Përjetësi » Kripa
Reshat Kripa: “Veproni tani!”
E enjte, 28.06.2012, 05:08 PM
“Veproni
tani!”
Më
12 qershor 2012 në
Lexoj për këtë ceremoni dhe në mendjen time vërtitet si
fugë një pyetje :
- Memoriali i ngritur ne Washington u kushtohet edhe
viktimave të komunizmit në Shqipëri, po Shqipëria vetë kur do të kujtohet për
ngritjen e një memoriali të tillë në vend?
Fatkeqësisht kjo është një pyetje pa përgjigje. Asnjë qeveritar, asnjë deputet, asnjë opozitar nuk i kthen përgjigje kësaj pyetje. Një heshtje e frikshme ka mbuluar vendin. Duket sikur drejtuesit shqiptarë të shtetit duan ta lenë në heshtje zhdukjen e pasojave të komunizmit, a thua se nuk ka ndodhur asgjë për gati një gjysmë shekulli terror. Në veshët e mi buçasin fjalët e shprehura në ceremoninë e Washingtonit. Dëgjoj zonjën Lantosh që thotë:
“Çdo njeri ka të drejtë të jetë i lirë dhe çdo njeri e ka për detyrë të mbrojë lirinë e të tjerëve.”
Dhe vazhdon të tregojë mbi traumat që kanë kaluar miliona
njerëz nën sundimin komunist. Ajo foli edhe për trashëgimë familjare të bashkëshortit
të saj dhe vështirësitë që kishte ndeshur familja e saj në Hungarinë komuniste.
Ajo u kujtoi pjesmarrësve se edhe sot regjimet totalitare janë një rrezik për të
gjithë.
Por daullja nuk duhet të bjerë në vesh të shurdhër.
Sirenat e alarmit kanë vite që kanë rënë. Ka mbi dy vjet që Kombet e Bashkuara
i kanë kërkuar Shqipërisë të dënojë krimet e komunizmit. Po të njëjtën gjë i
kanë kërkuar Këshillit të Europës gjashtë ministra të jashtëm të ish-vendeve
socialiste, kërkesë në të cilën vendi ynë nuk ka denjuar të bashkohet. Mos
harroni, vendi ynë ka kaluar fazat më të errëta, në krahasim me vendet e tjera,
në kohën e komunizmit. Atëhere përse kjo heshtje?
Në veshët më tingëllojnë fjalët e ish-kongresistit Xho Dioguardi:
“ I bëj thirrje qeverisë shqiptare që të sjellë demokraci të vërtetë në Shqipëri duke u kërkuar zyrtarisht falje viktimave të komunizmit dhe familjeve të tyre, duke ngritur një komision të së vërtetës dhe të pajtimit, duke hapur arkivat komuniste, në mënyrë që të fillojë një proces i cili do të shërojë plagët dhe do të rivendosë besimin tek qeveria dhe udhëheqësit e saj.”
Le të shpresojmë se zëri i kësaj daullje do të dëgjohet
nga autoritetet shqiptare. Sa për nga opozita ne nuk e presim një gjë të tillë.
Ne e dimë kush është
ajo dhe nuk
shpresojmë tek
asnjë ndryshim të kursit të saj. Mjafton të përmendim vetëm
një shembull. Kjo opozitë, që e quan veten të reformuar, vazhdon të ruajë
po atë emër
të gazetës së saj që kishte
qysh me
themelimin e mëmës së vetë, Partisë Komuniste.
Nga tribuna e ceremonialit të Washingtonit vjen zëri i ish-sekretarit amerikan të mbrojtjes, Donald Rumsfeld:
“Ne nuk duhet të harrojmë se gjithnjë miliona njerëz anë e mbanë botës jetojnë nën thundrën e tiranisë dhe presin prej nesh e shikojnë tek ne për t’i ndihmuar. Shpresoj që Shtetet e Bashkuara të shërbejnë gjithmonë si një pishtar drite për botën dhe lutem që të kemi udhëheqës që e kuptojnë këtë gjë.”
Unë kam besim se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk do ta lenë kurrë Shqipërinë të mbytet në batakun që na la trashëgim komunizmi. Unë kam besim se mentaliteti komunist që vazhdon të sundoje politikën dhe jetën shqiptare më së fundi do të zhduket nga arena jonë. Një gjë të tillë do ta bëjnë burrat e shquar të këtij vendi që nuk i kanë munguar kurrë. Përkrahja amerikane do të jetë kurdoherë pranë nesh. Ambasadori Aleksandër Arvizu e tha fare qartë:
“Duke dalluar progresin, le të futemi në realitetin e zymtë me të cilin përballemi me qindra shqiptarët në ditët e javës dhe ditët e vitit. Dhe ndaj kemi tani këtë nismë: “Veproni tani!” Është për çdo qytetar të republikës. Për çfarë bëhet fjalë? Bëhet fjalë për ndryshimin që duan të gjithë. Për ku? Për çdo cep të kësaj toke të bekuar.”
Mendoj se synimi kryesor i kësaj thirrje si dhe i gjithë
atyre që gjëmojnë në të katër anët e botës është zhdukja sa më parë e pasojave
të regjimit komunist. Me mentalitet dhe metoda komuniste nuk mund të ndërtohet
një rend demokratik. Si mund të realizohet kjo?
Në vitin 2006 në Kuvendin e Shqipërisë është miratuar një
rezolutë, ndonse pa votat e opozitës socialiste, që parashikonte pikat me të
cilat mund të zhduken pasojat e regjimit komunist. Unë mendoj se këto mund të
jenë një pikënisje e mirë për t’ia arritur këtij qëllimi. Kanë kaluar gjashtë
vjet nga miratimi i kësaj rezolute dhe ende nuk është vënë uji në zjarr për
zbatimin e saj. Çfarë pritet?
Për zbatimin e tyre kam shkruar disa ditë më parë në
shkrimin “A po zbatohet Katovica?” botuar në gazetën “Metropol” numër 2691 datë
14 qershor 2012. Sot do të përqëndrohem vetëm në një pikë të saj, në atë me numër
16 dhe kjo për shkak të ndjesisë që më ngjalli përkujtimi i memorialit të
viktimave të komunizmit në Washington.
Përse nuk ngrihet memoriali i këtyre viktimave në Shqipëri?
Kërkesa nga ana e shoqatave të të përndjekurve politikë ka kohë që është bërë. Është
kërkuar ngritja e tij në vendin ku dikur ishte përmendorja e diktatorit si dhe
i memorialeve të tjera në të gjitha qendrat ku është ushtruar terrori më i madh,
rikthimi në muze i burgut të Burrelit dhe kampeve të Tepelenës dhe Spaçit,
simbole të dhunës dhe kundërvënies ndaj sistemit shtypës komunist si dhe dënimi
zyrtar i figurës së diktatorit Enver Hoxha.
Kush duhet t’i bëj këto? Natyrisht Qeveria Shqiptare apo
Kuvendi i Shqipërisë. Ndaj i drejtohem përfaqësuesve të shtresës sonë në këto
organe, i drejtohem Kryetares së Kuvendit të Shqipërisë, zonjës Jozefina
Topalli, zonjave dhe zotërinjve deputetë dhe ministra, Enkelejd Alibeaj, Astrit
Bushati, Aldo Bumçi, Sokol Olldashi, Aurel Bylykbashi, Pavlina Hoti, Ridvan
Bode, Fatbardh Kadilli, Besnik Dusha dhe të tjerëve, të cilëve u kërkoj të
falur pasi nuk u kam përmendur emrat, mos harroni të rënët tuaj! Mos harroni
paraardhësit tuaj që u tretën burgjeve dhe kampeve komuniste! Për vetë detyrat
që keni, i keni të gjitha mundësitë për realizimin e këtyre kërkesave. Duhet
vetëm vullneti juaj. Zoti Mark Marku e gjeti kurajon. Ju këshilloj të ndiqni
rrugën e tij. Ne nuk jemi për politikën e rrugës. Nuk jemi për revolta të
dhunshme, as për vrasje, për djegie dhe shkatërrime.
Ato janë metoda të
sistemit komunist. Ne jemi për
një
politikë të drejtë dhe me të vërtetë demokratike.
Kushtrimi është dhënë. Është radha e juaj dhe e të gjithë
shqiptarve të ndershëm të tregojnë veten e tyre. Por duhet një bosht udhëheqës.
Jo një bosht i përbërë nga servilë e hipokritë, nga mashtrues dhe
ish-shërbëtorë të komunizmit. Duhet një bosht demokratësh të vërtetë. Për këtë
sakrifikuam veten tonë. Për këtë jemi të gatshëm edhe tani.
Zgjedhjet e reja janë në prag. Para tyre është shtruar
një kusht, a do të ketë ndryshime? A do të luftohet mentaliteti komunist? A do
të dënohet më në fund komunizmi? Nga zgjidhja e këtyre pyetjeve varet fati i
demokracisë.
Ndaj “Veproni tani!” Koha ka ardhur!
*Kryetar i Shoqatës Antikomuniste të të Përndjekurve Politikë Demokratë të Tiranës