Kulturë » Berisha
Sejdi Berisha: Prostestë e vargut për atdheun si hartë ''arnuar'' dhimbshëm
E hene, 18.06.2012, 07:13 PM
PROTESTË E VARGUT PËR ATDHEUN SI HARTË E “ARNUAR” DHIMBSHËM
(Idriz Berisha: “Bindi i dheut”-poezi, botoi Klubi i Shkrimtarëve “Vorea Ujko”, Klinë-2012)
Nga Sejdi BERISHA
Se piktura bindshëm korrespondon me poezinë, se bashkërisht janë faktorë të ndijimit të veçantë shpirtëror, dëshmojnë shumë mendime e studime të mirëfillta letrare, nga arti pamor por edhe nga fusha e filozofisë së mendjes. Këtë mbështjellës të zjarrmisë shpirtërore, të mendimit gjithnjë të pambaruar për fenomenet e jetës dhe të rrugëtimit krijues e të ngrohtësisë së pareshtur, e dëshmon edhe piktori i mirënjohur, e tash edhe poeti, Idriz Berisha, i cili, opinionin dhe miqtë e vetë i befason me librin e tij të parë me poezi të imponuar nga shpirti, “Bindi i dheut”.
Poezia nuk lejon që njeriu të bëhet roje fantazmash dhe as tym i vatrës së fikur
Po që se
kemi parasysh begatinë, opusin e gjerë dhe temperamentin e tij krijues në fushën
e artit pamor, nuk e kemi edhe aq vështirë ta përqafojmë dhe të mishërohemi me
vargun poetik të tij, i cili, edhe këtu e gjithë ditën mëton të trokasë në zemrën
e shpirtin e secilit dhe të lë gjurmë ashtu siç e ka sforcuar rrugëtimin në artin
figurativ dhe në fuqinë e skenës të artit dramatik me të cilat veçori frymon
dhe flet dëlirshëm, lirshëm dhe me gjuhën e vetë. Këto tri elemente, autorit i
japin atë ngjyrën e refleksionit shpirtëror dhe krijues, të cilin jo rrallë,
nga etja, nuk arrin dot ta shpjegojë të tërin me gojë dhe me fjalën e ëmbël të tij.
Pikërisht,
për këtë arsye, me poezi e sforcon qëndresën e vetë dhe të njeriut, ose, atë e
bën jehonë e mesazh, e cila përkujton të kaluarën historike por edhe imponon
detyrimin e analizës së rrjedhës me shkrumb e me shkumbëverdhe të njeriut, për
ta kapur “lulen e ndaluar”, për ta bërë për vete aromën e saj si të jetës, që shpeshherë
është e cunguar, e trembur dhe e sertëllisur pa dëshirën as të njeriut, por as
të poetit. Por, në të njëjtën kohë, përmes vargut na përkujton vazhdimësinë për
realizimin e ëndrrave, të atyre që njerëzve ua kanë zgavruar mendimin: “Sonte
as kurrë më, o miqtë e mi/S’do jem roje e fantazmave/As tym i vatrës së fikur”.
Poeti,
sikur e ka më lehtë të krijojë peizazhe poezie të strukturuar me rrugëtimin të cilin
e vendos edhe në horizont, sepse, pranë e ka forcën e ngjyrës aq të fuqishme të
pikturës, kurse vargu dhe poezia i hapin rrugë për të hulumtuar të kaluarën si
material arkeologjik, peshën e të cilit ia atribuon lumturisë të së ardhmes,
sepse, ndonjëherë, edhe duke i numëruar “ditët e jetës në kalendar” dhe për t’i
rrëfyer ëndrrat, të cilat, edhe pse ai i konsideron të gjata dhe të llahtarshme,
i përmbyll me rrezet e diellit. Për këtë arsye, nëse kuptohet drejtë, vargu “Edhe
natën e bëjmë ditë çdo ditë”, duket si tingëllimë fondamentale dhe e përmjaltur
me dufin shpirtëror.
Duke mos e përfillur sinonimin dhe as “meselenë” e portës, për të cilën kanë kënduar e kanë vargëzuar, e këtë gjë do ta bëjnë edhe tash shkrimtarë dhe poetë, piktorë që kanë pikturuar dhe i kanë “djegur” ngjyrat për portën dhe për namin e saj, autori i këtij libri, me pak vargje sikur krijon histori e legjendë: “...Aty takohemi si në balada/O, miku im i vatrës-aty jam/Jo si n’gurvarr e as n’epitaf/e as në legjenda si dikur/Tok bëjmë derte e qajmë halle/Për dasmat e pafundme sivjet”.
Përmes vargut, fati i kombit dhe jeta shndërrohen në mos harresë...
Poeti është
“naks”. Ai, vëren dhe sheh gjithçka që i dhemb, e më së shumti i përjeton dhe i
dhembin plagët e njeriut, fati i njeriut, i cili, dorën në zemër, është i çuditshëm,
i paparashikuar sa që të lë përshtypjen se paska qenë i shartuar me pamëshirën,
e cila mund të “përbirohet” në trung, përkundër rrënjëve të shëndosha e të qëndrueshme
dhe kurorës së dëlirtë e të sinqertë që merr krahë kah e bukura dhe e lumtura,
kah e njerëzishmja. Pra, ka shumë faktorë që e kanë rënduar dhe e kanë “zezuar”
të kaluarën nëpër periudha, siç është edhe mërgimi i ngjyrosur me shëmtinë e
shfarosjes, me tharmin e shkretërimit dhe të poshtërimit. Për këtë arsye, edhe
autorit sikur i rri si gur rreth qafe, por edhe mbi supe lëvizja pa itinerar e
njeriut të vendlindjes, të atdheut, që pastaj të gjitha këto “dhunojnë” e
detyrojnë shpërthimin e idhcës së durimit dhe të urtisë, sepse: “Dikur fshiva
lotin e pikëllimit t’vetmisë/Sa krushqit dasmorë u nisen drejtë lindjes/Se perëndimi
ish larg, sa largësitë e mallit/Për ty e për të tjerët mërgimtarë/S’pata kënd
ta lë dëshmitar;”!
Kurse
luftërat e pafund, si kjo e fundit në Kosovë, janë histori në vete me shumë kaptina,
me shumë tablo historie të cilat krijojnë rrugë e ngjarje unike, që për fat të mirë
edhe i përballon njeriu: “Koha numëron pika vese pranverore/Dhe lindjet e
diellit buzë mali n’agim/Si lindjet e nënave prrojeve e maleve/Si kokrra misri
që shpëtojnë jetë njerëzish/Vijnë si dasmorë kolonat e pafund/Me qepalla t’rënduar
e hapa plumb...”.
Edhe këto
vargje tani i takojmë si binjakë të përqafuar e të pandarë-poezinë e pikturën,
të cilat shkrihen në një begati rrëfimi me ngjyra piktori e me vargje si pika
loti e zë, për jetën aq të “shëmtuar”, të dhembshme por madhështore. Dhe, në këto
vargje e vërehet obelisku i qëndresës, dhe deri diku edhe fati i kombit që jetën
e shndërron në mos harresë.
Të kësaj
natyre e zjarrmie shpirti tingëllojnë si kambanë zemërimi, mospajtimi, por edhe
paqeje e dashurie në të njëjtën kohë, edhe shumë poezi, si ajo “Fjalë zemre”,
Dritë mbi të bardhen”, “Udhë dheu”, “Vendi im”, “Dashuri e vrarë” e kështu me
radhë. Që do të thotë, se njeriu i këtij nënqielli kurrë dhe asnjëherë nuk
ishte as pushtues, as gllabërues, as nënshtrues dhe as okupues, por njeri që dot
nuk e lëshon nga vetvetja madhështinë, atdhedashurinë, lirinë por edhe
respektin e dashurinë ndaj njeriut.
Për këtë arsye, poeti e shpërndanë këngën si polen në tokë e në qiell “...O, vendi im i harlisur/Të kanë hije bjeshkët e larta e të bardha/...Je yll, dritëhënë e nusebardhë/Ti dashuria ime e gurtë si kala/Si besa e dhënë konstantinçe/Si lule e gdhendur amshimi/Më je si këngë a simfoni Bethoveni/Jare shkodrane/Saze Ohri e polifoni Vlore/Je si hije molle që kohën tregon/Ke emër guri si fjala fjalë”.
Fuqia e përbashkët e mesazhit poetik dhe e penelit të piktorit
Poeti ka
dëshirë dhe ia arrin që në varg ta përjetësojë frymën gjithëkombëtare, gjithnjë
me madhështinë e shpirtit, i cili di të këndojë edhe kur është më së vështiri,
edhe kur është më së rëndi, edhe atëherë kur loti e shpon tokën e gurin për ta
gjetur peshën e gjakut, bukurinë e stinëve, ashtu siç di e vepron edhe piktori
me pikturën plotë dashuri e ngrohtësi, edhe atëherë kur syrit i rëndohet
qepalla nga etja, të cilën ia shkakton koha e njeriu. Pra, pikërisht kjo, autorin e bën këmbëngulës
në punën e tij: “Krijova imazhe me ngjyrë pikëllimi/Me brushë piktori e varg
poeti/Mbjella e korra zjarr dashurie/Se kështu të dua si lindjen e parë/O,
vendi im”!
E
kaluara, tradita dhe madhështia e nderit dhe e ndërgjegjes e stërgjyshërve, e
cila është përcjellë dhe përcjellët nëpër periudha historike, e nëpër këto kohëra
me plotë hidhërime, sakrifica, tragjedi, por edhe me krenari, mburrje mbase
edhe nganjëherë me urrejtje, janë sublima më interesante e jetës dhe e kohës, që
ndonjëherë i ngjanë rebusit, në labirintet e të cilit, njeriu pandërprerë sorollatet
për ta gjetur rrugëdaljen e pastaj për të treguar dhe për të rrëfyer për
brendinë e këtij kapërthurësi të rrugëve, i cili, pastaj vetë tregon edhe pa
gojën e asnjë njeriut. Andaj, gjurmët e së kaluarës, poeti i konsideron edhe
beden dhe dritë të pashuar të periudhave që mund të ikën por edhe që mund t’i
mbulojë gjethi i vjeshtës dhe pluhuri i harresës. Por, këtë nuk e lejon poeti: “Kthehem
ku ishim te lindja/Te oxhaku i oxhakut tonë/Sepse kudo ka kulla në këtë tokë/Ka
dyer, dyer e harqe e frëngji gurësh/Ka ëndrra të pa treguara që zgjasin e
zgjasin/Si udhët tona mësipërmes atdheut”!
Brenda këtij
libri, vargjet e poetit reflektojnë nostalgji dhe mallin për vendlindjen, që janë
shprehje dhe vule shpirti e peizazhit përrallor të vatrës ku zë fill fryma e
parë, fjala e parë, pika e parë e qumështit të nënës dhe ngrohtësia e dorës së babait
sipër floçkave të buta të foshnjës, ku zë rrënjë shkronja e parë... Të gjitha këto
janë edhe një prej shtyllave të karakterit të pa rrënuar të poetit, segment ky
që është shprehje edhe e njeriut përgjithësisht: “...Plepat e mi shtatlartë t’vendit
tim/Roje kujtimesh e vitesh t’rinisë/Ruajeni qetësinë e pulëbardhave n’agim/E
dua lartësinë tuaj, o plepat e mi”!
Duke shëtitur
me zemërim por edhe me qetësi nëpër zjarrminë e vargjeve të kësaj vepre,
pothuaj se kudo e hasim edhe jetën e vetë autorit, por në situata e rrethana të
ndryshme, të cilat, padyshim se shprehin karakterin dhe temperamentin stabil të
tij por të pa rehatuar në asnjë moment. Sepse, fjala vjen, nëpër krajatat dhe
ravijëzimet poetike, në mes tjerash e hasim edhe “letërnjoftimin” e shumë qyteteve
dhe të vendbanimeve të lashta, kurse Kosovën si “hartë e arnuar dhimbshëm”!
Të gjitha
këto ia shtojnë vlerën kësaj vepre, sepse, këndimi i qëndrueshëm dhe i përjetuar
thellë, ka emër, ka kohë, ka shikim e dashuri, por ka edhe gjëra që prekën si
vesa e mëngjesit, të cilën më vonë s’mund ta hasësh dot. Kjo, ngase nganjëherë,
nga etja dhe dashuria e madhe, euforia zë hapësirë më të madhe se që e meriton
pikërisht në “Agun e Ri”.
Poeti,
edhe sot e kësaj dite gjithnjë mëson se si duhet prekur diellin përcëllues, mëson
për kujtimet që mund të të rrëmbejnë. Kjo shprehet në shumë poezi, të cilat, po
ashtu përshkohen me trakullimën e kohës, e cila kohë, si gjithkujt po i ikën
poetit, e të cilën së paku në mos mund ta “kullandrisë”, atëherë të shënojë e të
këndoj: “T’ruaj peizazhin tim rinor/T’mos qaj nga malli e t’shkruaj poezi...”.
Në librin
“Bindi i dheut” të Idriz Berishës, autori është shndërruar në shëtitës të kohërave
dhe në lypës të gjërave të cilat nuk duhet lëshuar nga dora as shlyer nga
historia, është shndërruar edhe në ditar njeriu mbase edhe në pasqyrë kohërash,
të cilat gjëra e bezdisin për gjithçka, edhe ato të cilat as arkeologjia nuk i
ka bërë ndonjëherë deri me tash dritare drite. Për atë, autori edhe thotë: “...Më
ndjek kudo një eh”! Andaj, ftesat për ekspozitë, shumë foto, duar të zgjatura
tek grilat dhe rrugët e jetës, janë pjesë e vargut, pjesë e ecjes me “litar t’zgjatur
nëpër këmbë”, pjesë e ecjes me ballë lartë dhe krenar të cilat poeti i ka “sermie”
shpirti që me fanatizëm i “ruan” në muzeun e vetvetes dhe të unit të tij.
Pra, edhe
Bindi si figurë e qëlluar metaforike mbase edhe mitike, autorit i ka shërbyer
arsyeshëm dhe pëlqyeshëm për të “vepruar” dhe për të veçuar gjithçka që është e
mirë, por duke sjellë edhe gjëra të tjera që mund të shërbejnë si shembull për
qortim dhe ndërgjegjësim, por edhe për begatim mendjeje e arsyeje që botën e
rregullojnë si kopsht me lule, e që aty ka edhe diçka që therë e ndoshta nuk u
ngjanë në gjembave...! Për këtë arsye, poeti me ndijim të lartë ligjëron: “O, këngë
të moçme, o kështjellë e gurtë/O, varg poeti e penelat piktori/Më merrni në gji
se edhe vdekja është art/Atje ku dielli lind shqip/shqip le të perëndojë”!
Kujtoj se
libri me poezi “Bindi i dheut” i Idriz Berishës është produkt i pjekurisë artistike
dhe i intelektit krijues që rezulton edhe me vargje dhe me poezi që begatojnë vlerat
letrare por edhe ato shpirtërore dhe kulturore kombëtare.