Kulturë
Aristotel Mici: Bardha e Temalit
E premte, 22.06.2012, 07:25 PM
Bardha e
Temalit
Rreth Romanit “Bardha e Tmalit” të Pashko Vasës
Trajtesë
Nga Aristotel Mici
Pashko Vasa leu në Shkodër më 30 qershor të vitit 1825. I ati quhej Mhill Vasa dhe e ëma ishte Drande
Gjegja. Fisi tij kishte prejardhjen nga Mirëdita. Të parët e Pashko Vasës qenë
shpërngulur nga ajo krahinë dhe u vendosën në Shkodër, pikërisht në atë truall
ku sot ndodhet Shtëpia – Muze e Pashko Vasës.
Nuk ka të dhëna për arsimin e tij. Po të gjithë studiuesit, që
janë marrë me biografinë e Pashko Vasës, pohojnë se qysh në fëmijëri ka qenë i dhënë pas dijes dhe mësimit të gjuhëve të
huaja, një autodidakt me dhunti të jashtëzakoshme, po që me siguri do ta ketë
ndihmuar edhe ambjenti familjar, a po shoqëror i qytetarisë shkodrane.
Me zgjuarësinë e tij të rrallë arriti, me 1847, të zërë punë në Konsullatën e Anglisë në Shkodër. Në mjediset e kësaj konsullate ai pati mundësi të shtjellonte e të praktikonte edhe më shumë shprehitë e të folurit ne gjuhë të huaja si italisht, frëngjisht, anglisht, turqisht. Po atje, siç pohon studiuesi Daniel Gazuli,më 1848, Pashko Vasa “pati rastin të njihej me një grup atdhetarësh italianë, që të ndjekun nga qeveria e Burbonëve, kishin ardhur në Shkodër, e kishin gjetur strehë e mbështetje pikërisht në Konsullatën e Anglisë. Në bisedat me ta , sepse ai e njihtë italishten qysh atëherë dhe e u shërbente si përkthyes edhe anglezëve, iu forcua dhe iu ndez ma shumë zemra për idealet e lirisë kombëtare. Siç shkruante vetë, bashkë me ata mërgimtarë “ për hir të drejtësisë dhe për dashni ndaj Italisë”, po atë vit, pra më 1848, shkon vullnetar në Itali, me luftue krahas me venedikasit kundër austriakëve. Atje 23 vjeçari fiton me një herë besimin e respektin e bashkëluftëtarëve, sa arrin të bahet officer i Shtabit Madhor.[1]”
Idetë liridashëse
të Pashko Vasës gjenden të shprehura prej tij në dy letrat që ai i pati dërguar nga Bolonja
Nikolo Tomazeut[2]
në qershor të vitit 1848.. Ai ishte luftëtar me armë në dorë si oficer në luftën
për lirinë e Venedikut. Po kur republika
e këtij qyteti u mposht nga austriakët,
ai u largua nga Italia. Në gusht të vitit 1849 u nis me rrugë detare nga Ankona
dhe u vendos në Konstandinopol . Atje,
në kryeqytetin e Perandorisë Osmane, pasi kaloi shumë vështirësi jetese, arriti
të futet në administratën e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Turqisë. Në
Stamboll ai do të shquhej nga viti në
vit si një patriot i flaktë dhe
intelktual me ide të qarta per
ardhmërinë e Shqipërisë.
Nga viti 1878 deri më 1882, Pashko Vasa
krahas Abdyl Frashërit, u dallua si një nga personalitetet kryesore të “Komitetit të Stambollit” për
mbrojtjen e Shqipërisë.. Në vitin 1879 ishte midis veprimtarëve më aktivë
të “Shoqërisë së të Shtypurit të Shkronjave Shqip” si edhe të përpilimit
dhe hartimit të “Alfabetares”.
Në Stamboll, krahas pjesëmarrjes me përkushtim për çështjet patriotike, Pashko Vasa do të kryente edhe një veprimtari të dukshme letrare, gjuhësore dhe historiko-dokumentare.
Nga pena e Pashko
Vasës në gjuhën shqipe kemi të shkruar poezinë e famshme “Moj Shqypni, e mjera Shqypni”, e cila
ishtë si një himn patriotk për kohën e Rilindjes dhe që u end si fletë volante
ne vitin 1880 nga një vend me shqiptarë në tjetrin.. Shkrimi tjetër shqip është një artikull i vogël “Shqypnia dhe
Shqyptarët” botuar tek “Alfabetarja” e
Stambollit më 1879.
Ndërsa jeta letrare e Pashko Vasës kish filluar më 1850, me një prozë të gjatë
autobiograsfike “Burgimi im” (La mia
Prigionia) shkruar italisht dhe botuar në Konstandinopol nga “Tipografia di A. Domenichini”..Po ne italisht
ai do të botonte më vonë, me 1873, një përmbledhje me poezi “Trëndafila dhe gjemba”(Rosse e Spine).
Pashko Vasa është autor edhe i dy librave të botuar frëngjisht
të llojit historiko-dokumentar:
“Bosnja dhe Hercegovina gjatë missionit të Xhevdet Efendiut”(Bosnie et Hercegovine pendant la mission de Djevdet Effendi”, Constantinopole 1865 , dhe “Skicë
historike mbi Malin e Zi sipas traditave
të Shqipërisë”{Esquisse historique sur le
Montenegro d’ après les tradition de Albanie”, Constantinopole, 1872.
Pashko Vasa, si
një rilindas patriot i orës së parë, brenda mundësive dhe rrethanve të kohës,
botoi dhe shkrime të karakterit linguistik dhe didaktik për të ndihmuar në çështjen
e shkrimit dhe të mësimit të gjuhës
shqipe: “Alfabeti latin i zbatuar
në gjuhën shqipe” (L’alphabet
latin appliqué ala langue albanaise”),
Constantinopole 1878.
Për qellime mësimore ai do të botonte edhe librin diturak “Gramatika shqipe për t’ u përdorur nga ata që dëshirojnë ta nxënë këtë gjuhë pa ndihmën e n jë mësuesi” (Grammaire albanaise a l’usage de ceux qui desirent apprendere cettte langue sans l’aide d’ un maitre”, London 1887.
Ndërkohë emri i Pashko Vasës do të bëhej më i njohur sidomos me një studim analititik “E Vërteta mbi Shqipërinë dhe Shqiptarët” (“La verite sur l’Albanie et les Albanais) botuar fillimisht frëngjisht më 1879. Po në frëngjisht ai do të botonte gjithashtu në Paris edhe romanin “Bardha e Temalit (Barda de Temal) me pseudonimin Albanus Albano në vitin 1890, pra dy vjet para se të vdiste në Liban, më 29 qershor1892.
***
Po në qoftë se me studimin e tij ”E Vërteta mbi Shjqipërinë dhe Shqiptaret” Pashko Vasa u fliste lexuesve frankofon si
publicist dhe analist, me romanin “Bardha
e Temalit”, për mes tablove të gjalla të kësaj vepre, ai do t’u rrëfente atyre realitetin
shqiptar si shkrimtar. Qëllimi i autorit ishte që t’u bënte të njohur
të huajve të vërtetën për Atdheun e tij, në një kohë kur çështja shqiptare ishte
sensibilizuar midis fuqive evropiane prej
jehonës së Lidhjes së Prizrenit.
Romani “Bardha e Temalit”
priti një shekull që t’i jepej publikut
në gjuhën shqipe. Shtëpia Botuese “Naim Frashëri” në Tiranë e botoi atë me përkthimin
e Sotir Cacit, duke e përfshirë në veprën seriale të Pashko Vasës më 1987; kurse
Rilindja në Prishtinë e botoi liber më
vete të përkthyër nga Ymer Jaka, më 1990.
Edhe pse “Bardha e Temalit” që botuar frëngjisht
një qind e ca vjët më parë, edhe pse iu dha lexuesit me një shekull vonesë, si
një nga romanet e parë të letërsisë sonë, ai ishte dhe mbetet një nga krijimet
më interesante të traditës. Duke e analizuar këtë vepër të shkruar frëngjisht,
Prof. M. Gurakuqi, me gjalljen e tij , theksonte se “ajo asht pjesë përbamëse e letërsisë sonë, ashtu si janë veprat në latinisht të Barletit dhe Bicikemit”[3]
Ky roman, ndër më të parët e llojit, dëshmonte se autorët e Rilindjes po ngriheshin dhe formoheshin nga ana e mjeshtërisë artistike dhe po nisnin, ashtu, edhe gjininë e prozës së gjatë. Romani “Bardha e Temalit” është një pasqyrë e gjallë e jetës shqiptare në shekullit të XIX. Me frymëzimin e tij pasionant autori ka pasqyruar skena të jashtëzakonshme familjare dhe sociale në ambjente tipike shqiptare, përmes një sfondi të theksuar romantik. Po në këtë roman nuk mungojnë edhe pamjet realiste si edhe situatat sentimentale me një dramacitet të ndjerë, që mund të shpjegohen me depërtimin në bodrumin e vetëdijës, pra në subkoshiencën e karaktereve.
Linja krysore e subjektit të veprës ka të
bëjë me dashurinë fatkeqe të Bardhës, e cila është një vajzë e mire dhe e
cilter e një shtepije tipike shkodrane. Këtë vashë ideale, të ndijëshme dhe delikate e ka martuar
familja pa dashuri me bajraktarin e Temalit, duke u nisur nga fama e derës së madhe. Pas një viti
martese, kjo nuse e re, e cila pat ardhur më të parë në familjen prindërore, takohet me një djalosh të pashëm, të sjellshëm,
dhe shumë tërheqës, Aradin, i
biri i Mhillit të Vlashajve. Pa e ditur dhe kuptuar, sakaq, Bardhës i lind një
dashuri tronditëse. Ishte pasioni rrëmbyes i nuses së rë të martuar pa dashuri.
Ishtë zgjimi i dashurisë së paprovuar.. Që nga ai çast në zemrën e saj femërore filloi një ndjenjë e papërmbajtur daslldisjeje. Për këtë gjendje emocionale
të vashës vetë autori shkruan: “Të mos
harrojmë se kjo ishte dashuria e saj e parë, dashuria e parë e një gruaje të
martuar. Nga shkëndijimet e syvë të të
dy të rinjve sikur qe krijuar një fushë
magnetike që u vinte në rezonancë shpirtërat.
Me gjendjen erotike të Bardhës me Aradin
Pashko Vasa shpreh edhe pikëpamjen
e tij për anën sublime të dashurisë, pa të cilën jeta e njeriut do të ishte e zbrazët, e thatë dhe pa kuptim
vazhdimësie.
Autori na rrëfen me naracionin e vetë se në zemrën e
Bardhës nis një dramë, që shpjegohët me
dilemën për të shkuar me Aradin, a po të ikte te Luli në Temal. Zemra e shtynte në
krahët e dashurisë me Aradin, po mendja i kujtonte Lulin. Më Aradin e lidhte pasioni, me Lulin urrejtja reciprokë. Po me
Aradin, tok me dashurinë e ndiqte
“turpi”; kurse me Lulin, vinte “nderi”, nderi i nuses në derë të madhe.
Bardha, sa herë kujtonte Aradin, ndjente sikur e lëshonte zemra. Ajo e kuptonte se sa lart qëndronte ai i krahasuar me burrin e saj. Ajo e dinte se i shoqi nuk e donte. Po as ajo nuk e donte ,ose më mirë nuk e kishte dashur kurrë. Ku e ku Aradi i dhembshuruar në dashuri, para Lulit moskokëçarës. “Kujtimi i djaloshit i qe skalitur në zemër duke i lënë një nga ato përshtypjet e ëmbla, që i paraprijnë gjithmonë një simpatije të madhe . E mësuar me sjellje të vrazhda prej kapedani të të shoqit, sjellja e njerëzishme e Aradit kishte ngjallur në shpirtin e Bardhës mendime dhe ndjenja krejt të reja. Ajo bënte krahasime, që fatkeqësisht nuk ishin në favor të Lulit.” (f.51)[4]
Shumë prekëse është
skena e rikthimit të Bardhës për tek burri i saj në kullën e Temalit. Në udhëtim
e sipër ajo e quante veten si një viktimë që njerëzit e saj po çonin për flijim. E dinte se ishte e rrethuar nga njerëz
që nuk e pëlqenin dhe kjo e trishtonte.
Parija e fisit në
Temal nuk e kishte pritur mirë martesën e bajraktarit të tyre me një vajzë delikate nga qyteti. Zakonet e fisit e çmonin
gruan për forcën e saj fizike,
guximin dhe numrin e fëmijëve meshkuj që ajo i jepte të shoqit. Pikërisht për këtë
pikëpamje nuk pëlqeheshin lidhjët martesore me vajza fushe. Prandaj për këtë
arsy Bardhën nuk e shihnin dot me sy dhe e quanin si një të huaj, e cila u kishtë
hyrë vjedhurazi në fis.
Burrat e përçmonin
si një grua të pazonjën, aq më tëpër që
brënda një viti martese nuk zuri dot fëmijë. Kursë shumë gra ia kishin
zili pozitën, bukurine, dhe nveshjen elegante. Le të sjellim në mendje vëtëm
fjalët e një plake të vrazhdë, e cila u thotë të tjeravë pas një ngjarjeje të përmortshme:
“Që prej ditës që hyri në fisin tonë ajo mendjemadhe, vetëm kob e gjëmë na ka sjellë. E
po kjo s` durohet. Një vajzë e fushës të
na jetë përmbi vajzat e malësisë.”
Po më mizore nga të
gjitha gratë konservatore është e ëma e
Lulit. Ajo nuk e do dhe e urren Bardhën.
Ajo nuk e do nusen e djalit para
së gjithash, sepse brenda vitit nuk lidhi fëmijë me të birin e saj. Po problemi
ishte se Luli për arsye fetare nuk mund ta linte Bardhën dhe të martohej me një tjetër. Ndër kohë, nëna e
Lulit mendoi një zgjidhje gjakatare. Ajo vendosi ta vriste Bardhën me pisqollë natën, kur të ishte duke fjetur
gjumë në shtrat.
E ëma e Lulit, si
plak zemërgure, sapo ia doli që ta vriste nusen e djalit të saj fshehurisht, tek
po flinte si engjëll , shfryjti me përbuzje
për të: “E lava m e
gjakun e saj gabimin e tim biri”.
Është pikërisht
kjo plakë mizore, që do ta luaj pjesën në atë mënyrë që njerëzit të binden se
Bardha kishte vrarë veten. Dhe ashtu, krijesa më e pafajshme në botë, Bardha e Temalit,
u quajt vetëvrasëse, pra dhe mëkatare. Për këtë arsye vdekja e Bardhës është aq trondtëse. Ajo është më tragjikja nga të gjitha heroinat e dashurisë në lëtërsi.
Të gjithë malësorët
e fisit e dinin se vetëvrasja është krim, që e përjashtonte fajtorin nga bashkësia
e besimtarëve. Pak a shumë këtë do t`i thoshte at Leonardi , Anulit, i cili deshte ta varroste të kushurirën: “Ajo vrau veten, - i tha prifti.
- Zoti që është burimi i të gjitha të mirave, duhet t’ia ketë falur mëkatet, mirëpo njerëzit dhe ligjet e tyre nuk falin, biri
im. Unë nuk mund ta varros atë në tokën e shenjtë.”
Fati i zi kishte vendosur ta ndiqtë përtej vdekjes atë vashë krejt të pafajshme, që nuk arriti ta jetonte ngazëllimin magjik të dashurisë. Kështu , sipas dokeve e zakoneve të kohës në Shqipërinë e asaj kohe, Bardhën e Temalit e shikojmë të dënuar, jo vëtëm fizikisht me vdekje, po edhe shpirtërisht, me mosvarrim në vendin e përmortshëm. Këtë fat të zi nuk e kishin pasur asnjë nga heroinat e letërsisë në temën e dashurisë. Zhulieta e Romeos në Verona vërtet gjeti fundin tragjik nga dashuria e saj e pastër dhe e madhe për Romeon, po nuk u dënua mbas vdekjes. Përkundrazi, më vdekjen e saj ajo i dha një mësim shoqërisë veroneze, se si nuk duhej sjellë më me zëmrat e të dashururarëve.. As Desdemona, as Ofelia, në tragjëditë e Shekspirit, as Luiza Miler në dramën “Intrigë e Dashuri” të Shilerit, as Ana Karenina ë Tolstoit, të cilat dhanë shpirt si therore të dashurisë, nuk u ndëshkuan ashtu me mosvarrim pas vdekjes, siç e pësoi Bardha e Temalit.
Po Pashko Vasa
nuk është se ka dashur të bënte ekzotikë dhe të fantazonte skena të pa ngjara dhe ireale. Jo. Për fundin
tragjik të Bardhës së Temalt ai ka qënë i mbështetur edhe në episode e fakte reale
nga jeta shqiptare, që i kanë shërbyer si “maja” konkrete në ngjizjen kompozicionale të
romanit. Autori duhet të jëtë bazuar edhe
tek një krim, që ka pas ngjarë në vitet ‘40 të shekullit të XIX. Lidhur me këtë
detaj historik, Prof. V. Bala, duke bërë përqasjen e subjektit të romanit me
ngjarjen e ndodhur dikur me të vërtetë, i parashtron lexuesit dy dëshmi dokumentare: “Bibë Doda, Kapidan Pasha i Mirëditës, qe
martuar po nuk pat fëmijë. Po të ndahej, si katolik që ishte, nuk duhej të
martohej përsëri. Por e ëma, princeshë, në mënyrën e saj, e rregulloi punën shpejt. Ajo mori një çifte dhe e vrau të renë.
