E diele, 28.04.2024, 09:37 AM (GMT+1)

Kulturë

Resmi Osmani: Kthimi i Dorinës

E premte, 22.06.2012, 07:00 PM


Tregim

Resmi Osmani

KTHIMI I DORINËS

Astriti u zgjua dhe ashtu ende  i përgjumur shqoi se mugëtira  e shtyrë nga agimi i sapo shfaqur, kishte nisur të zbehej dhe në dhomën e gjumit shquheshin turbull konturet e sendeve. Ishte ende heret. Vetiu ai zgjati dorën në pjesën tjetër të shtratit ku flinte Dorina. Ishte bosh. Dora iu drodh. Psherëtiu thellë e dhimbshëm. Mbylli sytë. Ishte as në gjumë as zgjuar. Në atë gjendje të pezullt midis vetëdijes e pavetëdijes, kur vijnë e ikin rrëmujshëm si shtjella dallgësh, nga një botë e panjohur: hije të paforma, shpirtëra të munduar,   mendime të çuditëshme dhe abstrakte, ngjarje dhe njerëz, të njohur e të panjohur. Kur pavetëdija  dhe përfytyrimi u japin gjërave një trajtë  e ngjyresë jolëndore e të papeshë, gati të tejpashme , si hije që vozitin në qerthullin e mjegullës së  bardhë dhe, që përpijnë në gjeratorern e tyre qënien e pavullnetshme. Ai qëndronte te pragu, që ndante tokën nga mjegulla. Dorina,po voziste nëpër tymnajën mjegullore që e çante me krahët e saj ëngjëllorë dhe e buzëqeshur po vinte drejt tij. U zgjua dhe i erdhi keq. Ende kishte para sysh Dorinën, kokën e saj të  bukur me flokët që i valëviteshin  dhe fytyrën e saj të ndriçuar nga buzëqeshja magjike. Mbylli sytë që të dremiste,me shpresë se do t’i rishfaqeshin po ato pamje. Iu bë sikur mentesha e dritares kërciti dhe kanata u hap paksa, perdja  lëvizi si t’a kishte shtyrë era. Në dhomë u ndie aroma e një parfumi të njohur, pastaj një dorë e padukshme i hodhj mbi shpatulla mbulesën e shtratit që kishte shkarë. Nga manjetofoni, upërhap si një psherëtimë melodia “Kohë vere”. Ishte ajo që i pëlqente shumë Dorinës t’a dëgjonte kur zgjoheshin në mëngjes. Më pas dera u hap dhe u mbyll lehtë e pa zhurmë.

Astritit i doli gjumi dhe u ngrit. Dëgjoi gjurmët e së ëmës që i hiqte sheshkat branë. Ishte dobësuar sa s’njihej. Vdekja e nuses e kishte goditur si rrufe dhe e kishte kthyer në gërmadhë. Shpirti i qante për nusen që s’e gëzoi të ritë e saj por edhe për të birin. Ishin aq të rinj,në lule të moshës.

-Mirë mëngjes,nënë. Ti hyre në dhomën e gjumit dhe më mbulove shpatullat, pastaj hape manjetofonin?

-Jo, biri i nënës. Ashtu të është dukur- I tha dhe hyri në kuzhinë.

Në sqoll,ishte xhezveja e kafes dhe një filxhan, ndërsa vatra e sobës elektrike ishte ende e ngrohtë.

-Ti je ngritur që me natë dhe ke pirë kafe?

- Ç’thua,nënë,do ti kesh lënë që dje pa larë.

E ëma seç mërmëriti, ndofta kishte filluar të mos mbante mënd, po soba pse ishte ende e ngrohtë?

-Të t’a bëj mëngjesin gati?

-Nuk më hahet. Do pi një kafe ekspres përjashta- I tha ai,ndërsa po shihej në pasqyrën e sallonit.

Mjekra ishte rritur shumë. Dorina asnjë herë s’e kishte pëlqyer me mjekër. Hyri në banjë dhe shkumosi fytyrën, por i dhëmbi kur po rruhej. Mjekra ishte si të prisje tel.

-Të- të pres për drekë?

-Jo. Paradite do të shkoj në akademi, te studentët. Pasdite do të hap e pastroj studion, u bë një muaj që s’kam qënë. Po u vonova në darkë, mos u shqetëso, sido qoftë do të telefonoj. Mos harro të pish ilaçet e zemrës. Mirupafshim Nënoke.

Nëna që e percolli me sy. u ngashërye: Ishte mësuar ti shihte kur delnin të dy.

***

Ishte pasdite vonë. Kur hyri në studion e madhe e plot dritë e hapësirë, ai u ndesh me befasinë tjetër të asaj dite, s’u besoi syve: Çdo gjë ishte në vendin e saj, zotëronte rregulli, pllakat e dyshemesë ndritnin, nuk kishte mbetur fije pluhuri. Çelsin e studios e kishte vetëm ai, nuk i kujtohej t’ia kishte dhënë djalit praktikant që punonte me të. Dukej si një dorë e kujdesëshme gruaje. Fotografia e madhe, ku ata të dy kishin pozuar në bregdetin e Sarandës, që ai e kishte vendosur mbi tryezën e punës, ishte hequr  dhe ishte varur në murin përballë. Ishin të qeshur, të gëzuar, plot jetë. Dorina, e qeshur, me sytë plot dritë dhe e lumtur, i kishte hedhur krahun mbi sup dhe shikimin e kishte tretur larg, në horizontin e kaltërt.

Astritin e kaploi dhimbja e hidhur,therëse,  e humbjes së njeriut të dashur. Ndjehej bosh,si i humbur , i paqenë e i papërqëndruar. Kishte humbur shijen e jetës. Dorina e mençur,e dinte që e keqja e saj ishte pa shërim. Ditët e fundit, me zë të mekur e lutës,i kërkoi që ta merrte nga spitali. Donte të shuhej në shtëpi, në shtratin e saj, në krahët e tij. Ai ia plotësoi dëshirën. Gjithmonë e më shpesh,  nuk I hiqej nga mendja dhe i fanepsej me një dritë verbuese agonia e çasteve të fundit të Dorinës, kur ende flaka e jetës regëtinte në qënien e saj duke u dridhur si flaka e qiririt kur është duke u shuar.

Infermierja i bëri qetsuesit për ti lehtësuar dhimbjet dhe u largua. Astriti me të ëmën  u ulën anës së shtratit. Ajo rrinte e mbështetur në jastëkët e ballinës së shtratit. E zbehtë, tejet e ligur, gati syperënduar,  por me mëndje të kthiellët. Ajo deshi, që ai ta mbështeste në gjoksin e tij, se nuk ndjente prehje në jastëkë. Dhoma ishte  si e zhytur në mugëtirë, ajo nuk e duronte dot dritën e fortë, prandaj kishin ndezur qirinjtë në shandanin mbi komodinë. Afër mesnatës, moti u tërbua, shpërthenin rrufetë, bubullinte dhe kamzhikët e shiut rrihnin dritaret. Dorinën e zuri një lemëz e keqe. I dhanë një gllënjkë ujë. Kur e la lemza, me atë zërin e dobët por çuditërisht tingëllues, ajo nisi të fliste:

- I dashur, filli i jeyës time u këput. Do shuhet bashkë me ata qirinjtë,  që na bëjnë dritë- tha dhe pastaj heshti si për të mbledhur forcat.

- Shpirt,mos e thuaj këtë- iu lut ai  dhe hodhi sytë mbi qirinjtë që digjeshin ngadalë dhe dukej sikur me lote të nxehtë që rridhnin tatëpjetë qanin për jetën e Dorinës që po shuhej.

- Ti e di sa shumë të kam dashur- vijoi ajo- të lutem mos më harro. Mos më harro asnjëherë. Kujtomë dhe unë do të kthehem tek ti!

E lodhur, ajo ra në kllapi të thellë dhe u shua si duke fjetur gjumë.  Përjashta shkrepëtinin rrufetë, qanin retë dhe bubullinin me gjëmime.

Nënë e bir,u shkrehën në vaj.

***

Astriti ,mendueshëm nisi të vinte rrotull studios. “Kujtomë dhe unë do të kthehem tek ti” Nuk I shqitej nga mendja ky amanet. Sa herë e kujtonte ajo kthehej: në ëndërra, në përfytyrime, në kujtesë, por sot ajo diçka kërkonte prej tij. Ai u mendua gjatë. Duhej ta rimishëronte, të ishin gjithmonë pranë, gjithmonë bashkë. Kishte ardhur koha. Ta bënte tani. I hodhi sytë nga një bllok mermeri. Ishte i bardhë me ca damarëzime të përhinjta. Edhe daltat dhe çekiçi ishin aty. “Jo- mendoi ai – mermeri është i ftohtë, ndërsa dalta, që coptonte e cifloste, bënte  një veprim të dhimbshëm dhe të dhunshëm.

Veshi përparsen e punës. Vendosi që bustin ta punonte me argjilë. A nuk e kishte  ngjizur Zoti njeriun e parë nga balta,  pastaj i kishte dhënë jetë? E kishte ngjizur sipas shëmbëlltyrës së tij. Dhe Zoti ishte i bukur. Dhe njeriu  i parë,ishte i bukur. E bukur ishte dhe gruaja, që u krijua nga një brinjë e tij. Zoti ishte madhështor, pjesë nga madhështia e tij kishte dhe njeriu. Zoti ishte i dashur dhe i mëshirshëm, i tillë ishte dhe njeriu. Zoti ishte i ditur, pjesë të diturisë së tij i dha dhe krijesës së tij. Edhe njeriu ishte një zot,por një zot i vdekshëm!.

Pirgu i deltinës së përhinjtë priste i heshtur  aty në njerën nga qoshet e studjos që mjeshtri ta shndërronte në vepër arti. Astriti veshi  dorashkat, mbushi kovën me ujë dhe nisi që nga shosha e lëfytit t’a lagte me kujdes, pastaj me lopatën e vogël nisi ta përziente , thërrmonte e gatuante brumin. E pastroi me kujdes duke hequr çdo guriçkë ose lëndë të huaj, dhe e punoi derisa u formua ajo masa e butë e njëtrajtëshme që merrte  çdo formë që ti jepje. E mori dhe e vuri mbi bango. Ja ku u bë gati. Ai frymoi thellë dhe ndjeu një ngazëllim të brendshëm,  që se kishte provuar asnjëherë më parë kur niste një punë të re. Hoqi dorashkat dhe me mollëzat e gjishtave përkëdheli pirgun e deltinës si të donte ti falte dashuri. Ndërtoi shpejt e shpejt armaturën mbajtëse dhe nisi ta mbushte shpejt e si në ethe.

E nisi punën nga kryet: Flokët të plota,të bollshme,të rënda e kaçurrela nisën të zbrisnin nga lart  tatëpjetë e të derdheshin si ujvarë mbi supe e shpatulla. Kur ishin në shtrat, atij I pëlqente ti fuste  gjishtat si krëhër midis tyre dhe me shaka i quante “Floknajë”. Njera pas tjetrës, kaçurrel pas  kaçurreli, koka, supet dhe shpatullat u mbuluan nga flokët. Pastaj i erdhi radha fytyrës: Përcaktoi përmasat dhe simetrinë,  që ishin mishërim I harmonisë dhe bukurisë.  U shfaqën konturet që prisnin të formësoheshin, të hiqej shtresa e mbulesës,dhe nën të si e bukura e fjetur, të shfaqeshin tiparet e dashura. Punonte  me gjishta, nuk përdori asnjë instrument,as thikë, as spatula, ato mund ta lëndonin, ndërsa gjishtat vetëm e ledhatonin. I erdhi radha ballit: i gjerë, i lartë, që rrezatonte mençuri, si e mendimtareve, i dha formë, u largua pak dhe e kundroi  Ishte i arrirë. U erdhi radha vetullave: Të holla, të harkuara, ndën ‘to qerpikët e gjatë si krahë zogu, që u bënin hije syve.  Sytë. Oh sytë! Plot mirësi, plot dritë e dashuri, pasqyrë e atij shpirti të dëlirë. U ndal gjatë që të derdhte në ‘ta atë dritë të brendshme, që gëzimi e bënte edhe më të ndritshme e që zemërimi(ajo rrallë zemërohej), nuk e errësonte. Hunda e drejtë, nazike me flegra të vogla, si e shtatores së Afërditës. E plazmoi dhe formësoi me kujdes,ngaqë ajo i jepte hijeshinë fytyrës.

Kishte kaluar mesnata. Astriti ndjeu lodhje dhe një rëndesë në shpatulla. Gjumi donte të drejtën e tij. Ai nuk kishte ndërmënt të flinte, A nuk e kishte përfunduar Zoti njeriun për një ditë? Edhe ai do ta përfundonte bustin e Dorinës për një natë, që t’i thoshte ditës së re “Mirmëngjes”! Nëna do të ishte bërë merak, por tani ishte vonë për ti telefonuar. Me siguri duhet të ishte  duke fjetur.

Lau dhe fshiu duart. Zjeu një kafe turke dhe e surbi me gllënjka të shpejta. Ishte e para herë që u pendua që e kishte lënë duhanin. U ul në stol dhe nisi të kundronte atë punë që kishte bërë. Ishte përgjysmë. Pjesa e përfunduar dukej sikur delte në dritë që poshtë së panjohurës. E shihte por nuk mund të fliste. Në ethet e krijimit që fal një frymëzim I skajshëm, iu përvesh sërish punës. Gjishtat e dorës punonin me një ndjeshmëri të veçantë. Merrnin pjesëzat e argjilës,i shtrinin u jepnin formë,I lëmonin,diku mbushnin,diku hiqnin. Te goja u ndal më gjatë: e vogël, tërë hijeshi. Buzët me formë, e poshtmja pak e fryrë, sensuale, në cepa ajo buzëqeshja e përhershme tërë mirësi. Mjekra  errumbullt e drejtë, që zbriste butë në gushë dhe qafa e gjatë si e sorkadhes me reflekse të fildishta. Faqet,lëkurëlëmuara të trëndafilta e të  freskëta dhe me ato dy gropëzat që I bëheshin sa herë buzëqeshte.

Ja. Më në fund përfundoi. E përkryer,ashtu si ajo ishte dhe ashtu si ai e përfytyronte. U zbraps pak, dhe e kundroi. Ajo, ngado që ai shkonte, me kokën paksa të ngritur e ndiqte me atë vështrimin e saj plot dritë si të ishte e gjallë. Befas, Astriti u pushtua nga  një frymëzim  mistik, për të vepruar ashtu siç veproi Zoti. Iu afrua dhe i fryu në flegrat e hundës. “Dorinë,ngjallu,zgjohu, folë!” – i tha dhe priti si i ngurosur.

Dorina nuk u ringjall, nuk foli . Ai nuk ishte zoti i mrekullive , por një njeri i vdekshëm. I dëshpëruar, mori mbulesën e lagur dhe e mbuloi veprën e vet,. me kujdes, si të kishte frikë se mos e zgjonte apo lëndonte. Ndjehej i dërrmuar dhe u shtri në divanin e vjetër te studios dhe e zuri gjumi. Dorina iu shfaq  e veshur me të bardha. “I dashur- I tha ajo- unë u ktheva, eja me mua dhe e kapi nga dora. Dora ishte e ftohtë. U gjendën në bregdetin e Sarandës. Qielli ishte i kthiellët e i dritësuar sa të merrte sytë, deti blu, horizonti paksa i mjegulluar.Asaj ia merrte flokët puhiza që frynte nga deti. “Të pata thënë, se do të kthehesha sa herë që do të kujtoheshe e do të merrte malli për mua? Por,tani, më duhet të iki. Ajo u shndërrua në një pëllumbeshë të bardhë dhe u ngjit fluturim në qiellin e pafund. Ai i mbetur vetëm,e ndoqi me vështrim deri sa i humbi nga sytë.

Ashtu, nëpër gjumë, ndjeu se dikush po i hidhte sipër një mbulesë dhe u zgjua. Ishte djali,ndihmësi që punonte me të.

-Më fal,mjeshtër,nuk desha të të zgjoja.

- Nga e mësove që ishja këtu?

- Mora në telefon në shtëpi. Ma tha Nënëzonja.

- Uh,çfarë harraqi! Ma sill shpejt telefonin,kushedi sa e shqetësuar do të jetë.

Djali që të shihte punën e natës , që kishte ngjizur mjeshtri, ngriti mbulesën, por I befasuar klithi:

-Uau! Po,kjo është Dorina,si e gjallë. Mjeshtër,po kjo është një mrekulli . Gjë më të bukur në jetën time nuk kam parë!

-Dorina u kthye - i tha Astriti.- Përgatitu që ta derdhim në bronz. Do t’a mbajmë në studjo,të na shohë e që ta shohim, të na flaës e që t’i flasim. Do kthehet edhe në shtëpi,që të çmallet edhe nëna që ajo e donte si bijën e vet.

Djali nk e kuptoi mirë mjeshtrin kur fliste për skulpturën si për një të gjallë, por ai se vrau mendjen. Veç ishte i bindur, se punim më të bukur skulptural deri atëhere  nuk kishte parë.

E mbuluan statujën dhe pas asaj nate të lodhshme , dolën për të pirë kafen e mëngjesit.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora