E hene, 29.04.2024, 12:38 AM (GMT+1)

Kulturë

Pal Ndrecaj: Shkrimi shqip në SHBA dhe gjasat e tij

E shtune, 29.05.2010, 07:58 PM


SHKRIMI SHQIP NË SHBA DHE GJASAT E TIJ

 

Nga Pal Ndrecaj

 

Konkursi letrar 2010 dëshmoi për disa zhvillime në fushën e shkrimit shqip në SHBA, të cilat do të mund të cilësohen si zhvillime kuantitave (numri i librave që botohen është në një rritje të paimagjinueshme) dhe kualitative, në raste paksa më të rralla. Konkurrenca në këtë konkurs tregoi  se në SHBA shkrimi shqip, ndonëse i provuar edhe në gjinitë tjera letrare, gjasat paksa më të mira vazhdon t`i ketë në gjininë e poezisë (mbasi që në konkurrencën në prozë nuk ishin përfshirë dy prozatorët e njohur shqiptarë, Pëllumb Kulla dhe Ramiz Gjini). Në zhanrin e poezisë konkurruan disa autore, me gjithsejt 10 vellime poetike.

Disa nga krijimet poetike dëshmojnë për një tendencë ngritjeje kualitative te poezise shqipe në SHBA dhe të një pjekurie të ngadalshme, por jo të pashpresë. Këtë konstatim e mbështes në temat e reja që trajtojnë ato krijiime, si përpjekje për të thënë diçka që nuk është thënë, si dhe në mënyrën  e të shprehurit, duke përfshirë leksikun poetik, stilin, figuracionin, etj, pra intenca për të thënë ndryshe nga ç`është thënë. Dallohen individualiete në formim e sipër dhe një origjinalitet  po ashtu në shpërthim. Kjo edhe është intencë e poezisë së njëmendtë, sepse, nëse në fushat tjera mund të dukesh me shumë apo më pak i ngjajshëm me tjetrin, fusha e artit nuk e duron këtë gjë. Ngjajshmëritë në arte janë armiku me i madh i autorëve. Kjo sëmundje e ka karakterizuar poezinë tonë në vite. Në Kosovë, psh., dhjetra poetë jane munduar e mundohen ende të duken si Ali Podrimja, si Din Mehmeti, bile-bile, ndonëse është punë fare e pamundshme, kanë provuar të duken edhe si Azem Shkreli, i cili është krejtësisht i pamundshëm për çfarëdo “klonimi” poetik; në Shqipëri janë munduar të duken si Kadare, Agolli, Arapi, etj. Mirëpo, ishte një kohë kur u provua të shkruhet edhe ndryshe nga ta. Në Kosovë kjo intencë u paraqit në vitet 70, me Eqrem Bashën, Sabri Hamitin, Nebih Muriqin, e ndonjë tjetër. Ndonëse shumica e krijimeve të asaj kohe ngelën thjesht si eksperiment poetik i një poetizimi ndryshe, ndoshta mund të thuhet se mu aty zë fill metoda poetike qe sot quhet postmoderne.

Perderisa tek një  pjesë e krijimeve në poezi, të cilat kam pasur rastin t`i ndesh ne faqet e shtypit apo  ne libra te veçante këtu, në SHBA, domijonë pothuajse dy tema kryesore: tema e mërgimit dhe ajo e ashtuquajtura patriotike, në shumicën e librave poetikë që ishin në konkurrencë këtë vit poezia duket sikur universalizon sensin poetik, zgjeron kufijt e dialogimit, formëson më mirë mesazhin   dhe çliron arsenalin leksikor. Në librat më të realizuar në këtë konkurrencë preken tema nga jeta, nga filozofia dhe nga përvojat personale, të cilat sublimohen, në rastet më të suksesshme me një gjuhë që është pothuajse ekuivalente me atë të komunikimit të përditshëm, duke thyer monotinë e shprehjes së uniformuar e standarde dhe të përdorimit të figurës poetike si qëllim në vete. Në këtë mes do të përmendja  krijuesin me perspektivë Lekë Gjoka, i cili provon t`i poetizojë fenomenet në mënyrë aq të natyrshme. Pastaj, krijuesin Agron Sela, vargu i të cilit shquhet për shprehjen eliptike, fjalorin e kursyer dhe mendimin herë-herë mjaft të ngjeshur. Vargje interesante duken edhe ato që i krijon Rajmonda Moisiu, të cilat mes një surrealizmi dhe moderniteti ringrisin botën e dashurisë si botën e preferuar për strehimin e preokupimeve të saja poetike. Interesantë vijnë edhe persiatjet poetike të Ndue Hilës e të Kozeta Zylos, sikurse edhe ato të Mëhill Velajt e Kostaq Dukës. Mirëpo, të gjithë këta krijues duke qenë në një fazë ndërmjet entuziazmit të të qenit poetë dhe formimit letrar që akoma ndjen nevojën e një mentori, duhet të kalojnë këtë filtër, në mënyrë që vepra e tyre të marrë peshë serioze.

Në gjithë këtë konkurrencë në fushën e poezisë, dy zërat më të veçantë më janë dukur poetesha e re dhe mjaft e talentuar, Aulona Goxha, dhe poeti Ilir Lazim Spata. Këta dy krijues përfaqësojnë dy metoda krejtësisht të ndryshme shkrimi: e para, Aulona Goxha, ndjek rrugën e vargëzimit modern me premisa te theksuara që karakterizojne shkollën që cilësohet nga emërtimi “post”, duke kultivuar tipin e lirikës refleksive, filozofike e intime, ndërsa i dyti, Ilir Lazim Spata ndjek një rrugë të trasuar dekada me parë, natyrisht, me sukses, nga pararendesit e brezave tanë, si De Rada, Koliqi e Fishta: pra, rrugën e epikës heroike e legjendare. Këta dy krijues, që i lash qëllimisht t`i përmend në fund, shënojnë kohën tonë krijuese në SHBA me të veçantat e saj. Forma e poetizimit të Ilir Spatës i përket një shkolle poetike që si metodologji duket se e ka përmbyllur rugën e vet. Mirëpo, meqë në fushën e artit thyerja e “rregullave” nuk është e dënueshme, por, pikërisht ky guxim për të dalë jasht  “rregullave” që krijojnë traditat, shkollat a teoritë, unë guximin e mjeshtrit të njëmendtë të  epikës, Ilir Spatës, për t`iu kthyer kësaj forme shkrimi e quaj një lloj rebelimi poetic, për të mos thënë disidencë poetike. Spata provoi këtë gjë dhe na solli këtë epikë të re, këtë epikë interesante e të fuqishme, të thurur me një gjuhë të pasur e imagjinatë të përkryer, që i mundëson atij të kriijojë skena të gjalla në të cilat i vendos personazhet e veprës së vet, të cilët veprojnë, jo thjesht si përfaqësues të një mënyre gjallimi të perënduar, por edhe si  heronj, këmbët e të cilëve duket sikur prekin edhe kufijt e kohës sonë moderne.

Në konkurrencën e mbrëtëreshës së të bukurës juria u përcaktua për një poete të njohur në komunitetin tonë, e kjo është Iliriana Sulkuqi. Poezia e Ilirianës është një gatim ndërmjet frymëzimeve poetike që karakterizojnë poezine tonë të viteve 30 dhe frymezimeve të kohës së konsolidimit të modernes.

Shpërblimet janë përherë të diskutueshme, për aq sa në vendimet e jurive janë të pashmangshme trysnia e formimit, e shijes dhe emocioneve.

 

PROZA

 

Në fushën e prozës patëm, poashtu, disa përpjekje, që u desh të merren në konsideratë. Përderisa tregimi duket se ka me shumë gjasa për t`u lëruar, romani, me keqardhje, duhet thënë se ishte më tepër një dëshprim… një dëshprim i thellë. Në një kohë kur romani ynë është zhvilluar shumë, me gjeneratën e shkrimtarëve të prirë nga Agron Tufa, disa nga konkurrentet duket se as nuk kanë lexuar ndonjëherë roman. Ata mendojnë se roman është rrëfimi i një ngjarje të rëndomtë që përfshin disa vetje, të parealizuara aspak si personazhe letrare, ndonjë moment historik a aktual, pa kurrfarë funksioni tematik a motivor.  Këto “romane” gjithsesi të paformuara, provojnë të thurin ndonjë ngjarje që në asnjë mënyrë nuk rrumbullakohet as si subjekt për një vepër letrare. Mirëpo, një dalje nga ky dëshpërim ishte romani “Një dashuri e vrarë” i shkrimtarit tashmë të njohur në komunitet, Pierre Pandeli Simsia. Romani i Simsisë, përmes një linje të vetme rrëfimi, pasqyron dukurinë e shëmtuar të bashkëkohësisë sonë në Shqipëri, dukurinë e trafikimit të femrave shqiptare në Itali për qëllime të ulëta të përfitimit material, duke i shndërruar ato në prostituta. Romani, ndonëse prek një çështje shumë interesante, synimin e tij duket e përmbyll me vetëm konstatimin e dukurisë dhe me dënimin e saj, i cili në fund “degradon” në mënyrën gazetareske të shkrimit. Në të ndeshen viktima dhe viktimizuesi dhe gjatë kësaj përleshjeje ne shohim tërë rrugën prej ku nis e deri tek përfundimi i saj, megjithë pasojat tragjike. Mirëpo, ajo që mbetet mangut gjatë kësaj rruge është  pasqyrimi i gjendjeve shpirtërore, i botëkuptimeve psikologjike që motivojnë veprimet e personazheve. Është e njohur se historia bën pasqyrimin e ngjarjeve duke  përshkruar rrethanat politike e shoqërore që kanë ndodhur si dhe përsonat që janë bartës të atyre ngjarjeve, ndërsa letërsia jep gjendjen  shpirtërore të vetjeve që përfshihen në ato ngjarje.  Realizimi i kesaj kerkese te letërsisë do ta bënte edhe më të mirë romanin e Pandeli Simsisë, i cili gjithsesi është tërheqës për lexim dhe ka përplot skena që mbeten në kujtesë për gjatëkohë.

 

TREGIMI

 

Tregimi, poashtu karakterizohet nga të njejtat që e karakterizojnë romanin. Por, duke qenë një formë shkrimi më e shkurtër, ai i shpëton të papriturave  të rrugës së gjatë e të mundishme të thurjes dhe bëhet një brum që gatuhet dhe merr formë më lehtë. Në këtë fushë juria veçoi shkrimtarët Mëhill Velaj dhe Fatjon Pajo. Duke marrë guximin vetëm nga e drejta ime si lexues i librave të tyre, dhe duke parë në ato libra potenciale që mund të zhvillohen edhe me tej, konsideroj se hapat e suksesshem prej këtyre dy prozatorëve pritet të bëhen në të ardhmen.

 

PUBLICISTIKA

 

Nga fusha e publicistikës juria kishte në duar disa libra vërtetë të arrirë. Për t`u veçuar ishin libri i Rajmoda Moisiut “Gërhitja e gjeneralëve” dhe libri “Shqiptaro-amerikanët e UÇK-së” i autorit Uk Lushi. Libri i Rajmondës trajton tema të ndryshme, duke përfshirë aspekte të jetës e të qeverisjes së personaliteteve botërore me famë, si Teddy Rusvelt, Gjerogj W. Bush, Ariel Sharon,  Boris Jelcin, etj. Të gjitha ngjarjet dhe personalitetet përshkruhen në këtë vepër me metodën komentuese e analitike që është veçori e shkrimit publicistik.

Libri i Uk Lushit, “Shqiptaro-amerikanet e UÇK-se”, pasqyron ngjarje nga lufta e popullit të Kosovës kundër okupatorit serb. Autori i ka ndjekur ngjarjet për së afërmi dhe është dëshmitar i tyre. Pasqyrimi i tyre hedh dritë të re mbi shumë zhvillime brenda organizimit të luftës. Ky libër është, padyshim, dokumenti më autentik i ngjarjeve të asaj kohe. Juria, duke pasur parasysh rëndësinë e këtyre ngjarjeve si dhe rëndësinë e pasqyrimit të tyre në funksion të njohjes së të vërtetës mbi njëren nga ngjarjet më të mëdha shqiptare të shekullit XX, u përcaktua që shpërblimi për  shkrimin publicistik t`i jepet autorit UK Lushi.

 

PËRKTHIMI

 

Të prirë nga motivI për të ndihmuar përhapjen dhe afirmimin e letërsisë shqipe tek popujt tjerë dhe duke çmuar në këtë mes punën e shkrimtarit rumun në përkthimin e disa librave shqip në gjuhën rumune, mes tyre edhe atë të shkrimtarit Ramiz Gjini, që jeton dhe vepron në mesin tonë, juria u përcaktua që shpërblimi në fushën e përkthimit t`i jepet shkrimtarit rumun Marius Dobresku.

 

New York, më 23 maj 2010

 

Ky vështrim është shkruar me rastin e dhënies së shpërblimeve nga Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-amerikanë në New York



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora