Kulturë
Begzad Baliu: Bibliografia e Mjedës si kërkim dhe sintezë
E shtune, 23.06.2012, 01:59 PM
BIBLIOGRAFIA
E MJEDËS SI KËRKIM DHE SINTEZË
Mentor Quku, MJEDA, 6/1 (Bibliografia), Tiranë, 2012
Nga Begzad Baliu
Po e filloj këtë
tekst hyrës për vëllimin e studiuesit Mentor Quku, Mjeda, 6/1 (Bibliografia), jo
vetëm me ndjenjën se po e shkruaj Parathënien e fundit të kolanës
historiko-kronologjike dhe tematike, të projektuar rreth një dekadë më parë, po
edhe me ndjenjën se po e shkruaj Parathënien e një vepre që në të vërtetë hap dyert
e një serie të dytë të kolanës për Mjedën sintetik, për Mjedën tjetër të një
brezi mjedologësh, të cilët për të do të shkruajnë duke e parë atë përmes
teorish, shkollash, konceptesh, metodash e analizash filologjike,
tekstologjike, poetike e estetike. Në të vërtetë kjo ndjenjë, nuk vjen prej
kontestit të punës së studiuesit Mentor Qukut për jetën dhe veprën e Ndre
Mjedës, po prej prirjeve paradigmatike që krijohen për shkrimtarët dhe
subjektet e tilla, vepra e të cilëve, në çfarëdo mënyre (si dorëshkrim, studim apo korpus) sillet
dhe botohet e plotë dhe me të në njëfarë mënyre mbyllet cikli i paraqitjes së
tyre krijuese.
Ndryshe
ndërkaq shfaqet Mjeda i rilindur i mjeshtrit tonë. Bibliografia Mjeda, në kolanën e Mentor Qukut
paraqitet në disa dimensione: Mjeda
i një serie të projektuar dekada me radhë dhe Mjeda i një korpusi që në të
vërtetë nuk po arrin të mbyllet dhe për këtë është i vetëdijshëm jo vetëm
autori, por edhe lexuesi i saj, duke pasur parasysh faktin se vepra e tij
vazhdon të zbulohet në formate dhe dimensione të ndryshme, nga versionet dhe
dorëshkrimet në origjinal, deri te dorëshkrimet apo botimet krejt të panjohura
të tij; Mjeda i një serie që do të vazhdojë të botohet edhe për aq kohë sa do
të ketë shëndet të punojë mjeshtri i saj, studiuesi Mentor Quku; Mjeda i një
kolane të re dokumentesh të zbuluara në vitet e fundit; Mjeda i një kolane të
re veprash të plota letrare a shkencore, pra Mjeda i ridimensionuar
historikisht nga brenda; dhe vetëm në fund, Mjeda sintetik, që në të vërtetë
nuk pritet të jetë kolanë e Mentor Qukut, po e shkollës së studimeve
mjedologjike të brezit të ri, të cilën po e krijon ai në përmasat e një bardi.
Përmasa
e ridimensionimit të jetës dhe veprës së Mjedës, brenda një bibliografie, nga
më shterueset deri më tash, e bën të veçantë edhe këtë vëllim. Së pari, për
shkak se për bibliografinë e Mjedës interesimi nuk ka munguar që në gjallje të
tij, ndërsa menjëherë pas vdekjes bibliografët e tij, përkatësisht kërkuesit e
veprës së tij, kanë sjellë dorëshkrime dhe dokumente të reja me interes për
historinë e letërsisë, historinë e kulturës dhe historinë e albanologjisë
përgjithësisht; së dyti, për shkak se, bibliografi pa dyshim më i plotë deri më
tash dhe më serioz i veprës së tij, Profesor Jup Kastrati, bashkë me
bibliografinë e plotë pati përgatitur edhe veprën më të përmbledhur letrare dhe
gjuhësore të tij, duke përfshirë këtu edhe disa nga letrat e tij me interes për
studimet kulturore dhe albanologjike të kohës; së treti, bibliografia më e
plotë dhe më sintetike që po i jepet lexuesit me këtë vepër, sjell edhe zbulime
krejt të reja të veprës letrare, kulturore e shkencore të Ndre Mjedës; së
katërti, edhe lexuesi, pra jo vetëm autori i saj, është i vetëdijshëm se në
këtë vëllim për disa aspekte, kryesisht letrare, janë sjellë të dhëna të plota
të veprës së Mjedës, për disa anë të veprës së tij, kryesisht gjuhësore janë
sjellë vetëm indicie veprash, të cilat pritet të zbulohen e komentohen në një
ribotim tjetër; së pesti, për ribotimin, kryesisht fragmentar të krijimtarisë
letrare të tij, janë dhënë vetëm shembuj simbolikë të saj (një nxitje kërkimesh
për brezin e ri të mjedologëve), ndërsa për tekstet me karakter kulturor,
politik e interdisiplinar, të cilat gjenden vetëm si dokumente në institucionet
shtetërore, kulturore, arsimore e fetare, nuk është punuar as në nivel të kategorizimit, sigurisht
për shkak se autori këto tekste i sheh si dokumente dhe jo botime të veçanta.
Vëllimit Bibliografia e Mjedës i prin një Parathënie shkoqitëse e autorit për karakterin
nxitës e hulumtues të krijimtarisë së Mjedës, metodat e përdorura në vlerësimin
dhe komentimin e veprave të tij, për orientimet tipologjike të bibliografisë së
teksteve të Mjedës, për njohjet e gjertanishme dhe pritjet e kërkimeve të reja,
për problemet e dala deri me tash në identifikimin e disa dorëshkrimeve
autografi të Mjedës dhe moshës së krijimit e botimit të veprës së tij, për
çështjet e unifikimit të pseudonimeve dhe madje teksteve pa asnjë shenjë
identifikuese etj. Pra,
shqetësimet, shpjegimet dhe diskutimet në këtë hyrje dalin të karakterit
historik, teorik dhe pragmatik, prandaj janë me interes sa për studiuesin e
përmasave akademike po aq edhe për lexuesin e interesimeve përgjithësuese.
Në
tërësinë e saj vepra Bibliografia
e Mjedës është ndarë në dy
pjesë: 1. Veprat e Mjedës
botuar deri në vitin 1937 dhe
II. Vepra e Mjedës nga vitit
1937 deri më 2010.
Pjesa
e parë e
veprës është një përpjekje titanike e autorit për të hulumtuar dorëshkrimet dhe
botimet e Mjedës, veprat e panjohura të tij dhe komentet e zgjeruara të fatit
të tyre nga dorëshkrimi autograf deri te botimi e ribotimi i tyre ndër vite.
Fjala është veç tjerash për veprat “Çerdhja
e zogjvet”, “Shahiri Elierz”, do bejta qi kaa qit N.M. i S.J., “Miku Bestar”,
Haannamia per senne 1889, “Jeta e Sceitit Sc’Gnon Berchmans”, “Vorri i
Skanderbegut”, “Vaji i bylbylit”, “T’perghjamit e ?ojs B?kume”, “Albanisesche Studien”
(“Studime shqiptare”), VI, “Fjalori etimologjik”. Krakov, 1891-1896, “Gramatikë e krahasuar e gjuhës
shqipe”, vepër hipotetike e
Mjedës, “Fjalor botanik”, dorëshkrim autograf i Mjedës,
vepër e papërfunduar, “Promemorja
e 22 shtatorit
Pjesa
e dytë e vëllimit përfshinë një regjistër të plotë dhe shumë të pasur të botimit
të veprave (poezi, studime dhe përmbledhje veprash) të zgjedhura apo më të
plota në gjuhën shqipe apo edhe të përkthyera në gjuhë të huaja. Fjala është
për botimin e tingëllimave të tij Lisus,
Scodra, poemthit shumë të popullarizuar Vaji
i bilbilit si dhe
përmbledhjeve me poezi për të vegjël, për të rritur apo edhe përmbledhjes me
studime të karakterit gjuhësor, historik dhe letrar, nga viti 1938 deri në
ditët tona.
Prej
pjesës së parë dhe të dytë të këtij vëllimi, nuk është vështirë të sillen disa
përfundime të përgjithësuara me interes jo vetëm për jetën dhe sidomos veprën e
Ndre Mjedës po edhe për studimet historiko-letrare dhe gjuhësore e kulturore të
shekullit XX.
E
para, Ndre Mjeda, i takon brezit të dytë të romantikëve shqiptarë, që kanë
shkruar në fund të shekullit XIX dhe në gjysmën e parë të shekullit XX, por që
me veprën e tij e mbizotëron edhe letërsinë e krijuar atë kohë me elemente
realiste, neoklasiciste apo edhe të strukturës letrare parnasiste-simboliste.
E
dyta, Ndre Mjeda, ndryshe nga brezi i tij i krijuesve të mëdhenj (Gjergj
Fishta, Ernest Koliqi etj.), që përjetojnë kulmin e popullarizimit gjatë
gjysmës së parë të shekullit XX, por njëkohësisht edhe ndalimin e veprës së
tyre gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX, ai në një mënyrë apo një tjetër
është disident i të dy periudhave, por jo edhe i ndaluar rreptësisht.
E
treta, vepra e tij, pavarësisht popullaritetit të herëpashershëm të autorit, e
mbizotëron vlerësimin estetik më parë se sa kultin e autorit, ndërsa
bibliografia e pasur arsimore dhe intelektuale e tij e mbizotëron patosin
biografik të portretit prej bardi shpirtëror të kohës. Biografia e tij letrare
e popullarizuar për të gjallë në Shqipëri dhe kryesisht në Itali, pas vdekjes
së tij harta e botimeve zgjerohet edhe në Kosovë, në Maqedoni dhe në disa
shtete të Lindjes. Kështu, shkrimtari i identifikuar kryesisht me Shkodrën dhe
gjuhën italiane për të gjallë të tij, tani, pas vdekjes, bëhet shkrimtar i
botës shqiptare dhe poet përfaqësues i saj në antologjinë e letërsisë shqipe.
Prej
bibliografisë së plotë të tij të botuar në këtë vëllim nuk është vështirë të
shihet se krijimtaria e tij letrare, si pak vepra letrare të brezit të tij,
është botuar në tri dimensione: si vepër e veçantë, si letërsi e përzgjedhur e
teksteve shkollore dhe si poezi e përzgjedhur gjerësisht edhe në botimet
antologjike, madje edhe në ato antologji ku ka dominuar krijimtaria letrare e
përshkuar nga realizimi dhe disa përbërës ideologjikë të tij.
Prej
botimeve të gjertanishme të shkrimtarëve të dy shekujve të fundit, nuk është
vështirë të shihet se shkrimtarët e këtyre dy periudhave nuk e kanë shkruar
vetëm poezinë, po edhe tekstet me karakter arsimor, shkencor, estetik dhe
kulturor, mirëpo prej bibliografisë së Ndre Mjedës, nuk është vështirë të
shihet se ai është nga pak ata autorë që në kohën e tij dhe në kohën tonë,
është përfaqësuar pothuajse në mënyrë paralele si poet (në botimet antologjike
të lirikës) dhe kritik letrar (në antologjinë e mendimit estetik), një model ky
tipik i shkrimtarëve të mëdhenj europianë.
Prej
botimeve të poezisë së tij në tekstet shkollore dhe shkencore, nuk është
vështirë të shihet se krijimtaria e tij letrare nuk është vetëm përzgjedhje e
autorëve të historisë së letërsisë, por edhe e studiuesve të gjuhës e të
letërsisë shqipe. Prej shembujve të marrë nga kritikët letrarë, historianët e
letërsisë dhe gjuhëtarët nuk është e vështirë të kuptohen jo vetëm vlerat
historiko-letrare (struktura metrike) e krijimtarisë së tij, por edhe vlerat
gjuhësore (struktura leksikore dhe semantike) e poezisë së tij. Sigurisht kjo e
bën poezinë e tij të pranishme jo vetëm në përmbledhjet antologjike dhe
arsimore po edhe në botimet e gramatikave standarde të kohës së tij dhe atyre
të kohës sonë.
I
nxitur nga këto vlera, mjeshtri ynë është kujdesur që botimet e veprave të tij
letrare, gjuhësore dhe atyre të përkthyera, t’i shikojë me syrin e filologut
klasik dhe tekstologut të përkushtuar. Prej komenteve të tij pranë të gjithë
zërave të kësaj bibliografie, kuptojmë se ai ka përmirësuar jo vetëm gabimet e
bibliografëve të gjertanishëm të Mjedës, gabimet e moshës së teksteve në
dorëshkrim apo të botuara e ribotuara kohë pas kohe, por edhe gabimet e shumta
në tekstet e ruajtura origjinale, drejtshkrimore, materiale e kuptimore.
Shqetësimi rritet në këtë rrjedhë edhe për faktin se mjeshtri ynë ka konstatuar
jo njëherë se vepra e Mjedës nuk është vetëm pre e censurave të qëllimshme po
edhe e botuesve, redaktorëve e përzgjedhësve të pakujdesshëm. Dhe për më tej,
ka konstatuar mjedologu ynë, vepra e tij më parë se për të gjallë është botuar
me gabime të pafalshme pas vdekjes së tij, ndërsa vazhdon të botohet me gabime
të palejueshme materiale e kuptimore edhe në kohën tonë.
Duke
përfunduar këtë fjalë hyrëse për vëllimin që po e përmbyll kolonën e studiuesit
të shquar Mentor Qyku, Mjeda,
mund të konstatojmë se Bibliografia
Mjeda, nuk është vetëm një bibliografi e zakonshme e bërë deri më tash për
Ndre Mjedën apo edhe për personalitete të këtij formati në letrat shqipe. Ajo
është më shumë se bibliografi saktësimesh dhe komentimesh, të cilat kemi pasur
rastin t’i konsultojmë edhe në botimet e kësaj natyre në historinë e letërsisë
shqipe. Ajo, në të vërtetë është bibliografi referimesh, përplotësimesh,
vlerësimesh e rishikimesh përmasash të thella filologjike, tekstologjike e
shkencore, që brezit të ri të mjedologëve do t’iu shërbejë si një vademekum i
përditshëm.
Prishtinë, më 15 qershor 2012