E shtune, 27.04.2024, 08:50 AM (GMT+1)

Kulturë

Arbën Xhaferi: Vita Activa

E diele, 30.05.2010, 07:19 PM


VITA ACTIVA

 

Nga Arbën XHAFERI

 

Është punë shumë delikate të shkruash biografinë e një personaliteti, veçmas atë politike, ngaqë në këtë fushë, si askund tjetër zhvillohet beteja me oponentët me tërë qenien e njeriut, intelektin, moralin, dinakërinë, hipokrizinë, vizionin e tij, vendosmërinë, kapacitetin për vendimmarrje, paragjykimet, egon dhe superegon e tij. Në veprimtarinë politike ndikojnë shumë faktorë, shpeshherë edhe irracionalë që vështirë dekodohen.

 

Librat e kësaj natyre në radhë të parë flasin për personalitetin, jeta dhe veprimtaria e të cilit është bosht i librit, pastaj për shoqërinë ku zhvillohet veprimtaria e tij, për rrethanat politiko-shoqërore si dhe për motivet e autorit të librit.

 

Z. Shkëlzen Gashi me këtë libër, me këtë biografi politike të figurës emblematike të lëvizjes politike shqiptare në Jugosllavi, z. Adem Demaçit, dëshmon jo vetëm mahnitjen e tij me fenomenin, që shumë autorë e krahasojnë me atë të Mendelës, por edhe ofron informacione të sistemuara për një periudhë dramatike të historisë së popullit shqiptar.

 

Duke lexuar librin konstatohet lehtë se autori e ka ruajtur distancën ndaj emocioneve që shumica e shqiptarëve kanë ndaj figurës prometheike të z. Demaçi, të sfiduesit të rendit të ri shoqëror të sllavëve të jugut që i përthante kapacitetet e shqiptarëve. Autori, me këtë libër informon deri në detaje për jetën dhe veprimtarinë e z. Demaçi, por nuk komenton. Këtë kënaqësi ia lë lexuesit.

 

Libri kushtuar biografisë politike të z.Demaçi në vete ngërthen shumë informata, të renditura kronologjikisht dhe të përkufizuara politikisht, kështu që shërben si libër bazë jo vetëm për njoftim me biografinë e këtij tribuni që shërbente si pishtar për orientim të saktë politik për shqiptarët në terrin jugosllav, por edhe për shoqërinë shqiptare, për vitalitetin e një populli që u bë kafshatë e pakapërdishme për hegjemonizmin serb. Rrëfimi për jetën dhe angazhimin politik të Demaçit është në fakt rrëfimi për veten tonë, për segmentin më fisnik të qenies sonë.

 

Fragmente të një përvoje sublime politike demaçiane, me siguri do të gjejë në vete dhe në rrëfimet familiare çdo lexues, por tërësia i takon vetëm atij, theomahut shqiptar që jetonte jetën sipas idealeve që vetë i krijoi. Në këtë pikë dallon politika e Demaçit nga ajo, jo vetëm e politikanëve të tjerë shqiptarë, por në përgjithësi. Derisa politikanët e tjerë vizionet, idealet politike ofronin të tjerëve për realizim, z.Demaçi i mishëronte në vete, në jetën e tij, e cila u shndërrua në një sagë të Vetë Mohimit, ashtu si titullohet edhe një roman i tij.

 

Filozofja gjermane me prejardhje hebraike, Hana Arend e përkufizon politikën si veprimtari e njerëzve të lirë, si Vita Activa, një angazhim aktiv i vazhdueshëm. Ky përkufizim i politikës plotësisht e shpjegon jetën dhe angazhimin politik të z. Demaçi. Nocionin njeri i lirë duhet kuptuar si liri prej çdo interesi. Duke lexuar librin për biografinë politike të z. Demaçi gjen argumente për këtë konstatim. Ai së pari e liron politikën nga vetja, nga interesi i tij vetjak, jo vetëm në kuptimin material, por shumë më thellë, në atë jetësor. Për ta mundur frikën, për të qenë sa më i lirë në vendimet e tija politike, ai kupton si rrallë kush, se, për të zhvilluar një politikë koherente duhet ta suspendohet vetja, të lirohet nga frika e vdekjes. Pas arriti ta "vrasë"instinktin për jetë, përkatësisht autoritetin e pakontestueshëm, Jetën, frikën nga vdekja, ai arriti të suspendojë çdo autoritet, qoftë ai konkretisht kërcënues, kriminal apo në trajtën e autoritetit moral. Ai, gjatë tërë jetës së tij vetëmohuese, disa herë i theu barrierat mentale të vendosura në qenien njerëzore nga frika e vdekjes, qoftë në ballafaqim me gjykatësit, me bandat paramilitare, ose gjatë bombardimeve të NATO-s kur e sfidonte kërcënimin me vdekje. Këtë ai e bënte pa shtërzime, me një qetësi, urtësi tipike shenjtorësh. Në ato ditë të vështira dhe të rrezikshme, njeriu që e jetonte idealin e vet, refuzoi ofertën që të largohet nga Kosova, ose të ikë në zona më të sigurta dhe i dha detyrë vetes që dy herë në ditë të dalë të shëtitë në rrugët e Prishtinës. Ai këtë e bënte për të dëshmuar se liria buron në qenien njeriut dhe jo nga autoriteti i jashtëm, ashtu si edhe morali.

 

Vetëm njeriu i lirë(nga vetja) mund të shkojë deri në fund, vetëm ata që shkojnë deri në fund hapin shtigje të reja për realizim të idealeve për barazi dhe jetë dinjitoze. Këtë gatishmëri për të shkuar deri në fund, në planin ideologjik e përuroi z. Demaçi, ndërkaq në plane të tjera e vazhduan theomahët e tjerë në krye me Adem Jasharin: dy Aadiema, dy të parët të historisë moderne shqiptare. Vendosmëria për të shkuar deri në fund ishte mënyra e vetme e testimit të kapacitetit të regjimit të okupatorit, i cili me vrasje të pakontrolluara vendoste frikën në vetëdijen e njerëzve të rëndomtë që bënin çmos për të mbijetuar. Këtë test, si dihet, regjimi i degjeneruar militarist i Millosheviqit nuk e kaloi.

 

Pasi e liroi politikën nga vetja, z. Demaçi e liroi atë edhe nga familja e tij, që detyrimisht bëhej peng i politikës së tij. Në këtë mënyrë ai u bë i pashantazhueshëm nga të gjithë, i lirë nga çdo autoritet dhe i gatshëm që të ballafaqohet me çdo problem. Hetuesve dhe gjykatësve që i bënin pyetje banale lidhur me shpërndarjen e trakteve ai përgjigjej duke hapur temën e vërtetë, aneksimin, okupimin e Kosovës. Këtë e bënte në të gjitha periudhat e historisë së Jugosllavisë së dytë, pa marrë parasysh nivelin e trysnisë si dhe moshën e tij. Edhe kur ishte i ri, i panjohur edhe kur u bë i njohur, ligjërimi politik i tij ishte i njëjtë: viset shqiptare në Jugosllavi duhet t'i takojnë Shqipërisë.

 

Suspenduesi i vetvetes, Vet Mohimi, moralisht fitoi të drejtën për kontestim edhe të opsioneve të ndërkombëtarëve që i ndihmonin çështjes shqiptare. Këtu nuk duhet të krijohet konfuzion. Për të nuk ekzistonte asnjë autoritet, as jeta, pos lirisë së kombit. Ai ishte thellësisht i bindur se Kosova dhe viset tjera të Jugosllavisë, të banuara me shqiptarë, është e okupuar, se kryengritësit nuk mund të jenë në asnjë variant terroristë dhe se çlirimi i plotë i Kosovës nuk ka alternativë. Pikërisht për këto bindje, ideale ai e nxori në rrah të goditjeve serbe jetën dhe lirinë e tij, mirëqenien e familjes së tij. Ai kështu kaloi 28 vjet në burg real, në kushte të rënda, duke e bindur veten dhe të tjerët se ideja e çlirimit është e mundshme. Tani, kur më në fund u hap kjo çështje, diplomatët, sado qofshin miq, kërkonin nga ai të pamundurën: ta mohojë atë për çka ai vuri peng jetën dhe lirinë e tij. Ai hyri në këtë fushë të veprimit që të mos bëjë kompromise . Këtë e bënin të tjerët më mirë se ai, gjatë gjithë jetës së tij. Ishin të palogjikshme kërkesat që edhe ai të rreshtohet në këtë listë, aq më parë nëse merret parasysh se pakënaqësinë e tij e shfaqte me mjete demokratike, në mënyrë transparente dhe qytetëruese.

 

Politika e kuptuar si vita acktiva, e shtynte atë që gjithmonë të ndërmarrë iniciativa, duke e vënë veten në pozita antagoniste me klasën politike që tregonte shenja të molisjes, të frikës, të defetizmit, të humbjes së motivacionit. Këtë e bënte me devocion dhe pa motive hakmarrëse. Ai, politikën e vet arriti ta lirojë edhe nga urrejtja, nga hakmarrja. Këtë e dëshmonte si në raport me ish kundërshtarët e tij politikë, që mbase kishin gisht në burgosjet e tija, ashtu edhe në raport me shkaktarin kryesor të katandisjes së tij dhe të popullit shqiptar, serbët. Në momentin e antagonizmave më të thella shqiptaro-serbe, kur urrejtja ndër-etnike pat marrë përmasa patologjike, ai i quante "vëllezër". Këtë nuk e bënte me cinizëm, por me një ndjenjë humaniste, tipike për ata që janë burrëruar, që e mbrojnë tjetrin nga vetja. Popujt që i zbulojnë dhe jetojnë me këto vlera, lehtë gjejnë emër për këto virtyte. Nocioni burrë, pothuajse nuk ekziston në gjuhët e popujve të tjerë të botës.

 

Biografia politike e z. Demaçi njëherësh është edhe rrëfim për popullin shqiptar, për misterin e mbijetesës së një populli që, sipas konstelacionit të forcave ka qenë i destinuar për zhdukje.

 

Ai lindi në një familje me halle të mëdha, që ka përjetuar tmerret e politikës ekspansioniste serbe, në një familje të braktisur edhe nga vetë zoti. Janë rrëqethëse rrëfimet e nënës së tij për vrasjen e xhaxhallarëve të saj, për gatishmërinë e shpërnguljes në Turqi, për vizitat në burgjet jugosllave për ta parë djalin e saj, i cili, në momentet kur mendohej se populli shqiptar ishte përfundimisht i gjunjëzuar, dërgonte mesazhe se kapitulli i historisë nuk është mbyllur, se ai, bir i një familjeje të plandosur nga barra, padrejtësitë e jetës, sapo ka nisur ta hapë kapitullin e ri historik, atë të kontestimit të Jugosllavisë, përkatësisht të një politike globale që e ringjalli këtë krijesë artificiale, e destinuar për shpërbërja që nga fillimi i formimit të saj. Por, dalja në skenë të theomahëve të këtij formati nuk mund të jenë rastësi, por janë farkuar në mikrostruktura morale që me shekuj kanë mbajtur gjallë dinjitetin e njeriut tonë, në kushte tejet të rënda. Kërkesës se Demaçit që nëna e tij të mos vijë në gjykim dhe në vizita, ngaqë do të mërzitet, ajo përgjigjet: "Edhe në konop me të qitë, nana nuk jep pesë para".

 

Shqiptarët që qenë të detyruar të pranojnë sundimin e huaj në territoret e tyre nuk kishin asnjë kapacitet tjetër për kundërvënie, pos atij moral. Simbol i këtij kursi politik, që nuk frikësohej nga asnjë variant i kërcënimit ishte Adem Demaçi. Është vështirë të shpjegohet forca morale i një të riu që në periudhën më të errët të komunizmit, në vitet e 50-ta, kur shpërngulja e shqiptarëve në Turqi kishte marrë hov, kur për Kosovën pak kush dinte se ku gjendet, kur depresioni kishte depërtuar në çdo shtëpi, në atë terr të plotë, në ato qeli të ftohta, në duart e hetuesve të egër, me zjarr rinor e mbarështonte doktrinën e anatemuar për krijimin e shtetit etnik të shqiptarëve.

 

Morali dhe e drejta shpeshherë arrijnë të ngadhënjejnë mbi makinerinë represive, që i shkel të drejtat e njeriut. Elita politike dhe intelektuale serbe sot e kësaj dite nuk arrin të kuptojë se ç'ndodhi me ta, si u përmbysën planet e tyre, si erdhën në pozita antagoniste me Evropën, me SHBA-të. Njëri prej tyre shkakun e gjen pikërisht te faktori moral: " Evropa di fare mirë se të gjithë shqiptarët e Kosovës janë të gatshëm të vdesin për Kosovën si dhe të gjithë serbët, të Kosovës dhe gjetiu nuk janë të gatshëm të vdesin për të".

 

Leximi i biografisë politike të Z. Adem Demaçit na kthen në një periudhë kohore të zymtë, të hirtë, të pa shpresë që do të donim sa më parë të harronim. Por, nuk duhet harruar faktin se burgosjet e tija ishin në korrelacion të drejtpërdrejtë me kauzën shqiptare. Hyrja e tij në agjendat e organizatave ndërkombëtare për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të njeriut, njëherësh ishte edhe afirmim i çështjes së Kosovës në forumet, institucionet ndërkombëtare. Pa vendosmëri për të shkuar deri në fund, këto procese nuk do të zhvilloheshin. Adem Demaçi e kishte atë.

 



(Vota: 3 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora