| E shtune, 23.06.2012, 04:27 PM |
Analizë libri
Sejdi BERISHA:
MADHËSHTIA E VARGUT PËR TOKËN PLOTË VARRE KU MADHËSHTIA E VENDLINDJES ZË VEND!
(Dibran Fylli: “1365 ditët e palirisë”, poezi-botoi LSHK, 2012)
Poetët,
të cilët pjesë të jetës, të gjakut dhe të dashurisë e të etjes e kanë luftën për
liri, ata vargun e kanë këngë madhështie, me të cilën, sado mirë që e këndojnë,
ata prapëseprapë mbeten të etur për të thënë e për të rrëfyer edhe diçka, dhe
atë, duke filluar nga vetvetja e deri tek rrugëtimi nëpër zjarr që ka lënë
gjurmë për të thënë shumë, për t’u mburrur e për t’u kritikuar. Kjo ngase, toka
e lagur me gjak ka shumë këngë, rrëfime e ngjarje të pathëna, mbase pra edhe të
pa kënduara.
Për këtë, “1365 ditët e jolirisë” të Dibran Fyllit, nuk janë rrëfim vetëm për këtë periudhë zjarri, ëndrrash, dhembjesh e krenarish por janë edhe rrëfime llahtarie. Andaj, çdo varg i shkruar nga lufta e për luftën, e ka vulën e ndijimit të veçantë e specifike, që poezinë e shndërron në histori mbase edhe në baladë. Këtu qëndron edhe pesha e vargëzimit të D. Fyllit, i cili një kohë të gjatë ka hezituar që këto poezi e vargje t’i kapërthejë e përjetësojë në libër. Dhe, mirë ka bërë që vargun e vetë të përplasur në luftë e nëpër kazamate, tash ta lëshojë të ecën botërisht e të jehojë kudo e tek secili lexues. Kështu, atëherë vargu lirohet edhe nga “prangat” e autorit dhe anasjelltas.
Ligjërimi poetik dhe fuqia e tij kur liria i ngjanë prangave…!
Kur
libri me poezi fillon me faqe ditari, atëherë kënga dhe vargëzimi shndërrohet
në rrëfim e histori, e cila pastaj, tërë kohën e ngacmon lexuesin për të ecur
krah për krah me përjetimet e poetit, i cili mbi vete ka të ngarkuar “lirinë”
bashkë me almiset përcjellëse, dhe se, autori fillimisht, thekson: “…askujt nuk
ia dëshiroj vuajtjet e mia,
çlirimtarëve, hiç se hiç…”!
Duke
u përplasur ai me situata të ndryshme mbase edhe shpirtërore, vargu i tij merr
terrnak dhe nganjëherë e zhvesh autorin
nga vetvetja, sepse, në gjendje të tillë, asgjë nuk ka kuptim kur liria i
ngjanë prangave. Kjo, ngase, përmes vargut, ai edhe “humb” besimin në çdo gjë,
sepse,: “…prej t’gjithave jam bërë të vjellë”!
Kjo
formë e këndimit, poetin e bën pasqyrë të situatës aktuale në të cilën gjendet,
kështu që, përmes vargjeve mbërthehen e tingëllojnë mesazhet karakteristike e
qortuese. Për këtë, ai, i trembur nga ecjet, nuk heziton që në shenjë revolte
të ligjërojë gjithnjë plotë pezëm: “S’e dua as lirinë e këtij shekulli…/I dua
foshnjat ylberore/që lindin në këtë shekull…”!
Me
këtë, poeti, sikur do të na thotë se gjeneratat e reja dhe ato të tjera që do
vijnë, do ta shërojnë e stolisin lirinë e lënduar dhe të plagosur në mënyra e
forma të ndryshme. Dhe, duke na rrëfyer për jetën e rendë prapa grilave, D.
Fylli, përmes vargut hapë zemrën dhe shpirtin, por shpalos edhe ëndrrat që
qojnë peshë në “netët e gjata/pa qetësi”. Por në 1365 ditët, gjithnjë
ngushëllohet dhe trimërohet me gjuhën e nënës: “Ti më drejton udhëve të mia/në
kulla burrash/…me Ty/se lë anash as dashurinë/…me Ty/jam ai që jam kudo/e flas
shqip”.
Errësira
në pikë dite, njeriun, pra edhe poetin e bën flakë, e bën pezëm, por e
shndërron edhe në pritje, e cila i ngjanë ëndrrës që do bëhet realitet: “…po
pres/e do pres sa të jem/për dashurinë e Alpeve të lashta Shqiptare/Qyqevicës,
Tomorrit e Pashtrikut/pres një zë kushtrimtar/zë që m’pushton e m’pushton
shpirtin/po pres se s’bën ndryshe…”!
Kështu
qëndron e bëhet fortifikatë durimi e qëndrese, sepse, ai e di vetë, se: “…malet
thërrasin/e bjeshkët/përshëndeten me detin/e shushurimat e lumenjve/zogjtë e
lirisë këndojnë”. Luftëtari, pra edhe poeti, e ruan tharmin më të mirë, për ta
mbrumur këngën e rrallë që i ngjanë dritës së diellit dhe gjuhës së historisë:
“…tokë e harruar/pos gjithë të ligave/…besnikërisht/ruan eshtrat e
heronjtë/roje i ke/Ademin e Hamzën/me Kapuçin e Sandokanin/në Kullën e Plakut
Shaban/…të gatshëm/zgjuar po rrinë/e po presin/bjeshkët e mbushura me lule”.
