E premte, 26.04.2024, 07:40 AM (GMT+1)

Mendime

Artur Zheji: Little things (Në vend të një komenti)

E enjte, 12.08.2010, 09:01 PM


Little things (Në vend të një komenti)

 

Nga Artur Zheji

 

1. Një tragjedi e tmershme tronditi Shqipërinë para ca ditësh. Një autobus mbushur me udhëtarë të pafat u gremis në Gjegjan të Pukës.

Përpos shpalljes së zisë kombëtare, për të theksuar pjesmarrjen e të gjithëve në këtë dhimbje të madhe, nuk mund të qëndrohet vetëm me kaq.

Tre reffleksione besoj se ja vlen të shtohen në vend të tre trëndafilave, në arkivolin e kësaj tragjedie…

Sëpari rrjeti ynë rrugor është nga pikëpamja e sigurisë një mjerim i paparë. Unë udhëtoj shpesh me makinë nëpër Shqipëri dhe ngado na shoqërojnë si bashkëudhëtare greminat.

Gremina të thella, gremina të cilat po pate fatin e keq të gremisesh në to, nuk ke mbrojtje dhe nuk ke shpëtim.

Duke shkuar këto ditë për të parë fëmijët që pushonin në Sarandë dhe duke patur të freskët pamjet e përgjakura të tragjedisë, te kthesat e Ballshit identifikova me dhjetra pika të pambrojtura fatale. Rruga e ngushtë, me kthesa 180 gradëshe, e cila shpesh bie thikë, dhjetëra në mos qindra metra në greminë, nuk ka asnjë mbrojtje, asnjë gardh dhe asnjë mur. Këtë realitet mund ta ndeshësh edhe gjatë rrugës spektakolare Gjirokastër - Sarandë( përtej Qafës së Muzinës), tejet e rrahur në verë. Të mos flasim pastaj për Qafë Krrabën dhe qafa të tjera malesh, ku rruga dhe gremina ndahen vetëm nga nje vijë horizonti apo ndonjë shkurre e shtrembër.

Nëse mjerisht të shpohet goma, të bllokohet timoni apo je i dehur, je në të njejtën kohë i dënuar me vdekje.

Duke qënë se jam kundër dënimit me vdekje, duke qënë se është e padrejtë të vdesësh thjesht sepse rruga nuk ka gardh, më duket me vend, që krahas Zisë Kombëtare, të shpallet, qoftë edhe si qëmoti, një aksion i madh Kombëtar, për sigurinë rrugore, që të kemi kësisoj, sa më pak qoka mortore.

Sëdyti, refleksion që buron nga i pari, përse ne shqiptarët, nuk kemi dëshirë të merremi dhe me gjëra të vogla, por nga e cila mvaret shpesh jeta jonë? Nuk kemi një shoqatë apo sindikatë serioze shoferësh që të mbrojnë jetën e tyre, nuk kemi një inspektoriat rrugor që të ulurasë për pasigurinë rrënqethëse të rrugëve tona?

Nuk kemi me shumicë politikanë, që t’u dhimbset pylli, lulja, shatërvani, jeta e përditshme dhe e vogël, e “robit”? Dhe për më tepër kur më të shumtit e tyre vijnë nga pylli, zabelet me lule, shatërvanet e natyrës dhe nga familje të varfëra?

Së treti, askush nuk foli sa duhet, se si do të vijojë jeta e jetëimëve të kësaj tragjedie të evitueshme nga një gardh metalik, si do të kurohet dhe mjekohet nga ana sociale dhe njerëzore kjo tragjedi. Ngritëm flamurin në gjysëm shtize dhe kaq? Varrosëm dhe mjekuam energjikisht të mbijetuarit dhe Vetëm Kaq?

Shumë pak, ose aspak për një shoqëri me fytyrë njerëzore.

2. Korfuzi është shumë shumë afër me Sarandën. Shumëkush mund të shkojë vetëm për 30 minuta me motoskaf të shpejtë pasagjerësh.

Këtë vit shkova për herë të parë edhe unë.

Sapo mbrrita dhe shkela në tokë të Kërkyrës më verboi gjelbërimi.

Dikush mund të thotë a të verbon vallë gjelbërimi?

Ja që ndodh kur vjen nga Tirana, i etur për pak bar, lule apo Zot na ruaj ndonjë pemë…

Nuk po flas për ndërtimet dhe rrugët e këndshme të Korfuzit, por për pemët. Sa shumë pemë.

Sa shumë gjëra të vogla në vendin e vet.

Sa ndryshe nga Saranda e sotshme e cila po gjymtohet nga ndërtime betoni që ngulen si dhëmbë të mëdhenj duke shpelluar malin dhe shkëmbin, të cilin më parë e rruajnë pa shkumë nga gjelbërimi dhe pemët.

I njejti det, e njëjta përbërje gjeologjike e tokës, pothuaj i njejti reliev, porse dy realitete krejt të ndryshme.

Të mos i kisha parë ca vite më parë me sytë e mi, pishat dhe gjelbërimin e shumtë të Sarandës, nuk do guxoja të akuzoja askënd, por ja që i kam parë.

Atëhere?

Ky është turizmi që dimë të bëjmë dhe duam të bëjmë?

Beton turizëm?

Të vrasim pishën, të ngrohemi në zhur, të paguajmë shtrenjt vendin dhe cadrën e plazhit batakciut të rradhës që ka pushtuar bregdetin dhe të fusim kokën në apartamente të ngushta me pamje nga betoni dhe pak nga deti.

Dreqi e mori sa gjëra rrinë mbrapsht, ndër ne, sa gjëra të “vogla” në vendin e gabuar.

Mos e thërrasin ndryshe edhe Antikulturë?

3. Ferra e vogël fsheh lepurin e madh. Me ferra të tilla të vogla ja vlen të merresh, sidomos tani në verë kur elefantët e politikës lënë për ca kohë skenën dhe panairin.

- Përse ti mendon se mund të bëhet ky vend (Shqipëria)? - më pyeti dikush duke treguar me dorë Tiranën në pikë të vapës.

- Vrapoj përditë nga Liqeni, përditë dicka që nuk shkon shtohet e shtohet. Ndërtime, rrugica të shqepura, plehra që shtohen, liqeni që mehet, qyeteti i ri që po lind brinjazi me Tiranën.., si quhet? Sharrë? - vazhdoi ai.

- Jo i thashë, Sharra është aty ku varrosesh. Por edhe aty nuk ka më vend për varre. Varrosa xhaxhain para ca javësh.

- Ku e varrose, kur nuk kishte vend? Lodra fjalësh bën ti? - ma ktheu bashkëbiseduesi.

- Në një ish rrugicë që ndante dikur parcelat e varreve. E kishin futur në përdorim edhe atë.

- Tmerr!

- Tmerr!

- Nga kush varet varreza?

- Nuk e di. Apo ndoshta nga Bashkia?

- Ndoshta. Po materniteti?

- Nga Ministria më duket.

- Tmerr!

- Pse? Nuk është edhe aq keq aty, kemi Halim Kosovën.

- Tmerr kur mendon që maternitetin e ka pushteti qëndror kurse varrezat pushteti lokal!

- Po pse tmerr pra?

- Dëgjo, mendo pak, Bashkisë ja kanë bërë me hile. Njeriu lind dhe ikën shpejt nga materniteti, kurse në varrezë shkon dhe ngelesh aty përgjithmonë. Prandaj nëse materniteti ka një numër të caktuar shtetërish, varret e varrezave vetëm shtohen… më kupton? - këmbënguli bashkëbiseduesi.

Unë nga ana tjetër mendoja për Sarandën. Të shkosh aty rezikon kokën nga rrugët e tmerrshme dhe pa gardhe mbrojtëse, pemët i prenë, tani dhe pak do të ndosin edhe ujin. Po u lave në det dhe pive pak ujë apo të kapi ngërci, mbytesh sepse roje bregdetare nuk ke. Po vdiqe duke u gremisur apo duke u mbytur, varr ske se varret u mbaruan…

- Ore mik, meqë nuk ka më varre, si thua pse nuk luftojmë të bëhemi të pavdekshëm? - ja këputi miku sikur tmë kish lexuar mendimet.

- E c’më duhet mua se c’mendoj unë? - kopjova një thënie të Shvejkut dhe u ktheva në anën tjetër.

Ndërkohë filluan në ekran lajmet dhe pashë një deputet me shishe në dorë, ndërsa një tjetër që godiste gardistin. Të tjerët ose qeshnin ose shanin me libër shpie.

- Më duket se ai grumbulli i shtëpive pa lidhje përtej Liqenit, ka ndërmend të shtrihet edhe brenda liqenit, se i ka dalë pronari dhe Liqeni do të thahet.

- Punë e madhe, unë shkoj dhe vrapoj jashtë shtetit, për ca javë do të hiqen edhe vizat - ma ktheu ai.

I pashpresë për të frymëzuar shpirtin civil të shoqëerisë civile, mbolla me përfytyrim një pyll të vogël në mes të Tiranës dhe gjumi më zuri më shpejt se herët e tjera…

 



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora