, ta quajnë “Letërsi e burgut”. Personalisht
nuk jam dakord me një emërtim të tillë. Këto vepra nuk janë një përshkrim i
thjeshtë i ngjarjeve që ndodhnin brenda mureve të burgjeve, sado të
dhimbshme qofshin ato. Ato janë letërsia e vërtetë shqiptare që duhet të
lulëzojë në vend si kundërvënie e veprave falso të së kaluarës që në më të
shumtën e rasteve nuk kishin asnjë vlerë, përveç asaj që i shërbyen regjimit
për qëndrimin e tij në këmbë. Kryevepër është ajo që i reziston kohës.
Një vepër e tillë është edhe libri i fundit i Uran Butkës , për të cilin po flasim sot. 28 prill 1955. Në burgun e Burrelit mbyll sytë, në moshën 72 vjeçare, Kristo Kirka. Disa muaj më vonë, kur i mbërriti lajmi i kobshëm, luftëtari nacionalist dhe intelektuali mërgimtar, Qazim Prodani do të shkruante në gazetën “Besa”:
Biri i Korçës, djepi i shqiptarizmit, Kristo Kirka, burrë e shqiptar i madh, me virtyte morali e patriotizmi të lartë, mbylli sytë nën thonjtë e armiqve të kombit në burgun e Burrelit. Burrat e destinuar për histori, që shpirtëzojnë legjendën e krenarisë së një kombi, që “thyhen por nuk përkulen”, rrojnë dhe vdesin të mëdhenj.
Një nga këta ishte dhe Kristo Kirka. U shua në qelitë e burgut më të tmerrshëm të vendit, por mbeti një vigan i këtij kombi. Trashëgimtar i cilësive më të larta të shqiptarit ai, me veprat e tij, lartësoi në mbarë botën emrin e kombit shqiptar. Ai shquhej për nder trimëri, qëndrueshmëri dhe shpirtmadhësi. Dhe ja se si miku i tij i burgut, Arshi Pipa, i thurri vargjet e mëposhtme:
Vdiq
flamurtari i moçëm!
Si rrojti,
vdiq me nder,
I pastër, i
devotshëm,
Pa u përkulë
një herë.
---------------------------------
Nuk fali, nuk
mallkoi,
Po kur fjala
iu pre,
Ndigjuem qysh
ankoi:
“Për flamur!...Për Atdhe!”
Lexoj këto vargje në librin e Uran Butkës dhe në sytë e
mi më shfaqet figura e këtij kollosi të shqiptarizmës. Nuk do të flas për aktivitetin e tij
patriotik të zhvilluan në SHBA dhe në Shqipëri gjatë viteve 1904-1944. Në këtë
kumtesë, do të flas për periudhën e
trazuar të fundit të Luftës së Dytë
Botërore dhe të restaurimit të
pushtetit diktatorial të komunistëve.
U kthye në Shqipëri në fillim të vitit 1938. Ishte një
figurë mjaft e njohur dhe e
respektuar. Në atë kohë në qytet qarkullonin idetë që i përhapnin disa elementë komunistë
që kishin ardhur nga Bashkimi Sovjetik apo të tjerë të frymëzuar prej tyre.
Kristua, që kur ishte në SHBA kishte lexuar shumë libra ku përshkruhej karakteri
terrorist i sistemit komunist dhe përshkruheshin tmerret që ushtronte shteti
socialist mbi popullsinë ruse. Kështu që e kishte formuar opinionin e tij
lidhur me këtë sistem diktatorial Ndaj i
këshillonte miqtë që të mos binin viktimë e propagandës së tyre, duke i
paralajmëruar për rrezikun që paraqiste një sistem i tillë.
Ky ishte Kristo Kirka i atyre viteve të turbullta, njeriu i ndershëm dhe patriot, i përshkruar nga Uran Butka me të gjitha ngjyrat e gjalla të penës së tij prej historiani. A mund të quhet tradhtar një person i tillë? Veis Pipa shkruante:
Ndër qela të
Burrelit u sos,
Me dhunën e
tradhtarit,
Me njollën e
kriminelit,
Mbi ballin e atdhetarit.
Pa parfunduar ende lufta, familja Kirka u bë protagoniste
e dhunës së ushtruar mbi të. Qysh më 25 tetor 1944, ditën kur falangat
terroriste komuniste hyjnë në Korçë arrestojnë Kriston e mirë, simbolin e
urtesisë dhe drejtesisë njerëzore dhe mbi të fillon të ushtrohet dhuna më e
egër. Meqënëse nuk mundën të siguronin “prova”, pas 18 ditësh u detyruan ta
lirojnë.
Vitet 1945-1948 ishin vitet e gjyqeve të famshme kundër “armiqve të
popullit”. Grupe të mëdha “kriminelësh lufte” nxirreshin para bankës së të
akuazuarve. Kryetarë, prokurorë dhe gjyqtarë të këtyre gjyqeve ishin komunistët
më agresivë si Koçi Xoxe, Nevzat Haznedari, Aranit Çela, Shuaip Panariti,
Irakli Bozo, Koço Prifti, Sotir Qirjaqi, Niko Ceta e të tjerë.
Gjyqet ndiqnin njëri-tjetrin. Për çdo gjyq mbi dhjetë të
dënuar me vdekje. Kështu u pushkatuan profesor Faredin Angoni nga Gjirokastra,
nacionalisti Myrteza Zleusha, Juristi Mehmet Babani, oficeri i ushtrisë
kombëtare Nazif Babani, juristi Qazim Frashëri, tregtari Fadil Garo, Faslli
Frashëri, Petraq Katro dhe plot të tjerë. Dhjetra të tjerë me dënime të rënda. Nga ky revansh e pësuan juristi Xhevdek
Kapshtica, agronomi Sami Bitincka, nacionalisti Sami Koprencka, ballisti
Demirshah Stopani, 17 vjeçari Avni Xhomaqi nga Bejkova i cili akuzohej se
paskësh thënë në një mbledhje të popullit ku komunistët kërkonin të mbështetej
Titua në kërkesën për Triesten:
- Ç’na duhet Triestja, neve na duhet Kosova!
Terrori filloi edhe mbi familjen Kirka. Më 17 prill 1946 përjashtohet nga shkolla Nikua së bashku me dy shokë të tij. Në njoftimin e përgatitur me këtë rast shkruhet:
Bëhet e
njohur se, sipas shkresës me nr. 284/II, datë
17.04.1946 të Ministrisë
së
Arsimit,
Nxënësit Niko Kirka, Petro Zisi dhe Albert Kaçiroti, të klasës së VI-të klasike
të
këtij liceu përjashtohen përgjithmonë nga të gjitha shkollat e mesme të Shqipërisë.
Nuk vonoi shumë dhe më 12.05.1946 me urdhër-arrestin e
prokurorit ushtarak Petrit Hakani arrestohet dhe Kristo Kirka me akuzën “ armik
i popullit dhe sabotator i i pushtetit popullor. Shtatë muaj hetuesi. Shtatë
muaj tortura të tmerrshme. Një qëndrim dinjitoz i një personaliteti të shquar.
Pas hetuesisë gjyqi. Prokuror Petrit Hakani. Kryetar gjyqi Gjon Banushi..
Kristua dënohet me 20 vjet burg. Në atë kohë ishte në
moshën 63 vjeçare.
Pas dënimit vazhdoi
përndjekja barbare në burgjet e Korçës, Tiranës dhe për të
përfunduar në atë të Burrelit.
Por përndjekja vazhdoi mbi të gjithë familjen e Kristos. Më 29 qershor 1946 arrestohet Nikua dhe pas një qëndrimi stoik në birucat e Sigurimit të shtetit dënohet me tetë vjet. Prokurori Ushtarak Misto Bllaci në pretencën e tij deklaron:
Kanë bërë mbledhje të ndryshme ilegale kundra pushtetit, me qëllim terrori, duke shtuar vijën e tyre në masat e gjëra. Kanë tentuar të organizojnë grupe terroriste në radhët e ushtrisë kombëtare, me qëllim që të rrëzojnë pushtetin me violencë dhe të kryejnë atentate kundër udhëheqësave. Kanë sabotuar punët vullnetare dhe të rindërtimit, si dhe zgjedhjet e ndryshme të Frontit. Me një fjalë, kanë qenë armiq të betuar të qeverisë demokratike.
Ndërsa i lexohet një pjesë e ditarit të tij, Nikua deklaron me një kurajë të padëgjuar:
Jam kundër pushtetit. Nuk jetohet me këta qelbësira. Kam shpresë në ndërrimin e regjimit. Këtë ndërrim e kam pritur nga politika e jashtme.
Këtë këmbëngulje në parimet e tij, Nikua e pagoi me
tortura të tmerrshme si qëndrimi në ujë për ditë të tëra apo lidhja në atë që
quhej “Shtylla e turpit”.
Pas dënimit të
Nikos rrufeja qëllon edhe Androniqin, gruan e Kristos. Nën akuzën e mospagimit
të një tatimi mbi të ardhurat prej 36.920 lekësh, arrestohet edhe ajo dhe
mbahet për një kohë të gjatë pa u zhvilluar asnjë gjyq. Nuk kishte shumë kohë
që u kishin konfiskuar pjesën më të madhe të pasurisë së luajtëshme të
familjes. Në shtëpi mbetën vetëm dy vajzat e reja.
Dëgjoni tani kujtimet e disa prej bashkëvuajtësve të Kristos që venë ne pah karakterin e lartë të figurës së tij.
Tomor Aliko:
Ja, tani e kisha përpara Kriston, por ama në birucën e errët të burgut. U ula pranë tij dhe i mora dorën. Desha t’ia puthja, por ai nuk më la. - Bir i babait, - më tha – ti je i ri, do të jetosh dhe do të shohësh shumë ndryshime, se bota nuk do të qëndrojë kështu. Vetëm urtësia mund të të ndihmojë që të shpëtosh në këtë kohë. Më more vesh, or bir?
Ceno Caushaj
Tjetër ndjesi më jepnin takimet dhe bisedat me të burgosurin e moshuar të burgut, Kristo Kirkën. Atë e konsideronim babanë e burgut, jo vetëm për flokët e thinjura, por edhe për qetësinë, mendimet e urta dhe atdhetare. Çdo bisedë ai e lidhte me Shqipërinë dhe kombin dhe çdo vlerësim të personave apo ngjarjeve, e bënte mbi këtë bazë, sa dhe si i kanë shërbyer vendit dhe kombit.
Fatbardh Kupi
Kisha shumë respekt për patriotët që nuk i ishin nënshtruar regjimit të Enver Hoxhës dhe njoha shumë karaktere të fortë dhe të papërkulur. Një ndër ata burra ishte edhe Kristo Kirka. Ishte burrë pa fjalë dhe të impononte respek me sjelljen e tij.Kisha dëgjuar për aktivitetin e tij atdhetar dhe respekti që ndjeja për të ishte i veçantë.
Abdurrahman Kreshpa
Për Kristo Kirkën kisha formuar përfytyrimin e luftëtarit energjik dhe të politikanit fjalëzjarrtë. Por, kur e njoiha në burgun e Burrelit, më la tjetër përshtypje. Fliste ngadalë por çdo fjalë i zinte vend. Fliste vetëm për të shkuarën për tema historike. U shmangej bisedave aktuale. Shoqërohej me pak njerëz, por ama të gjithë e respektonin.
Leka Dosti
Tomorin dhe mua na transferuan nga burgu i Tiranës në atë të Burrelit. Atje morëm vesh nga të burgosurit e tjerë se kishte pak muaj që kishte mbyllur sytë Kristo Kirka. Në atë burg-ferr, vdekjet nga torturat, sëmundjet dhe mungesat e ushqimit ishin të zakonshme.
Arshi Pipa
I arrestuem për të vetmin faj se nuk kishte qenë i gatshëm me brohoritë regjimin komunist, ai u dënue të mos delte i gjallë nga burgu.
Dhe elegjia e tij vazhdon të buçasë në veshët e mi:
A u
pezmatue, a u lodh?
Se ashtu u
shpërbly i pafati,
Se fëmija
pranë s’iu ndodh,
Se vorr, as vorr nuk pati!
Poeti nuk mund ta dinte se pikërisht një ditë më parë vdekjes së tij e bija, Kristina, e kishte përjetuar vdekjen e të atit. Ajo ndodhej në Burrel ku kishte vajtur për ta takuar, por e kishte gjetur pa ndjenja. Mundi ta shihte në sajë të një momenti, të jashtëzakonshëm për atë periudhë, kur komandanti i burgut, Xhipe Mersini, e kishte lejuar për takim. Ja si shkruan ajo për këtë çast:
Babanë e kishin shtrirë në një krevat druri në infermieri. I kishte rënë një nur i bukur.Dukej sikur më priste
- Baba, jam Rina! – i thashë me një zë të dridhur, por ai nuk u përgjigj.
- Baba, baba! përsërita edhe njëherë duke e shkundur, por ai nuk reagoi. Iu hodha përsipër, e putha, e lava me lotë. Ai ishte gjallë, ndoshta më dëgjonte, ndoshta kërkonte ndihmë.Unë e shkreta nuk i jepja dot asgjë.
Atë natë qëndroi në Burrel duke u përpjekur në qytet për ndonjë doktor dhe ilaçe. Natën nuk mbylli
sytë për asnjë çast. I kishte humbur shpresat. Të nesërmen kur shkoi për ta
takuar në burg, roja i dha lajmin e tmerrshëm se ai kishte vdekur. Kërkoi të
merrte kufomën e tij, por roja i tha se atë mund ta merrte vetëm pasi të
mbaronte dënimi. Pas 40 ditësh erdhën familjarisht për të parë varrin e tij.
Kërkuan tek qershiza e famshme por nuk e gjetën. Ata edhe sot nuk e dinë se ku
ndodhen eshtrat e tij.
Ditët e fundit më ra në dorë një poezi e një poeti anonim. Në njerën nga strofat e saj shkruhet:
Por kërkoj,
Kërkoj më
kot,
të gjej
vendin
ku ka rarë,
nuk e di
a ka në botë
një të vdekur
pa një varr?
Ky vend, për fat të keq është Shqipëria e jonë. Janë
rreth 4500 martirë që kërkojnë një varr ku të afërmit e tyre të vendosin një
tufë me lule, apo të derdhin dy pika lotë. Shteti komunist i mblodhi të rënët e
tij dhe u dha një varr ashtu siç u takonte. Po shteti demokratik a do të
kujtohet për të rënët që dhanë jetën për ditët që ne gëzojmë sot. Mendojmë se
është detyra e këtij shteti t’u jap atyre një varr dinjitoz, në një varrezë
dinjitoze, ku të mos kenë mbi krye yllin e urryer të komunizmit, pasi është
pikërisht ai yll që i vrau.
Dihet prej të gjithëve se një fenomen i tillë ndodh edhe
në Kosovë me të zhdukurit gjatë luftës për liri. Por qeveria Kosovare vazhdon
me ngulm kërkesën për gjetjen dhe rivarrosjen e tyre. Në fund të fundit ata u
vranë nga pushtuesi sërb. Po për tanët që u vranë nga vetë shqiptarët kur do të
kujtohet shteti ynë? Ne jemi në pritje.
Duke përfunduar këtë kumtesë, më lejoni të citoj një frazë të shprehur nga editori i gazetës “Dielli” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, zoti Dalip Greca:
Martirin, që kishte tentuar të bëhej engjëlli mbrojtës i atdheut, e kryqëzuan komunistët, duke e lënë edhe pa varr. Po shpirti? Doemos në qiell!
Ju faleminderit!
Kumtesë mbajtur në promovimin e librit të zotit Uran Butka “Kristo Kirka” më datën 9 korrik 2012, në sallën e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.