Dëshmi e dytë është ajo e studjuesit Degrand i cili, nga ana e tij, është shprehur
“se Albanus Albano e ka shkruar romanin Bardha
e Tëmalit për të treguar vdekjen e së shoqes së Bibë Dodës” (Nga parathënia e “Veprës Letrare” të P.V.).[5]
Për fatin kaq mizor të Bardhës janë fajtorë doket dhe zakonet prapanike të kohës, që e mbanin të ndrydhur e të shtypur personalitetin e të rejave shqiptare. Me Bardhën e Temalit Pashko Vasa kërkonte ndër më të parët mendimtarë të Rilindjes emancipimin e femrës shqiptare, të paktën të kishte të drejtën e dashurisë dhe të vendoste vetë për fatin e saj. “Nga idetë e shprehura në këtë roman del se çdo përparim shoqëror do të ishte iluzion pa pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë të gruas dhe pa ndrrimin e mentalitëtit primitivë të shoqërisë shqiptare” [6]
Nyja lidhëse e
ngjarjeve subjektore të romanit është takimi i parë i Aradit me Bardhën. Ky
djalosh, në lulën e moshës , qysh në çastin kur iu dha rasti të shihtë Bardhën,
ndjeu sikur iu muarr mendja. Buzëqeshja e
Bardhës po i dukej hyjnore. Sytë e zinjë
në formë bajameje, nën hijen e qerpikëve të gjatë, i lëshonin shkrepëtima, që
do të ishe e vështirë t`ua duroje shkëlqimin
verbus pa atë njomësinë e ëmbël e melankolike.
(faqë 40). Nga pamja e vashës
djaloshi po e ndjente veten krejt të tronditur. Edhe Aradi po provonte ashtu papritmas ngazëllimin e
madhë që të jepte tundimi i dashurisë së
parë. Ai kishtë rënë në dashuri pa e ditur as vetë. Aradi nga dita në ditë u
dha aq shumë pas Bardhës, sa një ditë i tha shokut të tij të ngushtë:
“Siç e sheh,Anul,
unë jam dehur e po flas përçart, si i rënë në një lloj kllapije që po më
turbullon mendjën”. (f.. 75)
Po më gjithë tërheqjen magnetike të kësaj simpatie midis dy të rinjve, kjo dashuri mbetet fluide si një idil platonik; lexuesi nuk i sheh ata që ta realizojnë atë dashuri trallisëse që i ka magjepsur… Vetë autori përpiqet ta sqarojë këtë anë intime të personazheve me idenë se “pasioni i Aradit nuk ishte një nga ato ndjenjat e ulta e të rëndomta që shuhen si flakë kashet me të kënaqur epshin fizik, po ishte një dashuri e pastër e pafund”. Pra edhe pse i pushtuar prej dashurisë së zjarrtë për Bardhën, Aradi nuk shtyhet nga ngasja e posedimit për vashën që admiron.
Aradi bije në sy gjatë leximit të romanit për një kulturë e arsimim të ngritur, për një mënyrë të foluri të hijëshëm e plot nderim. Tok me Aradin lexuesi shikon me nënkuptim edhe vetë e autoportretin e autorit. Aradi, ashtu si Pashko Vasa, është i etur për dituri. Ai ka lexuar si autodidakt shkrimtarë të njohur si Arioston, Tasson, Ovidin e Viktor Hygoin. Aradi gjykon dhe komenton një lloj si autori.
Drama lirike e
romanit mbështetet tek konflikti shoqëror midis të rinjve të kohës, të cilët kërkojnë
dashurinë e tyre të vërtetë nga njëra anë dhe
njerëzve konservatorë dhe fanatikë nga ana tjetër. Me brezin e ri, që ëndërron
për një jëtë të çliruar nga doket dhe
zakonet kanunore, janë Bardha, Aradi, Drandja, Anuli, ndërsa prfaqësuues të
konservatorizmit më regresiv janë Liuli dhe e ëma e tij.
Po vend të veçantë
midis dy anëvë të konfliktit zë Mhilli i Vlashajve. Ai ështe dhënë në roman si
një figurë kontradiktore. Nga një anë e shohim atë si një qytetar shkodran të
ndershëm dhe patriot, që e urren sundimin turk . Ai jo vetëm mban lidhje me malësorët
kryengritës, po edhe përpiqet t`i ndihmojë ata.
Kurse në jëtën familjare ai nuk i bën
lëshim të resë, nuk është aspak tolerant, gjë që e bën karakterin e tij
kompleks e të trazuar sidomos lidhur me konceptin e nderit dhe të ndjenjave
lirike të të rinjve. Ai u tmerrua kur pa
se pas drurëve të kopshtit, një djalë puthi vajzën e tij , Dranden. Me
prapanizmin e vetë lidhur me mendimin për
dashurinë, dhe “nderin” ai bëhett shkak
për tragjedinë e dhimbshme të të bijës.
Po për jëtën
sociale së Mhillit te Vlashajve autori shkruan me
admirim fjalë aq të mira për të. Ai del në vëpër si një burrë fisnik nga derë e
pasur, njeri me shpirt të gjërë, i gjendshëm për t`iu ndodhur pranë njerzëvë të
vuajtur. I gatshëm ta shoqërojë fjalën me sjelljen dhe veprimin e tij, për të zgjidhur probleme të vështira për jetën e njerzëve. Kështu e
shikojmë atë, fjala vjen, kur dy malësorë të fisit të Shllakut i erdhën në shtëpi. Mhilli i priti ata me nderim si miq në dhomën e vetë. “Këmi ardhur, - i thanë ata,- t` ju lutemi të shkoni te Pashai dhe të nxirrni lejën që t`i marrim dy të vdëkurit tanë nga sheshi
i pazarit. Mjaft që na i vrau pa të drejtë, po tani të na kthejnë së paku
trupat e tyrë.”
Dhe Mhilli nuk e
zgjati. Ju gjend me një herë atyre për ndihmën e kërkuar.. Sakaq shkon tek sundimtari i Shkodrës, Osman
Pasha, dhe, me ryshfetin e dhënë, ndërmjetësoi
për kërkesën e malësorëve nga fisi i
Shllakut.
Atëherë Osman
Pasha, pasi mori 5000 piastra, e ndrroi vëndimin për mos lejimin e varrimit.
Ndër kohë Mhilli kthehet në shtëpi i lehtësuar, pse u plotësoi kërkësën malësorëve, po i revoltuar dhe i brengosur nga korrupsioni shtetëror.. Fjalët e tij kundër korrupsionit qeveritar kanë një tingëllim aktual edhe tani për çdo vënd, ku njerëzit nuk janë të barabart para ligjit dhe të korruptuarit nuk dënohen: ”Me para, - thot ai, - mund të arrish gjithçka, drejtësi, favore, mosdënime. Dhe pikërisht njerëz të tillë na qeverisin. Ca maskarenjve të këtij kallëpi iu është besuar Shjqipëria.” (f. 72).
Figurë negative
dhe e e padëshiruar del për lexuesin e romanit Luli i Temalit, i shoqi i Bardhës.
Edhe pse moshë e re, ai duket krejt i papëlqyeshëm si karakter. Me sjelljen e
një “kapedani”, bajraktar kokorosh, ai deshte t’u tërhiqte vëmendjen njerzëvë të
fisit, që edhe pse burrë malësije, nuk e kishte për gjë të merrte një vajzë nga
fusha, a po nga Shkodra, duke shkelur kështu me këtë “proçkë” zakonet e të parëve..
Vërejtjet që do
t’i bënin më vonë, një vit pas martese,
tre pleq të fisit, do ta bindnin Lulin për veprimin e nxituar që vajti e zgjodhi për të vënë kurorë me një vajzë nga Shkodra. “Nuk duhej të kishja shkelur zakonet e vëndit, nuk duhej të isha martuar me këtë
grua, për shkak të së cilës nuk po më duan të mitë…Sigurisht që kam bërë një marrëzi të madhe.” (f.50)
Nga këto fjalë të Lulit marrim vesh se sa konservator dhe sa
i prpambetur paraqitet ai në jëtën familjare. Janë këto pikëpamje që e bëjnë atë
të tregohet mospërfillës për Bardhën, të mos i rrijë afër dhe të mos i shpreh asnjë farë dashurije; dhe,
për më keq, të mos i dalë kurrë në mbrojtje në situatat e vështira që krijonte
ambjenti prapanik fisnor.
Po negativiteti i
Lulit bie më shumë në sy në lidhjet e
tij me orintimin që ka brenda jetës së
fisit. Ai është përkrahës i flakët i
praktikës së gjakmarrjes si edhe i konflikteve ndërfsinore, ose i luftrave
për t’i shërbyer sulltanit turk. Me logjikën e një despoti të vogël Luli i
shkon për ndihmë Ismet Pshës së Pejës. Me malësorët e tij të armatosur ai sulet
kundër fiseve të Gashit dhë të Mërturit,
që ishin ngritur kundër sundimtarit turk. Dhe përfundimi qe tragjik, tridhjetë të
vrarë dhe dyzetë e dy të plagosur ndër
tre qind veta që bajraktari kishte marrë me vete. Me gjithë këtë humbje, Luli këmbëngulte për vazhdimin e luftës vllavrasëse.
Kështu me kokëfortësinë
e tij, bajraktari i Temalit i solli
fisit gjithë atë mynxyrë.
“Flijoi njerëzit e
vëtë për t’ i shërbyer një të huaji që nuk na do”, - u thotë me të drejtë At Leonardi
ca të plagosurve, të cilëve u kishtë vajtur pranë për shërbim shpirtëror.(f.196)
Qendrimi ideoemocional i autorit është kundër këtij despoti
egoist në familje, i cili paraqitet edhe një tiran, zëmërgur në fis, që po ju
shkaktonte malësorëvë trima e të vuajtur gjakderdhje të kotë, mjerim dhë fatkeqëi
në jetën e tyre.
Nga episodi i
bashkëbisedimit midis malësorëve të plagosur, të cilët po ktheheshin për
në shtëpi, marrim vesh se pakënaqësia për bajraktarin dhe pashallarët ishte duke
u përhapur dhe shpirti revoltues po zgjohej.
Për vërtetësi të këtij mendimi le
të sjellim si shëmbull fjalët e njerit prej malësorëve të plagosur, Geros, i cili
i mërzitur ankohet ndaj bajraktarit dhe pashallarëve: Ata na shtien të vritemi, të vuajmë, e pastaj si shpërblim na përzënë si qen” (f. 195). Po në atë moment
një i plagosur tjëtër do të shtojë me
ton protestues dhe të vendosur: “Po kjo do të jetë hera e fundit”.
Duke vënë re
dialogun midis malësorëve të plagosur,
kuptojmë se Pashko Vasa shpirtin e revoltës kundër sundimit turk e gjen në
radhë të parë te njerëzit e thjeshtë, dhe
jo te bajraktarët dhe bejlerët, që bëheshin vegla të pashait turk. Të pakënaqur
dhe të revoltuar ndaj sundimtarit turk janë si malësorët e Gashit dhe te Mërturit, si edhe ata të
Shllakut dhe të Temalit. Vetëm se revoltat e veçuara nuk ka se kush t’i bashkojë, t’i udhëheqë edhe t’i ngrerë në një front të vetëm në luftën për liri kombëtare.
I vetmi intelektual që mund t’i zgjojë malësorët
dhe t’i bashkojë me idenë kryengritëse do të ishte At Leonardi. Po fatkeqësisht ai vetëm sa konstanton ndonjë anë negative të bajraktarëve, po nuk ka as
guximin as predispozitën që t’i
organizojë dhe t’i çojë masat e malësorëve
kundër sunduesit turk dhe mbështetsëve të tij.
Personazhi më negativ
dhe më i urryer në roman është Osman Pasha, kryeqeveritari i Shkodrës. Ai është
përshkruar si një despot i egër, që dominon gjithçka për jetën e banorëve të qytetit
dhe të trevave rreth tij. Osman Pasha është
një tiran mizor, që vepron në mënyrën më autoritare, pa u mbështetur në asnjë
lloj ligji. Ai sillet në atë mënyrë se Shqipërisë nën sundimit turk i mungonte
kushtëtuta e një vendi që duhej të qeverisej
normalisht me rregulla dhe ligje.
Osman Pasha, për
t’ i sunduar më mirë shqiptarët, nxiste midis tyre dasitë fetare. Kështu bën ai
kur thërret në zyrën e tij Mhillin e Vlashajve dhe e kërcënon, duke i thënë:
-“Dua
të më dorëzosh tët bir; ai ka plagosur një musliman dhë duhet të dënohet.”
Pra është e qartë mbrapështija e
pashajit. Ai nuk do të dijë për shkakun e plagosjës, ndër kohë që i del në
mbrojtje një tjetri vetëm pse ai ishte musliman.
Ndërsa Mhilli i Vlashajve, pa e vrarë mëndjen
për dinakrinë përçarëse të pashajit, ia kthen atij, dukë i thënë se “im bir nuk është në shtëpi, po edhe sikur të
isht , nuk do të isha unë që ta dorëzoja.”
Tek dëgjon ato fjalë, Osman Pasha nuk e
mban veten dhe shfryjti me ashpërsi.
“Kryelartësi ! Mendje
- madhësi shqiptare ! Roja! Futeni këtë njëri në burg..”
Po Mhilli I Vlashajve, krenar, jo vetëm
nuk u step, poi ia ktheu Pashajit.
-“Kjo është e pa drejtë,
Shkëlqesë, është kundra ligjit kjo që po urdhëroni”
Atëherë, Osman Pasha, i sigurt në vëprimet
e tij dhe me arrogancë si turkoshak, bërtiti përsëri:
“Ligji! Unë jam ligji. Unë jam përfaqësuesi i Sulltanit këtu. Në burg rebelin”
Do të jetë po ky Osman Pasha që do t’i përdor
si mish për top shqiptarët, duke i marrë ndën armë e t’i shpjerë në luftë me fqinjët. Nga kjo politikë e tij
luftëdashëse shkaktohet edhe një tjetër tragjëdi në roman. Vrasja e Jak Kolës, të
cilin do ta ekzekutojnë, duke i prerë kokën me spatë.
Dhe pse ia dhanë këtë dënim Jak Kolës?..... E vranë në këtë mënyrë, sepse ai edhe një shok i tij i qenë shmangur vajtjes në luftë kundër Malit të Zi. Episodi i vrasjes në mënyrën më barbare i Jak Kolës shenon një nga skenat më tronditëse të romanit. Ngjarja është dhënë me shumë realizëm, në mënyrë bindëse, me një gjendje të ngritur emocionale edhe me një stil të figurshëm, që të rrëmben. Me një fjalë është një tablo e gjallë dramatike, e denjë për t’u futurë në çdo antologji, të luhet në çdo skenë teatri dhe të filmohet nga kineastët për ekranin e madh dhe të vogël.
Ardhja ë nënës së Jakut,Gjëlës edhe e
gruas së tij, Davës në kohën para ekzekutimit të heroit të romanit, është një
pamje aq prekëse, sa të ngjeth misht, po
edhe të lartson moralisht, siç ndodh në dramat e tragjedive antike. Autori i përshkruan
ato dy gra si amazona të regjura më vrasje
të përgjakura.
Nuk ka moment më
solemn, se sa të shohësh Davën, tek hyn në vëndin, ku po vuante i plagosur orët
e fundit i shoqi saj, Jaku: “Ajo shkoi tek i shoqi. Iu afrua pranë në heshtje,
u gjunjëzua, mori dorën e tij të larë me gjak, ia ngriti pak sa dhe e
puthi me një puthje të gjatë. Ajo vuri në
atë puthje gjithë shpirtin dhe zemrën e saj, gjithë shpresat e së ardhmes që
ajo po i varroste për gjithmonë. Prej ketij çasti ajo nuk i përkiste më askujt.”
Po kështu dhe
fjalët e Jak Kolës kushtuar nënës dhë Davës, të thëna me një tingëllim epik si në
rrëfimet e lashta, të lënë mbresa të pashlyeshme me përkushtimin për fëmijët,
familjen edhe atdheun. S’ ka pamje më të dhimbshme se sa të dëgjosh një person si Jak Kola, të plagosur rëndë,
që nga çasti në çast pret xhelatin t’i presë kokën me spatë, t’i japë kurajë
gruas dhë t’i lërë porosi për fëmijët: “Qendro si burrënesh, oj Dava ime; ti e dije së unë do të vdisja një ditë. E
ja pra tek erdhi ora. Po të lë dy fëmijë,
dy djem të buklur. Folu shpesh për mua. Mësoi ta duan këtë atdhe të shtrenjtë, që është aq fatkeq, thuaju se
kam vdekur si trim.”
Po, siç shikojmë në leximin e këtij episodi,
Dava ishte e kursyer në fjalë. Ajo sikur fliste me atë mënyrë me heshtjen e saj
para trupit të gjakosur të Jakut. “Ajo
uli kokën pa iu përgjegjur, po nuk qau,
sepse burimi i lotëvë të saj ishtë shterur.
Dukej ashtu si një Niobë e rë.”[7](f.63)
Pra fati tragjik i Jak Kolës dhe i familjes së tij shpreh e nënkupton fatin e tërë një kombi nën robërinë turke. Jak Kola nga Shllaku, e shoqja, Dava, nëna e tij Gjela, formojnë një trinom të veçantë në faqet e letërsisë shqiptare, ku përzihet dashuria për familjen dhe atdheun nga njëra ana , dhe në anën tjetër, qënia e tyre si viktima të Osman Pashës, Shaban Beut, dhe Hasan Agë Hotit, të cilët përfaqësojnë shtypjen e dhunshme të sundimit turk.
Pashko Vasa në mënyrë
të qartë stigmatizon në romanin “Bardha e
Temalit” zakonin e gjakmarrjes si një dukuri fatale, që po firaste gjat kohës energjitë
kombëtare.. Malësorët ishin të këcënuar nga ky gjykim mizor. “Secili prej tyre e
ndjente në ndërgjegjen e vetë se kishte borxhë një gjak”.
Mungesa e ligjislcionit dhe e institucioneve juridike bëhej shkak për
vetëgjyqësi. Ishte koha kur çdo problem zgjidhej me plumb; për një fyerje derdhej
gjak. Për mosmarrëveshje nga më të ndrysmet merrte fill gjakmarrja si një veprim
i rëndomtë.
Pasojat e kobshme
të kësaj praktike, që sillte mynxyrë në familjet e shqiptarëve janë mishëruar në personin e nënës, së cilës iu vra djali në Shkodër, në oborrin e shtëpisë
së Bardhës, për një llaf gojë, për një sharjë në një bisëdë në kalim e sipër.
Kur kjo nënë mori vesh gjëmën, klithi: “Ku
ku e zeza unë, që s’ kam djalë tjetër për t’i marrë gjakun.”
Po pa pritur, çuditërisht, ajo u qetësua
sa pak, kur i thanë se i biri e kishte
vrarë vëtë kundërshtarin me dorën e tij.Dhe, si e ngushëlluar nga ky lajmë, ajo
shpreh dëshpërimin e saj të thellë me një ton ku ndihet tok me pikëllimin edhe
psikologjia e gjakmarrjes në zemrën e përvëluar të nënës së mjerë të mbetur kërcure:
-“Zoti qoftë i
lavduar! Humba djalin e fundit,…..po të paktën nuk do të thonë se nuk
i është marrë gjaku. Gjak për gjak – vdekje për vdekje !”.
Pastaj ajo vuri kujën dhe zuri të vajtonte
dhe të thërriste me emër të tre djemtë që
kishte humbur njërin pas tjetrit.
Autori, ndërsa pasqyron
përmes detajesh konkretë varrimin
e djaloshit të vrarë, jep dhe atmosferën e ankthit të gjakmarrjes tek të gjithë njerëzit
e fisit. Gratë si në koret e tragjedive antike mblidhen në formë gjysëm rrethi para trupit të të vrarit dhë vajtojnë me ligjërimet
epike si në legjenda. Të njëjtin ritual bëjnë burrat e armatosur sipas natyrës
së tyre trimërore.
Me të mbaruar lutja për të vrarin “De Profundis”, mbyllet varrimi dhe të gjithë drejtohen për të ngrënë drekën e përmortshme. Autori gjen rast për t’i përshkruar malësorët si trima të cilëve s’u trëmbet syri para vdekjes, po që jetojnë në një varfëri të tejskajshme. Rrëfehet në roman se si kur njerëzit e funeralit shkojnë në shtëpinë,.ku ishte shtruar dreka e përzishme, “ të gjithë u ulën përdhe, përveç bajraktarit dhe priftit që kishin nga një postiqe”. Kështu përms shumë episodesh realiste Pashko Vasa ka dëshmuar dhe ka kritikuar ashpër doket dhe zakonet e vjetëruara si gjakmarrjen, shpërfilljen e përsonalitetit të vajzave dhe të grave, dasitë fetare si dhe dallimet e përçmimet krahinore.
Gjuha e Pashko
Vasës në romanin ‘Bardha e Tëmalit” bie në sy për fjalë të
figuirshme dhe me ngarkesë emocionale. Fjala vjen për të dhënë gjendjen
e lënduar shpitërore të heroinës
së veprës, autori shkruan ”Bardha dukej
si një engjëll që prehej në një shtrat prej resh” ( f.119). Kurse në një rast tjetër shkruan për të:”…shpresa depërtoi si një
rreze qiellore në shpirtin e saj dhe bëri
të lindnin dy ëndërrime të ëmbla”.
Sado që vepra është
shkruar frëngjisht, autori ka bërë kujdes që të na jap personazhet të
individualizuar edhe nga ana gjuhësore;
gjë që duket më mirë sidomos te e folura e pleqëve të Temalit dhe te figurat e
grave malësore, a po tek dialogu i Jak Kolës me nënën dhe gruan e tij. Kurse me
protagonistët positivë të romanit Pashko Vasa duket sikur nuk tregon shumë vëmendje
për individualizimin e tyre edhe nga ana gjuhësore. Për këtë arsye e folura e Aradit dhe e Anulit
nuk kanë ndryshim a po “distancim”
nga ajo e autorit. Po a duhet ta marrim për mangësi artistike këtë
dukuri në procesin krijues të shkrimtarit ? siç është komentuar…
Për të ndriçuar këtë çështje duhet të kemi
para sysh se Pashko Vasa ishte i ndikuar kryesisht nga romantizmi siç ishin edhe autorë të tjerë të
Rilindjes sonë. Dhe dihet se karakteristika
kryesore e kësaj metode krijuese ishte sujbjektivizmi, me anën e të cilit autori shprehte vetëvehten nëpërmjet heroit kryesor. Shëmbulli më
i qëlluar për këtë mënyrë të shkruari
është Chaild Haroldi i G. Bajronit, me anë të të cilit shikojmë se heroi
i veprës njësohet me vëtë
autorin., pra bëhet alter ego
i poetit. Kjo praktikë kreative e njësimit
të autorit me heroin e veprës duhet parë edhe në rastin e romanit “Bardha e Temalit”,
ku Aradi shpesh herë shpreh pikëpamje të vetë shkrimtarit. Pra, për analogji,
mungesa e dallimit gjuhësor në të folurin e autorit me atë të protagonistit del
si shprehje e metodës së romantizmit se sa si magësi e mjeshtërisë artistike.
Ekspozicioni, a po treva ku zhvillohen ngjarjet e
subjektit të veprës, bëhet i dukshëm nga
toponomastika e romanit. Dy janë epiqendrat e skenave vepruese, Shkodra
dhe Kulla e Temalit. Kurse midis tyre e për rreth shikojmë emra vendesh si
Lagjja e Tabakëve, Fusha e Rrmajit, Arra e Madhe në Perash, Bregu i Kirit, Bërdica,
Shllaku, Temali, Shoshi, Gashi , Mërturi dhe më tutje Peja. Pra ajo krahinë e Shqipërisë së Veriut, që do
t’i tërhiqte vemëndjen dhe do ta frymëzonte studiusen angleze, Edith Durham, për
të shkruar, pak vjet më vonë, librin e saj “High
Albania”. Në këto mjedise konkrete Pashko Vasa jep si të gdhëndura në gur karaktere
të gjalla me zakonet dhe doket e tyre, brenda psikologjisë kombëtare të kohës,
ku ruhej rregullimi fisnor dhe tradita e lashtë tok me zakone të vjetra.
Në kapitujt e
romanit pasqyrohen kështu karaktere tipikë si produkt i një kohe të caktuar dhe i një vendi konkret shqiptar, që autori e ka dhënë besnikërisht si
një njohës i gjithanshëm i jetës së vëndit
të vetë. Sado larg vendlindjes, edhe sado që veprën e shkroi frëngjisht, Pashko
Vasa , gjat porocesit të krijimit, s’
ka qendruar pa menduar edhe shqip. Le të kujtojmë për këtë
rast një detaj të faqes 143, ku në original është shkruar ne gjuhen shqipe tog
fjalshi “syni i keq”, i shpjeguar pastaj me fjalë frëngjisht.
Duke qenë se “Bardha
e Temalit” është një nga dy romanet e pare
të letërsisë shqiptare , Pashko Vasa del si një nga nismëtarët e prozës
së gjatë. Mungesa e përvojës në llojin letrar nuk e pengoi atë të na jepte një
vepër të ngjizur e të kompletuar jo vetëm nga ana ideore, po edhe nga ana e realizimit aristik.
Së pari këtë e dëshmon kompzicioni i
thurur me mjeshtëri, ku subjekti letrar
vendosët në një ekspozicion konkret;
nyja a po pika e lidhjes për ngjarjen është gjetur
natyrshëm. Zhvillimi i veprimeve
përshkruhet me dramacitët në ngjitje, duke mbrrijtur kulminacinin e aksionit si pjesë e subjektit. Dhe, më së fundi zgjidhja tragjike e konfliktit duket si
rrjedhojë fatale brenda logjikës së projektimit të romanit.
Këto përcaktime
lidhur me procesin e krijimit letrar flasin për mjeshtërinë artistike të
autorit, i cili, me talentin e tij në gjininë e naracionit, na ka lënë një vepër
shumë interesante në traditën tonë letrare të Rilindjes Kombëtare. Romani
“Bardha e Temalit” për mesazhin patriotik dhe idetë shoqërore, që përçon si edhe
për realizimin artistik, duhet propaganduar dhe reklamuar siç i takon për t’u
njohur sa më shumë nga masa ë lexuesve
si brenda territorit të Shqipërisë dhe të Kosovës, po edhe jashtë kufijvejve
shtetërorë, ku jeton një pjesë aq e madhe
e kombit shqiptar. Me këtë rast le të shpresojmë se shtëpitë botuese do t’ i kthejnë sytë edhe nga romani tërheqës “Bardha
e Temalit”.
[1] Nga Daniel Gazulli ;”Pahko Vasa, per dje, per sot, per neser”
[2] Niccolo Tomaseo(1802-1874): Personalitet i kulturës italiane; qe dhe linguist italiano-dalmatian, dijetar, poet, esseist, enciklopedist, mik i J.de Radës dhe i Dora d’Istrias; përkrahës i Republikës së Venetikut me 1848. Pas dështimit të kjësaj Republike qe i detyruar të largohej jashtë Italisë.
[3] M. Gurakuqi: “Iete patriotike e shoqerore te Pashko Vases te romani Bardha e Temalit”, Nëntori nr.6, 1967, f.119
[4] I kujtojme lexuesit se gjithe citimet romanit “Bardha e Temalit”
jane marre nga Vepra Letrare
vol . 2, e PashkoVases, botim i
Shtepise Botuese “Naim Frasheri”,
[5] Botimi i vitit 1987,
[6] Y. Jaka, nga “Parathenia” e romanit “Bardha e Temalit”, botimet “Rilindja” , Prishtine, 1990.
[7] Niobe ishte vajza e Tantalit, mbret në një krahinë të Lidias; ajo qe martuar me mbretin e Tebes. Nioba pati fatkeqësinë e tmerrshme se i vdiqën gjithë fëmijët. Nga pikëllimi iu thanë lotët dhe dalëngadalë u nguros e u bë shkëmb; njihet si një nga figurat femërore më tragjike të mithologjisë.