E premte, 13.12.2024, 05:59 PM (GMT)

Kulturë » Berisha

Sejdi Berisha: Madhështia e vargut për tokën plotë varre

E shtune, 23.06.2012, 03:27 PM


Analizë libri

Sejdi BERISHA:

MADHËSHTIA E VARGUT PËR TOKËN PLOTË VARRE KU MADHËSHTIA E VENDLINDJES ZË VEND!

(Dibran Fylli: “1365 ditët e palirisë”, poezi-botoi LSHK, 2012)

Poetët, të cilët pjesë të jetës, të gjakut dhe të dashurisë e të etjes e kanë luftën për liri, ata vargun e kanë këngë madhështie, me të cilën, sado mirë që e këndojnë, ata prapëseprapë mbeten të etur për të thënë e për të rrëfyer edhe diçka, dhe atë, duke filluar nga vetvetja e deri tek rrugëtimi nëpër zjarr që ka lënë gjurmë për të thënë shumë, për t’u mburrur e për t’u kritikuar. Kjo ngase, toka e lagur me gjak ka shumë këngë, rrëfime e ngjarje të pathëna, mbase pra edhe të pa kënduara.

Për këtë, “1365 ditët e jolirisë” të Dibran Fyllit, nuk janë rrëfim vetëm për këtë periudhë zjarri, ëndrrash, dhembjesh e krenarish por janë edhe rrëfime llahtarie. Andaj, çdo varg i shkruar nga lufta e për luftën, e ka vulën e ndijimit të veçantë e specifike, që poezinë e shndërron në histori mbase edhe në baladë. Këtu qëndron edhe pesha e vargëzimit të D. Fyllit, i cili një kohë të gjatë ka hezituar që këto poezi e vargje t’i kapërthejë e përjetësojë në libër. Dhe, mirë ka bërë që vargun e vetë të përplasur në luftë e nëpër kazamate, tash ta lëshojë të ecën botërisht e të jehojë kudo e tek secili lexues. Kështu, atëherë vargu lirohet edhe nga “prangat” e autorit dhe anasjelltas.

Ligjërimi poetik dhe fuqia e tij kur liria i ngjanë prangave…!

Kur libri me poezi fillon me faqe ditari, atëherë kënga dhe vargëzimi shndërrohet në rrëfim e histori, e cila pastaj, tërë kohën e ngacmon lexuesin për të ecur krah për krah me përjetimet e poetit, i cili mbi vete ka të ngarkuar “lirinë” bashkë me almiset përcjellëse, dhe se, autori fillimisht, thekson: “…askujt nuk ia dëshiroj  vuajtjet e mia, çlirimtarëve, hiç se hiç…”!

Duke u përplasur ai me situata të ndryshme mbase edhe shpirtërore, vargu i tij merr terrnak  dhe nganjëherë e zhvesh autorin nga vetvetja, sepse, në gjendje të tillë, asgjë nuk ka kuptim kur liria i ngjanë prangave. Kjo, ngase, përmes vargut, ai edhe “humb” besimin në çdo gjë, sepse,: “…prej t’gjithave jam bërë të vjellë”!

Kjo formë e këndimit, poetin e bën pasqyrë të situatës aktuale në të cilën gjendet, kështu që, përmes vargjeve mbërthehen e tingëllojnë mesazhet karakteristike e qortuese. Për këtë, ai, i trembur nga ecjet, nuk heziton që në shenjë revolte të ligjërojë gjithnjë plotë pezëm: “S’e dua as lirinë e këtij shekulli…/I dua foshnjat ylberore/që lindin në këtë shekull…”!

Me këtë, poeti, sikur do të na thotë se gjeneratat e reja dhe ato të tjera që do vijnë, do ta shërojnë e stolisin lirinë e lënduar dhe të plagosur në mënyra e forma të ndryshme. Dhe, duke na rrëfyer për jetën e rendë prapa grilave, D. Fylli, përmes vargut hapë zemrën dhe shpirtin, por shpalos edhe ëndrrat që qojnë peshë në “netët e gjata/pa qetësi”. Por në 1365 ditët, gjithnjë ngushëllohet dhe trimërohet me gjuhën e nënës: “Ti më drejton udhëve të mia/në kulla burrash/…me Ty/se lë anash as dashurinë/…me Ty/jam ai që jam kudo/e flas shqip”.

Errësira në pikë dite, njeriun, pra edhe poetin e bën flakë, e bën pezëm, por e shndërron edhe në pritje, e cila i ngjanë ëndrrës që do bëhet realitet: “…po pres/e do pres sa të jem/për dashurinë e Alpeve të lashta Shqiptare/Qyqevicës, Tomorrit e Pashtrikut/pres një zë kushtrimtar/zë që m’pushton e m’pushton shpirtin/po pres se s’bën ndryshe…”!

Kështu qëndron e bëhet fortifikatë durimi e qëndrese, sepse, ai e di vetë, se: “…malet thërrasin/e bjeshkët/përshëndeten me detin/e shushurimat e lumenjve/zogjtë e lirisë këndojnë”. Luftëtari, pra edhe poeti, e ruan tharmin më të mirë, për ta mbrumur këngën e rrallë që i ngjanë dritës së diellit dhe gjuhës së historisë: “…tokë e harruar/pos gjithë të ligave/…besnikërisht/ruan eshtrat e heronjtë/roje i ke/Ademin e Hamzën/me Kapuçin e Sandokanin/në Kullën e Plakut Shaban/…të gatshëm/zgjuar po rrinë/e po presin/bjeshkët e mbushura me lule”.

Këto dhe shumë vargje të tjera, autori i rreshton si fjalë burrash, si histori djepi, që ka rritë e do të rritë njerëzit e lirisë e të paqes, dhe se ai që është pjesë e madhështisë për liri, na thotë, na këshillon e na qorton me vargjet, si: “…e nëna/pret në oborr/…nën hijen e blirit/të lashtë sa Kulla/pret të vetmin djalë/me emrin LIRI”.

Kështu, gjatë kohës së “1365 ditëve” përplaset me vetveten, me damarët që vrullshëm ia lëvizin gjakun-prush, por edhe me afshin për dritën dhe diellin që gjenden jashtë grilave: “…pres ta zë pisk një fije shpresë”.

Poeti është i çuditshëm. Çfarë nuk i bie ndërmend edhe në dhomën e territ e të ferrit. Ai, në këtë rast është i madh, sepse këndon edhe për kolegun-poet, i cili, siç thotë autori, jetën e ka përlarë, sepse kurrë nuk u pajtua me te: ”…o Zot, ai, poeti/me sy të skuqur/me buzë ironike/e bëri sy më sy/Po-në Jo/…ai vdiq”!

Nganjëherë, malli, poetit ia ligështon qëndresën, sepse, njeriu i ynë e ka traditë, familjen e ka të shenjtë, e dashuria e sinqeriteti janë ashti e kurrizi i mallit për njeriun, për tokën, atdheun, por, edhe për nënën e motrën, veçmas kur gjendet dhe jeton prapa derës pa rezë as pa çelës, dhe atje ku muret e dhomave janë plotë kujtime të shkruara nga një gjysmë lapsi me frymën, shkronjat, me gjuhën dhe me mallin e radhitur e të shkruar shqip: “Sot, një shqipe mali mbi kala/Motra me zë të shterur, po thërret, o vëlla!/Loti i nënlokës, si gur xhevahiri/trimi zëpatrembur/dredhë mustakun qiellit/Sot, as drejtësia s’e njeh fjalën liri/Borxhin e atdheut, secili, duhet kthy!”. Një ligjërim i kësaj fryme pothuaj se është në shumë poezi, si një refleksion për begatimin dhe forcimin e ndërgjegjes dhe të vetëdijesimit jo vetëm individual.

Shenjtëria e luftës dhe këndimi poetik për shtigjet e jetës dhe periudhat kohore

Në librin “1365 ditët e jolirisë”, autori me vargje i ka kompozuar edhe recitalet, siç thotë ai, në “trio”, të cilat e fuqizojnë edhe më shumë mesazhin e vargut dhe të këndimit poetik, në të cilat recitale, edhe aty hasim zërin, mesazhin dhe metaforën për shenjtërinë e luftës për liri, i cili, në mes tjerash thotë edhe këtë: ”T’i largojmë retë e zeza mbi këtë qytet të bukur”. Është kjo një porosi për ta mundur edhe ligatinën, e cila jo rrallë e ka shoqëruar por e shoqëron edhe sot njeriun.

Andaj, recitalet “Porosia e dëshmorëve” dhe ai “Amaneti i Kullës” i ngjajnë si një rrugëtimi nëpër histori, e që në të njëjtën kohë shpalosin faqe të periudhave kohore, por edhe sikur na detyrojnë të shkruajmë dhe punojmë përgjegjshëm dhe kujdesshëm për të kaluarën e sidomos për të sotmen.

Autori, edhe pse na bëhet se 1365 ditë në burg i konsideron, apo i sheh si kohë të humbur, një gjë e tillë nuk qëndron dhe se ai përmes vargjeve e thotë të kundërtën: “…1365 ditë ishin ndodhi” të cilat dikur do të kërkohen dhe do të hulumtohen e studiohen nëpër shtigjet e jetës dhe nëpër periudhat kohore. Kjo, ngase ngjarjet në tokën dardane kurrë nuk harrohen por as nuk zvetënohen, siç është ndër të tjera rasti i Izbicës: “…gjëmët/bëheshin të pandara/me zërin e fëmijëve shtalbarë/që mbërrin kupën e qiellit/I dhanë dritë lindjes/bashkë me 140 lutje/me aq shpirtra që mbuluan hapësirën pa anë”.

Ecja kosovare bëhet hartë historie në çdo varg të autorit të kësaj vepre, edhe atëherë kur: ”pranë portave të bjeshkës/Pashtriku/u bë vendbanim/tokë e mbjellë me gjak/shtëpi e udhëve pa hënë”. Ndërsa, Dubrava, e cila është sinonim i çnjerëzores dhe i masakrës, aty “mëngjesi nuk erdhi me dritë”, u shndërrua në fushë me kufoma, në vend të luleve. Andaj, të gjitha çudirat me të cilat është përplasur jo vetëm autori i këtij libri, shpesh poetin e kanë sjellë buzë tragjikës, por megjithatë, ai ligjëron edhe dhembshëm edhe me plotë shpresë: “…unë e lulja/kemi mbetur jetim”, por lexuesin e mbushë plotë me shpresë e krenari edhe pse duke na sjellë panorama trishtuese e me elemente pa arritjeje: “afër një dritareje/me grila të shpeshta/erë çeliku/ngjyrë kafeje të mbytë/zogu flet/me autorin e veprave të pashkruara…”!

Por, ai, përmes grilave, sikurse e lë vargun të fluturojë dhe të rrugëtojë duke shprehur frikën në trajtë metafore, se: “…edhe zogu/një ditë/në vend të këngës/do të shajë…”.

Edhe në burg, fati i kombit dhe i atdheut sertshëm përvidhet në zërin poetik

Nganjëherë, në “1365 ditët e jolirisë”, autori sikur bie thellë në depresion, jo vetëm për fatin e vet, por edhe për fatin e kombit dhe të atdheut  përgjithësisht. Megjithatë, ai, prapëseprapë na reflekton shpresën dhe qëndrimin e pathyeshëm për liri, sepse: “…bukuritë e bjeshkëve/me freski verore/trimërojnë/mbi natën e gjatë pa gjumë/këngë malesh më zgjojnë”.

Si gjithmonë dhe tek secili individ që nganjëherë së tepërmi ngushtohet shpirti, kjo ndodhë edhe tek autori i këtij libri, jo pse dëshiron të na reflektojë biografinë e vet, por ngase, gjithnjë ka etje për të rrëfyer dhe për të treguar edhe për të tjerët, se prapa grilave, jeta dhe njeriu, jo rrallë, janë vetëm kuptim fjale. Për këtë arsye, nganjëherë vetvetiu vargu rrëshqet apo edhe përvidhet sertshëm dhe plotë hidhërim: “…zëri përplaset mes korridoreve të errëta/përqafim nëne dua sot/jetën/ardhmërinë/lirinë mbi të gjitha/dhe prapë errësira si plaf/mbulon korridoret e ngushta…”!

Të kësaj natyre janë edhe shumë poezi, gjë që është e kuptueshme ngase kanë “dalë” nga “1365 ditët e jolirisë”. Sepse, siç thotë poeti: “…aty/në burg/ke kohë të mendosh, mendja e çlirimtarit shkon edhe përtej botës reale…”. Ndërsa, në këtë aspekt, rrëfen edhe për madhështinë e luftëtarit, i cili “err e terr ag më ag rri i zgjuar”. Në këtë aspekt, poeti, përmes vargjeve bën edhe roman për luftën në Kosovë dhe për të gjitha tronditjet që e kanë shoqëruar, dhe është me rëndësi se tash, “historia po shkruhet shqip”. Kurse, figura e komandantit legjendar, Adem Jashari, në vargje përjetësohet, si: “idol/ikonë e i gjallë pa vdekë/simbol në kulla burrash/ligjërues i përjetësisë/shembull për njerëzimin”. Vargje të ngjashme u kushton edhe shumë luftëtarëve të lirisë.

D. Fylli, sikur ka etje për t’i rregulluar dhe për t’i flakëruar binarët e jetës, sepse, na bën me dije se “Në tokën plot varre/vendlindja ime zë vend”! Dhe, sërish tregon qëndresën dhe çiltërsinë e tij: “sikur të lind sot/e të vdes nesër/do të filloja aty/ku kam filluar të jetoj”.

Megjithatë, poeti gjithnjë është i pezmatuar me realitetin shoqëror, dhe me hidhërim ligjëron (si me lutje të fshehtë) për ta rregulluar treguesin e orës që dikton ditën dhe për ta bërë ndërgjegjen pjesë detyrimi të jetës: “sot është si dje/si pardje/si para një jave/një muaji/një viti…/njëjtë është/si para një shekulli”! Është ky pra, hidhërim dhe qortim mbase edhe zhgënjim, më të cilat gjëra, edhe në jetën e përditshme shpeshherë e hasim se poeti me to shoqërohet. Për këtë arsye, edhe vargëzimi i tillë i ngjanë atij mendimit filozofik të kompozuar me zgjidhjet deskriptive, veçmas kur thotë: “Ty të dëshiruam pa vuajtje/Vetëm Ty/AtDhe…”!

Duke u mbështetur në një vargëzim të tillë dhe karakteristik, libri “1365 ditë e jolirisë” i Dibran Fyllit, është një vepër si monografi e rrëfimit të sinqertë shpirtëror, e cila i ngjanë edhe pikturës, edhe hartës, edhe madhështisë dhe lumturisë, por edhe dhembjes. Kjo vepër e ka mesazhin dhe cilësinë esteto-letrare dhe peshën historiografike, e cila vetëm sa begaton vlerat letrare dhe

kulturore kombëtare.



(Vota: 6 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora