| E shtune, 23.06.2012, 03:06 PM |
Poezi me
mesazh kuptimplotë, të lirë e të qëndrueshëm
Libri “Erdha” i Ejup Shalës, botuar nga Qendra e Kulturës e Podujevës
Nga Milazim KADRIU
Vëllimi
poetik “Erdha” i Ejup Shalës, botuar post mortum nga Qendra e Kulturës në Podujevë,
në të cilin janë përfshirë 110 poezi, si: poezi të sinqerta, poezi të shpirtit,
shpirtit poetik, të qarta dhe të kuptueshme. Shala ishte njohës i mirë i traditës,
kulturës, gjuhës dhe perceptimit. Vargu i tij është jeta. Jeta në tërë dimensionin
e saj. E bukur dhe e brishtë. Jeta me dimensione të tjera në zgavra të etura për
dritë dhe ndriçim. Në këto vargje na vjen një botë e tërë mendimesh, një botë e
pashterur. Ai krijoi edhe atëherë kur ishte vështirë të krijohej, edhe kur i
mungonte liria, kur nuk e kursente as acari, as plumbi. Ai gjen magjinë e fjalës,
jo sa për të shpërthyer një emocion, që bartë thellë në shpirtin e tij, por për
të treguar se në shpirtin e tij krahas veprimtarisë atdhetare është edhe fuqia
e fjalës së vargëzuar. Krijimtaria e tij është imagjinatave, realiste,
rebeluese në kushtrim, fjalë paqe në emocion. Në vargjet e tij flet për të bërat
dhe të pabërat, për qëllimet që duhet arritur deri në lartësinë e qiellit dhe
futjen në thellësinë oqeanike për rrugën drejt lirisë, duke parashikuar qysh më
parë luftën e shenjtë të UÇK-së, luftën drejt lirisë dhe pavarësisë së Kosovës
së shumëvuajtur nga thundra e okupatorit.
Në poezitë
e tij Shala jep mesazhin me një kuptim të plotë e të lirë, i cili merr një kuptim
të përgjithshëm e të qëndrueshëm. Mesazhin e këtyre poezive e nxjerrim nga tërësia
e tyre që përbën një strukturë të thellë, nga e cila dalin dimensionet e
kuptimit.
Strukturën
e thellë e përbëjnë aspektet e realizuara kuptimisht në këto poezi, të cilat ne
i marrim në formën e quajtur mesazh.
Teksti i
poezive është i përshkruar nga një farë shqetësimi që na jep rrëfimin e shqetësuar
për kohën kur janë shkruar, dhe situatën që ka mbretëruar në atë kohë në vendin
tonë.
Poeti, në
poezitë e tij godet në revoltën, me ironinë dhe sarkazmin, që e gjejmë në kohën
ekzistuese, në kohën e pakohë. Rrëfimi i tij nuk mbyllet, ai është i pa kufi,
ka mbetur i hapur. Nga shkaku i veprimtarisë atdhetare, përndjekjes dhe
vuajtjes së dënimit nga pushtuesi sllav, sa i përket veprimtarisë letrare,
megjithatë, e arriti hapin e kohës, duke na lënë krijime të tij. Ai në mënyrë intensive
me veprimtari artistike u mor që në vitet tetëdhjeta. Ashtu siç vinte papritur
në çdo vend dhe kohë ku e kërkonte çështja atdhetare, ashtu erdhën edhe poezitë
e tij tek lexuesit, poezi këto që i kishte ruajtur nga të bijat Shqipëroja dhe
Albadetja.
Në poezitë
e tij, në përgjithësi, Shala shquhet për intuitë të veçantë krijuese, imtonim të
theksuar lirik, të thurura përmes një shprehjeje të kursyer lakonike.
Andaj,
konteksti i tij lirik e lakonik zgjon asociacione të ndryshme kuptimore-metaforike,
gjithnjë më të thelluar. Poenta kryesore e mesazhit poetik të autorit, apo
parimi bazë krijues i tij, është lidhja e fortë emocionuese me atdheun, kohën
dhe realitetin.
Si pjesëmarrës
aktiv i lëvizjes çlirimtare, që e vuajti më lëkurë, në poezi autori e shpreh
dramën kombëtare nëpër shtrëngata shekujsh, ku shfletohet historia e këtij
trualli etnik dhe stuhia e saj simbolike. Ejup Shalën e lexojmë në tërë këtë rrugëtim
ëndrrash të guximshme si një dëshmi të gjallë mes vargut, ritmit, jetës dhe tërë
asaj që ai lë pas për brezat në varg dhe në rreshta. Ai e njeh mirë tërë kompleksin
e së mirës dhe po ashtu tërë konvencionin e së keqes. Ai na la vargjet
kuptimplote për kohërat në të cilat jetoi ai dhe nëpër të cilat kaloi vendi ynë.
Kur flasim për poezinë në kuptimin letrar dhe prurjet e një krijuesi, mjaftueshëm
përpos shijes së fjalës artistike, pa dyshim dhe vlerave estetike, duke e vlerësuar
vargun si “magji” në hapësirën kohore gjejmë atë çka quhet brenda frymës
poetike - artin e fjalës.
Poeti
Shala sjell botën e tij shpirtërore, në të cilën përshkohet Uni poetik nëpërmjet
figurave artistike, si: krahasimet, metaforat, që prekin emocionet njerëzore në
vargje pakufi.
Ndërmjet
jetës dhe artit të fjalës, autori qëmton të dukshmen apo të padukshmen në realitetin
që zbulon kahun artistik drejt së bukurës.
Sakrifica
për liri, lufta për të fituar atë, për shumë trima, martirë, e heronj kurrë nuk
ka pasur hezitim. Madje, shumica e tyre as që e kanë matur jetën e tyre me
ndonjë çmim për ta fituar lirinë dhe ata janë flijuar, janë shkalitur, janë përflakur,
janë përjetësuar dhe jetojnë ende në vargjet, këngët dhe krijimet artistike në vargje,
piktura e skulptura, këngë, melodi... Atyre u ka kënduar edhe Ejup Shala që më vonë
është bërë edhe ai pjesë e tyre.
Vargjet
poetike të Ejup Shalës janë të pavdekshme e më jetëgjatësi, personifikim i përjetësisë
së tyre, mu ashtu sikurse lapidarët, bustet dhe përmendoret e larta të dëshmorëve
dhe martirëve të Kosovës.