Këto
dhe shumë vargje të tjera, autori i rreshton si fjalë burrash, si histori
djepi, që ka rritë e do të rritë njerëzit e lirisë e të paqes, dhe se ai që
është pjesë e madhështisë për liri, na thotë, na këshillon e na qorton me
vargjet, si: “…e nëna/pret në oborr/…nën hijen e blirit/të lashtë sa Kulla/pret
të vetmin djalë/me emrin LIRI”.
Kështu,
gjatë kohës së “1365 ditëve” përplaset me vetveten, me damarët që vrullshëm ia
lëvizin gjakun-prush, por edhe me afshin për dritën dhe diellin që gjenden
jashtë grilave: “…pres ta zë pisk një fije shpresë”.
Poeti
është i çuditshëm. Çfarë nuk i bie ndërmend edhe në dhomën e territ e të
ferrit. Ai, në këtë rast është i madh, sepse këndon edhe për kolegun-poet, i
cili, siç thotë autori, jetën e ka përlarë, sepse kurrë nuk u pajtua me te: ”…o
Zot, ai, poeti/me sy të skuqur/me buzë ironike/e bëri sy më sy/Po-në Jo/…ai
vdiq”!
Nganjëherë, malli, poetit ia ligështon qëndresën, sepse, njeriu i ynë e ka traditë, familjen e ka të shenjtë, e dashuria e sinqeriteti janë ashti e kurrizi i mallit për njeriun, për tokën, atdheun, por, edhe për nënën e motrën, veçmas kur gjendet dhe jeton prapa derës pa rezë as pa çelës, dhe atje ku muret e dhomave janë plotë kujtime të shkruara nga një gjysmë lapsi me frymën, shkronjat, me gjuhën dhe me mallin e radhitur e të shkruar shqip: “Sot, një shqipe mali mbi kala/Motra me zë të shterur, po thërret, o vëlla!/Loti i nënlokës, si gur xhevahiri/trimi zëpatrembur/dredhë mustakun qiellit/Sot, as drejtësia s’e njeh fjalën liri/Borxhin e atdheut, secili, duhet kthy!”. Një ligjërim i kësaj fryme pothuaj se është në shumë poezi, si një refleksion për begatimin dhe forcimin e ndërgjegjes dhe të vetëdijesimit jo vetëm individual.
Shenjtëria e luftës dhe këndimi poetik për shtigjet e jetës dhe periudhat kohore
Në
librin “1365 ditët e jolirisë”, autori me vargje i ka kompozuar edhe recitalet,
siç thotë ai, në “trio”, të cilat e fuqizojnë edhe më shumë mesazhin e vargut
dhe të këndimit poetik, në të cilat recitale, edhe aty hasim zërin, mesazhin
dhe metaforën për shenjtërinë e luftës për liri, i cili, në mes tjerash thotë
edhe këtë: ”T’i largojmë retë e zeza mbi këtë qytet të bukur”. Është kjo një
porosi për ta mundur edhe ligatinën, e cila jo rrallë e ka shoqëruar por e
shoqëron edhe sot njeriun.
Andaj,
recitalet “Porosia e dëshmorëve” dhe ai “Amaneti i Kullës” i ngjajnë si një
rrugëtimi nëpër histori, e që në të njëjtën kohë shpalosin faqe të periudhave
kohore, por edhe sikur na detyrojnë të shkruajmë dhe punojmë përgjegjshëm dhe
kujdesshëm për të kaluarën e sidomos për të sotmen.
Autori,
edhe pse na bëhet se 1365 ditë në burg i konsideron, apo i sheh si kohë të
humbur, një gjë e tillë nuk qëndron dhe se ai përmes vargjeve e thotë të
kundërtën: “…1365 ditë ishin ndodhi” të cilat dikur do të kërkohen dhe do të
hulumtohen e studiohen nëpër shtigjet e jetës dhe nëpër periudhat kohore. Kjo,
ngase ngjarjet në tokën dardane kurrë nuk harrohen por as nuk zvetënohen, siç
është ndër të tjera rasti i Izbicës: “…gjëmët/bëheshin të pandara/me zërin e
fëmijëve shtalbarë/që mbërrin kupën e qiellit/I dhanë dritë lindjes/bashkë me
140 lutje/me aq shpirtra që mbuluan hapësirën pa anë”.
Ecja
kosovare bëhet hartë historie në çdo varg të autorit të kësaj vepre, edhe
atëherë kur: ”pranë portave të bjeshkës/Pashtriku/u bë vendbanim/tokë e mbjellë
me gjak/shtëpi e udhëve pa hënë”. Ndërsa, Dubrava, e cila është sinonim i
çnjerëzores dhe i masakrës, aty “mëngjesi nuk erdhi me dritë”, u shndërrua në
fushë me kufoma, në vend të luleve. Andaj, të gjitha çudirat me të cilat është
përplasur jo vetëm autori i këtij libri, shpesh poetin e kanë sjellë buzë
tragjikës, por megjithatë, ai ligjëron edhe dhembshëm edhe me plotë shpresë:
“…unë e lulja/kemi mbetur jetim”, por lexuesin e mbushë plotë me shpresë e
krenari edhe pse duke na sjellë panorama trishtuese e me elemente pa arritjeje:
“afër një dritareje/me grila të shpeshta/erë çeliku/ngjyrë kafeje të mbytë/zogu
flet/me autorin e veprave të pashkruara…”!
Por, ai, përmes grilave, sikurse e lë vargun të fluturojë dhe të rrugëtojë duke shprehur frikën në trajtë metafore, se: “…edhe zogu/një ditë/në vend të këngës/do të shajë…”.
Edhe në burg, fati i kombit dhe i atdheut sertshëm përvidhet në zërin poetik
Nganjëherë,
në “1365 ditët e jolirisë”, autori sikur bie thellë në depresion, jo vetëm për
fatin e vet, por edhe për fatin e kombit dhe të atdheut përgjithësisht. Megjithatë, ai, prapëseprapë
na reflekton shpresën dhe qëndrimin e pathyeshëm për liri, sepse: “…bukuritë e
bjeshkëve/me freski verore/trimërojnë/mbi natën e gjatë pa gjumë/këngë malesh
më zgjojnë”.
Si
gjithmonë dhe tek secili individ që nganjëherë së tepërmi ngushtohet shpirti,
kjo ndodhë edhe tek autori i këtij libri, jo pse dëshiron të na reflektojë biografinë
e vet, por ngase, gjithnjë ka etje për të rrëfyer dhe për të treguar edhe për
të tjerët, se prapa grilave, jeta dhe njeriu, jo rrallë, janë vetëm kuptim
fjale. Për këtë arsye, nganjëherë vetvetiu vargu rrëshqet apo edhe përvidhet
sertshëm dhe plotë hidhërim: “…zëri përplaset mes korridoreve të
errëta/përqafim nëne dua sot/jetën/ardhmërinë/lirinë mbi të gjitha/dhe prapë
errësira si plaf/mbulon korridoret e ngushta…”!
Të
kësaj natyre janë edhe shumë poezi, gjë që është e kuptueshme ngase kanë “dalë”
nga “1365 ditët e jolirisë”. Sepse, siç thotë poeti: “…aty/në burg/ke kohë të
mendosh, mendja e çlirimtarit shkon edhe përtej botës reale…”. Ndërsa, në këtë
aspekt, rrëfen edhe për madhështinë e luftëtarit, i cili “err e terr ag më ag
rri i zgjuar”. Në këtë aspekt, poeti, përmes vargjeve bën edhe roman për luftën
në Kosovë dhe për të gjitha tronditjet që e kanë shoqëruar, dhe është me
rëndësi se tash, “historia po shkruhet shqip”. Kurse, figura e komandantit
legjendar, Adem Jashari, në vargje përjetësohet, si: “idol/ikonë e i gjallë pa
vdekë/simbol në kulla burrash/ligjërues i përjetësisë/shembull për njerëzimin”.
Vargje të ngjashme u kushton edhe shumë luftëtarëve të lirisë.
D.
Fylli, sikur ka etje për t’i rregulluar dhe për t’i flakëruar binarët e jetës,
sepse, na bën me dije se “Në tokën plot varre/vendlindja ime zë vend”! Dhe,
sërish tregon qëndresën dhe çiltërsinë e tij: “sikur të lind sot/e të vdes
nesër/do të filloja aty/ku kam filluar të jetoj”.
Megjithatë,
poeti gjithnjë është i pezmatuar me realitetin shoqëror, dhe me hidhërim
ligjëron (si me lutje të fshehtë) për ta rregulluar treguesin e orës që dikton
ditën dhe për ta bërë ndërgjegjen pjesë detyrimi të jetës: “sot është si dje/si
pardje/si para një jave/një muaji/një viti…/njëjtë është/si para një shekulli”!
Është ky pra, hidhërim dhe qortim mbase edhe zhgënjim, më të cilat gjëra, edhe
në jetën e përditshme shpeshherë e hasim se poeti me to shoqërohet. Për këtë
arsye, edhe vargëzimi i tillë i ngjanë atij mendimit filozofik të kompozuar me
zgjidhjet deskriptive, veçmas kur thotë: “Ty të dëshiruam pa vuajtje/Vetëm
Ty/AtDhe…”!
Duke
u mbështetur në një vargëzim të tillë dhe karakteristik, libri “1365 ditë e
jolirisë” i Dibran Fyllit, është një vepër si monografi e rrëfimit të sinqertë
shpirtëror, e cila i ngjanë edhe pikturës, edhe hartës, edhe madhështisë dhe
lumturisë, por edhe dhembjes. Kjo vepër e ka mesazhin dhe cilësinë
esteto-letrare dhe peshën historiografike, e cila vetëm sa begaton vlerat
letrare dhe
kulturore kombëtare.