E diele, 28.04.2024, 10:34 PM (GMT+1)

Kulturë

Besim Muhadri: Medaljone poetike për Nënë Terezen në 100-vjetorin e lindjes së saj

E premte, 28.05.2010, 09:58 PM


Medaljone poetike për Nënë Terezen në 100-vjetorin e lindjes së saj

 

Frrok Kristaj: “nëna-njesë”, botoi SHKK “Anton Pashku”,

Prishtinë 2010.

 

Shkruan BESIM MUHADRI

 

Frrok Kristaj (1944), është autor i 20 libra të zhanreve të ndryshëm. Libri “nëna – njesë”, i botuar në 100-vjetorin e lindjes së Nënë Terezez është një libër krejtësisht i natyrshëm, por edhe shumë i veçantë njëkohësisht, i cili në këtë përvjetor na vjen vërtet si një medaljon i çmuar në kujtim të kësajb shqiptareje të madhe. Libri në fjalë, në dukje të parë është shumë i thjeshtë, por në esencë një libër që ngërthen në vete diçka që të përvetëson, që të mbush frymëzim dhe jetë. Që në fillim të libri autori vë shenjën e dedikimit, përkatësisht të kujtimit të dy nënave me të njejtin emër: Tereze. Terezja e parë, është bashkëshortja e ndjerë e autorit, Tereze Kristaj, që lindi dhe rriti djemtë dhe vajzat e autorit të këtij libri, ndërsa Terezja tjetër, është Nëna e Madhe e njerëzimit. Trezen e parë autori e quan – Tereze të vërtetë, nënë – shpirt të fëmijëve të tij dhe nënë Terezen e shenjtë, Nënë të Nënave, nënë e dashurisë.

Libri i Frrok Kristajt, “Nëna – njesë”, është i ndarë në tre cikle poetike. Këtyre cikleve iu prijnë  poezitë “Dy nëna” dhe Dashuri e zemër”, ndërkaq librin e përmbyll eseu i Gani Xhafollit, që është një shkrim mjaft interesant dhe tejet impresionues i këtij autori për librin e Kristajt.

Vëllimi “Nëna-njesë” është një libër poetik, që përmban veçori karakteristike të një poezie kushtim, por brenda këtij vëllimi kemi edhe poezi të natyrave të ndryshme tematike dhe motivore. Njëzet poezitë e ciklit Nëna e dashurisë janë poezi që i kushtohen Nënë Terezez. Autori këto poezi i ka shkruar në kohë dhe periudha të ndryshme të krijimtarisë së tij. Poezia e parë është shkruar në vitin 1958, ndërsa e fundit atë të vitit 2003. Ndonëse nuk përmendet askund emri i Nënë Terezes, ai e ka futur në këtë cikël, ngase poezia sigurisht që aludon në të Madhen Nënë Tereze, e cila në ato vite edhe mund të mos ishte e njohur për opinionin shqiptar e mbase edhe për autorin. Megjithatë aturi e ka futur në këtë cikël që i kushtohet Nënës Tereze.

Poezitë e Kristaj kushtuar nobelistës shqiptare, janë poezi plot frymëzim, të cilat shpërthejnë në dashuri për njeriun e zemrës jo vetëm të autorit. Në to paraqitet respekti, dashuria por edhe optimizmi për njeriun e shenjtëruar, që ngroh dhe trimëron zemrat e lënduara.

Ato i mbush dashuri, shpresë dhe rreze drite:

Kur flet Nëna Tereze

mbjell veç dashuri

dorë që ngroh me rreze

-sjell gëzim e lumturi.

 

Në poezinë e Frrokut, Nënë Trezja portyretohet me tërë madhështinë e saj prej një bëmirseje të paparsëritshme e deri te njeriu që di të respektojë e të dashurojë pa dallim. Autori e quan atë nënë të nënave, dritë të njerëzisë, por edhe nënë e mirësisë dhe një hyjneshë që vazhdimisht krijon imazhin e madh të njeriut që forcon shpirtin njerëzor, e cila edhe “territ i jepte dritë”, etj. etj.

Poezitë e ciklit Zemrat me ylber, po ashtu janë poezi të cilat janë shkruar në situata, kohë dhe vende të ndryshme. Autori aty i këndon Kastriotit, i këndon lirisë, pavarësisë, por edhe Prekazit, apo tri kullave të historisë, siç janë ajo e Ahmet Delisë, Tahir Mehës dhe e Shaban Jasharit, të cilat lindën dhe rritën burra që i dolën zot kësaj tokë dhe u flijuan për të. Pastaj ai i këndon lirisë dhe 28 Nëntorit, ditës së flamurit etj. Poezitë në fjalë janë poezi që kanë një frymëzim të patjetërsueshëm. Në dukje të parë duken se janë poezi që i përshtaten moshave më të reja, mirëpo ato mund të hyjnë edhe në grupin e poezive dedikuar moshave edhe më të rritura. Me mjaft mjeshtëri dhe elegancë poetike autori arrin të ndërtojë një poezi që sublimon artin e bukur poetik, duke shpërfaqur refleksione interesante nga ngjarje dhe data të shënuara të historisë më të vjetër dhe më të re të popullit shqiptar. Poezia e Kristajt e kësaj natyre, është një poezi mjaft e kompletuar edhe me figuracion poetik dhe me një varg të gdhendur, i cili herë herë edhe rimon, që e bën këtë poezi edhe më të afërt ndoshta me lexuesit e moshave të caktuara.

Trung e rrënjë nga Iliria është titulluar cikli i tretë poetik i këtij libri, në të cilin autori ka sistemuar poezi të ndryshme, po ashtu të shkruara në kohë dhe situata të ndryshme. Poezia Abetarja e Zymit, është një poezi që i dedikohet një evenimenti siç është dokumenti i quajtur “Abetarja e Zymit”, një dokument mjaft i rëndësishëm arsimor, me të cilin u punua në fillim të shekullit të kaluar. Poezia botohet në kohën kur ky dokument po shënon 110 –vjetorin e ekzistimit të vet.  Mjaft interesante janë edhe poezitë e tjera të përfshira në këtë cikël poetik. Shumica nga këto poezi, por edhe poezi të tjera të këtij vëllimi, kanë përmbajtje, por edhe porosi didaktike. Poezi që i kushtohen shkollës shqipe, Gjuhës shqipe, librit, bibliotekës, mësueses etj. etj. Libri përmbyllet me poezinë Medaljon për Rifat Kukajn, e cila poezi i kushtohet doajenit të letrërisë sonë për fëmijë, shkrimtarit Rifat Kukaj, tash të ndjerë, i cili për disa vite me radhë i priu këtij karvani shkrimtarësh, duke futur përherë ngrohtësi dhe dashuri tek fëmijët, që i deshi aq shumë dhe për të cilët shkroi libra tërë jetën.

Poezia e Frrok Kristajt, e përmbledhur në këtë libër, është një poezi e thjeshtë, e qartë, që për mision të saj ka përkujtimin, përkushtimin, respektin dhe dashurinë. Është një poezi plot dritë dhe rrezatim poetik, që e bën atë të lexueshme dhe shumë të dashur jo vetëm për kategorinë e lexuesve që i është dedikuar, por edhe për lexues të moshave dhe përgatitjeve të ndryshme.



(Vota: 7 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora