E hene, 29.04.2024, 04:05 AM (GMT+1)

Kulturë

Remzi Limani: Mrekullitë mahnitëse të Perëndisë

E premte, 28.05.2010, 08:55 PM


Prozë dashurie

 

MREKULLITË MAHNITËSE TË PERËNDISË

 

Nga Remzi Limani

 

            I zhytur në deshifrimin e ëndrrave dhe në vorbullën e shumë mendimeve dhe rekapitulimeve për të kaluarën e tij, instinktivisht i fluturoi mendja tek një mikeshë e tij. Shumë vite më parë, mikesha e tij së bashku me familjarët e saj, kishin vendosur që pushimet verore t’i kalonin jashtë vendit. Natën e fundit, para nisjes, si zakonisht, secili për vete, e bënin selektimin e gardërobës verore së bashku me shumë gjëra të tjera të nevojshme për verime… Resa, pra, mikesha e Amfionit, i kishte përgatitur të gjitha gjërat, përveç kostumeve për larje, të cilat i kishte shpërndarë mbi shtratin e fjetjes në dhomën e kuqe dhe,  radhazi i  provonte duke u rrotulluar porsi fugë para pasqyrës së madhe - për t’i parë të gjitha pjesët e trupit të saj me të gjitha mrekullitë mahnitëse, të thyera e të vijëzuara artistikisht,   të cilat pjesërisht dhe mjeshtërisht fshiheshin nën kostumet e larjes… Gati i tërë arsenali i kostumeve të saja përbëhej prej dy pjesëve të një dizajni të veçantë dhe provokues…

            Ngjyrat beharore të kostumeve, solemnisht visheshin mbi trupin e saj dhe, në mënyrë diskrete, i mbulonin dhe i vizatonin fuqimisht lakmitë e Perëndisë… Të gjitha theksimet në trupin e saj, ishin të harmonizuara në pajtim të plotë dhe në përputhje me të gjitha pjesët e ndërtuara të një anatomie të përkryer me plot muzikalitet. Ajo, duke bërë përzgjedhjen e fundit të kostumeve, ende sillej para pasqyrës, të cilat mezi merrnin frymë nga të qiturat e formave të saja shpërthyese. Ajo, si zakonisht, e kishte një tërësi të shijeve për mënyrën e veshjes, të sjelljes dhe të jetesës. Më në fund, përzgjedhjen e duhur e bëri dhe kostumet i merendoi me kujdes në pjesën e poshtme të valixhes, e cila, po ashtu, ishte e një forme jo të rëndomtë dhe e veçantë. Pas përgatitjes së gjësendeve për udhëtim, ranë për të fjetur, në mënyrë që të nesërmen, të çlodhur, të niseshin për pushime verore.

                       

*******

 

            E nesërmja agoi shumë shpejt dhe që të gjithë, i zuri në gjumë të thellë. Dita bënte e mirë, temperaturat e korrikut ende ishin të durueshme dhe shumë të përshtatshme për të marrë rrugë. Ata, çuditërisht të çliruar, sikur ta kishin anuluar udhëtimin për të nesërmen, ende flinin. Tashmë, edhe dielli ishte veshur nëpër dritaret e dhomës së kuqe. Rrezet, mbi shtratin e kuq francez, solemnisht binin dhe duke u thyer mbi trupin e Resës, ktheheshin në faqet e pasqyrës së madhe, prej nga reflektoheshin mbi fytyrën e mikeshës, e cila nën këto rreze dukej porsi e argjenduar… Edhe dielli sikur e puthte mbi qepalla dhe me ngadalë e fuste në lëvizje elegancën e ritmikës rituale, e cila me lëvizje të sinkronizuara, zakonisht, zgjohej nga gjumi. Ajo, me të gjitha mrekullitë e trupit të saj, duke u përdredhur, sikur donte ta shtrydhte tërë epshin e natës që ende frymonte këndshëm nën çarçafin e kuq prej mëndafshi… Çdo mëngjes, kur zgjohej nga gjumi, sytë e saj e zinin vetveten të shkrirë në pasqyrën e madhe karshi shtratit të kuq. Kur çohej - ngrihej së bashku me imazhin e saj, i cili hynte dhe dilte nga pasqyra shumë herë brenda ditës dhe, diku pas mesnate, imazhi i saj shtrihej në pjesën e poshtme të pasqyrës e cila mbulonte vetveten me të njëjtin çarçaf, me të cilin mbulohej edhe Resa. Në pasqyrë, rrallëherë hynte ndonjë i huaj… Dhe, edhe kur ndodhte ndonjëherë që në të të hynte ndonjë i paftuar, pasqyra vishej me neveri, sepse nga trupi i të huajit që shtrihej në shtratin e kuq, në pasqyrë nuk hynte dot imazhi i Resës. Atë natë, kur shtrati ishte i zënë, pasqyra rrinte e zbuluar, ngase pa e pyetur mbulesën e mëndafshtë, ia kishte marrë i huaji…

                         

*******

 

            Tashmë të gjithë ishin të zgjuar. Resa kishte hyrë në kuzhinë dhe e ziente kafenë e mëngjesit. Ndërkohë, teksa zihej kafeja e mëngjesit, ajo e kontrollonte çantën e krahut për të vërtetuar nëse i kishte të gjitha dokumentet e duhura. Pas pak, zuri xhezven dhe e zbrazi në filxhanin e përgatitur që më parë. Resa, dihej se gjithnjë e kishte më për qejfi kafenë turke, të cilën e preferonte më shumë se kafetë e aparatit. Duke e gjerbë kafenë së bashku me aromën e këndshme që e kishte marrë tërë hapësirën banesore - kafeja, sikur i jepte forcë jete për një ditë të re… Tashmë, çdo gjë ishte gati për udhëtim. Imazhi i Resës, papandehur edhe njëherë u vizatua në pasqyrë për të vënë një grim të lehtë dhe buzëkuqin. Të tjerët, po ashtu, bënin kontrollin e fundit, për të mos harruar gjësendet. Udhëtimin kishin vendosur ta bënin me veturën e Resës, të cilën do ta ngiste vetë ajo. Të organizuar, i mblodhën të gjitha gjërat e paketuara më parë duke i grumbulluar në një vend afër daljes. Koha kishte ecur dhe, kur ata zbritnin shkallët, ora gati shënonte mesditën. Vetura e Resës, rrinte e parkuar nën hijen e lëshuar nga ndërtesa përballë tyre, që e bënte situatën edhe më të përshtatshme, ngase brendia e veturës, ishte ende e freskët. Resa e hapi bagazhin e veturës dhe me kujdes i sistemuan të gjitha gjësendet e paketuara më parë… Dera e veturës rrinte ende e hapur, Resa me elegancë, u lëshua në karrigen e shoferit dhe e futi çelësin në bravën e kontaktit. Pasi të gjithë ishin akomoduar si duhet, ajo bëri një rrotullim çelësi dhe ndezi motorin. Diku poshtë, afër marshit, shtypi butonin për ta lëshuar paksa më poshtë xhamin e derës së majtë. Tashmë ajo ishte e gatshme për rrugë. Pasi e futi marshin në pozicionin e parë, me ngadalë e lëshoi freksionin dhe vetura nisi të rrëshqiste duke u vargëzuar pas kolonës së veturave të tjera në qarkullim. Në karrigen e parë afër saj, ishte i ulur bashkëshorti i saj, Martini, kurse prapa tyre, ishte akomoduar e motra, Adela me  bashkëshortin e vet, Gemin.                                                                                                                                                                                                                                                                                                              

******* 

 

(…) Treguesi i veturës, i vendosur në majë të parafangos, ende sinjalizonte kahen në të djathtë. Tashmë ishin krejt afër parkingut të hotelit, i cili, po ashtu, ishte i ndriçuar me shumë drita të cilat krijonin një atmosferë mikpritjeje. Parkingu para hotelit, ishte i shënuar më disa kolona të gjata dhe zinte një hapësirë të madhe që siguronte vend edhe për veturën e Resës. Tash, me lehtësi, e rrotulloi timonin në të djathtë, drejt kolonës së tretë të parkingut, ku pa vështirësi zuri vend. Pasi u parkuan, i hapën dyert e veturës dhe, që të gjithë dolën jashtë për t’u shpirë dhe për të ndezur nga një duhan. Ata ranë në ujdi, që së pari t’i marrin informatat e duhura në recepcionin e hotelit, për kushtet dhe mundësitë eventuale për një pansion dhjetëditorë, për çka u përkujdesën dy bashkëshortët e motrave, të cilët sakaq i ngjitën shkallët e hotelit, drejt recepcionit për të bërë rezervimin e mundshëm të apartamenteve. Meqë ende nuk ishin të sigurta, se a do gjenin vende të lira apo jo, Resa me të motrën, rrinin afër veturës dhe pritnin  bashkëshortët e tyre, për të kuptuar nëse do të kishte apartamente të lira që, më pastaj, të hapnin bagazhin e veturës për t’i nxjerrë gjësendet e tyre, të cilat do t’i sistemonin nëpër dhomat e hotelit. Ata, nuk vonuan dhe u kthyen me disponim në sytë e tyre, ngase çështja e rezervimit të apartamenteve ishte rregulluar pa asnjë problem.

            Tashmë më të lehtësuar, e hapën bagazhin dhe filluan t’i nxirrnin valixhet e tyre për t’i marrë me vete në apartamentet e tyre. Çdo gjë e duhur tashmë ndodhej jashtë bagazhit. Secili prej tyre mori nga diçka me vete, natyrisht, zonjat u zunë me gjësendet e peshave më të lehta, kurse valixhet e mëdha që kishin pesha paksa më të rënda, ndodheshin në duart e burrave të cilët prinin para zonjave drejt hyrjes së hotelit. Sakaq, më të disponuar, me valixhet e tyre, pritnin para ashensorit i cili vinte nga kati i nëntë dhe lëshohej ngadalë për në katin përdhes. Në pritje të ashensorit, Resa, llafoste me të motrën dhe kujtueshëm shikonte gravurën miniaturale në lidhësen e çelësit të apartamentit, ku në pllakën e shpuar me formë elipse, ishte e gdhendur pamja grafike e hotelit së bashku me katër yje me mbishkrimin “Hotel Helena”, kurse në avers të pllakës ishte i gdhendur numri 69, që shënonte numrin e apartamentit të saj. Interesant, apo thashetheme, jo rastësisht, numri 69, bie në numrat e veçantë i cili në vete ngërthen disa simbolika, me të cilat merren profkatarë e fallxhorë të ndryshëm, të cilët gjoja bëjnë parashikimin e fateve të njerëzve nëpërmjet lëvizjes së sistemit të yjeve, ku në mesin e këtyre shenjave bie edhe numri 69 me simbolikën e binjakëve. Pastaj, fallxhorët kinse parashikojnë të ardhmen e njerëzve edhe nëpërmjet letrave Taro dhe horoskopëve të ndryshëm.

            Ç’është e vërteta, numri 69, si pamje grafike, posedon një harmoni të një baraspeshe estetike të pëlqyer. Pastaj, vërtet mund të simbolizojë shenjën e binjakëve një vezorë dhe, për disa individë, vjen i parapëlqyer si figuracion shumë interesant, i preferuar dhe atraktiv në paralojën seksuale, e cila aplikohej që nga lashtësia e kohës romake e deri në ditët e sotme. Nejse, të mos merremi me thashetheme e rastësi. Ashensori, u lëshua në përdhese dhe që të gjithë u futën së bashku. Resa, shtypi butonin numër 8 dhe saora dolën në korridorin e katit të tetë. Pasi dolën nga ashensori, Resa, për pak kohë, u nda nga e motra. E motra me të shoqin, hynë në apartamentin numër 68, kurse Resa me të shoqin e saj, u futën në apartamentin numër 69. Paraprakisht, para se të hynin nëpër dhomat e tyre, ishin marrë vesh, që pas dy orëve të takoheshin në restorantin e hotelit që të darkojnë së bashku.

            Në ndërkohë, Resa me ndihmën e bashkëshortit bënin sistemimin e gardërobës nëpër dollapët e dhomës. Pasi i merenduan të gjitha gjësendet, Resa hyri në banje për të bërë një dush relaksimi. Pas pak, doli e mbërthyer në mantel banje, i cili iu kishte puthitur nëpër vijat e trupit ende të lagur, që lente përshtypjen e një sirene të sapodalë nga mugëtira e mëngjesit që shkrihej mbi det. “Sikur zoti vazhdon veprën e tij të krijimit, përmes trupit të femrës, duke i eliminuar të gjitha gabimet paraprake që iu përvodhën tek meshkujt…”. Nga çanta e saj e krahut, nxori pasqyrën mobile dhe filloi ta bënte grimin e duhur, që zakonisht e bënte të lehtë, ngase ishte rrezik ta mbulonte bukurinë e lindur. Pasi mbaroi me grimin, u ngrit në këmbë, shpërthekoi mantelin e banjës, nxori krahët dhe shpërtheu me tërë lakuriqësinë e saj verbuese prej një akti të përkryer... Në majë të gishtërinjve - porsi balerinë, bëri disa hapa drejt dollapit dhe zuri një palë brekë prej atyre ngjyrë të zezë, sepse, po ashtu, kishte vendosur të vishej me një fustan mbrëmjeje të së njëjtës ngjyrë. Sutienet nuk i aplikonte asnjëherë, përveç atyre për larje, ngase s’kishte asnjë të vetmen nevojë për ta. Resa, ishte gjimbushur porsi pemët frutore, kishte gjokse të fortë, në mesin e të cilëve, lirisht mund të shtypeshin një grusht arra... Fustani i shkrirë nga mëndafshi i zi që shkonte në një të përhime të murrët e me dekolte goxha të thellë, guximshëm rrinte i varur mbi gjokset e saj - pa asnjë fije frike se mund të rrëshqiste e të kapërcente mbi të mbushurat e harlisura.

            Resa, nuk i donte stolitë prej arit, përveç atyre që i kishte dhuratë nga farefisi dhe miqtë, më tepër i preferonte stolitë e vjetra unikale nga materiali i argjendtë dhe ato të remta, të cilat nga koha e kishin marrë patinën e duhur që i bënte edhe më me vlerë dhe më artistike, të përshtatshme për t’i kombinuar me gardërobën e saj e cila, po ashtu, ishte e një stili të veçantë. Mbi dekoltenë e hapur mbi fustanin e shkrirë, rreth qafës vendosi një qafore të gjerë dhe  të punuar prej një pjese të tërë nga materiali i remtë në formë gjysmëhëne dhe, po ashtu, bëri një përzgjedhje të vathëve me të cilët kurorëzohej bukur qaforja gjysmëhëne. Në stil të njëjtë, dorën e majtë e veshi me një byzylyk të veçantë, i cili kishte një vlerë unikale, ngase ishte i punuar dhe i dekoruar në formë cilindrike me një gjatësi prej një pëllëmbe burri, i cili ia mbulonte më tepër se gjysmën e pjesës së poshtme të dorës së majtë - ishte shumë i ngjashëm me byzylykët e Kleopatrës. E tëra kjo thjeshtësi madhështore e një bukurie veçantë,  ngjante në një ëndërr vere, në krahët e një fluture e cila në vazhdimësi të ikte para syve për t’u rikthyer me terrin e parë, që butësisht t’i lëshonte krahët dhe ta shuante etjen e ditës mbi gjoksin mashkullor.

            Dy çiftët bashkëshortorë, sërish ishin së bashku, tashmë të ulur dhe të akomoduar pranë tavolinës së ushqimit në ambientet e restorantit të hotelit “Helena”. Që të gjithë në duar i mbanin menytë e hapura, duke kaluar me sy nëpër specialitete ndër më të ndryshmet për të bërë porosinë e darkës, sipas dëshirës së tyre. Kohë pas kohe, me të gëzuara, cakërronin gotat dhe ngrinin nga një gllënjkë të një rakie speciale, të cilën paraprakisht ua solli kamerieri si aperitiv. Bashkëshorti i Resës, si zakonisht, filloi me batutat e zgjedhura. Tashmë, këto batuta, kryesisht i sajonte rreth gjërave të veçanta ushqimore dhe ndikimin e disa llojeve të ushqimeve e agrumeve si afrozodiak në potencën e njeriut, prandaj të qeshurat nuk kishin të ndalur. Pasi mbaruan me darkën, ata vazhduan edhe më tej me verën e bardhë dhe me atmosferën e ndezur me batuta e barsoleta të njëpasnjëshme. Sakaq, pahetueshëm, në këtë atmosferë të këndshme, mesnata u iku para syve. Në këtë atmosferë disponimi, filloi edhe kënga, të cilës, me këngët e preferuara lirike, të veshura bukur me atmosferën e krijuar, printe Resa. Ajo, me predispozita gjenetike - edhe nga Lisi i Tamlit edhe nga Lisi i Gjakut - ishte e lindur në krahët e këngës. Në ndërkohë, për të vazhduar ndejën, kamerieri e solli edhe një shishë verë të porositur më parë, sepse kishin vendosur që pas pirjes së saj, nëpër dhomat e tyre, ta vazhdonin argëtimin nën dry…

            Në bregdet, mëngjesi i hershëm, lëshonte një puhi të lehtë e cila vinte së bashku me ajnikun që të mbushte jetë…Tashmë, edhe dielli solemnisht kishte lindur, dhe i argjenduar shkëlqente mbi pasqyrën e detit. Ata, si të harruar, nën ëmbëlsinë e natës së çmendur, ende flinin. Vakti i mëngjesit kaherë u kishte ikur. Ora shënonte dymbëdhjetëshin e mesditës, kur ata u ndanë nga sytë e njëri-tjetrit, të cilët sikur ende kishin uri të shikoheshin në heshtje… Resa, me ngadalë, shpalosi krahët e gjumit dhe me elegancë i lëshoi këmbët mbi qilimin e shtruar buzë shtratit. Tash, e heshtur, e shpalosur me të gjitha bardhësitë e saja, natyrshëm dhe me hapa të imët ecte drejt banjës, duke i tundur vithet e ndritshme mbi të cilat puqej malli e vritej djalli… Mesdita kishte kaluar, kur ata arritën në plazhin e veshur me ngjyrat e ylberit të derdhura mbi çadrat e shumta, nën hijen e të cilave pushonin lakuriqësitë e shpërthyera. Së pari, ata kthyen në restorantin “Paralia”, i cili mbante emrin e qytetit dhe ishte i ngritur në afërsi të plazhit, para të cilit, në një vijë çuditërisht të drejtë, qëndronte një kolonë e madhe ullinjsh qindravjeçarë. Restoranti nuk ishte i ndonjë kategorie të veçantë luksi, por ishte i pastër dhe e kishte një atmosferë tepër të këndshme, e cila çuditërisht të rrëmbente e të bënte për vete. Para restorantit, shtrihej tarraca e madhe, e cila gati në tërësi ishte e mbuluar nga hardhia e rrushit që solemnisht kacavirrej mbi kokat e mysafirëve.

            Si zakonisht, Resa porositi një miks sallate pemësh të freskëta, ngase ka kohë që ajo për kafjall ha vetëm pemë. Të tjerët, po ashtu, morën disa prej ushqimeve të lehta. Mbi ngrohtësinë e plazhit, me çanta deti nën sqetull, ata vazhduan drejt çadrave të tyre të rezervuara më parë. Pas pak, edhe ata zunë vend nën llamburitjen e rrezeve të diellit. Pasi u futën nën çadra, filluan t’i hapnin çantat për t`i nxjerrë gjësendet e nevojshme për t’u akomoduar në shtretërit portativ të plazhit. Nga çantat nxorën peshqirët për shtrirje, ata për trup dhe setet e kremrave speciale mbrojtëse për lyerjen e trupit kundër djegieve eventuale nga rrezet përvëluese. Tashmë që të gjithë ishin gati për t’u zhytur në kaltërinë e detit, i cili solemnisht valëzonte lehtë nën kupën e qiellit të shenjtë. Resa kishte veshur  një kostum larjeje, i cili përbëhej nga dy pjesë - një pëllëmbë brekë prapa vitheve të cilat në pjesën e përparme dukeshin si një nuskë mbrojtëse që e ruante nga të ligat dhe, nga prapa, ia ndanin mollaqet në dy forma mahnitëse mbi të cilat nepsqarët i ngulitnin sytë dhe çmendurisht mëreheshin dhe lurtoheshin me pamjen e saj. Ajo posedonte një bukuri koherente, me të gjitha elementet e bashkuara dhe të lidhura me njëra-tjetrën që në tërësi krijonin një bukuri nga e cila nuk mund e të mos shpërthente epshi i syrit dhe i mendjes së njeriut.

            Para se të zhytej e tëra në det, Resa theu unazën e belit dhe u lëshua deri në gishtërinj të këmbëve, mbushi grushtet me ujë deti dhe, siç preferohej, ajo së pari filloi ta lagte trupin, duke filluar prej zogut të këmbës e përcillte freskun e parë të ujit mbi gjunjë, nëpër kofshë e deri tek abdomeni, mbi kërthizë, nëpër gjokse, për të kaluar në pjesën e dekoltesë deri tek qafa… Dikur, me ngadalë, iu dorëzua mbretërisë së detit. Trupi i saj u zhyt deri në vijën e gjinjve - sikurse në kohët e lashta, kur bëhej kungimi i të krishterëve me ujin e detit të bekuar nga Jezusi… Ashtu, e zhytur deri në gjinj, ia bënte me dorë të motrës për t’iu bashkangjitur që ta bënin notin e parë së bashku. Pas pak, ishin bashkë. Që të dyja, sikur të sinkronizuara notonin me një ritëm të njëjtë. Pas tyre, me krenari, notonin edhe dy burrat e botës - Martini dhe Gemi, sikur dy peshkaqenët pas gjahut të sigurt, të cilët me ëndje, të shoqëruar hiqeshin prapa grave të tyre, mbase kishin edhe arsye që t’u shkonin pas... Pas një noti të gjatë, ata u bashkuan të zhytur në kaltërinë e detit të pafund, nën dritën e diellit që lëshonte një ngrohtësi tejet të këndshme. Pasi bën një vijë të gjatë noti, pas njëri-tjetrit, vazhduan notimin drejt plazhit, ashtu, sheshazi, me lakuriqësitë e lagura në dritë dielli për t’u veshur me nuancën e ngjyrës së parë.

            Defilimi i Resës nëpër vijën e plazhit, ishte tepër atraktiv dhe dukej se çdonjëri me kureshti e kishte futur në bebëzat e syrit dhe ashtu të shpërmendur i linin kokat prapa të bukurës e cila i therte në sytë e tyre tinëzarë, të cilët sikur donin ta shuanin etjen e ditës në gjoksin e saj. Dukej se sikur për herë të parë, zunë në sy të vërtetën e bukurisë së universit, së bashku me pafundësinë e mëshirës së Perëndisë, e cila mjeshtërisht e kishte gdhendur figurën e saj. Sikur të gjithë u mbuluan me butësinë e hijeshisë që e kishin harruar qëmoti, prandaj buzëqeshja u ndriti në fytyrë që kishte kohë që u kishte munguar. Derisa ende ecnin rreth vijës së ujit, herë-herë, Resës, këndshëm uji ia ledhatonte zogun e këmbës, sepse ajo ecte në krahun e detit buzë vijës që e krijonte batica. Ata, i bën edhe disa gjiro dhe, më pastaj, së bashku kthyen drejt çadrave të tyre për një pauzë çlodhjeje. Nën ngjyrat e çadrave beharore, Resa këndshëm u thye në kryqe dhe lëshoi trupin e derdhur mbi krevatin portativ. Format e saja eksituese, të shkrira në një harmoni përpjesëtimesh, frymonin me një energji shpërthyese nga e cila u trembnin të gjithë, sidomos lakmitarët e lazdëruar.

 



(Vota: 8 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora