E shtune, 27.04.2024, 01:12 PM (GMT+1)

Kulturë

Josif Papagjoni: Dashuria - një tabu, një palimpsest

E merkure, 26.05.2010, 09:58 PM


Dashuria - një tabu, një palimpsest

 

Nga Josif Papagjoni

 

Teksa lexojmë një roman, gjithherë, si një rrjedhë uji ndën të, na gllabëron kërshëria: përse bëhet fjalë, çfarë problemi (halli) ka autori, ku do të dilet më tutje? Kërkojmë, pra, t’i vemë një “gjuhë” asaj që rrëfehet apo që përjetohet, qoftë edhe kur shumëçka mbulohet nga veshjet e trasha të metaforave, simboleve, hermetizmit, dyzimeve të skajta, shumëkuptimësive. Mirëpo ajo, “gjuha”, për dreq, mungon. Është diku e fshehur. Ndoshta tallet me përpjekjen tonë për të marrë vesh ç’po thuhet mbi fletët e romanit, i cili e lë enkas pezull fundin, ta humbet fillin, qartësinë. Dhe mbetesh, asoherë, në përsiatjet e tua, i vetëm, i hutuar, pa dorën shoqëruese të autorit për të të nxjerrë nga labirinthi. As ashtu, as kështu; edhe ashtu, edhe kështu. I tillë është romani i fundit i Kadaresë, “Aksidenti”, botuar fillimisht në Francë më 2008 dhe tani së fundi nga Shtëpia Botuese “Onufri”. Një strukturë romanore tjetërfarë, që del nga pena e tij mjeshtërore: e hapur, pa caqe të përcaktuar dhe njëkohësisht e mbyllur, në burgun e një dashurie ku “drita” e shpjegimit thuajse përjashtohet. Ti mbetesh po atje, në burg. Burgun e një të pathëne. E një misteri. E diçkaje ku gjësendet, ashtu si fantomat, ndërkallen tek njëra-tjetra, mbivendosen, shkojnë e vijnë, duke të lënë ndërdyshas, gërryer nga dyshimi, lodhur nga lëkundjet, shastisur nga paqartësia. Mbetesh i mpleksur gjithnjë atje, në tunel, në labirinth. As del dot nga tuneli, as kthehesh dot në hyrje. “Filli i Arianës” të ka humbur. Më saktë, atë ta ka humbur vetë mënyra e ndërliqur e rrëfimit romanor të Kadaresë: është këputur dysh shi në mes të territ. Sepse projektimi i asaj çka ngjarë, në formë hamendësimi apo rizbulimi me atë çka ngjet, në formë bëme e përjetimi të drejtpërdrejtë nga personazhet është, më së paku, i trifishtë: hulumtuesi që heton vdekjen e dy të dashuruarve në një aksident automobilistik, autori si rrëfyes i ftohtë jashtë personazheve dhe vetë personazhet (Besfort Y, Rovena dhe Liza Blunberg). Sadoqë kemi, pra, tri lloj ndriçimesh mbi po të njëjtin objekt – historinë e një dashurie a të një vrasjeje – “drita” sikur teret, thithet, kamuflohet, humbet spektër. Kur diçka pranë të vërtetës nis të zbulojë autori, rrëfimet dhe bëmat e personazheve e vënë atë në dyshim, e përjashtojnë ose e anashkalojnë. Dhe po kështu, kur hulumtuesi i qaset një hipoteze, vërtetimin e saj e bën të mugullt autori, dëshmitë e personazheve ose ajo që ngjet paskëtaj. Dhe përherë e qarta, e tejdukshmja bëhet e paqartë, e mugullt, mister. Bash në këtë kuptim, mund të thuhet se projektuesi i katërt dhe, mbase, ai i njëmendti, është “misteri”. Misteri i dashurisë: kur ajo nis dhe si nis, pse ikën dhe pse vjen sërish, pse të ngroh e pse të ftoh, pse me një dhe jo me dy a me më shumë partner, pse vdes dhe ringjallet apo nuk vdes dhe nuk ringjallet kurrnjëherë.

Pyetje pafund, sepse fund s’ka. Dashuria është, pra, një fshehtësirë, ligjet e së cilës kullojnë nga qiejt e hyjnive, të cilat s’mund t’i kuptosh, as t’i paracaktosh. Si kode vetanake, të stampuara në vet qenien kur njeriu lëvizte në trojet ende prej kafshe, më pas në çiftëzimet brendafisnore me praninë e inçesteve të gjithëfarta që krijuan monstrat, sidomos joshjet dhe raportet brenda të njëjtit seks (homoseksualët dhe lezbiket), gjersa ai mbërriti në një dituri më të sofistikuar, ato, “kodet” e zanafillave të ngjizjes, gjithsesi, ulërijnë në humnerat e subkoshientit tonë, kërkojnë vendin e grabitur nga dija, arsyeja, filozofia, morali, fetë, tempujt, katedralet, xhamitë, gjenetika, departamentet hijerënda të universiteteve. Mos na harroni, thonë. Edhe po na harruat apo bëni sikur na harroni, ne do të vijmë tek joshjet dhe tundimet tuaja, në vetminë tuaj, tek e paprovuara, tek e ndaluara (por e shumëshijuara). Heteroseksualiteti, biseksualiteti, homoseksualiteti nuk janë shpikjet tona; janë tek thelbi parak, kur ju nuk vishnit si sot kostume përshkënditëse moraliteti, as përgjunjeshit të tmerruar nga fshikujt e konvencioneve dhe as shushateshit nga doktrinat rekrutuese si sot. Ne kemi qenë, por ju na përjashtuat. Ne ishim zanat e bukurisë, ju na quajtët shtrigat e kurvërisë. Sa më shumë njeriu njeh vetveten, aq më shumë ne do të bujtim në sallonin e qytetërimit tuaj, aty, në aq vend dhe në aq hapësirë sa na takon të jemi. Ne s’jemi bujtës, as sëmundje, jemi brenda jush, gënjeni veten kur na dëboni, sepse ju na nxirrni me shkelma nga dera, ne hyjmë tinëzisht nga dritarja. Mësohuni me ne! Pranonani në sofrën e përbashkët! Jemi si ju: Njerëz.

Ky mund të ishte monologu i lezbizmit të Rovenës, të dashurës 9 vjeçare të Besfortit, që as vetë s’e shpjegon dot tundimin që ka ndaj Liza Blumbergut (Lulu Blumit), një pianisteje zviceriane që luante me gishtat e saj, po aq bukur, sa mbi tastierë, aq edhe mbi kurmin magjiplotë e shajnues të Rovenës. Mos ndoshta kjo ngarendje libidiumi u ngjiz qysh në adoleshencën e saj, kur seksualiteti prej femre ende s’po i piqej? Kur në vend të dorës së mashkullit, në fundbarkun e vet provoi dorën e jevgës Zara si për të shijuar “qejfin” e ndaluar, thirravajshëm, që poshtëronte “virgjërinë” e kohës komuniste, puritanizmin e saj tredhës? Apo ndoshta ishte si një arrati nga trupi dhe shpërfillja mashkullore, si një aventurë, një tundim për të provuar të “paprovuarën”, një qasje tjetërfarë, që vinte nga gjithësia e ciganeve: “E pathyeshme, vegël sipërane, ngjitur në trupin e femrës, sipas një pakti të fshehtë, ai e ruante mëvetësinë me kryeneçësi”. (f. 89). Mbase, ishte thjesht një hakmarrje ndaj mashkullit superior, të ftohtë, gjithëpranues e krenar si Besforti; inati për të mos qenë një robinjë e tij. Mos vallë s’qe veçse provokimi i saj për të nxitur xhelozinë, që i dashuri të rindizej dhe epshi të triumfonte? Apo një strehë frike nga të qenit “call girl”? Se kurrkush s’ja cungonte dot lirinë, për të qenë vetvetja: dykahësore?

Të gjitha përgjigjet janë të mundshme dhe po asnjëra s’është e mundshme. Fluturojmë në këtë mjegull, tymtajë a yllësi dhe mbetemi e mbetemi veçse aty. Pse? Fare thjesht: Hermetizmi, misticizmi, gjithkahësia kuptimore – kjo është skeletura stilistike e romanit, paradigma shkrimore e parapëlqyer. Dhe ngarendja e dalldisur e libidos gjen shpjegime të mëtutjeshme tek dëshmia e hulumtuesit, për të zbuluar krimin dhe kriminelët: kush i vrau Besfortin dhe Rovenën? Ishte thjesht një aksident në kohë me shi apo një vetëvrasje nga mbarimi i dashurisë, nga neveria e zgjatjes, një truk, një krim i sofistikuar politik nga qarqet serbe, për të mbuluar krimet e përbindshme në Kosovë në prag të ndërhyrjes së NATO-s. Mos vallë qe thjesht një vrasje rutinë, nga xhelozia, nga mërzia e jetës, nga kotësia? Apo një truk me kukulla në vend të kufomave, si në teatrin japonez? I vetmi dëshmitar i ftohtë, korrekt, s’ishte aspak shoferi, por “pasqyra” e brendshme e makinës, e cila sikur e humbullonte të vërtetën, e bënte mugullirë me tisin e saj, për ta përthithur brenda vetes si një mister. Dhe spikama e enigmës mbi syprinë të pasqyrës, shkruan Kadare, “ndonëse kishte qëndruar njëmijë vjet përbri kafkës së tij, e verbuar siç ishte, nuk jepte veçse asgjënë e pafund”. (f. 272) Dhe krimi kurrë s’do të gjendej, veçse do të mbulohej nga dyshimet brrejtëse me versionet kundërthënëse. Në fund të librit vihet në dyshim madje edhe vetë vrasja, si e Rovenës që rishfaqet turbull më pas, pa identitet të qartë, tashmë nga brune në bjonde, dhe bën seks po me Liza Blumin, ashtu edhe e Besfort Y., që e kanë parë jakëngritur duke shëtitur i paqmë rrugëve të Tiranës. Misteri mbulon gjithçka. Gjuha, pra, është e prerë gjer në rrëzë. Fantazmat e hamendjeve kryejnë lirisht ritualet e tyre mbi kurmin e vdekur ose jo të një dashurie misterioze të ndarë në kohë, në hapësirë e në trup. “Jo më kot të vjetrit dyshonin se zotat nuk na i kanë dhënë ne, njerëzve, dijenitë dhe njohjet e epërme. Ndaj sytë tanë, ashtu si zakonisht, ishin të verbër përpara asaj që ndodhte”. (f. 257)

 

Përtej misterit të dashurisë, romani shëtit diçka edhe tek tepria e saj, ndryshe thënë mania, shajnia a dalldia. Thellësitë e dashurisë, ashtu si vetë seksi, janë humnerore, tundimet ca më të mëdha. Kur me diçka ngopesh, diçka tjetër kërkon. Kur dikë e lëshon, më pas e kërkon. Dhe kjo koreografi mishi dhe shpirti, shtyse e joshjeje, ky zhbirim tek e vërteta e mbuluar nga gjethja e fikut, skajimi që ngjet nga rrëfimi i një dashurie dyfishe tek një vrasje (a mashtrim vrasje), në roman shoqërohet prej një vesku të shndritshëm filozofik, përplot meditime, mbi “hieroglifen” e madhe të jetës: Seksin. Nënkupto: dashurinë, martesën, riprodhimin dhe përmbi to, kënaqësinë, tundimin, maninë, teprimin, perversitetin. Nuk na thuhet, por ne e shikojmë se dashuria është një humbje e përhershme dhe një rikthim i përhershëm për një humbje e rikthim të ri, e shoqëruar me trandje, vuajtje, qejf, dalldi, turp e paturpësi, besim e dyshim, mëri e vrasje, pritje, ankth, neveri. Është tërheqja fatale e dy pjesëve të Androgjenit biseksual, femrës dhe mashkullit në po atë trup e shpirt të njehësuar. Në vrapin e kërkimit të dytësit tënd, ose të rigjetjes së tij, njeriu plotëson dhe shpëton veten. Por edhe vret, kur dytësi yt bishtnon, diku tjetër shkon. Dhe mungesa kthehet në jerm. Ndahemi dhe bashkohemi, besojmë dhe shtiremi, vdesim dhe rilindim, shkojmë tek tjetri rikthemi tek i pari – i njëti arketip, i njëjti mit, e njëjta formulë. “Sa herë që ajo afrohej edhe më, bëhej e rrokshme, e qeshur si më parë, bashkë me ngazëllimin e rigjetjes, ai ndjente pikëllimin për tretjen e maskës.” – shkruan Kadare. (f. 129) Ose: “Një grua e pabesë mund të jetë mrekullisht joshëse” (f. 91). Sepse skajimi i dashurisë, harbimi, e ndaluara, etja për të provuar janë në vetë kodet e saj, tek “gremina e errët, aty ku ligjet ishin të tjera dhe pakti, po ashtu”. (f. 159)

Për shpjegimin e misterit të dashurisë shkrimtari thërret semantika të ndryshme, herë nga legjenda e Ago Ymerit dhe rendjen e tij me kalë për të penguar pas nëntë vjetëve në burg martesën e gruas besnike me një tjetër, herë vramendjen e Stalinit mbi varrin e gruas së vet, për “pabesi”, teksa kjo e pat lënë “të vetëm”, duke ia hequr me plumb kokës; herë Don Kishotin e Servantesit me “Novelën e provonjësit të krisur”, ku besnikëria kthehet në jobesnikëri (Kamilla ndaj Anselmit), tok me maninë për të projektuar e provuar tundimet e mundshme ndaj mëtonjësit tjetër, Lotharit, më pas të një tjetri: dyfytyrësinë, “lojën në lojë”, ku seksi me dikë tjetër kthehet në eksitim për vete, një farë tjetërsimi për një eksperiencë të re dhe dalldia vazhdon; herë marrëdhëniet seksuale të përziera e në grup (Lorelej), herë ato të bëra publikisht në anikitetit, pa “turp”. Mos ndoshta edhe vetë Orfeu, në prag të daljes nga Hadesi, teksa ktheu kokën pas, nuk deshte të shihte Euridiken por dashurinë e tij të mbaruar, dashurinë e vdekur? Sepse gjithçka ishte “mbrapshti në thelb”, kur fillimi bëhej fund dhe ndërsjelltas? Kjo prirje drejt pangopësisë dhe të pamundurës krahasohet më tej me manitë dashurore të udhëheqësit komunist shqiptar ndaj të “pabesëve”, ndaj atyre që ai pushkatonte radhazi, të cilët, edhe përballë plumbit, e prisnin vdekjen me ekstaza të tjera dashurie e përbetimesh rrjedhalotëse ndaj tij (si besnikë dhe tradhtarë njëherit). Ose krahasohet me banditët dhe kodoshët, që për të fituar para, i kthenin të fejuarat e tyre në lavire që prostituonin në sy të tyre me të tjerët. Ose me fytyrat e ngrira të gejshave, teksa kryenin ritet e tyre dashurore, të turpshme, të çartura e mbytur në afsh. Ose, më në fund, me ahtet dashurore të femrave evropiane diku në kishën e lezbikeve në ishullin e shkretë mes Greqisë dhe Shqipërisë (ishullit Lezbos), ku edhe vinin kurorë a shpesh vdisnin të mbytura e të therura nga banditët.

Lidhjet thanatos-amor, dashuri dhe vdekje, sipas shkrimtarit, dëshmojnë dhe plotësojnë njëra-tjetrën në asgjënë e shijshme dhe të frikshme. Të tre personazhet janë të fajshëm dhe po askush syresh s’është i fajshëm. Dashuria dhe ata vetë janë arketipalë, në kohë dhe përtej kohës. Urdhërat seksuale janë të parezistueshme, natyrale, apokaliptike, shpesh vrastare, por më shpesh fatale, në vrapin për të gjetur “pjesën e dytë” të gjenit parak, e cila herë duket e herë zhduket. Në hapësirën e ndërmjeme shtrihet vuajtja, pikëllimi, ahti, malli zhuritës dhe, në fund, si nusërim fatal, vdekja.

Romani “Aksidenti”, që s’e kuptoj pse i është vënë ky titull nga Kadare, është një përsiatje shumëdegëzore për të mbërritur në viset e mynxyrshme, njëherësh të mbushura nga luzma e dritës dhe ngjyrave hutonjëse, të dashurive tronditëse që mbajnë dhe shkelin rregulla, sepse janë pikla prej misterit kozmik të Demiurgut. Shoqëritë e emancipuara, sikundër mëton të bëhet edhe ajo e jona, ofrojnë lirinë e cunguar nga barbaria, feja, mashkulliteti unikal a keqkuptimi seksual edhe kundrejt asi individëve që dalin nga rregulli pllenues e riprodhonjës burrë-grua, sepse janë “tjetër” rregull.

Këtë shpjegim, në një rrafsh tejpërmbledhës, autori e sjell përmjet meditimeve të hulumtuesit, kur flet “për formën e parë të dashurisë, atë që kishte vazhduar për dy milionë vjet dhe që, si rrjedhojë e përzierjes së lidhjes fisnore me afshin, e kishte mbushur planetin me idjotë dhe gjysmakë… Pavarësisht se shumë herët njerëzit e kishin kuptuar se pjellja e fëmijëve duhej bërë jashtë fisit, u desh kalimi i qindra mijëvjeçarëve që ndezullia femër-mashkull, nga një kronikë e pafund pllenimi, të merrfte formën e dashurisë, siç njihej sot. Ndonëse tepër e vonshme (ndoshta tre-katër mijë vjet përpara ndërtimit të piramidave), kjo dashuri e re, rebele e shkreptimtare, si dita e fundit e botës, arriti të matej me dashurinë e vjetër milionavjeçare. Besnikërisë së vjetër të mërzitshme, por të sigurt të gjakut, ajo i kishte vënë përballë pasigurinë e vetëtimtë me shije humnere dhe mungesën e arsyes. Shemra mortore, asnjera, megjithatë, nuk kishte arritur ta mposhtte tjetrën. Madje, herë pas herë, mamuthi i vjetër i përgjumur arrinte ta përçmonte bishën e re, gjer në atë shkallë, sa të vinte në dyshim qenien e saj” (f. 233)

Kadare nuk harron të përdor si dekor Shqipërinë e pas vitit 1990, me rrëmujën, ofshamën, paradokset dhe hatatë e saj, ku sheshet gëlojnë nga demostruesit, ku të vërtetat kanë rënë kryengulthi në një mjedis politik shurdhan e absurd, ku pronat e ish pronarëve grabiten “ligjërisht” nga pronarët e rinj komunistë apo hajdutë tundashkundës të pushtetit, ku pikëllueshëm vdesin dy mbretëresha dhe shteti s’di se ku t’i varrosë, ku qiellgërvishësit dhe motelet e qejfit pjellorojnë marramendthi qytetet me çudira e teprira. Ky lloj dekori social dhe politik nuk është aq i zymtë si në romanet e tjerë të shkrimtarit, përkundrazi ka një tush gjithkah përtallës, grotesk, qesëndisës. Ca më shumë, ai përdoret thjesht si një garniturë: hiqe dhe kurrëfarë boshllëku s’krijon. Funksioni i vetëm është për të krijuar një farë ombrelle mjedisore për dy personazhet kryesorë, të cilët janë shqiptarë dhe shkojnë e vijnë herë pas herë nga Europa në Shqipëri.

Romani “Aksidenti” ndërtohet si një proces hetimi mbi një vrasje. Në fakt, ky proces është vetëm një pretekst, ka pak “tul” në vetvete, andaj përjashtohet, të themi, tipologjia policeske hetimore e veprës. Grahja në atë çka dhe si ndodh na çon pa një pa dy në tipologjinë e romanit psikologjik: një psikologji jo aq e drejtpërdrejtë nëpërmjet Besfort Y dhe Rovenës, sesa e ndërmjetësuar sa nga rrëfyesi, sa nga shkrimtari si meditues, aq edhe nga hulumtuesi. Kur fleta e fundit bie, thua: Pse e gjitha kjo? Sepse, ndryshe nga vetimi dramatik, epik, tragjik të romaneve të tjerë, me fatin e Shqipërisë dhe shqiptarit në mes të mesit, kësaj radhe shkrimtari të jep një biletë fluturimi për tek humbella, yllësia a ndezullia, gjithmonë e njohur dhe gjithmonë e panjohur: dashuria. Kësaj radhe ti prek një tabu. Lexon një palimpsest. Preke dhe lexoje! Ai ka për të t’i djegur gishtat. Jeni apo nuk jeni dakort me të, kjo është çështje tjetër…

 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora