Kulturë
Jorgo Telo: Kur të trokasësh?!
E hene, 31.05.2010, 05:48 PM
Poemë-satirë
Jorgo TELO
KU TË TROKASESH?!
Të kesh një merak a një brengë,
Të përthahet shpirti,
të bëhet dru.
Pezhishkat e harresës
të sulmojnë pandërprerë;
Ku të trokasësh, ku?
I erdhëm kësaj bote
Vetja për të qenë.
Gjithkush a e gjen veten këtu?
Rrokur prej zemërate
Zemra butake
Kalon në shfrim sakaqherë:
Ku të trokasësh, ku?
Ndodh të mos kesh ujë apo drita;
Mbeturinat
frymën të të zenë…
Të të zërë tmerri gjithashtu.
Të të dalin maskat,
Të të rrokë frika…
Po, ku të trokasësh, ku?
Ndodh të të priten korent e çdo sinjal…
Mbetesh hallakatur
si duduk a si hu.
Vrapon për diku e vrapin e ndal;
Nuk di ku të trokasësh, ku?
Ndodh të mashtrohesh
nga specie pa “cipë”…
Të të shkundin xhepin gjallesa pa tru
Tejet e përzhitur e çartura politikë…
Pra, ku të ankohesh, ku?
Ndodh të jesh ish i ndjekur e përndjekur
I persekutuar në Shtetin pa tru…
Kërkon dëmshpërblimin zëmekur
Po ku të trokasësh, ku?
Ndodh të dëgjosh për buisje rogash e pensionesh
E gëzohesh si foshnjë
si “guguftu…!”
Porse shpejt nga çmimet shpejt thartohesh
Po ku të trokasësh, ku?
Ndodh të na shtohen grabitjet, gjaksitë.
Të kërkohet ryshfeti
Atje – lart, aty - këtu.
“Nëma, se s’ma ke! – pa dert e pa frikë;
Po ku të trokasësh, ku?
Ndodh që të shkelen ligjet dhe përpjetë
Atje ku gatuhen…
Bobooo e bubuu…!
Nën babëzi, djallëzi e marifete
Si manarë po ecim kuturu.
Po ku të trkasësh, ku?
Ndodh të ankohen të rinj e moshatarë
Të çdo ngjyre dhe rozë apo blu.
S’kanë strehë të gdhihen
a s’kanë ç’të hanë;
Po ku të trokasin, ku?
Ndodh që të endesh për një firmë e vulë
E gjaku të të ndizet në tru.
Vendos që të drejtën
të mos e kërkosh kurrë,
Se s’ke ku të trokasësh… ku?
Ndodh të të digjet gjithçkaja prej vapës
Prej përmbytjesh të mbetesh kërcu.
Mundet të rrekesh e gojën ta hapësh;
Po ku të trokasësh, ku?
Ndodh të mbetesh rrugëve i papunë
dhe të kesh diplomë e dituri.
Titullari e do “bakshishin” – ehuuu!
Mjerë unë e mjerë ti…!
E ku të trokasësh, ku?
Kur shpirti të vete në majë të hundës
Kërkon të trokasësh diku…
Kërcet pistoleta në mës të turmës,
Po ku mund të mbrohesh, ku?
E nis, o mik, me kryeplakun,
Endesh lart’ e poshtë e tutje e tëhu
E nis me këshillë komune e bashki,
Vijon te Prefektura e te Qarku
Përgjërohesh, kërkon hakun
E prapë mbetesh po ai…!
Kërkon të trokasësh diku…!
Po…ku?
xxx
Demokracinë për dore kap atëhere
E troket serbes në Kryeministri.
Nuk sheh që jashtë saj ka potere?
Ah, ç’ditë paske zgjedhur dhe ti!
“Demokracinë” e përfshin për qafe
Kërkon që të hysh dhe në Kuvend.
Po na kaurdiske, o mik, gafë pas gafe.
Bojkoti Kuvendin po e çmend….!
Mbushesh frymë të shkosh në Presidencë
E shprehjet i përzgjedh siç di ti.
Si harrove që parvjet, vjet e sivjet
Presidentit s’po i shkrep, siç di Ai?
Shkon troket te rivalët e pushtetit.
E prit e hiç, e prapë pret…
Ende nuk e ditke, o hallemadh shkreti,
Gjithkush ka etje për pushtet…!
Ndërkombëtarët – të lodhur gjer në grykë;
Kujt t’ia ndreqin e kujt t’ia prishin këtu?
“Bosh – e bosh” e “Pak nga pak” përditë…
Pa e ditur kuturu...
Po sa do ecet kështu…!?
Troket së fundmi si dhe qëmoti
Ku ke më shpresë, në Portë të Zotit.
Po Zotin e gjen të hutuar.
Ai me ngrohtësi të fshin faqesh lotin:
Dashurisht të thotë:
“Ende, o bir, këtë çudibotë
prej gjaku e loti
Djalli e ka në duar!”