E premte, 26.04.2024, 10:00 AM (GMT+1)

Kulturë

Ryzhdi Baloku: Meditimet e xha Sokolit

E shtune, 23.06.2012, 05:13 PM


MEDITIMET E XHA SOKOLIT

Nga Ryzhdi Baloku

Në qiellin e hapur dielli kishte arritur në zenit. Rrugëve nuk shihej askush. Nuk kishte as lëvizje më të vogla rrymash ajri. Aty pranë, rruga e shtruar nga rëra që ishte ngjeshur nga shkelja, dukej si të ishte mbuluar nga hiri vullkanik dhe i tëri po piqej. Mbi tokën e thatë vëreheshin siluetat në formë hijesh flake, si ta kishte kapluar zjarri. Nga vapa e madhe përvëlonte çdo gjë.

Xha Sokoli shikon nga dritarja. Në kopsht, gjethet e pemëve nuk pipëtinin, bari ishte tharë e toka kishte filluar të plasaritej. Në horizont asnjë re, rrezet e zjarrta të diellit shkrumbonin para vete. As zogjtë e sorrat nuk dukeshin në horizont. Pa fluturime e pa lëvizje, dukej sikurse çdo gjë ka ngelur në vend.

Duke shikuar jashtë, rrezet e ashpra të diellit ia vrisnin sytë, ai me qepalla dhe vetulla të lëshuara mundohej t’i priste. Shikimi i tij i përqendruar e zhbirues ia theksonte edhe më tepër rrudhat në ballë. Kah vrojtonte, ato tkurreshin e zgjeroheshin, saqë i ngjanin shkronjave të shtypit, që dukej se po lëviznin si titra në televizor, duke e regjistruar tërë pamjen para veti.

Këto rrudha ishin ndërtuar në një histori të gjatë, kishin përjetuar shumë kalvare e shtegtime, ato përmbanin dëshmitë e kohës si rrathët e lisit nëpër stinët e viteve të kaluara.

Ndonëse s’ishte aq i vjetër, lente përshtypjen e një burri të moshuar. Prejse mbante mend, ai ishte përballur me përplasjet e dallgëve rrëmbyese të jetës.

Tani shikimin e shpërqendron anash me lëvizje koke. E zgjat qafën, mundohet të zhbirojë edhe më përtej. Shikon lisin e moçëm m’a t’anë, i cili dikur mbushej me sorra që kapeshin e shkapeshin nga dega në degë, duke fluturuar e krakëllitur pa pra.

Asokohe, sorrat nuk i donte, pos që e pengonte krakëllima e tyre, ato i bënin dëme të mbjellave, megjithatë bereqeti bëhej dhe kishte me bollëk.

Xha Sokoli ra në kujtesë, kjo qetësi mortore kishte filluar ta shqetësojë. E ndjente se diçka po i mungon. Qe sa kohë, si për inat, sorrat nuk po dukeshin, dhe tani lisit po i shiheshin vetëm gjethet të cilat nuk po lëviznin, por vetëm vezullonin nga rrezet flakëruese të diellit që përplaseshin mbi to.

Pamja para vetes i shkrihet në mendime. I duket se e gjitha po digjet. Kujton dhe krahason të kaluarën me të tashmen. Nuk mbahet në mend ndonjëherë të ketë qenë kështu, ky vend gjithmonë ishte me ajër të freskët që vinte nga gryka, këtu gjithmonë kishte ujë me bollëk, por tani ka filluar të shteret. Edhe bunarit pranë shtëpisë i ka ngelur fare pak ujë, po i shihet fundi.

Mendtë i shkojnë andej e këndej. Tha më vete, kësi vendi nuk kishte në botë, eh çfarë toke, edhe po të mbillje mbrapsht e pa kurrfarë kujdesi, bereqeti mbinte mbarë. Atëherë vadë kishte sa të duash, tani të lashtat po thahen, besa edhe fryma ka filluar të më zihet. Çfarë kohe ? ! Ka ndërruar moti, po-po edhe unë kam filluar të plakem. Sa mirë ishte kur isha i ri.

Iu kujtua me pietet shoku i tij Zeka. Pamja e tij i doli para syve, sa burrë i fortë që ishte, i zgjuar, bujar, besnik dhe trim të rrallë si ai tani  nuk ka. Kur ishim të ri ai më pat ndihmuar ta murosi bunarin, këtë që është në oborr. Zekës i shkonte çdo gjë për dore. Kishte afinitet për zeje të ndryshme, çka i shihte syri ia punonte dora. Mjeshtërinë e bënte për merak. Madje, njëherë ma pat riparuar edhe gjilpërën e pushkës. Edhe dollapët në Tophane i riparonte vetë, tërë jetën ia kushtoi zejes së tabakut.

Tani më ka lënë vetëm, ma bëri me hile, iku. Medet ! S’është më që të shohë sesi ka ndërruar moti, e t’i përjetojë këto ndodhi.

Dikur si fëmijë me Zekën dhe shokët tjerë loznim nën hijen e atij lisi. Edhe babai im si fëmijë kishte lozur aty. Zoti e di sa i moçëm është ? Sa erëra e furtuna e kanë përshkuar atë dhe ende po qëndron si lapidar. Besoj se edhe këtë thatësirë do ta përballojë.

Duke menduar që brenda do të freskohej sadopak e të frymojë më lirshëm, xha Sokoli u ngrit në këmbë, për ta çelur derën e divanhanes. Pasi e hapi, u kujtua: Ndoshta jashtë është më fllad, dhe pa menduar gjatë doli në çardak, pastaj u ul në kanape. Edhe këtu diç po e pengonte!  Për ta gjetur shkakun pse nuk po rehatohej, e lëshoi një shikim rreth e përqark, dhe filloi të mërmërisë: More, këtu qenka edhe më vapë ! Pa u hamendur fill u kthye aty ku ishte më parë. U bind se brenda shtëpisë ishte më fllad, u ul në divan e po kujtohet:  Po të ishte Zeka gjallë do t’ia bënim disi, do ta gjenim zgjidhjen, ndoshta është mirë të shkoj në Tophane, atje të dollapët. Nuk besoj që jazin e kanë lënë të shteret, sepse puna nuk bën të ndalet, besoj se çdo pikë uji do ta kenë drejtuar aty. Me siguri në atë vend, stom jazit nën shelgje është më fllad, aty ku dikur rrija dhe kuvendoja me Zekën.

Ai nuk e kishte hallin për freski, por nuk i rrihej se mallëngjimi e kishte kapluar për Zekën, thënë të drejtën në odë e kishte më fllad. Tophanet e tërhiqnin, atje e kishte kaluar një pjesë të mirë të jetës rinore në shoqëri me Zekën.

Pasi u kollit disa herë, iu duk se po frymon më lirshëm. Mendoi: Tani mund të ngrihem.

Zëri i ishte çjerrë, u mundua të fliste me një ton më të lartë, që ta dëgjonte e shoqja.

Si prej bucele u dëgjua kumbimi i thirrjes:

- Oj Zojë, po shkoj deri në Tophane.

Nga dhoma tjetër ia bëhu ajo me nxitim, i tha :

- Çka po do atje or njeri ? A nuk po e vëren se çfarë zallahie është ? Askush s’po shihet rrugëve. Nga kjo vapë do të pëlcasë edhe dreqi, e ti po kërkon të dalësh jashtë. Mos iu bë mendve hyzmet me dalë. Nëse del do mbetesh në vend e do shkosh atje, te Zeka në parajsë. Më freskët se këtu afër malit e buzë Lumëbardhit, nuk mund të gjesh vend në qytet. Mos shko në këtë pikë të vapës. Prit sa dielli të arrijë shikimin në grykë, si të perëndojë pas bjeshkëve do të bie pak fresku, pastaj nisu. Pas tërë këtyre fjalëve  nuk i mbeti tjetër pos të qëndrojë aty ku ishte, ndërsa e shoqja Zoja pasi foli nisi të largohej, por për një çast u  ndal, e ktheu shikimin kah i shoqi dhe me një ton të butë i tha:

- Njeri, pasi shporeti është i ndezur meqë po zihet gjella, a po do me ta qitë një kafe ?

- Mirë pra, por ma sillni dhe një gotë me ujë të ftohtë, - iu përgjigj ky me një ton dëshpërues.

Nuk vonoi shumë kohë, e reja  Tringa ia solli kafen dhe ujin.

- Urdhëro babë, të bëftë mirë, - i tha ajo.

- Kah e kemi vocërrakun, - e pyeti ky, vetëm sa për t’i folur.

- Është në dhomën përdhese, e vura me fjetë, prej vapës së madhe mezi e zuri gjumi, - iu përgjigj me një timbër hareje.

Në shenjë pohimi, xha Sokoli e drodhi bisedën për motin.

- Dëgjo Tringa, trupi i im është kalitur në shi e breshër, në acar e shtrëngatë, por asnjëherë gjatë jetës sime nuk kam përjetuar vapë e thatësirë të gjatë si tash.

Për ta përmbyllur bisedën me të, u kollit dhe vazhdoi:

- Mirë nuse mirë, kohë pas kohe kthehu te djali, dhe mos ma lërë nipin vetëm se ende është i vogël.

Me të dalë të saj nga divanhanja, xha Sokoli i fryu kafes në cepin e filxhanit, e shijoi, e foli më vete:

- Tamam i paska qitur sheqer për merakun tim, pastaj mori gotën me ujë dhe e piu pandërprerë të tërin.

Nga xhepi i pantallonave e nxori qesen me duhan dhe ngadalë me një ritual e ceremoni filloi ta mbështjellë cigaren. Derisa në mes të dy gishtave të dorës së majtë e mbante letrën në formë lugu, me gishtat e dorës tjetër e shpërndante duhanin duke e ngjeshur lehtë përgjatë saj. Pasi e shtrëngoi në masën e dëshiruar, pa e përfunduar tërësisht mbështjelljen e lagu cepin e letrës me gjuhë e buzë për ta puthitur për të, pastaj duke e dredhur pakëz me një lëvizje të lehtë e të ngadaltë e futi cigaren në çibuk. Ngriti dorën te kraharori dhe nga gjepi i këmishës nxori çakmakun, e shkundi dy herë resht që fitili t’i lagej më shumë e të shkrepte më lehtë. Me të shkrepurit e tij të parë iu ndez fitili. Ia afroi flakën cigares dhe e kalli duke e thithur tymin përmes çibukut, e që një pjesë e tij ishte prej qelibari.

Filxhanin e afroi të buzët, kafja kishte filluar të ftohet, duke e shoqëruar me tymosje duhani, nisi ta gjerbë pa frikë se do të përvëlohej.

Megjithëse dera dhe dritaret qëndronin hapekrah, fare nuk kishte lëvizje ajri. Tymi i cigares si shtëllungë leshi ngjitej përpjetë në rrathë duke u shpërndarë nëpër tavan sikurse retë në horizont.

Kohë pas kohe, në momentet kur duhej shkundur shpuzën e duhanit, shikimin e përqendronte kah shpuzorja. Shkundjen e bënte përmes tundjes së çibukut duke e rrahur me gishtin tregues të dorës.

Me të shkundur të shpuzës, në një çast e vërejti se cigarja ishte zvogëluar, aq sa gati e tëra ishte kallur. Kujtohet e po krahason më vete: Edhe jeta është si kjo cigare, ecë duke i ardhur fundi. E piu kafen, e ndrydhi duqin e cigares në shpuzore, mendtë i shkuan te vdekja. Ja kështu përfundon edhe jeta, iu përgjigj vetvetes.

Nisi e po i kujton shokët me rend. Ky shok jetonte në këtë mëhallë, ai tjetri në atë mëhallë dhe mëhallë pas mëhalle duke flatruar me mend para veti i doli tërë pamja e qytetit me rrethinë. I dukej se po i sheh si në shuplakë të dorës, të gjithat me radhë: fushat, malet, kopshtet, rrugët, shtëpitë dhe objektet tjera interesante që me kohë ishin regjistruar në mendjen e tij si në një arkiv me shënime e skica të sakta.

Duke i parafytyruar të gjitha këto, mendja iu kthye në ngjarjet e të kaluarës urbane e historike të kësaj treve, për të cilat kishte dëgjuar nga të tjerët, të përcjella brez pas brezi, por edhe për disa që i kishte përjetuar vetë në të kaluarën. Nisi me i shpalosë me rend, me përshkrim e pamje si në film dokumentar. U thellua aq shumë në mendime, saqë kaloi në meditim duke iu dukur vetja protagonist autentik i ngjarjeve të përjetuara edhe për ato periudha kohore për të cilat kishte lexuar apo dëgjuar nga më të vjetrit.

Fragment nga prologu i romanit në dorëshkrim:  MISTICIZMI I DOLLAPËVE TË TOPHANES



(Vota: 29 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora