E premte, 02.05.2025, 09:53 AM (GMT+1)

Kulturë

Përparim Hysi: Ç'më bëre, more Fatmir Terziu?!

E enjte, 21.06.2012, 06:38 PM


''Ç'më bëre,more  Fatmir Terziu ?!" *

( rreklamë miqësore )

Nga Përparim Hysi

Siç e shihni,prapë kam vënë një yll. Është një si "vini re !". Apo më sakt,si një thirrje për lexuesin. Këtë radhë,vërtet,që kam rënë në hall. Kam qenë mes dy zjarresh që nuk janë veç metaforik. Janë pak si "zjarre" që të djegin. Me pak fjalë,po shpjegohem. Mikja ime e herëshme,Zonja  Fatmiroshe Xhemalaj më dhuroi librin me tregime "RRëfenjat e xha Avramit" të Fatmir Terziut. Të atij Fatmirit që nami i mirë,e ka kapërcyer "Mollën e kuqe". Natyrisht,nuk qe ndonjë befasi imja,se e di mirë që Fatmir  Terziu në këtë "modën" e shkrimeve ka po atë famë që ka në gjininë e modës,ta zëmë,një "Versaçe",por befasia dhe halli im i madh,se  Fatmiroshe Xhemalaj (ajo në të vërtetë është erudite,pa tentuar se bëj ndonjë provani ) ,jo vetëm ka bërë botimin e këtij libri të bukur tek shtëpia e saj botuese "Filara",po ka bërë dhe një pasthënie apo analizë shumë dinjitoze,sa më kujton ato introduktet me aq vlerë të Nolit,dikur,të cilin,siç vihet re ,po mundohen t'ia bëjnë pis vlerat. Kur vij tek Noli,unë hyj në atë grup që nuk ka seç i bën vesa betonit. Po le ta lëmë Nolin atje ku prehet,në Bostonin e largët ,dhe të vijmë tek "halli"im:-Pse jam mes dy zjarresh ?

  pari,  se zonja Fatmiroshe,nuk ka lënë gjë pa thënë për suksesin e këtyre rrëfenjave,treguar nga Terziu "Versaçe".Le të linte qoft dhe një thërrime dhe,sikur mos mjaftonte kaq,por ja tek të imponohet me fjalën me aq vlerë,një tjetër penë e fuqishme,që mban  firmën e Faslli  Halitit. Dhe  unë e di mirë se kush është Faslli Haliti. Ky edhe piktor,edhe poet,edhe prozator,edhe esseist,edhe përkthyes dhe,më thoni,pastaj, a është "luftë e barabartë" kjo imja me ta ? Çdo njeri mëndjekthiellët,pa tjetër,do më qajë hall. Por,në fund të fundit,ç'dua unë që "kruaj"kurrizin  ?

***

Më ka gjetur si ajo nusja që nuk i rrihej pa folur. - Rri,o nuse,mos fol ! -Ja,o baba,nuk po flas... Dhe mezalla,se e mbylli gojën. Thotë bukur,Poeti Agim Shehu:

"Rri,po nuk të rrihet

Se të vinë mornica..." - të më falë në nuk e citoj drejt,por dhe me mua kështu ka  ndodhur. E mora si dhuratë "RRëfenjat e xha Avramit" dhe më gjeti si puna e atij,që,për"një thelë,pagoi një pelë". Doja ta lija,atje në raft të librave,që t'ia dhuroja ndonjë"mysafiri" të vogël që vjen bashkë me prindërit,tek unë "muhaxhiri" që sapo kam zënë Tiranën,por hesapet i kisha bërë pa hanxhinë. Doja ta lija,po ja tek më shkelte synë "Xha Avrami",një plak,pak me flokë të rëna,që parë nga prapa,me atë "bashkë"leshi të bardhë,më kujton atë fytyrën aq të dashur, të  Kontit të madh,Tolstoit të pavdekshëm. Ndodh si me atë thënien:-Po të lanë për prift, bëhesh dhe dhespot. Plaku kaq impozant është vizatuar nga një dorë mjeshtëri,siç është Piktori i Popullit,Skënder Kamberi dhe do nuk do,do afrohesh dhe do hulumtosh për "xha Avramin".

Pra,prerë e qepur nga një dorë mjeshtëri si Terziu,pikturat nga Mjeshtëri Kamberi,dy introduktet, po siç u thashë,dhe me të vërtetë,ndodhem në atë pozicionin e atij që ia thirri: " O shokë,të më qani hall !!!".Gjtihësesi,ky "halli"im është,relativisht,i vogël siç është,përgjithësisht,edhe vlera e penës sime. Po gjithë-gjithë,kam një personazh unë që thotë:-  Me këto buzë që kemi,dhe do puthemi !".  Tani,pak a shumë,i thashë të tëra dhe  ja dhe mendimet e mia për"Xha Avramin".

***

Po ta shihni,kam lëshuar një si britëm për Fatmirin ! Mos kujtoni se ëshë pasthirmë apo dhe një ekslamacion. Është një britëm e vërtetë,se ky "Versaçe"i shkrimeve,sot që po shkruaj,më prishi regjimin ditor.Mbeta pa fjetur. Nuk më la "Xha  Avrami"i tij. Herë duke dalë për gjah,herë andej buzëlumi;herë në mes qyteti;herë majëplepi,mezalla s'e më la të qetë,deri sa e mbarova me një frymë. Unë,të them të drejtën,jam bërë paksa qibar në të lexuar ,po ky,"xha  Avrami" sikur më thoshte:- Po në të ardhtë ndonjë vogëlush për vizitë dhe të të pyes,ç'ke për t'i thënë?

Dhe u pa puna.Iu përvesha vëndçe. Terziu po "terzi" mbetet:pret e qep,sipas kërkesave. Ai rrëfen si një gjysh që tregon përrralla. Nuk ka fjalë elokuente që kërkojnë erudicion apo zhbirime fjalorësh,por thjesht dhe shtruar,-xha Avramshe,do të thosha- tregon dhe jo vetëm kaq:tregimet kanë mesazhe dhe moral. Këto janë dy faktorë që ia rritin vlerën librit. Ndonjëherë,nga këto mesazhe kanë për të mësuar dhe mosha   adoloshente,po se po,po deri dhe të rritur.Lexojeni"Kur braktisen vlerat" dhe do më jepni të drejtë.

Terziu nuk flet kuturu,vetëm e vetëm që ja:të shtoj në galerinë e tij të botimeve dhe një libër dhe aq. Përkundrazi,si "terzi"i mirë,mat shtatë herë dhe pret njëherë.Kur  lexon librin,nuk ke si mos befasohesh,se,sado ndonjë rrëfenjë është e njohur dhe botërisht (ajo  e berberit të mbretit ),tek Terziu sikur e gjen me "një rrobë tjetër",se e tillë është dora që ka bërë"prerjen"dhe "qepjen" e kësaj rrobe.

***

"Xha Avrami" i Terziut,tani sapo ka dalë.Unë mendoj se,sa nuk  është vonë,specialistët që merren me librin në Ministrinë e Arsimit e të Shkencës,duhet ta vendosin këtë libër në listën e librave për të gjithë ciklin e shkollave  9-vjecare,se  përfitimi nga vlerat e këtij libri do të jetë i madh. Terziut:-Me të tjera,made in "Versaçe!".



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx