Kulturë
Meri Lalaj: Lasgushi dhe Kosova
E premte, 22.06.2012, 05:00 PM
Lasgushi
dhe Kosova
(Kumtesë e mbajtur në Takimin “Drini Poetik” në Prizren më 10 qershor 2012)
Nga Meri Lalaj
Ky vit shënon 100-vjetorin e Pavarësisë të shtetit
shqiptar. Në këtë 100 vjetor ne kujtojmë të gjithë ata burra, të cilët me
trimërinë e tyre me forcën e fjalës dhe të mendjes e lartuan madhështinë e
kombit tonë, e bënë që të përparojë krahas kombeve të tjerë.
Më kujtohet 4 qershori i vitit
1999, kur ne, poetë nga Shqipëria ishim mbledhur në Tetovë dhe atje krejt
manifestimi poetik i ishte kushtuar Kosovës. Aty unë përshëndeta me fjalët që
ka shkruar diku Lasgushi: “Do të vijë një
kohë, kur do të vemë në dasmë e do të urojmë: Mos e pifshim këtë gotë, po të
mos bashkohemi me Kosovën! Dhe do të vemë në vdekje dhe do të ngushëllojmë: Mos
e pifshim këtë gotë në mos u bashkofshim me Kosovën... Do të vijë një kohë kur
dollia do të fillojë me këto fjalë: Mos e pifshim këtë gotë në mos u
bashkofshim me Kosovën.” Të nesërmen e asaj dite, ne vizituam kampin e
Çegranit, në të cilin ishin strehuar 45.000 kosovarë të dëbuar nga trojet e
tyre dhe nuk e dinim se pas një jave gjithçka do të ndryshonte do të hapeshin
rrugët drejt Kosovës dhe ne do të përplasnim gotat të bashkuar me njëri
tjetrin. Kjo kohë erdhi njëherë e përngaherë.
E kam njohur poetin Lasgush që
fëmijë e vogël, kur fillova të shoh dhe të njoh njerëzit rreth e rrotull meje,
sepse ai kalonte nëpër oborrin e shtëpisë sonë, ai ishte Llazar Gusho dhe nëna
ime rridhte po nga ai fis i Gushollarëve. Kur fillova të lexoj poetët, ata më
dukeshin të paarritshëm diçka posi qenie qiellore dhe nuk e dija se një poet,
“të cilin Shqipëria do t’ia falte botës” siç ka thënë Profesor Eqrem Çabej –
jetonte, frymonte, shkruante aty fare pranë shtëpisë tonë përtej Lumit të Madh
të Mitrush Kutelit.
Lasgushi dhe unë u bëmë miq
nga mesi i viteve ’70-të. Në vitin 1972 Lasgushi botoi në revistën “Nëntori”,
me rastin e 60 vjetorit të pavarësisë, poemën “Mbi ta”, e cila i kushtohet kryengritjes së Malësisë të Madhe të
viteve 1911-12 dhe kujtimit të patriotit Risto Siliqi, që luftoi me pushkë e
penë tok me trima si: Ded Gjo Luli, Mehmet Shpendi e shumë të tjerë. Në këtë
poemë, në këtë botim nuk përmendej fare fjala “Kosovë”, por kjo ishte e
zëvendësuar me fjalën “Malësia”, sepse në ato vite edhe emri Kosovë ishte i
ndaluar për ne shqiptarët. Ne kishim mësuar aq shumë në shkollë për shtetet e
Azisë, lumenjtë e liqenet e Afrikës, kafshët e Australisë, por asgjë për
Kosovën. Për Kosovën unë kam mësuar nga vetë Lasgushi, kur më rrëfente se në
fushat e Kosovës gruri rritet sa një bojë njeriu, se në mimierat e Trepçes
prodhohet argjend dhe se nënat kosovare lindin nga dymbëdhjetë djem sepse u
duhen për luftë. Pra, edhe vargjet nga
poema “Mbi ta” unë i kam mësuar nga goja e Lasgushit:
Kaptuam shtatë male rresht
E s’folëm shtatë fjalë,
Kaptuam shtatë male rresht
Malësisë për t’ju falë.
Dhe poeti vijonte:
Kush është lulja në Ballkan
Që bota i ka sevdanë
Kosova që s’njeh sulltan
Plot difë e kapedanë.
Kosova që bën sulm në zjarr
Posi dragoj me fletë,
Siç bënte sulm ngadhërimtar
Gjergj Kastrioti vetë.
Të sedrës e me shpirt krenar
S’durojnë cen a dhunë
Tregojnë gjoks në sulm e zjarr
Si shkaba në furtunë.
Gjatë viteve kur lulëzonte
realizmi socialist, Lasgushi nuk shkroi kurrë sipas kësaj metode, ai kurrë nuk
shkroi një varg për Partinë apo Enverin, sepse ai nuk mund të bëhej
sahanlëpirës (siç shprehej vetë). Vërtet atë e mënjanuan, e lanë të harruar,
askush nuk kujtohej për të, sa që ditën kur ndërroi jetë, studentët e
Fakultetit të Filologjisë u habitën dhe thanë: “Paskërka qenë gjallë!” Lasgushi
kishte shumë dëshirë që të vinte dhe të vizitonte Kosovën, kishte mall për
dheun kosovar. Atë e ftuan me rastin e tetëdhjetëvjetorit të lindjes në vitin
1979, por nuk u organizua vajtja e tij, edhe ai e kishte fare të qartë se do ta
shoqëronte me patjetër ndonjë njeri i Sigurimit të Shtetit dhe nxori arsye
sikur ishte i sëmurë. Gjithnjë më thoshte: “Kur të shkoj në Kosovë, gjëja e
parë që do të bëj do t’ju jap poemin tim”Kamadeva” dhe ata do të ma botojnë
sepse atje më duan.” Në vitin 1980 Shtëpia Botuese “Rilindja” e Prishtinës
botoi përmbledhjen poetike të Lasgushit “Vdekja e Nositit” dhe ai u mrekullua
kur i ra në dorë ky libër, gëzohej si fëmijë duke thënë: “Sa bukur! E kanë bërë edhe me shkronja prej floriri”
Më kujtohet se në vitin 1981
në revistën “Studime Filologjike” u botua një shkrim i gjatë me 40 faqe ku
kritikohej Lasgushi. Dhe, ashtu siç ndodh rëndom me ne shqiptarët, për ironi të
fatit, pikërisht këtij njeriu në vitin 1996 kur u organizuan “Ditët e
Lasgushit” në Pogradec, i dhanë çmimin kryesor të karrierës në takimin “Lasgush
Poradeci”
Lasgushi pat botuar para
viteve ’40-të dy libra të mrekullueshëm poetikë Vallja e Yjve” dhe “Ylli i
Zemrës” pastaj heshti, por nuk heshti dhe nuk rreshti, sepse përveç dy poemave
që përmenda më lart shkroi poezitë “Ballada e Reshit Çollakut” më tej “Ballada
e Muharrem Çollakut”. Lasgushi i kishte miq Çollakët dhe prandaj shkruante për
ta Heroin e Popullit Reshit Çollaku, që u vra në Betejën e Pojskës dhe Muharrem
Çollakun, i cili në vitin 1941 ka dhënë mësim në Gjilan.
Lasgushi pas vitit 1944
thuajse tërë kohën përktheu mrekullisht nga letërsia botërore, nuk do të bëj
këtu analizë të shqipërimeve të tij, veç mund të them nga pak krahasime që kam
bërë për shembull me poezitë e poetit skocez Robert Bërns, ato tingëllojnë
shumë më bukur në shqipen e Lasgushit se sa në origjinal për shembull poezitë
“Meri Morison” dhe “Findlej”. Ashtu i përkushtuar dhe për të mbijetuar iu vu
punës së mundimshme të shqipërimit duke sjellë në gjuhën tonë poetë të
mrekullueshëm si: Gëte; Hajne, Pushkin, Adam Mickieviç, Mihai Eminesku e shumë
të tjerë.
Pasi mbarova studimet dhe u
emërova në një gjimnaz në Korçë, për Vitin e Ri, Lasgushi më dërgoi kartolinë
urimi dhe në vend që të shkruante fjalë të rëndomta si: Gëzuar... shëndet..
suksese... e të tjera, ai më dërgoi këtë poezi me atë shkrimin e tij të
përsosur:
E mora shoqezën përkrah
E mora shoqezën përkrah,
E matmë rrugën ca-nga-ca,
Sikur na ndillte larg diçka
Pa zuri dita perëndoj,
Pa zuri nata na mbuloj,
Pa zura shoqen t’a pushtoj.
Përse buçet, liqer i qet!
Liqer, ti ç’thua ndaj buçet!
Çfarë pe, liqer, mi zall të shkret?
E vëndin kur e sjell nërmënd;
Kur sjell nërmënd ah atë vënd,
As rroj, as vdes, po jam pa mënd.
Në ngjarjet e pranverës së
vitit 1981, më së fundi në gazetën tonë “Zëri i Popullit” filluan të dalin
artikuj kushtuar Kosovës. Lasgushi ndodhej në Pogradec, unë mirrja gazetën
përditë dhe e lexonim të dy. Ai gjithnjë përsëriste fjalët: “Kosova është
vullkan!” Mbaj mend se në njërën nga bisedat ai më tha: “Jugosllavia nuk mund
të qëndrojë shtet ashtu siç është një shtet-mozaik, që ka brenda sllovenët,
kroatët, maqedonasit, malazezët, shqiptarët...” Dhe sa shumë u çudita kur në
fillim të viteve ’90-të Jugosllavia u shpërbë.
Më 10 janar 1991 në Pogradec u
organizua mitingu për Liri dhe Demokraci aty mes brohorimave dhe duartrokitjeve
të turmës së mbledhur për herë të parë e padetyruar u recitua poezia e
Lasgushit: “Marshi i Djalërisë”
Urdhëroj i Madhi Zot;
Zu ndrin yll’ i Shqipërisë,
Ndrin e më s’përmbahet dot
Se që sot e jetë-plot
Po rreh zemr’ e Djalërisë.
Djalëri, lart për liri!
Lart për Zonjën Shqipëtare!
Yll në ball-e zjarr në gji,
Zjarr në gji për Shqipëri,
Digju! Zemra djaloshare
Lidhni besën për Atdhe,
Ju me gjak të Kastriotit!
Lidhni-e shpejt e bëni be
Be që vret posi rrufe
Para Kombit pra Zotit!
Djalëri, heu! Yll i ri!
Djalëri, këng’ e shëndetit!
Për liri, për lumtëri,
Rrofsh e lumja Djalëri!
Rrofsh e qofsh sa val’ e detit.
Ndonëse kanë kaluar më se njëzet vjet qëkur Lasgushi ka ikur nga kjo jetë dhe ne e përkujtojmë, ndonëse ai nuk mundi dot të vinte kurrë në Kosovë, unë mendoj se për Lasgushin nuk mund të flasim në kohën e shkuar, por vetëm në kohën e tashme, sepse ai gjithnjë është i pranishëm midis nesh edhe këtu në Kosovë, ai ndodhet këtu midis nesh “anëtarëve të poezisë”.