Përjetësi » Kripa
Reshat Kripa: A po zbatohet “Katovica”?
E enjte, 14.06.2012, 06:59 PM
A po zbatohet “Katovica”?
Nga Reshat Kripa
Këtë pyetje ma bëri miku im i fëminisë LK, mbi
shpatullat e të cilit rëndojnë 29 vite burg. U arrestua në vitin 1961, pasi
kishte strehuar një kushëririn e tij të arratisur dhe u dënua me 25 vjet privim
lirie. Ndërsa kryente dënimin në kampin e punës së detyruar të Spaçit, merr
pjesë në revoltën e zhvilluar atje dhe dënohet përsëri me 25 vjet të tjera. Përfundimisht
lirohet në vitin 1990, disa muaj para përmbysjes së madhe.
Pyetja e mikut me vuri ne nje pozitë të vështirë. Kishte
apo nuk kishte të drejtë? Kjo dilemë qëndronte pezull në ndërgjegjen time.
Shpirtërisht nuk doja ta besoja. Pikënisja e kësaj dileme kishte qënë mbledhja
e udhëheqësve komunistë të vendeve
socialiste në kohën kur ky sistem kishte marrë rrokullimën. Vendi ynë nuk
kishte marrë pjesë në atë mbledhje pasi marrëzia e udhëheqjes së atëhershme e
kishte bindur atë se ishte kreu i gjithë lëvizjes komuniste të botës. Megjithatë
vendimet e kësaj mbledhjeje kishin mbërritur edhe këtu. Miku im LK m’i përsëriti,
nuk e di për të sajtën herë:
Lidhur me
pluralizmin, do t’i nxisim të krijojnë parti sa të duan, të majta, të qendrës
dhe të djathta, por gjithsesi këto parti duhet të kontrollohen dhe drejtohen
nga ne. Partia që do të marrë pushtetin do të shajë komunizmin në themel e në
çati. Të përndjekurit politikë do të thonë:
- Edhe këta e
urrejnë komunizmin.
Do të afrohen
dhe do të na përkrahin. Ne na intereson karta morale e tyre. Do t’i afrojmë dhe
do t’u japim punë të parëndësishme, po kurrë nuk do t’i lëmë të marrin
pushtetin, sepse atëherë ata do
të fillojnë të hakmerren.
Çuditërisht unë jam një person i dyzuar. Brenda vetes
time ekziston një person i dytë që
mendon ndryshe nga i pari. Ky dyzim më ka lindur pas ndryshimeve demokratike
dhe kjo ka arsyet e veta. Tradicionalisht i përkas një familjeje me parime të
djathta nacionaliste. Qysh kur isha fëmijë shikoja tim atë që mbrëmje për mbrëmje
dëgjonte fshehurazi lajmet e Radio Londrës dhe i komentonte ato me miqtë e tij
më të afërt. Copëza nga këto biseda i kapte edhe veshi im dhe pak nga pak tek
unë formoheshin këto bindje që kam sot. Fati e pruri që të burgosesha që në
moshë të re dhe atje kontakti me intelektualët e rrallë që njoha bëri që të
vendosesha përfundimish në krahun e të djathtës nacionaliste.
Gjithmonë kam ëndërruar për lirinë. Ndaj u bashkova qysh
në çastet e para me lëvizjen demokratike për përmbysjen e sistemit totalitar. Në
këtë lëvizje u hodha pa asnjë paragjykim. Shikoja që pjesa dërmuese e atyre që
ishin në krye të saj, i përkisnin klasës së pushtetit të përmbusur. Megjithatë
kjo nuk më shqetësonte pasi mendoja se kushdo ka të drejtë të hedhë poshtë pjesën
e keqe të zemrës së tij dhe të jetojë me atë më të mirën, siç thoshte Hamleti i Shekspirit. Kushdo
ka të drejtë të ngrihet edhe kundër së kaluarës së tij kur ajo nuk është e
drejtë. Por, para se të kryej një veprim të tillë, personi duhet të reflektojë.
Ai duhet të pranojë që deri atëherë kishte ndjekur një rrugë të gabuar, gjë që
nuk ndodhi në asnjë rast dhe nga asnjë individ. Filluan të shajnë komunizmin “në
themel dhe në çati” por pa treguar rolin e tyre sado të vogël në atë sistem jo
njerëzor. Kjo gjë solli që në krye të dilnin edhe disa “gojë mjalt’e trup përlyer”
që në të kaluarën nuk linin më pa thurrur lavde për “mrekullitë e botës
socialiste”.
Kjo gjë më kujtoi një
thënie
të zotit Benesh,
përfaqësues i grupit
demokrat çek, në seancën e miratimit të Rezolutës së
Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës “Për dënimin e krimeve të
rregjimeve komuniste” në vitin 2006:
Unë nuk kam
frikë as nga nazizmi, as nga komunizmi, por nga lakejtë e tyre që i kanë
ndihmuar regjimet ish- komuniste të qëndrojnë në këmbë.
Janë pikërisht këta lakej që sot ndodhen në pushtet apo
opozitë që e kanë bërë karakterin tim të dyzuar. Duke qënë në detyrën e
Kryetarit të Degës së Shoqatës Antikomuniste të të Përndjekurve Politikë të
Tiranës pothuajse përditë hasem me çështje që u përkasin atyre dhe që, për
fatin e keq, është shumë e vështirë të gjejnë zgjidhje. Dyzimi im më bën që të
dyshojë nëse një gjë e tillë vjen nga burokracia e zakonshme që ekziston në
administratën shtetërore apo mosdashja e tyre. Në rast se do të ishte e para do
ta konsideroja si një pakujdesi që shpejt mund të korigjohej por, po të ishte e
dyta, do të më vinte shumë keq pasi, duke qënë vetë një anëtar i së djathtës
nuk do të më vinte mirë që një qeveri e po të së djathtës të kishte një mendim
të tillë.
Tani le të kthehemi në çështjet që preokupojnë më tepër të
përndjekurit politikë. Në krye të tyre, natyrisht, qëndron antikomunizmi. Ishte
ky motivi pse iu kundërvunë komunizmit, që u dënuan dhe vuajtën për gati nje
gjysmë shekulli terror. Por a është luftuar komunizmi në Shqipëri? Përgjigja është
një e vetme: JO!
Një gjë e tillë ra në sy edhe të vendeve demokratike të
botës. Një delegacion i Kombeve të Bashkuara i kërkoi Shqipërisë, qysh në
marsin e vitit 2010, të dënonte krimet e komunizmit. Po për këtë qëllim, më 14
dhjetor 2010, gjashtë ministra të jashtëm, ata të Lituanisë, Letonisë, Çekisë,
Hungarisë, Rumanisë dhe Bullgarisë i kërkuan Sekretares së Përgjithshme për
Drejtësinë të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, zonjës Vivian
Reding, dënimin e këtyre krimeve por që,
për fat të keq, kjo kërkesë nuk u përkrah nga Ministri ynë i jashtëm.
Çfarë u bë lidhur me këtë. Pas miratimit të një ligji që
gjeti zbatim, pas gati dy vitesh, u krijua “Instituti i Hetimit të Krimeve
Komuniste”. Ka kaluar një vit nga krijimi i tij dhe ende nuk po shohim diçka
konkrete. Kur do të lejohet ky institut të futet në kompetencat që i jep ligji?
Këtë nuk e dimë. Unë mendoj se ky duhet ta fillojë punën e tij duke u mbështetur
në kërkesat e parashtruara në Rezolutën e Kuvendit të Shqipërisë “Për dënimin e
krimeve të kryera nga regjimi komunist në Shqipëri” të vitit 2006.
Cilat janë këto kërkesa: Le të analizojmë disa prej tyre,
ato më kryesoret:
Pika 4. Rënia
e regjimit komunist në Shqipëri nuk u
pasua me nje hetim të krimeve të kryera prej tij, aq më tepër që autorët e këtyre
krimeve nuk u përballën asnjëherë seriozisht me drejtësinë dhe nuk u kërkuan
falje publike viktimave të genocidit komunist.
Për deri sa një gjë e tillë është pranuar nga parlamenti
shqiptar, çfarë e pengon pushtetin gjyqësor dhe atë ekzekutiv ta zbatojnë?
Megjithëse kanë kaluar gjashtë vjet nga miratimi i rezolutës në fjalë nuk
shohim asnjë shenjë për hetimin e këtyre krimeve ose një të penduar të vetëm që
t’i ketë kërkuar falje viktimës së tij. Sikurse thekson rezoluta denoncimi i
krimeve të diktaturës komuniste, i shërben shmangies së përsëritjes së krimeve
të ngjashme në të ardhmen. Për këtë duhet forcuar ndërgjegjësimi i opinionit
publik shqiptar, për krimet çnjerëzore të kryera nga regjimi diktatorial.
Pika 8. Kuvendi i Shqipërisë dënon diktatorin
Enver Hoxha si ideatorin, frymëzuesin, drejtuesin dhe ekzekutuesin e sistemit
më të egër diktatorial komunist në Europën Lindore që çoi
në izolimin
dhe varfërimin e tejskajshëm të Shqipërisë dhe kërkon heqjen e të gjithë
titujve dhe dekoratave të dhëna atij e bashkëpunëtorëve të tij nga regjimi
komunist.
Kush duhet t’ia heqë këto dekorata e tituj atij dhe të
tjerëve? Unë mendoj se kjo i përket pikërisht Kuvendit të Shqipërisë që ka
miratuar këtë rezolutë dhe që udhëhiqet dhe ka në përbërjen e tij edhe të përndjekur
politikë nga ai regjim. Ku është zëri i tyre?
Pika 9. Kuvendi i Shqipërisë kërkon
rishikimin e datave simbol të sistemit komunist që shënojnë instalimin e
diktaturës komuniste në Shqipëri si dhe heqjen e këtyre datave nga protokollet
zyrtare shtetërore.
Terma të tilla si “24 maji”, “11 janari”, “21 dhjetori”, “10
korriku”, “Komuna e Parisit” e të tjera i gjen ende në emërtimet e rrugëve, lagjeve,
shesheve, shkollave, madje ato i dëgjojmë
gjithmonë e më shpesh nëpër shtypin e përditshëm apo atë
televiz, nëpërmjet analistëve dhe për
më tepër edhe të politikanëve tanë. Kush është organi që
do t’i heqë? Mos vallë është i nevojshëm një ligj i tillë që i detyron qytetarët
të mos t’i përdorin këto emërtime?
Pika 10. Kuvendi i Shqipërisë kërkon bërjen
puiblike të të gjitha dokumentave që dëshmojnë krimet e regjimit komunist përfshirë
dhe dosjet e krijuara në ish-institucionet e përndjekjes dhe dënimeve politike
si Sigurimi i Shtetit, Prokuroritë, Gjykatat dhe Komitetet e Dëbim-Internimeve.
Përsëri e njëjta pyetje: Kush do t’i bëj të ditura këto
dokumenta? Ministria e Brendëshme, Shërbimi Informativ Shtetëror, Instituti
Hetimit të Krimeve Komuniste apo ndokush tjetër. Pas gjashtë vjetësh, përsëri
asnjë përgjigje. A thua të jenë shurdh drejtuesit e këtyre institucioneve që
nuk përgjigjen?
Pika 11. Kuvendi i Shqipërisë kërkon hapjen e
dosjeve të ish-bashkëpuntorëve të Sigurimit të Shtetit për politikanët,
drejtuesit e institucioneve kushtetuese, atyre të sistemit të drejtësisë, të
administratës publike qëndrore e lokale, si dhe të mediave kombëtare
audio-vizive apo të shkruara.
Mbi njëzet vjet demokraci dhe Shqipëria është i vetmi
vend i Europës Lindore që nuk ka një ligj për hapjen e dosjeve. Edhe një ligj
gjysmak që u miratua dy vjet më parë u hodh poshtë, çuditërisht, nga disa
gjykatës të Gjykatës Kushtetuese që prekeshin nga ky ligj. Por, më e keqja është
se ky fakt po përdoret për të ushtruar presion mbi disa persona të caktuar, të
pa pëlqyer nga të dy krahët e politikës.
Një gjë e tillë ra në sy edhe në rastin e zgjedhjes së
Presidentit të Republikës. Kush u dha të drejtë të hetojnë disa drejtuesve të
partive në këtë drejtim kur nuk ka një ligj të tillë? Për më tepër përse këtë
hetim e bëjnë kundër dikujt që i përket shtresës së të përndjekurve politikë dhe
jo kundër qindrave, për të mos thënë më shumë, që gjenden në radhët e
parlamentit, qeverisë, gjykatave, prokurorive dhe kudo në administratën
qëndrore e lokale si dhe mediat?
Personalisht jam për hapjen dhe bërjen publike të të
gjitha llojeve të dosjeve. Le të merret vesh nga të gjithë dhe për të gjithë
ata që janë përlyer me sistemin diktatorial dhe
atëherë, në rast se qytetarët do t’i pranojnë si të tillë me ndërgjegje,
le të zenë postet për të cilat aspirojnë.
Pika 15. Kuvendi i Shqipërisë mbështet
hartimin e një strategjie kombëtare për eleminimin e pasojave të totalitarizmit
gjysmëshekullor në Shqipëri dhe fton institucionet shtetërore të përmbushin të
gjitha detyrimet ligjore lidhur me
statusin e të përndjekurit politikë për integrimin, arsimimin, punësimin,
strehimin, dhe dëmshpërblimin e tyre në një kohë sa më të shpejtë, si dhe
akordimin e një fondi për gjetjen e të zhdukurve dhe të vrarëve me apo pa gjyq
për arsye politike.
Përse deri tani, kur kanë kaluar gjashtë vjet, nuk është
hartuar një strategji e tillë? Përse institucionet shtetërore nuk përmbushin
detyrimet ligjore lidhur me statusin e të përndjekurit politikë? Me përjashtim
të detyrimit për arsimin që mendoj se është kryer, për të tjerat jemi ende
larg. Një farë pune u bë me ligjin për dëmshpërblimin e tyre por nuk e kuptojmë
përse ky ligj ka mbetur pothuajse pezull. Kur në afatin e tij parashikohej
periudha e tetë viteve tani, kur kanë kaluar katër vjet, nuk është përfunduar kësti
i parë. Pretendohet se shkak për këtë janë amendamentet që i janë bërë këtij
ligji. Unë nuk jam dakord me një mendim të tillë pasi, ai që i ka plotësuar të
gjitha kërkesat e ligjit, nuk ka pse të presë ata që gabojnë apo amendamentet e
tjerë që ndoshta nuk mund të kenë kurrë fund. Një shembull jo i mirë është edhe
amendamenti i fundit që Qeveria i ka drejtuar Kuvendit të Shqipërisë. Kur ka
kaluar gati një vit nga dita e drëgimit në Kuvend dhe kur ky projekt-ligj është
shqyrtuar në Komisionet e Ekonomisë dhe të Ligjeve, përse nuk dërgohet në seancë
plenare për miratim por, sipas shtypit të përditshëm, qenka shtyrë për në
shtator?
Një nga pikat e këtij amendamenti është edhe ai i përfitimit
të dëmshpërblimit me dy këste të personave me moshë mbi 85 vjeç. A e dini zotërinj
deputetë dhe, në mënyrë të veçantë ju deputetë të përndjekur, se një pjesë e mirë e atyre që janë mbi moshën
85 vjeç janë shuar gjatë këtij viti? Një ditë më parë u shua edhe një prej
tyre, poeti i nderuar Pano Taçi. Mos prisni që të shuhen të gjithë? Kjo është
një mospërfillje ndaj kësaj shtrese nga ana e Kuvendit të Shqipërisë, në krye të
së cilës, e përsëris, është një e përndjekur
politike.
Përsa i përket caktimit të një fondi për gjetjen e të
zhdukurve dhe të vrarëve me apo pa gjyq për arsye politike, mendoj se jemi
shumë vonë. Një gjë e tillë duhej bërë shumë më parë. Megjithatë patjetër duhet
filluar. Familjarët duan një varr për të afërmit e tyre ku të derdhin dy pika
lot dhe ku të vendosin një tufë me lule. Duan edhe një varrezë të veçantë për
të rënët ku të mos kenë mbi krye yllin e kuq të komunizmit, atë yll që i
vrau dhe dënoi pasardhësit e tyre.
Pika 16. Kuvendi i Shqipërisë nxit fillimin e
një fushate kombëtare për ndërgjegjësimin rreth krimeve të kryera në emër të
ideologjisë komuniste duke përfshirë rishikimin e librave shkollore, shpalljen
e nje dite kombëtare për përkujtimin e viktimave të komunizmit, hapjen e
muzeumeve përfshirë dhe rikthimin në muze të burgjeve të tmerrshme politike, si
dhe ngritjen e memorialeve në nderim të shqiptarëve që u vranë për kundërvënien
ndaj regjimit totalitar.
Ka shumë vjet që flitet për rishikimin e librave
shkollore por deri më sot nuk
është bërë
absolutisht asgjë. Të gjitha ngjarjet historike të vendit
tonë, në këto tekste vështrohen nën prizmin komunist. Deri kur? Nuk dihet. Ende
nuk është ngritur një komision i përbërë nga specialistë të fushës për
rishikimin e tyre. Sa do të pritet ende?
Deri kur fëmijët tanë do të vazhdojnë të helmohen me propagandën komuniste?
Me nismën e ish-Ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë
dhe Sporteve, zotit Bujar Leskaj, data 21 maj, dita e revoltës së madhe në
kampin e Spaçit ku për tre ditë me radhë valoi flamuri kuq e zi pa yllin e
urryer të komunizmit dhe ku ranë katër martirë, u shpallë dita e përkujtimit të
viktimave të komunizmit. Megjithëse kanë kaluar disa vite nga data e shpalljes,
ky vendim ka mbetur vetëm në letër. Në asnjë vit shteti shqiptar nuk është
kujtuar ta përkujtojë këtë datë. Madje, në mënyrë flagrante, është vendosur që
kjo datë të zëvendësohet me 20 shkurtin, ditën e rënies së përmendores së
diktatorit. Nuk dua të hedh poshtë kontributin e lëvizjes studentore të viteve
1990-1991 por dua të theksoj se pa rezistencën dhjetravjeçare të nacionalizmit
shqiptar kundër komunizmit, përmbysja e sistemit totalitar nuk do të ishte e
mundur.
Rezoluta bën fjalë për hapjen e muzeumeve dhe rikthimin në
muze të burgjeve të tmerrshme të komunizmit por edhe kjo thirrje ka rënë në
vesh të shurdhër. Shoqata jonë ka disa muaj që i ka dërguar një kërkesë Kryeministrit
për kthimin në muze të burgut të Burrelit dhe kampeve të Tepelenës dhe Spaçit
por, deri më sot, nuk kemi marrë asnjë përgjigje. Përse? Kjo pyetje do një përgjigje.
Përsa i përket ngritjes së memorialit në përkujtim të
viktimave të komunizmit dua të theksoj se një memorial i tillë është ngritur
edhe në Washington, megjithëse Amerika nuk pati asnjë viktimë nga komunizmi. Atëherë
përse nuk ngrihet? Çfarë pritet? Është folur shpesh herë për ngritjen e një
memoriali të tillë. Janë bërë edhe premtime nga përfaqësuesit e shtetit por
deri tani asgjë. Përse? Shoqata ka propozuar që një memorial i tillë të ngrihet
në vendin ku ishte vendosur përmendorja e diktatorit. Në rast se një gjë e tillë
shihet si e pamundur atëherë kryeqyteti ynë ka edhe plot sheshe të tjera të rëndësishme
ku mund të ngrihet një memorial i tillë? Për fat të keq vendin e këtij
memoriali e kanë zënë mbeturinat e turpshme të sistemit komunist. Mund të përmendim
këtu mozaikun në fasadën e Muzeut Historik Kombëtar apo basorelievin në fasadën
e Kryeministrisë si dhe shumë të tjera të përhapura në të gjithë Shqipërinë.
Pika 17. Kuvendi i Shqipërisë mbështet
organizimin e një konference kombëtare me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të
parlamentit, qeverisë, partive politike, shoqatave të të persekutuarve,
akademikëve, historianëve si dhe të ekspertëve të OJQ-ve, për krimet e kryera nga regjimet totalitare.
Pothuajse për çdo ditë në vendin tonë organizohen
konferenca për çështje të ndryshme të të gjitha fushave të shoqërisë shqiptare, vetëm për çështjen e
krimeve të regjimit totalitar sundon heshtja. Kur do të organizohet një konferencë
e tillë? Kush do ta organizojë? Unë mendoj se mund ta organizojë Instituti i
Hetimit të krimeve Komuniste. A do ta bëj një gjë të tillë? Do të presim dhe do
të shohim. Mendoj se kjo është e domosdoshme dhe duhet thirrur sa më parë.
Këto janë arsyet pse karakterin tim e kanë bërë të
dyzuar. Doja të kisha një përgjigje për pyetjen e mësipërme të mikut tim, por
nuk e gjeta atë. Doja të mos besoja në ekzistencën e politikës së “Katovicës”,
por realiteti i vendit më tregoi të kundërtën. Megjithatë nuk jam pesimist.
Shpresoj se do të vijë dita kur këto çështje do të zgjidhen. Zgjidhja e tyre do
të na heqë nga shpina një gur të rëndë, si guri i Sizifit, që rëndon mbi
shpatullat tona. Ky gur i rëndë është termi “Ish - i përndjekur politikë”. Deri
kur do të vazhdojmë të quhemi me këtë term? Komunizmi, për gati një gjysmë
shekulli, na quajti “Armiq të popullit”. Tani , për më se njëzet vjet, quhemi
“Ish - të përndjekur politikë”. Unë, personalisht, dua ta heq nga shpatullat e
mia këtë term. Dua të jem i barabartë me të gjithë shtetasit e tjerë. Ky term
sikur më veçon. Nuk e di se çfarë mendojnë bashkëvuajtësit e mi. Por për t’u
barazuar me të gjithë të tjerët duhet të kryhen të gjitha sugjerimet që bëra më
sipër.
Dua t’u drejtohem përfaqësuesve kryesorë të dy forcave
nacionaliste, Ballit Kombëtar dhe Lëvizjes së Legalitetit, që bëjnë pjesë në
aleancën e madhe të së djathtës shqiptare dhe bëjnë shumë mirë që bëjnë pjesë në
të, se është detyra e tyre kryesore përmbushja e këtyre sugjerimeve. Le ta
ngrene zërin deri në kupë të qiellit brënda shumicës, ku bëjnë pjesë, për
realizimin e tyre. Të mos harrojne se anëtarët e partive të tyre, në pjesën dërmuese
janë nga shtresa e të përndjekurve politikë.
Viti 2013 është viti i zgjedhjeve të përgjithëshme. Ka
mbetur fare pak kohë për korigjimin e të gjithë këtyre problemeve. Megjithatë,
po të ketë vullnet të mirë, gjithçka mund të realizohet. Në të kundërt, me
keqardhje them se do të jetë shumë vonë. Kam theksuar disa herë që kam një
karakter të dyzuar. Si unë një karakter të tillë kanë edhe shumica e të përndjekurve
politikë. Nuk e di si do të veprojnë para kutisë së votimit. Cila anë e
karakterit do të fitojë? Është në dorën e politikës shqiptare ta vendosë
Me këtë rast dua shkruaj edhe dy radhë për demagogjinë që
po përdor partia socialiste lidhur me këtë çështje. Madje paska ngritur edhe
një komision me gjoja “të përndjekur politikë” për hartimin e një “strategjie
të tyre” e cila, midis të tjerave, do të bëjë të mundur dëmshpërblimin e atyre
që jetojnë për dy vjet, ndërsa të tjerëve për katër. Më parë se të bëni të
tilla deklarata false, zotërinj socialistë, duhet t’u kërkoni falje të përndjekurve për
lumenjtë e baltës që keni hedhur mbi ta, për shprehjet e ulta të përdorura nga
Kryeministrat dhe Ministrat tuaj për ta. Ata nuk i besojnë më demagogjisë tuaj.
Ata janë të mendimit se të vetmet forca që do të mund të zgjidhin çështjet e
tyre janë forcat e djathta.
Mund të shkruaja më shumë për këtë çështje por nuk po
zgjatem pasi këto gjëra i kam parashtruar në dy shkrime të miat të mëparëshme,
në atë me titull “Përgjigje zotit Rama” botuar në gazetën “Metropol” Nr. 2604
datë 3 mars 2012 dhe tjetrin të titulluar “Debat me zotin Rama” botuar në
gazetat “Telegraf” Nr. 77 (1939) datë 3 prill dhe “Metropol” Nr. 2631 datë 4 prill
2012.
Këtë mos e harroni.