Kulturë
Albana Mëlyshi-Lifschin: Lypsi i Metrosë
E shtune, 23.06.2012, 04:51 PM
Lypsi i
Metrosë
-Tregim-
Nga Albana Mëlyshi-Lifschin
Qe buzëmbrëmje
koha kur trenat mbingarkohen me pasagjerë të lodhur që kthehen nga puna. Në vagonin
e dytë hyri një zezak i gjatë rreth të 30-ve i cili pasi kërkoi vemendjen e
pasagjerëve, filloi:
“Mua më quajnë
Xhon List. Kohët e fundit humba punën. Edhe gruaja ime gjithashtu. Bashkë me
punën humbëm edhe shtëpinë të cilën nuk kemi me se ta paguajme më. Nëse do të kishit
pesë apo dhjetë cent, apo nëse u ndodhet ndonjë sanduiç për të shuar urinë, do
t'u isha mirënjohës”
Lypsi i
ra vagonit poshtë e lart. Prej reth dyzet pasagjerësh, dy veta futën duart në xhep
e i lëshuan në pëllëmbë disa qindarka. Lypësi shtyu në vagonin lidhës duke
injoruar paralajmërimin që kalimi nga njëri vagon në tjetrit kur treni është në
lëvizje, gjobitet me 100 dollarë.
Mendi s’i
kishte parë kurrë me vëmendje lypsat e sjellshëm të metrosë. Ishte mësuar që kur
hynte në tren të hidhte një vështrim reth e qark për të gjetur ndonjë vend bosh
nga qoshet e nxitohej të mos ia zinte njeri. Ulej dhe hapte gazetën. Ndihesh
mirë që njerin krah e kishte të lirë e nuk ndodhej nën trysnine e dy vetave
ngjeshur në të dy krahët e tij. Urrente çdo lloj ere trupi, djersën apo
parfumin e grave të metrosë. Ishte parfum i lirë me ca aroma të padurushme. U
mbështet në ndenjësen metalike dhe s’i ra ndër mend të hapte gazetën e mëngjesit.
Zakonisht gjysmën e lexonte rrugës për në punë dhe gjysmën tjetër në kthim. Sonte
kjo nuk ndodhi. Gazeta mbeti e palosur brenda në çantën e tij sportive.
Kishte
kaq kohë që ndiqte me ankth shkurtimet që ishin bërë në administratë që kurse
kishte ardhur bosi i ri dhe priste radhën kur t’i jepnin rrogën e fundit. Nga
natyra Mendi qe fjalëpakë e mbante vath në vesh porosinë e të sëmës: Në punë mos
u përzje me njeri, as për mirë as për keq. Për keq të gjen e keqja, për mirë do
kesh xhelozër që do ta vënë lopatën pa ndjerë. Sa më larg vëmëndjes, aq më mirë.
Dhe ai
Treni u
shkund e ngeci në stacion për disa minuta për shkak trafiku. Iu kujtua e shoqja.
Ktheheshin të dy pothuaj në të njëjtën orë nga puna. I pat thënë që kishte
vendosur t’i kërkonte boses shtesë rroge. Betohej se do ta bënte këtë të nesërmen,
e të nesërmen, e të nesërmen , por s'kishte guxuar asnjeherë. Punonte si
bebisitër prej më se një viti. Muajt e fundit kishte filluar edhe të gatuante në
atë shtëpi e s’ishte e drejtë të paguhej njëlloj. Mendi e shikonte të shoqen se
si vinte e vdekur mbrëmjeve e mezi priste të binte në gjumë. Ndonjëherë e zinte
gjumi në divan e ai ngrihej dhe t’i hidhte një batanije krahëve. Belma flinte
ashtu pa u ndjerë deri në mëngjes. Sa e rëndë do të qe t'i thosh se çkishte
ndodhur. E kishte mbajtur për vehte frikën e pushimit që gjashtë muaj për të mos
e shqetësuar. Tani s’kish më ç’fshihte. Si do të bënin vetëm me rrogën e saj?
Ajo mjaftonte vetëm për qeranë e shtëpisë. Të gjitha shpenzimet e jetës së përditshme
i mbulonin me rrogën e tij. Belma qe nikoqire dhe e kishte rregulluar që madje
edhe të hiqte diçka mënjanë.
Ai hyri në
shtëpi me një çehre të prishur. Hyri si në një vend të zbrazët, pa zhurmën e
televizorit dhe pa aromë gjelle. I erdhi mirë që e shoqja s’kishte mbërritur
ende. Sëpaku kishte edhe disa minuta të mblidhte vehten. Kaloi edhe një orë vetëm
me mendimet e tij. Jashtë binte shi i pandërprerë. Kur dëgjoi hapat e saj në korridor
u ngrit ta ndihmonte. Qe bërë ujë. I hoqi pardesynë nga krahët.
- Ç’ndodhi?
Më bëre merak!
- Mos më pyet!
A ka ndonjë çikë kafe të freskët?
Zakonisht
kafen e bënte ajo, por sot Mendi ishte gati të bënte çdo gjë për të. Si do t’i
thosh që e kishin pushuar nga puna? Që e gjithë shtëpia këtej e tutje do mbështetej
mbi krahët e saj? Dhe kushedi për sa kohë...
Ai i
solli kafen në një pjatë të vogël që e përdori si tabaka.
Fytyra e
Belmës u çel.
- Sa i
mire që je! Tha ajo...
Bëri
rrufitjen e parë dhe e vuri filxhanin mbi tavolinë. Po sikur t'i tregonte tani?
- Më së fundi,
ja thashë- foli ajo. I thashë boses sime që kërkoja rritjen e rrogës. Siç e
kishim biseduar bashkë. Në fakt i a kisha thënë që dy javë përpara, por s’të tregova
se ajo më premtoi që do të më jepte përgjigje pasi ta kishin diskutuar me
burrin. Përgjigjen ma dha sot.
Ai po e vështronte
në sy. Asnjë dritë kënaqësie nuk shihte në sytë e të shoqes. Nuk paskan pranuar.
Por fundja punë e madhe! Do bëjmë si do bëjmë.
- Nuk ma
shtoi rrogën.
- Për këtë
behesh merak ti? U nxitua ta ngushëllote ai.
- Më tha
që nuk kishin mundësi të më paguanin më shumë dhe kishin marrë në punë një tjetër
me rrogë 100 dollarë më pak se ç'më jepnin mua. Fillon punë të hënën... Ja kështu.
Tani jemi vetëm me rrogën tënde. Si do t’ja bëjmë?
Mendit iu
kujtua lypsi i sjellshëm i metrosë.
./.
Gusht, 2008