Kulturë
Xhevat Muqaku: Kosova e kullave të heshtura erdhi së bashku me rrezet e diellit
E marte, 19.06.2012, 06:37 PM
Kosova e
kullave të heshtura erdhi së bashku me rrezet e diellit
Nga Xhevat Muqaku
Me
iniciativën e bashkatëdhetarit tonë me vendqëndrim në Böblingen të Gjermanisë dhe
kontributin e disa të tjerëve, pjesmarrës të Promovimit të librave të poetëve mërgimtarë
në Singen, të organizuar nga Shoqata e shkrimtarëve dhe artistëve shqiptarë në Gjermani,
këto dit u botua libri me poezi " Kosova
e kullave të heshtura " i Poetes Flora Peci.
Më poshtë do të keni mundësi të lexoni pjesë nga parathënja, mendime kritike një vështrim të shkurtër për librin në fjalë dhe disa shënime tjera marrë nga libri.
Nga parathënja e librit: „Kosova e kullave të heshtura”, një kujtesë historike letrare
“Kosova e
kullave të heshtura”, kështu e ka titulluar librin e saj të parë me poezi
autorja nga Mitrovica, Flora Peci. Që nga titulli i librit, lexuesi parapërgatitet
se në faqet e tij “Kosova e kullave të heshtura” rënkon dhimbja dhe shpirti i
një gruaje, që ritualin e brengës për vendin e saj, nga mungesa e njerëzve më të
dashur, si vëllai dhe babai, bashkëqytetarët e bashkëkombësit që dhanë jetën për
lirinë e Kosovës, i mblodhi si një buqetë me lulezemre, për t’i vendosur si
kurorë poetike në vargjet e faqet e këtij libri interesant, si kujtesë historike
letrare.
Autorja
Flora Peci, me shqisat e një gruaje intelektuale, e një edukatoreje për
gjeneratën e re në Mitrovicë, end këtë pëlhurë dhimbjeje poetike, duke apeluar,
të mos harrojmë të djeshmen dhe të ndërtojmë të ardhmen e vendit tonë, duke
ruajtur të shenjtë kulturën dhe trojet tona.
Shpirti
poetik i autores Peci, rreket dhe prekë çdo detaj të realitetit, atë të sakrificës
së popullit për pavarësinë e Kosovës dhe shqetësimin për incidentet e kohëve të
fundit në Veri të Kosovës. Dhe këtë emocion, e prekim që në poezinë e parë të librit,
“Boshësi”, ku lexojmë gjendjen shpirtërore të autores, në kërkim të dashurisë të
vëllait të saj, Afrimit, i cili “Ka ik... ka ik me engjëjt lart.../Për liri e për
vatan.” Dhe më pas, autorja deklaron “Gjaku
yt, sot është dritë lirie”.
90 poezitë
e këtij libri, autorja i ka ndarë në 4 kapituj. I pari, i dedikohet të dashurve
të saj familjar. I dyti, shtron pyetjen retorike poetike: “Si ta kuptoj këtë botë?!”
ku më pas apelon: “Ju mallkojnë shpirtrat e tyre, të pafajshëm...” Në kapitullin
e tretë, ulërit me forcën poetike dalë nga shpirti si ulërimë “Mos e prekni
flamurin shqiptar!” se “Mitrovica frymon shqip”.
Në kapitullin
e katërt, autorja nuk harron të jetë grua. Ajo në 63 lirika shfaq ndjesi femërore,
mes dashurisë dhe zhgënjimeve. Flora Peci “Pret lindjen e diellit”, për tu
ndjerë mirë me veten si poetikisht, ashtu dhe njerëzisht, shpërndanë prej “Xhamave
të errësirës” humanizmin poetik dhe njerëzor, “Jetoje jetën o njeri!”. Duke rrëfyer
sinqeritet poetik, shkruan: “dua të bëhem ëndrra më e bukur, /të pikturoj me
penel portretin tënd dashuri, /të t’shijoj mbi diell, të madhen lumturi?
Tek tipet e këtyre katër kapitujve me poezi, autorja vargëzon në nivele të ndryshme estetike dhe strukturore. Gjithsesi, ajo ka një shqisë shumë të hollë që vëzhgon dhe qëmton brenda dhimbjes njerëzore, fenomene të ndryshme që janë prezent në shoqërinë tonë, madje edhe i bën apel poetik njerëzve të politikës që ta kthejnë vëmendjen nga problemet e vendit dhe bashkëqytetarëve të saj, por një vend të rëndësishëm i jep kujtesës historike, duke e ngritur si apel në botën letrare. Thjeshtësia e vargjeve i jep shtresa kuptimore librit “Kosova e kullave të heshtura”, ku autorja i këndon mallit, njerëzve të saj, atdheut, heronjve të lirisë, dhimbjes njerëzore, duke krijuar ligjërime emocionale të fuqishme tek lexuesi.( Redaktorja-Fatime Kulli)
"Vetë titulli i kësaj vepre (Kosova e kullave të heshtura), dëshmon se autorja ka prirje për letërsi
Fakti se që nga fjalët e para kushtuar vëllaut të saj të pavdekshëm e të paharruar, autorja përmend fjalën “shpirt”, është një fakt tjetër që dëshmon se Flora ka talent dhe prirje për të zbukuruar spektrin e kulturës sonë me vlera të veçanta. Në lëndën e saj të mbrujtur me një ndjeshmëri dhe atdhedashuri të rrallë, gjëmon historia shqiptare dhe dëgjohet zëri i martirëve të lirisë. Flora Peci, debuton me dinjitet dhe identitet. Ajo është një pendë e frymëzuar që mediton për vendin e vet dhe të afërmit e vet, gjithmonë duke kërkuar “pak qetësi” për shtëpinë e saj dhe shpirtin e saj, duke ëndërruar të mbjellë “gjethe dafine”, kudoqoftë dhe kurëdoqoftë, madje edhe mbi pullazin e shtëpisë. Neve s’na mbetet tjetër, veçse për te të shkruajmë pak e për merak, duke ia lënë lexuesit të drejtën t’i shijojë vargjet e kësaj poeteshe të re, të botës sonë të lindur për liri, dashuri dhe atdhedashuri".(Baki Ymeri)
" Këto poezi mbresëlënëse nuk bënë të harrohen në asnjë mënyrë
Loti që kullon nga shpirti si një balsam i bie në shpirtrat e nënave që ua dhuruan fëmijët Atdheut e atdheu sot në mënyrë më brutale ua kthen shpinën. Ç‘do varg ka pikuar nga zemra e poetes. Ka kohë që nuk kam lexuar poezi të tilla që të ngërthejnë të tërin, të marrin me vete e nuk të lënë të qetë me orë të tëra.Kam lakmi besa edhe pak xhelozi për këto krijime të mrekullueshme nga një poete e re, por me taban njerëzor dhe patriotik". ( Adem Zaplluzha)
Jemi të një gjaku dhe të një nëne
" Derisa
Flora Peci fillon të radhitë vargjet e saj, bazamenti dhe përmbledhja e saj e
parë nis valëvitjen e flamurit, fluturimin majestetik të shqiponjës, zgjimin
dhe gëzimin e Mic Sokolave që ndër shekuj ujitën- ushqyen tokën e tyre me
gjakun dhe shpirtin, tundën e shkundën bjeshkët, fushat dhe ujërat në datëlindjen
e Kosovës.
Edhe pse është
e pranishme droja e arsyeshme, se toka dhe bota do të shembën fare, ngase errësira
në masë të caktuar ka hyrë në brendinë njerëzore, megjithate autores së librit
nuk i shkon mendja, nuk dëshiron të thyhet. Është e vetëdijshme se den- baba- den,
terrin dhe robërinë e zbërthejnë në siluetë; përkrenarja e Gjergjit, urtësia e
Ismajlit, kësulë e bardhë e Isës, përjetësi e Ademit... sofra shqiptare dhe
balta e tokës sonë më e ëmbël se mjalta.
Dëshiron,
// liqenit kthjelltësinë t'ia merr // t'i
ngjyros shpirtvrarët//. Lotët e syve do t'jua fshinte me vesën mëngjesore të mimozave
të paqes, të lumturisë e të haresë, ombrellë në jetën tonë. Dhe at ditë kur të lulëzojnë
lulet e saj të kujtimit, ajo do të lundroj në barkën e haresë. E flatrat që do
t'ia falë shpresës, do të zgjohen me agimet e hershme të oqeanit të vrullshëm
drejt shtegtimeve të reja në ujrat e qeta. Ndjehet e goditur në shpirtë për
Besim Kabashin që në amshueshmëri shkoi i mbështjellur me flamurin e fitoreve.
Mërgimtares/
mërgimtarit të saj, në tokën e huaj i dhembin thembrat, i është krrusur rinia,
bulevardet e bukura nuk e disponojnë, ka nevojë për kasollen, për nënloken dhe
bukën të gatuar nga dorë e saj, për fyellin e bariut, për kopenë e deleve, për
tokën e saj/ tij që çdo pëllëmbë ta shkelë dhe ta puthë.
Ju
shkruan letër, rrjetës familjare dhe të miqëve në, dhe prej mërgimit: // së paku
eshtrat mos mi leni këtu//m'i merrni të prehen pranë stërgjyshërve të mi//. Porositë
në vazhdim miqët e fjalës së shkruar të mos i besojnë, ose të marrin me rezervë
miqësitë e reja në FB.
Të ligut
nuk i frigohet, fjala e tij e forcon, i takon shqiptarisë me fis. E pëlqen ëndrren,
që herë shfaqet e bardhë e herë drithëron e zbetë...
Pyet hënën
dhe nurin e saj përse sytë e saj janë gjithnjë në vaj? Mos vallë gaboi që i
besoi dashurisë? Si ta kuptoi këtë botë me mijëra ngjyra e qindra fytyra, që së
pari buzëqeshin e pastaj kafshojnë si nepërkë?! Përjeton, tokën e bekuar
arbnore kur dhe si gjëmon, ushton, vajton, qanë për bijtë që s'i ka pran e të cilët
i thërret pleqëria e babës, varri i nënës që të kthehen. Shpirtë i trazuar i
poetes nuk e pëlqen; magjinë e dashurisë qe iku në vjeshtë, hijen që vjen e
paftuar, që i helmon ditën e i trazon natën".(Xhevat Muqaku)
Për
botimin e librit kontribuan: Luz dhe Prelë Berisha, Avni Begisholli, Rrustem
Selca, Ajet Ismajli, Augustin Përgegaj, Besnik Hoxha, Xhevat Muqaku, Milazim
Kajtazi, Enis Pllana, Sami Tahiraj, Azem Veliu, Nezir Halili dhe Muhamet Hoxhaj.
Redaktor
të librit jan Fatime Kulli dhe Muhamet Hoxhaj.
Kopertinën
e librit me Kullën e Isa Boletinit dhe pregaditjen për botim i realizoi Muhamet
Hoxhaj- Administrator i portalit mjaft mirë të vizituar; Kosovarimedia si dhe i
Radio Drijona.
Libri „Kosova e kullave të heshtura”, u botua në muajin qershorë të vitit 2012 në Shtypshkronjën “Fidani”, në Prizren.
Shënime për autoren e librit me poezi " Kosova e kullave të heshtura "
Flora Peci ka lindur në Mitrovicë. Ka kryer gjimnazin “Frang Bardhi” po në këtë qytet dhe më pas ka përfunduar Fakultetin Filozofik - Gjuhë dhe letërsi shqipe në Prishtinë. Aktualisht punon si mësimdhënëse në Mitrovicë. Është anëtare e Shoqatës së shkrimtarëve “Lumbardhi” në Mitrovicë. E adhuron poezinë dhe letërsinë për fëmijë. Shkruan poezi që kur ishte e vogël. Krijimet e saj jan botuar në gazeta të ndryshme për fëmijë dhe të rritur. shumë dorëshkrime iu dogjën në kohë të luftës. Është aktive në programe të ndryshme si dhe është bashkëpunëtore në shtëpinë e Kulturës në qytetin e Mitrovicës. Pasluftës ka kontribuar në programe të ndryshme kushtuar heronjve dhe martirëve të kombit, kryesisht ish pjesëmarrësve aktiv në Shalë të Bajgores, nga e ka edhe prejardhjen. Ky është libri i parë i autores Flora Peci
Lexuesit
do të kënaqen me vargjet dhe lbrin e Flora Pecit.