E diele, 28.04.2024, 01:40 AM (GMT+1)

Kulturë

Milazim Kadriu: Poezi me mesazh kuptimplotë, të lirë e të qëndrueshëm

E shtune, 23.06.2012, 03:06 PM


Poezi me mesazh kuptimplotë, të lirë e të qëndrueshëm

Libri “Erdha” i Ejup Shalës, botuar nga Qendra e Kulturës e Podujevës

Nga Milazim KADRIU

Vëllimi poetik “Erdha” i Ejup Shalës, botuar post mortum nga Qendra e Kulturës në Podujevë, në të cilin janë përfshirë 110 poezi, si: poezi të sinqerta, poezi të shpirtit, shpirtit poetik, të qarta dhe të kuptueshme. Shala ishte njohës i mirë i traditës, kulturës, gjuhës dhe perceptimit. Vargu i tij është jeta. Jeta në tërë dimensionin e saj. E bukur dhe e brishtë. Jeta me dimensione të tjera në zgavra të etura për dritë dhe ndriçim. Në këto vargje na vjen një botë e tërë mendimesh, një botë e pashterur. Ai krijoi edhe atëherë kur ishte vështirë të krijohej, edhe kur i mungonte liria, kur nuk e kursente as acari, as plumbi. Ai gjen magjinë e fjalës, jo sa për të shpërthyer një emocion, që bartë thellë në shpirtin e tij, por për të treguar se në shpirtin e tij krahas veprimtarisë atdhetare është edhe fuqia e fjalës së vargëzuar. Krijimtaria e tij është imagjinatave, realiste, rebeluese në kushtrim, fjalë paqe në emocion. Në vargjet e tij flet për të bërat dhe të pabërat, për qëllimet që duhet arritur deri në lartësinë e qiellit dhe futjen në thellësinë oqeanike për rrugën drejt lirisë, duke parashikuar qysh më parë luftën e shenjtë të UÇK-së, luftën drejt lirisë dhe pavarësisë së Kosovës së shumëvuajtur nga thundra e okupatorit.

Në poezitë e tij Shala jep mesazhin me një kuptim të plotë e të lirë, i cili merr një kuptim të përgjithshëm e të qëndrueshëm. Mesazhin e këtyre poezive e nxjerrim nga tërësia e tyre që përbën një strukturë të thellë, nga e cila dalin dimensionet e kuptimit.

Strukturën e thellë e përbëjnë aspektet e realizuara kuptimisht në këto poezi, të cilat ne i  marrim në formën e quajtur mesazh.

Teksti i poezive është i përshkruar nga një farë shqetësimi që na jep rrëfimin e shqetësuar për kohën kur janë shkruar, dhe situatën që ka mbretëruar në atë kohë në vendin tonë.

Poeti, në poezitë e tij godet në revoltën, me ironinë dhe sarkazmin, që e gjejmë në kohën ekzistuese, në kohën e pakohë. Rrëfimi i tij nuk mbyllet, ai është i pa kufi, ka mbetur i hapur. Nga shkaku i veprimtarisë atdhetare, përndjekjes dhe vuajtjes së dënimit nga pushtuesi sllav, sa i përket veprimtarisë letrare, megjithatë, e arriti hapin e kohës, duke na lënë krijime të tij. Ai në mënyrë intensive me veprimtari artistike u mor që në vitet tetëdhjeta. Ashtu siç vinte papritur në çdo vend dhe kohë ku e kërkonte çështja atdhetare, ashtu erdhën edhe poezitë e tij tek lexuesit, poezi këto që i kishte ruajtur nga të bijat Shqipëroja dhe Albadetja.

Në poezitë e tij, në përgjithësi, Shala shquhet për intuitë të veçantë krijuese, imtonim të theksuar lirik, të thurura përmes një shprehjeje të kursyer lakonike.

Andaj, konteksti i tij lirik e lakonik zgjon asociacione të ndryshme kuptimore-metaforike, gjithnjë më të thelluar. Poenta kryesore e mesazhit poetik të autorit, apo parimi bazë krijues i tij, është lidhja e fortë emocionuese me atdheun, kohën dhe realitetin.

Si pjesëmarrës aktiv i lëvizjes çlirimtare, që e vuajti më lëkurë, në poezi autori e shpreh dramën kombëtare nëpër shtrëngata shekujsh, ku shfletohet historia e këtij trualli etnik dhe stuhia e saj simbolike. Ejup Shalën e lexojmë në tërë këtë rrugëtim ëndrrash të guximshme si një dëshmi të gjallë mes vargut, ritmit, jetës dhe tërë asaj që ai lë pas për brezat në varg dhe në rreshta. Ai e njeh mirë tërë kompleksin e së mirës dhe po ashtu tërë konvencionin e së keqes. Ai na la vargjet kuptimplote për kohërat në të cilat jetoi ai dhe nëpër të cilat kaloi vendi ynë. Kur flasim për poezinë në kuptimin letrar dhe prurjet e një krijuesi, mjaftueshëm përpos shijes së fjalës artistike, pa dyshim dhe vlerave estetike, duke e vlerësuar vargun si “magji” në hapësirën kohore gjejmë atë çka quhet brenda frymës poetike - artin e fjalës.

Poeti Shala sjell botën e tij shpirtërore, në të cilën përshkohet Uni poetik nëpërmjet figurave artistike, si: krahasimet, metaforat, që prekin emocionet njerëzore në vargje pakufi.

Ndërmjet jetës dhe artit të fjalës, autori qëmton të dukshmen apo të padukshmen në realitetin që zbulon kahun artistik drejt së bukurës.

Sakrifica për liri, lufta për të fituar atë, për shumë trima, martirë, e heronj kurrë nuk ka pasur hezitim. Madje, shumica e tyre as që e kanë matur jetën e tyre me ndonjë çmim për ta fituar lirinë dhe ata janë flijuar, janë shkalitur, janë përflakur, janë përjetësuar dhe jetojnë ende në vargjet, këngët dhe krijimet artistike në vargje, piktura e skulptura, këngë, melodi... Atyre u ka kënduar edhe Ejup Shala që më vonë është bërë edhe ai pjesë e tyre.

Vargjet poetike të Ejup Shalës janë të pavdekshme e më jetëgjatësi, personifikim i përjetësisë së tyre, mu ashtu sikurse lapidarët, bustet dhe përmendoret e larta të dëshmorëve dhe martirëve të Kosovës.



(Vota: 12 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora