Kulturë
Daniel Gazulli: Europë
E enjte, 21.06.2012, 05:01 PM
Daniel Gàzulli:
Europë
(Jo vetëm përshtypje udhëtimi)
1. Kthim në të shkuemen.
Gjatë muejve prill-qershor m’u dha rasti të
shëtisja në disa vende të Europës.
I kthyem në Lezhë, ndjeva nevojën të ndaja me ju përshtypjet e udhëtimeve të mia të shkurta e ndonjë reflektim, që lind vetiu.
Kisha shumë kohë pa u kthye në disa qytete të
Italisë.
Kësaj radhe e fillova me Torinon, ku vija mbas
nandë vjetëve.
Ishte një befasim i kandëshëm rikthimi në qytetin
e Sabaudëve. Zakonisht në qytete të mëdha e të vjetra nuk ke pse pret ndonjë
ndryshim. Por Torinon kësaj radhe e gjeta mjaft të ndryshueme.
U ktheva edhe një herë tek ato pasuni të papërsëritëshme të këtij qyteti shumë të vëmendshëm ndaj historisë, kulturës dhe natyrës. U riktheva tek Muzeu Egjiptian (Museo Egizio), ma i pasuni në Europë dhe i dyti në botë (mbas atij të Kajros, natyrisht), që të shpalosë agun e historisë së njerëzimit atje buzë Nilit. Vizitova edhe selinë e gjahut të familjes mbretnore në Venaria, por që mirëfillit asht shumë ma shumë se një seli e zakonshme mbretnore: ajo asht një libër i madh e i hapun historie.
Në mes të gjelbrimit torinez.
Nuk mund të largohesha nga Torino pa u çlodhë edhe në parqet e mrekullueshme natyrore, sidomos Parku i “Colle della Madallena”, Parku Europa dhe ai i “Villa della Regina”.
Torinezët kanë qenë gjithmonë shumë të vëmendshëm
e xhelozë për mbrojtjen e përkujdesjen e parqeve, por kësaj here vërejta me
shumë kënaqësi se respekti për natyrën tashma asht kthye në nevojë.
Qendra e qytetit ishte çlirue nga makinat dhe tashti ishte vërtetë nën pushtetin e shëtitësve të mbasdrekave e darkava.
Por në qytetin dikur të famëshëm industrial, mjaft të kujtojmë Fiatin, në takime me torinezët, ashtu dhe me miq të mijë mërgimtarë shqiptarë, më bahet ma e prekëshme kriza ekonomike, që po kalon Europa sot. Asht mirëfillit krizë që ka ardhë nga një ramje drastike e demokracisë dhe e moralit sidhe nga tejkalimi i pushtetit nga kastat partiake.
Gjatë qendrimit në Itali më bani shumë përshtypje
një fenomen domethanës: Rritja e popullaritetit e një lëvizjeje politike, e
quejtun “Lëvizja 5 Yjet” (M5S) e drejtueme nga komiku gjenovez Beppe Grillo.
Sondazhet e japin këte lëvizje në vendin e dytë, menjëherë mbas Pd e para PDL
(partisë berluskoniane). Kjo lëvizje, sa folklorike, aq edhe anarkike, me
përkrahjen masive edhe në votimet e pjesëshme lokale të muejt maj, asht shprehje
e mllefit të qytetarëve ndaj një klase politike të korruptueme e të
inkriminueme. Mjaft të mendosh se 30 % parlamentarëve italianë kanë një
proçes penal apo civil të hapun. Mjaft të mendosh se kasta burokratike e
një shteti buzë gremine nga pikëpamja financiare, lundron në mirëqenje me një
pafytyrësi të pashembullt. Gjithçka dihet, asgja nuk asht nën rrogozë, kostoja
e politikës dinozaure randon pa mëshirë në koston e jetës së italianëve
punëtorë e plot fantazi për të kapërcye vështirësitë. Ambasadori italian në
Berlin paguhet sa dyfishi i kancelares gjermane Merkel; drejtori i
përgjithëshem i policisë italiane merr pothuej dyfishin e pagës së presidentit
Obama; parlamenti italian ka një kosto 2,3 herë ma të naltë se parlamenti
gjerman; edhe një kryetar komune në Siçili merr ma shumë se Merkel.
Dhe ja kur qytetarët italianë, në votimet e fundit
lokale, shpërblejnë komikun çjerrës bindëshëm me vota, pikërisht atë që gazeta
londineze “Financial Times” e cilësoi kohët e fundit si trashëgimtar të
Musolinit. Asgja për t’u çuditë: Të gjithë diktatorët e shekullit të XX kanë
ardhë në emen të klasës punëtore e të mbrojtjes së shtresave të vorfëna, të
gjithë shfaqeshin nëpër tribuna si aktorë groteskë: Kështu erdhen në pushtet
Stalini, Hitleri, Musolini, Enver Hoxha dhe Pol Poti. Por fenomeni Grillo asht
në radhë të parë rrjedhojë e kalbjes politike të këtij vendi fqinj, që e duem
dhe e respektojmë si djep të kulturës njerëzore, por që nuk kemi përse ta
marrim si shembull.
Tue zbritë nga Torino, ndalem në Asti të takoj
kushrinën time, Amazonen. Qytetin e vogël e gjej “të rrudhun”. Këtu pesha e
krizës duket edhe ma qartë.
Por edhe kriza nuk ndjehet kudo njëlloj. Në
Emilia, ku mbas pak javësh do të binin një seri termetesh rrënimtare, punët
janë disi ndrysh. Këtu njerëzit janë jo pak të politizuem, por shumë ma pak të
ndërvarun nga politika: Punëtorë të zellshëm, që nuk i huton as termeti,
emilianët e kanë sfidue krizën ma me forcë se të tjerët (Duhet thanë se ka edhe
dy-tre rajone të tjera italiane, si Veneto, Trentino e Friuli, që sikur jetojnë
jashtë peshës së “çizmes” – siç quhet për konfiguracion gjeografik Italia – e
nuk u tremben sfidave. Shembull tipik ishte vendosmënia e emilianëve për të
shërvjelë mangët, me gjithë damet e mëdha të termetit, pa u ankue e pa u qa, si
ndodh në krahina të tjera, veçanarisht në Jug të vendit).
Kam kujtue shpesh këto dit qytete si Reggio nell’Emilia, Modena, qytetin e vogël, por shumë të kandëshëm të Carpit, Coreggion etj., që pata rast t’i vizitoja. Jam i sigurtë që ata do të dijnë t’i mbyllin plagët që u hapi termeti dhe ua uroj me gjithë zemër.
2. Në veri të Italisë.
Me datë 17 maj marr rrugën për në Verona, ku më
pret miku im Çlirim Uça. Do të nisemi së bashku për në Austri, për në Salzburg.
Ndërsa përshkojmë Trentinon, përmes maleve gjithë
gjelbrim të Dolomiteve, befasohemi nga dëbora që gjejmë në dy anët e rrugës.
Një ditë ma parë ka qenë mjaft ftohtë e këtu ka ra jo pak borë.
Vërtetë kalojmë me shpejtësinë e makinës, por edhe
pse në kalim, nuk mund të mos vesh ore një Itali tjetër: Këtu gjithçka asht e
ruejtun me xhelozi, natyra, ndërtimet tipike tradicionale e deri tek racat
vendase të gjedheve. Janë zona ku mund të marrish frymë me gjithë mushkni,
sepse ndotja, ndrysh nga zona si Lombardia, asht pothuej e
papërceptushme.
Do të kalojmë në Austri. Në vendin ku dikur ka
qenë kufini në mes dy shteteve asht një tabelë jo fort e madhe, që të kujton se
ke kalue në një shtet tjetër, asgja ma shumë. Vetiu të shkon mendja tek policia
kufitare e dikurëshme, tek dogana, gjithësesi, tek ajo ndamje e pakuptimtë në
mes shteteve (Natyrisht, nuk ishte një ndamje me tela me gjemba si tek ne, as
të priste plumbi nëse kaloje nga një shtet tek tjetri, por prap, dhe atje
kishte polici kufitare).
Kam qenë edhe herë tjetër në Austri. Më ka lanë
përshtypje të thellë respkti i jashtëzakonshëm për natyrën, rrugët e
sistemueme, të pastërta, rregulli, disiplina që u imponohet vetiu të gjithëve,
vendasve apo edhe të ardhunve e vizitorëve.
Ngjitja drejt Salzburgut bahet në pjesën e saj ma
të madhe nëpër territorin e Gjermanisë. Edhe pse kanë kalue rreth shtatë orë
udhëtim, nuk ndjehet lodhja, sepse je i rrëmbyem nga bukuritë natyrore ku
mendja e dora e njeriut ka rolin kryesor: asht ajo që i ka mbrojtë, i ka
sistemue e zbukurue edhe ma tej.
Takimi me Xhenc Bezhin në Salzbug asht një befasi tjetër.
E gjejmë Xhencin para selisë së
kompleksit muzeal të Red Bull. Asht një godinë moderne, ku vendin kryesor e zen
pjesa muzeale: Avionë historikë (ndër ta edhe avioni personal i komunistit
Josif Broz Tito), makina të Formula Uno (ajo e Vetel), motoçikleta që kanë ba
histori në sport apo në ndonjë film etj.
Në Salzburg me Xh. Bezhin
Ka aty edhe bare e restorante: janë për pakicën që
vjen nga të gjitha anët e botës për të vizitue qytetin e Mozartit – tepër të
shtrejta për ne tokësorët. Një gjetje interesante: Këtu çdo muej ndrron shefi i
guzhinës (veò shefit të përgjithëshëm mbikqyrës). Asht gjithmonë një shef i ri,
një fitues konkursesh ndërkombtare, nga shtete prej të gjithë kontinenteve. Një
muej këtu mund të gjesh guzhinë meksikane, muejn tjetër guzhinë japoneze apo
franceze.
Po kemi ardhë të vizitojmë një ndër qytet ma të
bukur të Austrisë, si thamë, qytetin e Moxartit. Këtu mbahen çdo vit
manifestime ndërkombtare të muzikës së kultivueme. Këtu Moxartin e gjen kudo:
tek një urë, tek një lulishtë, deri në kështjellen, ndër ma të bukurat në
Europë, pa folë për shtëpinë e lindjes e ate ku ka banue deri sa ndrroi jetë.
Rregulli, qetësia, shërbimi i kulturuem ndeshet në
çdo hap. Thonë se këtu kostoja e jetesës asht ma e shtrejta në Austri (Kam qenë
vite ma parë në Vjenë dhe më kanë befasue çmimet e ulta në restorante etj.).
Por për ata që vijnë nga jashtë, nuk asht e lehtë të pranohet se këtu kostoja e
jetesës asht e naltë. A nuk kushton ma lirë gjithçka, nga restoranti tek paketa
e cigareve, pa folë për karburantet që janë rreth 30 % ma të lira se në Itali?
Asgja për t’u çuditë: Në Austri klasa politike drejton vendin, nuk e masakron ate
me taksa për të mbajtë kasten politike dinozuare si në Greqi, Portogali, Spanjë
e Itali.
Më thonë se kriza ekonomike këtu as që ndjehet,
përkundrazi, të dhanat e fundit flasin për rritje të punësimit.
Mbas dy ditësh të njeten gjendje do ta gjeja edhe
në Gjermani, në Mynih.
Vizitat në Austri, Gjermani e Zvicër më dhanë
mundësinë “me prekë me dorë” shtetin social, atë të vërtetin, që përcakton
ndjeshem nivelin e jetesës së shumicës së qytetarëve.
Askush nuk mund të jetojë nën një nivel të
përcaktuem jetese. Nëse një familje ka të ardhuna nën këte nivel, atëherë
taksat e studimeve universitare, autobuzat e trenat për fëmijtë, e deri qiranë
e shtëpisë e përballon komuna (bashkia do të thonim na për të ba dallimin
fshat-qytet, që në Itali, Austri, Zvicer, Gjermani nuk egzioston).
Lucerna – Zvicër
Askush nuk vrapon për të sigurue një pension
gjysëm të merituem në Zvicër, sepse përsëri nuk do të merrje ma shumë;
praktikisht, me apo pa pension, të ardhunat e familjes i plotëson komuna.
Koha asht e pamjaftueshme për të
vizitue perlat e Salzburgut: fortesen Hohensalzburg,
Katedralen e famëshme dhe Rezidencen muzeale, Kishën Françeskane, mbi të
gjitha, Shtëpinë e Moxartit.
Vetem sa ndalemi në Mynih e lodhja e
udhëtimit ka ba punën e vet për ta vizitue Zvicrën ma me qetësi.
Kam premtue se do të kthehem.
3. Intermexo ekonomike.
Europa asht e shqetësueme për krizen ekonomike,
veçanarisht në disa shtete si Greqia, Italia apo Spanja. Nga qytetari i
thjeshtë, deri tek politikani i nivelit ma të naltë, këtu e ndjejnë shumë e pa
paragjykime nacionaliste këtë shqetësim.
Rasti e solli që disa dit ma
vonë të lexoja një intervistë të ish ministrit të punëve të jashtme të
Gjermanisë, Fischer.
Ai fliste me shumë shqetësim
për gjendjen në Greqi, por edhe shumë i zemruem me vendin e tij, sidomos me
kancelaren Merkel, që e akuzonte për poshtnim të një populli tjetër, në këte
rast të Greqisë. Mbi poshtnimin e Greqisë nga supërfuqitë ekonomike, Banka
Botënore, FMN-ja, por edhe Gjermania e Franca, do të fliste po ato dit edhe
kryeministri italian Monti.
Po sjell një fragment shumë domethanës
nga intervista e Fisher:
«Dy herë, në shekullin XX,
Gjermania, me mjete ushtarake ka shkatrrue vetveten dhe rendin në Europë.
Mandej ajo e bindi Perëndimin se e ksihte marrë leksionin e duhun: vetëm me
mbështetjen e plotë të Europës, kemi arrijtë të marrim pelqimin për ribashkimin
e vendit. Do të ishte një ironi tragjike nëse Gjermania e bashkueme tashma, me
mjete paqësore e me synimet ma të mira, të sillte shkatrrimin e rendit europian
për të tretën herë. E pra ky rrezik asht konkret »
«Jam i shqetësuem - vijon
Fisher – që strategjia e sotme nuk funksionon. Ajo nuk asht demokratike, siç
e dëshmojnë rezultatet e zgjedhjeve në Greqi, Francë e Itali. Teprimi në
shtërngimin ekonomik në vendet në krizë çon, ashtu si në vitin 1929, në
depresion ………. Fatkeqësisht, të parët që po e harrojmë këte përvojë të hidhun
jemi pikërisht na gjermanët ».
Elementet e zgjidhjes së krizës – simbas
Fisher – janë katër: Bashkimi politik, bashkimi fiskal, rritja e punësimit dhe
reformat strukturale ....
Kalimi i masës në trajtimin poshtnues
të Greqisë ka ba që votuesit t’i drejtohen një partie pa të ardhme, që as asht
në gjendje e as dëshiron të qeverisë, por asht shprehje e pakënaqësisë së
popullit grek nga masat shtërnguese të imponueme, ndërsa klasa politike vazhdon
babëzitjen e saj: Një president inegzistent si Papulias merr ma shumë se
presidenti Obama. “Zotnia e tij” ka tregue bujari tue i ulë vetes 20 % të
pagës, që asht përsëri
80.000 Euro ma e madhe se ajo që merr kancelaria gjermane Merkel. Fakti asht se
partitë politike të ekstremit të majtë, antieuropiane, në zgjedhjet e 17
qershorit moren rreth 31 % të votave e po kështu partia me frymëzim
nazi-fashist, “Agimi i praruem”, rreth 7 %.
Pikërisht gjatë ditëve që ndodhesha jashtë shteti,
u përsërit shpesh zani mbi nevojen e një bashkimi të vërtetë politik të
Europës, diçka për të cilen njerëzit e thjeshtë pyesin e çuditen prej vitesh e
vitesh përse nuk realizohet. Por politikanët europianë, sidomos ata të shteteve
të Jugut të Europës, tremben mos humbasin previlegjet nga një bashkim i vërtetë
politik.
Kriza e viteve 2008-2012 nuk asht krizë e
mirëfilltë ekonomike. Ajo asht krizë financiare, ma saktësisht krizë e bankave,
krizë e sistemit të kreditimit. Asht kritikue shumë Europa kohët e fundit për
shqetësimet që sjell edhe për pjesën tjetër të botës. Harrohet se, përveç
kalbëzimit të kastes politike europiane, veçanarisht mbas ramjes së Murit të
Berlinit, kur e vetëkënaqun për çka kishte arrijtë, i njohu vetes të drejten e
kthimit të çdo përfitimi në favor të saj, duhet thanë se vatra e krizës së
sotme ishte dhe janë Shtet e Bashkueme të Anmerikës.
Shumë shpejt në Amerikë duen të harrojnë fenomenin “Lehman Brothers”,
që falimentoi me 15 shtator 2008 e ngjalli sistemin zingjir të falimentimit të instituteve të kreditimit, e kështu, si
ortek, mori me vete shumë institucione krediti jo vetem në SHBA, por në mbarë
botën e në radhë të parë në Europë. “Lehman Brothers” e një seri bankash të tjera amerikane
janë shembulli tipik i spekullimit dhe teprimeve
financiare (kreditimit të konsumit, jo prodhues), që kanë çue botën në këte gjendje dhe ende sot nuk
asht veçse në fillim të shërimit të plagëve.
Atje ku sistemi i kreditit ka
qenë dhe asht i kontrolluem, si bie fjala në Gjermani e Belgjikë, kriza ka
sjellë vetëm përfitime e nuk i ka damtue aspak ata vende.
Por, simbas mendimit tim modest, çdo zgjidhje do të kishte efekte të përkohëshme pa një zgjidhje të mirëfilltë politike: Bashkimin politik të Europës.
4. Roma
eterna
(Roma e përjetëshme)
Rikthimi në Romë të sjell
gjithmonë emocion. Historia dhe kultura greke e latine nuk asht që u përkasin
dy popujve, ato janë pasuni e mbarë njerëzimit.
Ajo që ka vlerë të veçantë në
këtë qytet, i quejtun “i përjetëshëm” (Roma asht “vetëm” 2.800-vjeçare), asht
ruejtja me xhelozi i ndërtimeve të lashta me vlera të mëdha arkitektonike,
historike e kulturore.
Zona muzeale si ajo e Koloseut,
Foro Romano, Castel Sant’Angelo etj., janë një pasuni e pallogaritëshme për
njerëzimin.
Lashtësisë i janë shtue shekuj
brilantë të Rlindjes europiane e këtu mund të ndeshish gjeninë e
Mikelanxholes, Berninit, Brunaleschit e sa arkitetktëve a e skulptorëve të
shquem.
Vizita në Katedralen e Shën
Pjetrit gjithashtu të sjell emocione të veçanta. Kam qenë edhe ma parë
këtu. Kësaj here u ndala tek altari madhështor në krahun e majtë të altarit të
quejtun papal, Altari i Shë Jeronimit prej Ilirie.
Por në Romë nuk mund të mos emocionohesh edhe tek viziton sheshet e famëshme, Piazza Navona, Piazza della Repubblica, Piazza di Spagna, Fontana di Trevi e sa mrekulli të tjera arti.
Nuk kisha hy ndonjëherë ma parë mbranda Koloseut. Pamjet që na ofron televizioni, apo ndonjë film, nuk munden kurrë të të japin përmasat mahnitëse të këtij kompleksi arkeologjik, që konsiderohet një prej shtatë mrekullive të botës ende në kambë.
Koloseu – pamje nga mbrenda
Emni i vërtetë i Koloseut
asht “Amfiteatri Flavio”. Ai mund të mbante deri në 50.000 spektatorë
ulun, apo 75.000 vetë gjithsej, bashkë me lozhat mbi shkallare. Ai ka formë
eklipse me një perimetër prej
Por ajo që të ban ma shumë përshtypje janë
viztorët nga e gjithë bota. Italianët këtu janë pakicë. Të krijohet përshtypja
sikur gjendesh vërtetë në Kullen e Babilonit të 100 gjuhëve. Janë me mijra
vizitorët çdo ditë: spanjole të zhurmëshme e amerikanojugorë malinkonikë,
japonezë kureshtarë e të mirëinformuem dhe indianë mistikë, afrikanë të veshun
me shije e amerikanë tepër të shëndoshë e shpërfillës, gjermanë të heshtun e të
dijtun dhe kinezë të rijë, që po mbushin përditë e ma shumë sheshet e Europës.
Shoh edhe një kinezkë topolake, e shoqnueme me
truproje, dy anash e dy mbas saj. Me siguri asht e bija e ndonjë “zengjini të
ri”, si themi na në Shqipni, ku të punësuemit në ndërmarrjet e tij marrin 30
dollarë në muej, kurse ai fiton 30 milon në ditë.
Tue vështrue kinezkën trupvogël, mendja më shkon përsëri tek kriza
ekonomike. Mbase ajo në Europë e në SHBA do të mbyllet mbas pak vitesh, sepse
këtu ekonomia asht ma e konsolidueme, por kriza kineze, për mednimin tim e
paevitushme, mund të trondisë jo vetem kontinentin aziatik, por edhe gjithë
ekonominë botënore. Në Kinë bankat janë në gjendje vërtetë të randë. Ato mbahen gjallë në saje të
injeksioneve gjigande e të vazhdueshme nga
buxheti i shtetit. Kur kjo kështjellë prej
terrakote kineze do të bjerë, bota e tana do të gjendet para një problemi shumë
ma të vështirë e ma të randë se kriza e sotme për t’u zgjidhë.
Të sugjestionuem nga podhimi
global, harrojmë se prodhimi për banor i SHBA asht rreth 46.000 $, Austria 45.000 $, Gjermania 41.000 $
(ka pasë ramje të ndjeshme mbas bashkimit me DDR), Italia 34.000 $, kurse Kina
3.600 $ për banor.
Këtu asht edhe shpërpjestimi ma i madh i
zotnimit te kapitaleve private: 0,13 % e popullsisë zotnon 87 % të kapitaleve private.
Deri kur populli kinez do të pranojë
raportin 30 dollarë me 30 milon dollarë? Rreziku i një krize të thellë sociale,
me rrjedhoja të paparashikueshme, asht real.
Por le të vazhdojmë viziten në Romë.
Të lodhun, ndalemi në Piazza Navona të marrim nga
një akullore. Shitësja na dëgjon të flasim shqip, dhe po shqip, na thotë:
“Marrni akulloret, mandej pagueni “, dhe një buzëqeshje e ambël i ndriçon
gjithë fytyren.
Si hamë akulloret, na thotë se kishte qenë
kënaqësi t’na i ofronte ajo.
Më erdh vështirë t’i kërkoja emnin, sepse nuk ishte e vetme, ishin katër vajza që shërbenin, por buzëqeshjen e saj do ta ruej si kujtim dashamirësie.
5. Natyra dhe njeriu
Vizitën e fundit
e bamë në liqejt e Veriut: Lago di Garda e Lago Maggiore.
Kanë qenë tri dit që më kanë mahnitë: Bukuria e
natyrës, nën përkujdesjen e dorës së njeriut, këtu asht magjepëse.
Banojmë në një hotel në gadishullin e vogël, që
futet si gjuhë në Lago di Garda, në Sirmione. Hoteli asht vetëm pak metër larg
vilës së lashtë, dymijëvjeçare, të poetit Catullo, një vendndodhje arkeologjike
e jashtëzakonshme, me përmasa madhështore, 167 x 105 metra. Të nesërmen, tek ngjiteshim anës së majtë të
liqenit, pak mbi Salò (Gardone Riviera), ndalemi e vizitojmë një vilë tjetër,
ma mire me thanë një kompleks ndërtimesh, prej kopshtijesh te rralla, tek
teatri etj., e quejtun Vittoriale, ish pronë e poetit dhe kritikut të artit
Gabrielle d’Annunzio. Vetiu më shkon mendja: Dikur poetët mund të kishin luksin
edhe të kishin vila të tilla madhështore. Poetët ishin të zgjedhunit e
shoqnisë. Kanë ndryshue kohët.
![]() |
Rezidenca e G. d’Annunzio |
Por ajo që do të më linte përshtypje vërtetë të pashlyeshme, ishte vizita në një ishull fare të vogël në Lago Maggiore. Quhet “Isola bella”. Tepër pak për t’u quejtë “ishull i bukur”; jo, ai ishte i mahnitëshëm e për shumë arsye.
Sipërfaqja e ishullit asht aq sa zen vila e
familjes Borromeo (shek. XVI ) dhe kopështi i saj i një bukurie të pashoqe: Kam
qenë në shumë vende, po një kopësht të tillë nuk e
kisha pa ma parë.
Vila, një kryevepër arkitektonike sidomos në
mjediset e mbrendëshme të saj, me raporte hapsinë/dritë që nuk i gjen dikund
tjetër, bashkë me kopështin, numëron aq shtatore, sa nuk besoj të ketë
në gjithë Shqipninë. Në qendër të saj asht një ndër biblotekat private ma të
pasuna me mbi 30.000 vëllime.
Villa Borromeo – Lago Maggiore
Sigurisht ajo ka qenë laboratori i atyne
shtatoreve të mrekullueshme: ku ka një biblotekë, ka edhe shtatore, ka të
shkueme e të ardhme.
Mbasi ke vizitue këte mrekulli, lind pyetja: Si ka
mundësi që janë ruejtë kaq mirë?
Përgjigja asht e thjeshtë: Sepse prona private në
Perëndim nuk u tjetërsue kurrë: Ata nuk paten fatin tonë të keq që “ku vuni
kambë turku, aty nuk mbiu ma as bar”, e as të shpronësoheshin deri tek pulat
nga regjimi komunist.
Ndrronin sistemet, kishte edhe psuhtues, por prona
ishte dhe mbetej e shejtë.
Ka një dhomë në Vilën Borromeo ku ka fjetë
Bonaparti, pushtuesi i atëherëshëm i Italisë. Kërkoi ta blinte këte vilë, por
pronarët nuk ia dhanë. Përsëris: Kërkoi ta blinte, jo ta shpronsonte.
Shumë të kamun të tjerë kanë provue ta blinin këte
vilë, po familja e fisme Borromeo kishte vendosë t’ia linte kombit, jo
“parellijëve”. Provoi Fordi e dështoi. Ofroi 1.000.000.000 (njëmiliard) dollarë
Billy Gates e dështoi. “Atëherë, më thoni, sa kërkoni”? – u tha manajti i
microsoft-it. Përgjigja ishte lapidare: “Andërrat nuk kanë çmim”.
Ajo vilë asht vërtetë një andërr.
Udhëtoj. E përsëri kthehem këtu, në Atdhe.
Kam edhe unë një andërr: Ta shoh vendin tim si të tjerët.