E shtune, 09.11.2024, 12:15 AM (GMT)

Përjetësi » Kripa

Reshat Kripa: A do të shkruhet historia e vërtetë?

E hene, 02.07.2012, 07:00 PM


Replikë me zotin Guri Shyti

A do të shkruhet historia e vërtetë?

Nga Reshat Kripa

Lexova në mediat elektronike një shkrim të gjatë të zotit Guri Shyti të titulluar “Falsifikatorët e historisë”. Nga titulli mendova se duhej të ishte një shkrim shumë interesant mbi çështje të historisë shqiptare që vazhdon të shkruhet pothuajse njësoj si në kohën e periudhës komuniste. E lexova me nje kureshtje të veçantë. Por, t’ju them të vërtetën, konstatova se autori kishte rënë në grackën e atyre falsifikatorëve që përmendte në shkrim. Natyrisht për këtë konstatim do të jap edhe argumentat e mia.

Zotin Shyti nuk e njoh dhe nuk mund të jap asnjë opinion për të dhe veprimtarinë e tij në të kaluarën dhe sot. Për të më njohur edhe ai më mirë po jap një përshkrim të shkurtër të biografisë sime. Në vitin 1951 së bashku me dy shokë të tjerë, nxënës të vitit të parë të gjimnazit të Vlorës, krijuam një organizatë antikomuniste që shpërndante trakte në qytet. U arrestuam dhe u dënuam, ndonse nuk ishim më shumë se 15 vjeçarë, dhe dënimin e kryem të gjithë një për një. Pas lirimit nuk na lejuan  të vazhdojmë shkollën e lartë por u detyruam të punojmë në profesionin e muratorit deri në ditën e ndryshimeve demokratike. Sot jam Kryetar i Degës së Tiranës të Shoqatës Antikomuniste të të Përndjekurve Politikë Demokratë të Shqipërsisë.

Tani le të kthehemi në temë. Jam dakord me arsyetimet e autorit të sipërpërmendur mbi historianët e sotëm të cilët sipas tij ”rreken të shkruajnë historinë, por, për fat të keq, nuk i kanë parasysh përkufizimet e njohura shkencore”. Kështu që sot kemi një histori të shkruar nën prizmin e gjykimit të mentalitetit totalitar të trashëguar nga sistemi komunist që e përmbysëm. Por a e di autori përse ndodh një gjë e tillë? Sepse në vend vazhdojnë të shihen ngjarjet nën prizmin e mentalitetit komunist që vazhdon të jetojë në psikologjinë e qytetarëve shqiptarë.

Përgjithësisht jam dakord me zotin Shyti për gjykimin që i bënë periudhës së heroit tonë kombëtar, Skënderbeut, apo periudhës së pashallëqeve të mëdha dhe asaj të shpalljes së pavarësisë. Por nuk jam plotësisht dakord me vlerësimin që ai i bënë periudhës së mbretit Zog. Dua të bëj një sqarim. Idhulli im nuk janë parimet monarkiste. Qoftë si trashëgim nga paraardhësit e mi, qoftë nisur nga pikpamjet e mia personale, i përkas rrymës republikane.  Jam dakord me mendimin e tij se Ahmet Zogu u shpall mbret pa një referendum të lirë popullor, por nuk jam dakord me mendimin se ai i fali Jugosllavisë pjesë të teritorit të Shqipërisë, pasi sot kanë dalë në dritë fakte që këto toka u shkëmbyen me territore të tjera. Jam dakord me përndjekjen që ai zhvilloi kundër disa figurave të shquara të historisë shqiptare si Luigj Gurakuqi, Bajram Curri e të tjerë por nuk jam dakord se deshi të armiqësonte jugun me veriun. Për këtë dua të përmend vetëm një fakt. Kryeministër i Qeverisë së asaj kohe ishte Koço Kota një jugor dhe kështu edhe të tjerë. Nuk jam dakord gjithashtu për ta quajtur akt tradhëtie ikjen e tij jashtë shtetit më 1939 kur dihet se Zogu ka qenë kurdoherë kundër politikës ekspansioniste të Italisë kundër vendit tonë. Jam gjithashtu kundër mendimit të tij për të mos ngritur asnjë bust apo përmendore të mbretit Zog në Shqipëri.

