Kulturë
Fatmir Terziu: “Tulipani i Koresë” gërshetim i guximshëm kulturash
E diele, 17.06.2012, 11:14 AM
“Tulipani i Koresë” gërshetim i
guximshëm kulturash
Nga Fatmir Terziu
Trilogjia “Hidhësia e Puthjes”, të cilën
shkrimtari Kristaq Turtulli e vendos në pjesën e dytë të prozës së tij nën këtë
tematikë, ose më saktë romani “Tulipani i Koresë” është vazhda e gjatë kërkimore që ka
bërë shkrimtari për të prurë për herë të parë në vëmendjen tonë ngjarje, të
cilat janë dhe mbeten ende mister dhe utopi. E largëta e trajtuar në spektrin e utopisë fiktive
në roman, mbetet një distancë, sa për vetë të largtën, aq edhe për vetë
distancën që krijon në të hapësira, vendi dhe koha. Është një ‘largësi’ që më
së shumti pikëtakon memorje të fragmentuara, por edhe detaje të superizoluara,
për fakte, fate, frymëmarrje, apo edhe dihatje frymëmarësish nën diktaturë, se
sa aspekte që lidhin e stërlidhin këto fate dhe fakte të pasqyrta në një kënd
me të cilin Lakani do të na shpinte ndoshta më afër tek kumti i ‘pasqyrave’,
pak më larg ndoshta ‘pasqyrave të Afërditës’, jo për të lexuar vetëm të
pathënën, por për të lakonizuar të shkuarën për të sotmen, e për të kanonizuar
atë për të ardhmen. Ky kanonizim ‘pasqyrues’ vjen mes një gjuhe tipike, mes
asaj në fakt që vetë kjo gjuhë tipike prodhohet si metaforë në të gjitha
gjuhët, si një kod me të cilin nuk komunikojnë vetëm fjalët por edhe tërë
mimikëria e fytyrës dhe e trupit. Kështu ngjan në fakt në mjaft raste, por më e
ndihshme është në këtë rast kjo gjuhë në komunikimin në vend tjetër. Shkrimtari
këtë ‘pasqyrëzim’ e shfaq në gojën e heshtur të protagonistëve dhe dikton për
lexuesin mirëkuptimin e thellë e të qetë të saj edhe kur ajo vjen nga e shara:
“e shara ka
një kod të vetëm, të njëjtë, paçka se thuhet në të gjitha gjuhët e botës.”
Kjo ndodh edhe për vetë faktin që shkrimtari dikton në morinë e germave të
gjuhës së tjetrit si një përmbushje të ardhur nga ‘zvaranikët e germave’. Mes
kësaj asfiksie fiktive, pasqyrimi vjen mes të turbulltës si një kthjelltësi për
të parashtruar vetë ‘pasqyrimin’ e gjërave që lidhen me fatin e njeriut në
roman.
E turbullta si kthjelltësi në pasqyrim
Romani më i ri i shkrimtarit Kristaq
Turtulli, “Tulipani
i Koresë” na shpie në atë ‘pjesë të largët të botës’ për të cilën
përfytyrimi ‘është
i turbullt’. Në këtë udhëtim mes turbullsisë së kësaj bote që në
fillim dialogu perceptues i emrave të tillë si Vironi Delishurdhi e Mirili, që
gatuajnë herë monologun dhe herë dialogun për lexuesin, mbesin analogjia e një
pranie jetike, ku zjarri është mjeti që intrigon tërë prezencën dhe gjendjen e
njeriut për të cilin kjo ‘turbullsi’ është një grimë. Kjo ‘turbullsi’
është pikërisht ajo grimë mes së cilës kalon fati i studentit Vironi, përpos
një arsyeje e përpos ‘drithmave’ që fitohen nga shfaqja e emrit në listën e
studentëve që do të studionin jashtë shtetit, pikërisht aty ku zakonisht
liheshin gjurmë në qelq. Dhe jo shumëkush e kishte në atë kohë fatin e këtij ‘qelqi’.
Sidoqoftë, teksa ‘emrat në qelq’ ishin edhe përzgjedhje, edhe emocion,
Turtulli ndjehet në kapjen e të ftohtës së këtij emocioni, që pikërisht e
qelqta të difuzojë më tej turbullinë e shfaqur që në hyrje në bisedën
prindërore me të birin. E qelqta e emrit të tij si fabulë shënohet pikërisht në
atë listë, por edhe në fatin e tij për të studiuar në Korenë e Veriut. Por, kjo
e qelqtë shfaqet akoma më e ndjeshme teksa prekja në shpatull e shokut të
klasës së Vironit, Bardhi Spahiut, sqaron të ftohtën e saj. Ishte e ftohta që
vinte nga skutëria e zyrave që varnin jo vetëm thjesht emra listash, por
rivarnin fate njerëzish. E qelqta e ftohtësisë për Bardhi Spahiun ishte diku
larg, por e ftohta dhe e acarta e saj vinte mes pëshpërtitjeve të pashuara për
xhaxhain e tij të arratisur.
Sakaq romani na ka udhëtuar ndjeshëm në
mizinskenën e tij. Na lidh më tej me emra të tjerë si Marina, që percepton për
‘shkollarët e
shkollës së lartë’, na lidh dhe na zgjidh edhe ‘fatin’ e vetëvarjes
së Bardhit, që mbeti një acar mbi acarët e një jete nën zaptimë. Por na çorodit
edhe atë mori përhamendjesh rreth ikjes së Vironit në vendin e largët. Në këtë
mes është nënë Vera ajo që perceptohet më dinamike. Kështu i biri i një
këngëtari të një grupi që kishte emër dhe me këngë të pëlqyera nga mjaft të
tjerë, ishte në një rrugë tashmë të hapur. Mes kësaj rruge të largët për
Vironin, nis edhe alarmimi për dhimbjet e nënës, koncertin e Mirilit dhe më tej
me tërë ato pritje për shëndetin e saj. Sakaq pas mjaft ditësh Vironi nuk ishte
më ai punonjës i ofiçinës…, ai ishte në rrugën e tij me të cilën Turtulli e bën
më të prekshme në thënien e Konfucit: “Nuk ka rëndësi se sa ngadalë shkoni, rëndësi ka të
mos ndaloni...”. Dhe në këtë udhëtim drejt Koresë së Veriut është
avioni një arsye në perceptimin e studentit, por është edhe ajo mori njerëzish
që nga lartësia në zbritje e sipër i ngjajnë si kukulla. Ajo pamje pas
udhëtimit dhe shfaqja e punonjëses së Ambasadës, me përshkrimin tipik dhe emri
i saj Dorina Sulçe, kuadratohen në atë pakprekje të gishtave në takimin e parë.
Ndoshta është edhe jolinearja e gjërave që ndërrojnë gjeografi, ajo pasqyrë e
autorit për të rikthyer fate njerëzish si Nasi Xela që janë produkt i faktorëve
‘agjitacion e
propagandë’ dhe i prangave të katilit Bëzi Kule. Më tej pjesa e
romanit është vetë elementi prozaik që udhëton mes elementëve të shumtë për të
dhënë fabulën e tij.
Dhuna, elementi mes ‘turbulltisë’ dhe ‘dëshpërimit’
Shfaqja e premisave tipike në roman,
emërzimi i njerëzve protagonsitë në kulturën dhe identitetin e tjetrit,
natyrshëm janë vetë kurreshtja që prodhojnë dhunë në memorjen e lexuesit. Emra
të tillë si Xin Hua, që lidhen me fate të trysnuar nën lidhje anatemike të
‘përbindëshit’ Lymn Walsh dhe gruas ‘së marë në mbrojtje’ natyrshëm janë vetë
agonia e citimit të Budës se “dhuna është fryt i dëshirës…”. Xin Hua, ajo femër
e bukur, e përshkruar nga autori si një model në vëzhgimin e lexuesit, është
vetë perceptimi i dhunës që krijohet si element mes ‘turbulltisë’ dhe
‘dëshpërimit’. Këto faktorë shfaqen në kornizën e leximit të mëtejshëm të Haeji
Koo, por edhe në dialogun e krijuar mes studentëve për të saktësuar atë lidhje
mes thënieve të Çurçillit për Leninin se “lindja e rusit Lenin ishte
kobsjellëse, por vdekja e bolshevikut Lenin ishte shumë më tronditëse’. Këto
lidhje që duken disi e turbullta e romanit, janë kapërcime mes dëshpërimit për
të lexuar historinë në fragmentizëm mes vetë ‘dëshpërimit’.
Dëshpërimi në faqe të tëra të romanit
pikëtakohet më pas nën kulme e kulminacione të rrënqethura fatesh, që
përmblidhen mes dhjetra e dhjetra emrave të lëvizshëm. Kulmi është vetë thënia
e Konfucit të cilën Turtulli e citon “përpara se të marrësh rrugën e hakmarrjes
gërmo dy varre…”.
Dhe aty nga fundi është ‘përsëri pa titull’ ku Konfuci na vjen në ndihmë: “të shikosh çfarë është e drejtë dhe të mos e bësh atë, është mungesë guximi dhe parimesh…”. por ndërsa avioni hyn mes reve pulpëlore të bardha është rishfaqja e vegimit të Vironit dhe fluturës May Lee që vallëzonte në një fushë të bukur me tulipanë… Romani ka nisur një udhë të guximshme, të cilën shkrimtari, do ta riemocionojë për lexuesit në pjesën e tij të tretë. Le të presim katin e tretë të kësaj ‘ndërtese letraro-artistike’ tipike.
Komentoni
Artikuj te tjere
Baki Ymeri: Dimensionet universale të një krijuesi shqiptar
Kozeta Zylo: Bisedë me shkrimtaren ish të internuar znj. Bajame Hoxha - Çeliku
Ali D. Jasiqi: Prozë dokumentare që lexohet me një frymë
Përparim Hysi: Një mozaik me ngjyra
Tahir Bezhani:''Rrezja e Shkelzenit'' - Gazeta më e re
Flet Engjëllushe Daja, këngëtarja e mirënjohur shqiptare e viteve `50-`70 ...
Shaban Cakolli: Je bërë dritë, rrugëton me ne
Aristotel Mici: Rreth Librit “Burgimi im”- (La mia Prigionia”) të Pashko Vasës
Sami Islami: Individi dhe bota
Thani Naqo: Heshtja dhe vetmia
Hazir Mehmeti: Seminari promovues didaktik i teksteve të reja në Austri
Elvi Sidheri: Pak histori dhe meditim!
Kozeta Zylo: Lamtumirë nga Nju Jorku, Pano Taçi
Përparim Hysi: Eh, more Pano Taçi!!!
Demir Krasniqi: Një këngë karakteristike humoristike
Albert Vataj: Postmodernizmi dhe kriza globale
Milazim Kadriu: Mbahet Festivali Ndërkombëtar i letërsisë për të rinj
Gjon Keka me libër të ri: "Vetëplotësimi i Kombit"
Doli nga shtypi “Feniksët e lirisë-14”
Cikël poetik nga Miradije Gashi