Përjetësi » Kripa
Reshat Kripa: Meditime në 100 vjetorin e Pavarësisë
E marte, 24.07.2012, 06:46 PM
Meditime në 100 vjetorin e Pavarësisë
Nga Reshat Kripa
100 vjetori
i Shpalljes së Pavarësisë Kombëtare po afron me gjithë madhështinë e kësaj dite
historike. Për herë të dytë, pas periudhës së asaj të heroit tonë kombëtar,
Gjergj Kastriotit, Skënderbeut, shqiptarët panë të lind shteti i tyre i lirë,
shteti i tyre i pavarur.
Në këtë ditë historike
unë meditoj. Para syve më shfaqen
rrugët disa shekullore të këtij kombi deri sa mbërriti në atë ditë të lumtur. Më
dalin para rrugët e përgjakura nëpër të cilat u detyrua të ecë ky komb. Por më dalin edhe figurat e shquara të atyre
burrave, disa të mbivlerësuar dhe disa gati të harruar, të asaj periudhe madhështore
të rilindjes shqiptare.
Nuk e di por ndjeva një krenari kur Presidenti i Republikës
i dha, ditëve të fundit, qytetit tim, Vlorës dhe firmëtarëve të Aktit të Pavarësisë
titullin “Nderi i Kombit”. Dyzet firmëtarë, dyzet burra të shquar të vendit që
përfaqësonin Vlorën, Shkodrën, Gjirokastrën, Dibrën, Beratin, Pejën, Korçën,
Gjakovën, Durrësin, Plavën e Gucinë, Elbasanin, Ohrin e Strugën, Përmetin, Krujën,
Lushnjen dhe shqiptarët e Bukureshtit. Ata përfaqësonin gjithë Shqipërinë
Etnike për të cilën shqiptarët kishin vite që kishin ëndërruar dhe derdhur gjak.
Një krenari të tillë e kisha ndjerë edhe në vitin 1962, në
pesëdhjetëvjetorin e Shpalljes së Pavarësisë, kur regjimi totalitar i dha qytetit tim titullin
“Qytet Hero”, megjithëse në listën e firmëtarëve të asaj kohe, me urdhër të
diktatorit, ishin hequr shumë nga firmëtarët e vërtetë dhe zëvendësuar me të afërmit
e lakejve të komunizmit dhe një gjë e tillë më hidhëronte së tepërmi.
Pak më lartë thash se meditoj. Çfarë ëndërroj? Në këtë
vit jubilar do të kisha dashur që atdheu të ngrinte një memorial dhe pranë tij
një varrezë madhështore, në njerën nga kodrat e qytetit tim ose edhe në kodrat
e kryeqytetit, ku të preheshin eshtrat e
dyzet firmëtarëve martirë të kësaj dite historike.
Dëgjoj Kryeministrin shqiptar të deklarojë se së shpejti
do të sjellin në Shqipëri eshtrat e Mbretit Zog dhe familjes së tij. Natyrisht
e përshëndes këtë vendim. Ata e meritojnë një nder të tillë. Por, a nuk do të
ishte në nderin e kombit shqiptar të kishte në gjirin e tij edhe të gjithë
martirët e Pavarësisë. Ata aktualisht prehen në të gjitha skajet e globit tokësor,
që nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës deri në Turqi, Vjenë dhe ku e di unë se
ku tjetër, për të përfunduar të shpërndarë në Shqipërinë mëmë. Madje ka midis
tyre edhe nga ata që nuk kanë ende një varr ku të përulen me respekt bijtë e këtij
vendi, pasi komunizmi i la qëllimisht pa një vend ku të prehen të qetë.
Pikërisht këto meditoj tani. Hap kompjuterin dhe lexoj për aktivitetin e tyre. Një jetë e tërë në shërbim të atdheut. Ndaj edhe unë e ndjej për detyrë të shkruaj për ta. Natyrisht nuk mund të shkruaj për të gjithë, pasi shkrimi do të dilte pa fund. Po shkruaj për aktivitetitn e katër prej tyre, për katër nga krerët e asaj kupole që solli Pavarësinë e Shqipërisë, madje për ta vetëm shkurtimisht sa për dijeni, pasi ata njihen nga të gjithë.
Mid-hat Frashëri
1908 - Boton në
Selanik gazetën “Liria”.
14 – 22 nëntor
1908 – Kryetar
i Kongresit të Manastirit
dhe
Nënkryetar i
Komisionit të Hartimit të Alfabetit të Gjuhës Shqipe.
28 nëntor 1912 – Delegat i Elbasanit dhe i Pejës,
Gjakovës, Plavës dhe Gucisë si
dhe Përmetit në Kuvendin e Vlorës. Firmëtar i Aktit të
Shpalljes së Pavarësisë dhe Ministër i Botores në Qeverinë e parë Shqiptare të
kryesuar nga Ismail Qemal Bej Vlora.
1923 - 1925 – Ministër Fuqiplotë i Republikës së
Shqipërisë në Athinë.
1927 – Boton revistën “Dituria” dhe hap librarinë “Lumo
Skëndo”.
4 prill 1929 – Si asnjë nga paraardhësit apo pasardhësit
e tij lë testamentin, me anën e të cilit i linte shtetit shqiptar gjithë
pasurinë e tij të tundshme dhe të patundshme për ngritjen e një Instituti
Albanologjik në Tiranë.
1939 – Ideator i traktit të parë nacionalist për një
Shqipëri të lirë, demokratike dhe etnike që u bë baza e dekalogut të ardhshëm të
Ballit kombëtar, themeluar në nëntor 1942 ku ai ishte Kryetar i tij.
1 – 2 gusht 1943 Kryeson delegacionin e Ballit Kombëtar në
Konferencën e Mukjes ku së bashku me delegacionin e Frontit Nacionalçlirimtar
vendosën për vazhdimin e luftës kundër okupatorit deri në fitoren e Shqipërisë
Etnike.
1949 – Kryetar i Komitetit Kombëtar “Shqipëria e lirë”.
3 tetor 1949 – Ndërron jetë. Varri i tij ndodhet ende në Neë York (SHBA).
Rexhep Mitrovica
1910 – Pjesëmarrës në Kongresin e Dytë të Manastirit
28 nëntor 1912 – Delegat i Pejës, Gjakovës dhe Plavës e
Gucisë në Kuvendin e Vlorës. Firmëtar i Aktit të Pavarësisë.
1920 – 1924 – Anëtar i Komitetit të Kosovës për degën e
Durrësit.
1921 – 1923 – Ministër i Arsimit në Qeverinë shqiptare.
1925 – 1939 – Emigron jashtë vendit
Shtator 1943 – Inisiator dhe Kryetar i Komitetit Qëndror
të Lidhjes së Dytë Shqiptare të Prizrenit
Nëntor 1943 – qershor 1944 – Kryeministër i Shqipërisë
1944 – Emigron fillimisht në Austri dhe më vonë në Turqi.
1967 – Ndërron jetë në Turqi. Varri i tij ndodhet ende në Stamboll.
Qazim Kokoshi
1900 – Anëtar i klubit “Labëria”.
28 nëntor 1912 - Delegat i Vlorës në Kuvendin Kombëtar.
Firmëtar i Aktit të Pavarësisë
1913 – Nënprefekt në Lushnje.
1914 – Kryesekretar i Prefekturës Vlorë.
1920 – Së bashku me Osmën Haxhiun dhe Qazim Koculin bën
pjesë në treshen udhëheqëse të Luftës së madhe patriotike të Vlorës kundër
pushtuesve italianë.
1921 – Deputet i parlamentit shqiptar
1924 – Bashkohet me lëvizjen e Fan Nolit.
1925 -1928 – Emigron në Itali
1932 – 1936 – I burgosur për pjesmarrje në lëvizjen e
Vlorës kundër politikës së Mbretit Zog.
1943 - Pas vrasjes
së Reshit Çollakut, (burri i vajzës së tij) internohet në Bergamo Itali.
1945 – Kthehet në Shqipëri. Arrestohet dhe dënohet si
armik i popullit
1946 - Vdes në burgun e Vlorës. Për të ende nuk ka ende një varr.
Lef Nosi
1909 – Kryetar i klubit “Vllaznia” dhe themelues e Kryetar i shoqërisë
“Afërdita” në Elbasan. Figurë qëndrore e organizimit të Kongresit Arsimor
të Elbasanit si dhe hapjes së shkollës së parë normale në Shqipëri më 1 dhjetor
1909.
25 mars 1910 – Boton gazetën “Tomori”.
28 nëntor 1912 -
Delegat i Elbasanit në Kuvendin e Vlorës. Firmëtar i Aktit të
Pavarësisë. Ministër i Postë-Telegrafit në Qeverinë e Ismail Qemal Bej Vlorës.
1937 – Boton fletoren “Dokumenta Historike” ku ndodhet
edhe Akti i Shpalljes së Pavarësisë.
1939 – Internohet nga pushtuesit italianë në Itali
14 shtator 1943 – Anëtar i Asamblesë
Kushtetuese që shkëputi Shqipërinë nga Italia dhe e shpalli të pavarur.
1945 – Arrestohet nga komunistët dhe dënohet me vdekje me
pushkatim. Ekzekutohet në vitin 1946 në “Kodrën e Priftit”. Edhe për të ende
nuk ka një varr.
Përmenda vetëm këta, pasi mund të shtoja edhe të tjerë
firmëtarë si Bedri Pejani, Salih Gjuka, Aristidh Ruci, Eqerem Bej Vlora,
Mustafa Kruja, Myfit Bej Libohova,
Hajredin Cakrani, Xhelal Koprencka e të tjerë. Lista është e gjatë, dyzet firmëtarë.
Të gjithë meritojnë respekt dhe nderim në këtë përvjetor. Por përmenda vetëm
katër, pasi kanë diçka specifike që nuk e kanë të tjerët. Këta ose prehen larg
atdheut për të cilin u sakrifikuan, ose
nuk kanë një varr ku të afërmit ose kombi mbarë të përulet dhe t’u sjellë një
tufë me lule.
A e kanë të drejtën e një varri në atdheun e tyre?
Natyrisht që po. Kush duhet
t’i sjellë eshtrat e atyre që dergjen jashtë atdheut? Kush
duhet t’i gjejë eshtrat e atyre që ende nuk kanë një varr? Kush duhet të ngrejë një
varrezë model për
martirët e pavarësisë?
Natyrisht që shteti shqiptar. Është detyra e tij ta kryejë këtë detyrë.
Para një viti një miku im me banim në Paris më tha se
ishte i gatshëm të investonte për të sjellë eshtrat e Mid-hat Frashërit në
Shqipëri. Unë u entusiazmova me këtë
gatishmëri. Cili nacionalist i vërtetë do të kursente për të sjellë eshtrat e
Mid-hat Frashërit apo Rexhep Krasniqit? Cili nacionalist do të kursente për të
gjetur eshtrat e Lef Nosit apo Qazim Kokoshit? Nuk besoj se mund të ketë
nacionalist të vërtetë që të mos jetë i gatshëm.
Do të doja që emrat e tyre të ndiheshin në çdo qytet të
Shqipërisë. Do të doja të t’i shihja nëpër libra dhe gazeta, nëpër radio dhe
televizione por, për fat të keq, faqet e
librave dhe radiove e televizioneve janë mbushur me ata që e zhytën këtë vend
në errësirën mesjetare. Do të doja t’i shihja të përjetësoheshin në përmendore
dhe memoriale në sheshet kryesore të
kryeqytetit dhe qyteteve të tjera por, për fat të keq, sheshet janë të mbushura
me përmendore komunistësh që i bënë varrin këtij kombi. Do të doja që emrin e
tyre ta mbanin institucionet më të rëndësishme të vendit por, përsëri për fat
të keq, edhe këto institucione mbajnë emrat e atyre që për ideal kishin
internacionalizmin proletar dhe jo
idealin kombëtar. Në këtë jubile të madh
do të doja që eshtrat e atyre që prehen larg atdheut të kthehen më në fund në
truallin e tyre. Mjaft lënguan në dhe të huaj. Megjithse ai vend i priti dhe i
respektoi, vendi tyre është Shqipëria. Do të doja që të gjendeshin eshtrat e
atyre që nuk kanë një varr dhe të vendoseshin në një varrezë ashtu siç u
takon. Ata u sakrifikuan për shtetin
shqiptar dhe është ky shtet që duhet t’u jap shtratin e prehjes së përjetëshme.
Kjo do të jetë vepra më monumentale që duhet të bëjë shteti shqiptar. A do ta
bëjë vallë? Nuk e di. Është në nderin e tij një gjë e tillë. Këtë kërkesë e bëjë unë, një qytetar
i thjeshtë. Por kjo është edhe dëshira e pjesës dërmuese të shqiptarve.
Vitet do të kalojnë. Brezat e ardhshëm që do të vijnë do të përulen me respekt të madh përpara kujtimit të atyre që u bënë themeluesit e të parit shtet shqiptar. Në të kundërt, mjerë Shqipëria që do të mbetet pa historinë e saj më të lavdishme.