Por periudha që kërkon më shumë vëmendje, natyrisht, është ajo e Luftës së Dytë Botërore. E quaj kështu se, për vetë faktorët e zhvillimit të saj ajo nuk mund të quhet një luftë çlirimtare përkrah forcave aleate kundër pushtuesve të huaj. Për këtë do të paraqes argumentat e mia. Autori shkruan se LNÇL na bashkoi me koalicionin antifashist, por, çuditërisht, ai nuk shkruan se përse ky bashkim nuk funksionoi pas marrjes së pushtetit. Historikisht çdo ngjarje e rëndësishme në historinë e një vendi matet me rezultatin që ajo sjell. Çfarë solli e ashtuquajtura Lëvizje Nacionalçlirimtare në përfundim të luftës? A solli me të vërtetë çlirimin e Shqipërisë? A  e di autori se parulla e dalë nga Konferenca e Pezës: “Pa dallim feje, krahine dhe idejeishte vetëm një demagogji dhe do të zëvendësohej me: “Pushteti buron nga gryka e pushkës”. Ishte pikërisht gryka e pushkës ajo që hodhi poshtë marëveshjen historike të Mukjes që do t’i hapte vendit tonë rrugën drejt shteteve demokratike të Europës Perëndimore. Përfundimisht kjo e ashtuquajtur luftë çlirimtare nuk solli gjë tjetër veçse një shtet tejet diktatorial, një shtet vrasës për qytetarët  e tij, një shtet që iu kundërvu edhe atyre që , gjatë periudhës së luftës gjoja i kishte aleat,  duke i konsideruar si armiq të betuar të tij, për më tepër një shtet që dorëzoi vullnetarisht gjymtyrën e shtetit shqiptar, Kosovën martire, në duart e sllavëve të sërbisë, armikut shekullor të shqiptarve, duke u shndërruar në një vasal i bindur i tyre. Autori harron që “partizanët trima” si himn të tyre kishin këngën “Bijtë e Stalinit jemi ne dhe qëllimi final i tyre ishte “Sa të valojë përmbi dhe, flamuri drapër e çekan”. Me pak fjalë flamuri sovjetik ishte më i çmuar se ai me zhgabën dykrenore dhe se ky flamur i huaj duhej të mbulonte të gjithë globin. Një shembull tipik i vasalitetit më të ulët.

Autori e quan pozitiv faktin që në mozaikun e Muzeut Historik Kombëtar qenka hequr ylli i kuq nga flamuri kombëtar por e quan normale qënien e tij në kapelat e partizanëve duke harruar se në rradhët e të ashtuquajturit Front Nacionalçlirimtar luftonin edhe shumë nacionalistë, midis tyre edhe udhëheqësi i Legalitetit, Abaz Kupi dhe këta luftëtarë  nuk kishin dalë në mal për yllin komunist por për dëbimin e okupatorit dhe vendosjen e një shteti demokratik. Dua t’i them autorit se ku janë në mozaik periudha e Skënderbeut, Pashallëqeve të mëdha, Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Pavarësisë Kombëtare e të tjera? Mbi të gjitha ku është Kosova dhe Çamëria? Mos vallë këto nuk i quan troje shqiptare dhe si të tilla nuk u dashkan paraqitur në një mozaik të Muzeut Historik që e quan veten kombëtar? Do të doja që lidhur me këtë të lexonte shkrimin tim me titull “Meditim para mozaikutbotuar në gazetën “Metropol” numër 2674 datë 25 maj 2012.

Mendoj se një gafë tjetër e autorit është edhe mospranimi nga ana e tij e zhvillimit të një lufte civile në  Shqipëri në ato vite. Nuk e di nëse i ka lexuar librat “Lufta civile në Shqipëri” të historianit Uran Butka, ku jepet një pasqyrë e gjallë e zhvillimit të kësaj lufte,  apo edhe atë të pjesmarrësit të LNÇL, Xhelal Staravecka “Përpara gjyqit të historisë”, ku ai me gojën e tij shkruan për krimet e kryera prej çetave partizane ndaj nacionalistëve shqiptarë. Sidoqoftë edhe nëse nuk i ka lexuar unë do t’i kujtoja masakrën e ushtruar nga Mehmet Shehu ndaj 65 bujqëve të pafajshëm në Lushnje, masakrën e Libohovës me 105 viktima, atë të Gjirokastrës me 17 të vrarë pabesisht dhe për të përfunduar me sulmin e tre batalioneve partizane kundër çetës balliste të Dukatit të Vlorës ku mbetën të vrarë 23 luftëtarë, 15 nga partizanët dhe 8 nga ballistët. Këto nuk janë elementë të veçuar të kësaj lufte, siç mundoheni t’i interpretoni ju. Ato janë fakte të pamohueshme të një lufte vëllavrasëse të zhvilluar nga forcat partizane kundër nacionalistëve.

Një çështje tjetër është edhe ajo e të ashtuquajturve kolaboracionist. Kush ishin kolaboracionist? Nuk dua të zgjatem në këtë pikë por do t’u rekomandoja të lexoni shkrimin tim “Kolaboracionit apo patriot...?”  botuar në gazetën “Metropol” numër 2619 datë 3 mars 2012 dhe atje do të gjeni përgjigjen. Por dua të theksoj një pikë të veçantë të asaj periudhe. Sipas shkrimit tuaj gjenerali De Gol paska pushkatuar 2000 kolaboracionistë të nazizmit. Këtë shifër po e marrim të vërtetë. Atëherë le të bëjmë krahasimin me vendin tonë. 2000 kolaboracionistë në një vend me 60.000.000 banorë i përkasin 0.0033% e popullsisë. Në vendin  tonë, sipas statistikave që ruhen ne Institutin e Integrimit të të Përndjekurve Politikë, janë vrarë në përpjekje me forcat partizane gjatë luftës dhe me vendimet e gjykatave ushtarake pas saj rreth 4000 nacionalistë. Po të lexosh akt-akuzat e ngritura kundër tyre do të shohësh se që të gjithë janë quajtur kolaboracionist. Në një vend që në atë kohë nuk kishte më shumë se 800.000 banorë kjo shifër i takon 0.5% të popullsisë. Krahasimin bëjeni vetë.

Çështja e fundit që dua të ngre për atë periudhë është ajo e datës së “çlirimit” të vendit, 29 nëntorit. Dihet se ditë çlirimi quhet ajo ditë kur populli pasi ka dëbuar pushtuesin vendos një shtet deemokratik dhe ligjor të pavarur nga ndonjë fuqi e huaj. Çfarë ndodhi tek ne? Shpëtuam nga shtypja fashisto-naziste, për t’u futur nën ombrellën e të tjera fuqive të huaja që ndonse zyrtarisht nuk na kishin zaptuar ushtarakisht, ishin zotër të vendit tonë. Kështu shteti shqiptar u kthye në vasal fillimisht të Jugosllavisë  së cilës, e theksoj edhe një herë, i kishte dhuruar deri edhe teritorin shqiptar të Kosovës, për të vazhduar me Bashkimin Sovjetik për flamurin e së cilës, siç e theksuam edhe më lart, kishin luftuar partizanët tanë dhe për të përfunduar me Çin ma Çinët e Kinës. Përveç kësaj, ajo që është më kryesorja, çfarë erdhi pas 29 nëntorit? Një shtet diktatorial i terrorit, më i egri midis simotrave të tij të Europës Lindore. Në rast se një datë të tillë e quani çlirim atëherë       kjo është puna juaj, “e gëzofshi” me të gjitha “të mirat” që solli kjo datë!

Tani le të kthehemi në periudhën pas vendosjes së sistemit totalitar. Në mbi pesë faqe shkrim autori, krahas vrejtjeve për “gabimet” që qenkan bërë gjatë asaj periudhe, parashtron edhe një sërë pa fund “suksesesh “ të ekonomisë socilaiste. Në këto “suksese” rendit për shembull rindërtimin e vendit, furnizimin e rregullt të popullatës me ushqimet bazë, arsimimin falas, hapjen e instituteve të larta dhe universitetit, ngritjen e Akademisë së Shkencave, shërbimin shëndetësor falas, telefonizimin dhe elektrifikimin e gjithë vendit, prodhimin e bukës në vend, bonifikimin e kënetave dhe ndërtimin e kanaleve kulluese e të tjera e të tjera “suksese” të ekonomisë socialiste.  Po përfundimi i të gjitha këtyre kush ishte? Një varfërim i tejskajshëm i shtresave të gjëra të popullsisë dhe një jetë përrallore e bllokmenëve brenda kullave të tyre të fildishta. Autorit duhet t’i kujtohet kur lista e ushqimeve që u garantohej qytetarëve në vitet 80-të ishte 1 kg. mish dhe 1 pako gjalp 100 gramshe në muaj,, 1 litër qumësht në ditë dhe atë jo të garantuar dhe kështu me radhë. Ishin pikërisht këto kushte ekonomike kur propaganda komuniste do të arrinte kulmin e demagogjisë me fitimin nga ana e jonë e “vendit më të ushqyer” në botë nga një “organizatë humanitare” në Meksikë.

Dua t’i bëj një pyetje zotërisë:

- Sikur në Shqipëri të mos ishte vendosur pushteti totalitar por një pushtet demokratik, atëherë vendi do të kishte përparuar më tepër apo më pak?

Për përgjigjen e kësaj pyetje mjafton t’i referohemi vendit fqinj,  Greqisë. Në kohën e mbretërimit të mbretit Zog, Shqipëria kishte një ekonomi shumë më të fortë se ajo e Greqisë. Leku shqiptar arriti pozitën më të fortë në këmbim me valutat e huaja. Nuk kishte asnjë qytetar shqiptar që të mendonte të shkonte të punonte në Greqi për të siguruar jetesën. Kurse sot janë mbi gjysmë milioni shqiptarë që kanë emigruar atje. Kjo për gjendjen e mjeruar në të cilën e katandisi sistemi socialist vendin tonë dhe për nivelin e lartë që ka arritur shteti grek me një sistem të ndryshëm nga ai që kemi pasur ne..

Por krimi më i madh që bëri sistemi totalitar dhe për të cilin autori hesht është “njeriu i ri” i krijuar në vendin tonë. Ky  “njeri i ri” ishte hajduti që detyrohej të vidhte “pronën e përbashkët” për të mbijetuar, ishte spiuni që detyrohej të shpifte edhe për vëllanë etij për një punë më të mirë, ishte servili që duhej t’u përulej eprorëve autokratë, ishte hipokriti që ndërronte ngjyrën sa herë i  duhej të përfitonte diçka që nuk mund ta merrte në rrugë normale. Këta “njerëz rë rinj” i kemi edhe sot nëpër këmbë. Ata i shohim në rolin e një qeveritari apo politikani të dështuar, deputeti apo gjykatësi mëndjemadh, përdhunuesi, vrasësi apo çdo lloj sharlatani tjetër që ndeshim në rrugën tonë.

Përsa i përket periudhës postdiktatoriale jam dakorde me medimin e shprehur prej jush ku

meritën për shembjen e saj e kanë marrë në duar disa individë që megjithëse kanë kontribuar në këtë drejtim nuk mund të jenë kursesi ithtarët e demokracisë. Është fatkeqësi për këtë komb që ende nuk ka hequr dorë nga idealizimi i idhujve. Përshëndes lëvizjen studentore të fundit të viteve 90-të për kontributin e dhënë në përmbysjen e sistemit komunist por dua të theksoj gjithashtu se lufta për përmbysjen e atij sistemi ka filluar qysh ditën kur ai sistem u instalua në Shqipëri. Ky kontribut u konkretizua me gjakun e mijra të rënëve në luftën për demokraci, e mijra të vdekurve në burgjet e kampet e çfarrosjes, e mijra të burgosurve e internuarve politikë dhe mijra të përndjekurve politikë të tjerë që luftën e tyre nuk e reshtën për asnjë çast.

Së fundi dua të ndalem në një çështje shumë të ndjeshme për opinionin publik. E kam fjalën për ekspozimin e figurave të të rënëve në rrugën e gjatë të rivendosjes së demokracisë në lulishten e tre vëllezërve Frashëri. Siç duket kjo ekspozitë jua paska vrarë sytë pasi në shkrimin tuaj vazhdoni të hidhni baltë duke i quajtur disa prej tyre me termin e vjetër komunist “kolaboracionist”. Unë do t’ju këshilloja të hiqeshit mënjanë dhe të mos përziheshit me kujtimin e tyre të ndritur, sepse para tyre duhet të përulet cilido shqiptar që beson në lirinë dhe drejtësinë. Familjarët  dhe bashkë me ta edhe gjithë ata që i hoqën mbi shpatullat e tyre tmerret e diktaturës nuk kërkojnë gjë tjetër veçse një varr ku të vendosin një tufë me lule ose të derdhin dy pika lot. Çfarë është ky mallkim? Mirë në Kosovë që janë sërbët ata që nuk i tregojnë varret e të zhdukurve kosovarë, po këtu tek ne kush pengon në gjetjen e eshtrave të këtyre martirëve?

Më lejoni t’ju citoj dy strofa të nxjerra nga një poezi e titulluar “Kërkoj varr për tim atë” të një poeti anonim të përndjekur politikë:

Ngriti kryet

vajz’e mirë,

loti rridhte

si ujvarë,

zemra thyer

hidhërimit,

pëshpëriti:

-Kërkoj varr!

 

Kërkoj varr

për tim atë,

nuk e di

ku dergjet vallë,

e rrëmbyen

një natë vjeshte,

i dhuruan

plumb në ballë!

Ndaj ju them zotëri të qëndroni mënjanë dhe të mos përziheni me këta dishepuj!



(Vota: 3 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora