E enjte, 01.05.2025, 03:29 AM (GMT+1)

Kulturë

Eno Koço: Festivali i 11-të, nuk ishte çoroditja e muzikës, por ishte çoroditja e partisë

E hene, 24.05.2010, 09:31 PM


Ne mes Albert Zholi, djathtas Eno Koço, maj Ilir Cumani
Ne mes Albert Zholi, djathtas Eno Koço, majtas Ilir Cumani

Flet “Artisti i merituar” dirigjenti dhe studiuesi Eno Koço: Librin për nënën time Tefta Tashko do ta ripunoj

 

Festivali i 11-të, nuk ishte çoroditja e muzikës, por ishte çoroditja e partisë

 

Nga Albert Zholi

 

I dashur, studiues, korrekt...Jeta e tij është tepër intersante. Eno Koço u lind në Tiranë, në gjirin e një familjeje me tradita muzikore, në vitin 1943. Nipi i atdhetarit të Rilindjes, Athanas Tashko, dhe i biri i artistes së shquar Tefta Tashko. Familje artistësh, i ati ishte bariton, ndërsa e ëma soprano lirike, Artiste e Popullit. Eno në moshën 7 vjeçare nisi të studiojë violinë në Liceun Artistik të Tiranës, më vonë në Leningrad, përpara se të diplomohej në ILA të Tiranës, më 1966. Në vitin 1978, emërohet dirigjent i Orkestrës Simfonike të RTVSH. Me këtë orkestër, përveç numrit të madh të koncerteve simfonike e vokale, bëri regjistrime të këtij repertori, të muzikës së filmave dhe këngëve të Festivaleve në Radiotelevizion, dhe zhvilloi turne në Kosovë (1979) dhe Turqi (1983), Egjipt (1986), u specializua per dirigjim ne Torino me 1989.

Vepra artistike e Eno Koços në fushë të muzikologjisë, është kolosale.. Ndër botimet shqip dhe anglisht, janë traktati "Orkestrimi", në bashkëpunim me Gjon Simonin (1977, 1984), librat "Tefta Tashko Koço dhe koha e saj" (2000), "Kënga Lirike Qytetare Shqiptare në vitet 1930" (2002), “Kenga karakteristike korçare” (2003), “Shostakoviç dhe Kadare” (2005), artikuj periodikë që nga viti 1970, dhe ndër më të fundit janë ato të botuara në revistën "Kultura Popullore", "Studia Albanica", “Perla”, “Hylli i Drites”. “Musical Times” etj. Mbron doktoraturen me 1998 me “Albanian Urban Lyric Song in the 1930s”. Në vitin 1984, Eno Koços i jepet titulli Artist i Merituar. Mban komunikime shkencore në universitetet e Evropës, afirmon vlerat muzikore shqiptare, promovon muzikën e kompozitorëve britanikë në Tiranë, e afron opinionin shqiptar me vlerat e larta të muzikës botërore (Tosca, Cosi fan tutte, Dasma e

Figaros, veprat e Edëard Elgarit e mjaft kompozitoreve te tjere).

 

Kohët e fundit ju keni bërë disa botime për këngën qytetare shqiptare, dhe për këngën shqiptare në përgjithësi, por lexuesi është pak i njohur sepse ju jeni jashtë atdheut. Mund të na bëni prezent disa nga këto botime, dhe çfarë përmbajnë ato?

 

Unë jam edhe jashtë edhe brenda Shqipërisë. Të shumtën e kohës unë e kaloj këtu. Jeta ime tani është përqëndruar totalisht drejt shkrimeve dhe librave. Shkas u bënë vitet 1994-1998, kur shkruaja doktoraturën në Angli, mbi muzikën lirike qytetare shqiptare, për vitet 1930 sepse atëherë në ato vite dolën këngëtarët e parë të artit klasik vokal që erdhën nga Franca, nga Italia, Rumania, dhe nga vende të ndryshme dhe u grumbulluan në Shqipëri dhe krijuan atë bërthamën e parë të muzikës lirike shqiptare. Ata e kultivuan shumë këngët qytetare shqiptare, te Shqiperise se veriut, asaj te Mesme dhe te Jugut. Këto këngë i kam vënë në gojën e tyre kryesisht, por dhe në gojën e këngëtarëve të ansambleve tradicionale popullore si ata te ahengut shkodran, kenga e Elbasanit, si dhe sazet e jugut. Ka pasur më të mëdhenj se unë që janë marrë me këtë punë si Ramadan Sokoli dhe kolegë të tjerë të mëvonshëm .Ata e kanë trajtuar shumë mirë këtë aspekt. Unë jam marrë me atë që kjo muzikë qytetare u kthye ne kenge lirike, si një art me muzikë artistike e kultivuar, dhe nëpërmjet kësaj futem edhe pak histori. Mendoj se një pjesë e mirë e këngëve të Shqipërisë së mesme dhe të veriut janë të trashëguar nga lindja, sepse atëherë kemi qenë nën perandorinë Osmane për një kohë të gjatë. Jam marrë kryesisht jo me këngët e fshatit por me këngën që zhvillohej nëpër qytete mbas shekullit 17. Në libër kam treguar se si u zhvilluan këto këngë. Jam mbështetur tek ndryshimet e mëdha që ka mes veriut dhe Shqipërisë së mesme dhe në mënyrë të veçantë këto të dyja me jugun. Jugu ka tjetër karakter. Jugu ka një muzikë me shumë zëra, herë me iso dhe herë pa iso dhe kjo reflektoi shumë me muzikën qytetare. Jam marrë edhe me këngën karakteristike korçare .Kënga korçare është konsideruar gjithmonë si një muzikë me influenca nga jashte Shqiperise , por kjo muzikë u korçarizua, u bë e vendit dhe mban vulën e Korçës. Jam marrë edhe me studimet që dalin jashtë këngës te cilat lidhen me fenomene sociale e politike. Në Angli kam pasur dhënë për disa vjet me radhë temën se “çështë artisti në një shoqëri të mbyllur”, apo ç’është disidenca. Me një sistem totalitar ku artisti e kishte të kufizuar lirinë e të shprehurit dhe atje larg në Angli merrja si shembull Shostakoviçin dhe gjeja krahasime shumë të ngjashme me Kadarenë. Dy vende të ndryshme por me të njëjtin sistem totalitar, njëri shkrimtar në Shqipëri si Kadareja dhe ky tjetri kompozitor në Bashkimin Sovjetik si Shostakoviçi. Të dy kishin pika kontakti të përbashkëta, si diktatura, udhëheqësi, mesazhet e fshehura, ambiguiteti etj . Në artikuj jam marrë edhe me pikëpamjet e kritikëve perendimore, apo më mirë që nuk kam qene ne nje mendje me ta si e trajtojnë Shostakoviçin dhe Kadarene. Veprat më të bukura të Shostakoviçit e Kadaresë janë bërë ateherë ku kishte më pak liri shprehjeje.Të gjitha këto që thashë janë botuar në anglisht dhe në shqip.

 

Si po vazhdon rruga e botimeve?

 

Po bëhen afro 8 vjet merrem edhe me këngët e Shqipërisë së jugut .Bëj dhe krahasime (megjithëse i përkiste periudhës paraosmane) me muzikën liturgjike të asaj kohe. Gjithmonë ka pasur teza që njëra mund te kete rrjedhur nga tjetra apo e kunderta. Ato nuk kane pika kontakti ne origjine, por që të dyja kanë por rrojtur dhe janë zhvilluar në të njëjtin pellg. Një element i rëndësishëm i këtyre këngëve është isoja. Kënget me iso ka rrojtur kryesisht ne Shqiperine e Jugut, por edhe ne disa vende te Greqise se Veriut, Epirit. Kjo lloj muzike shumëzërëshe unë e tregoj se si nisi ne një shtrirje të caktuar gjeografike, ku merrnin pjesë të gjitha llojet e etnive dhe pastaj me kalimin e kohës filloi e të marri një karakter gjithnjë e më shqiptar, madje fizionomi te mirëfilltë shqiptare. Shqiptaret krijuan stile nga me te larmishmet, ato te Laberise, Gjirokastres, Toskerise se Skraparit, myzeqare, çame etj. Elemntet janë të gjitha të marrësit dhe të prerësit, hedhësit e isos, dhe dialekte muzikore nga me te sofistikuaret i gjen sot në mbare Shqiperine e jugut. Këngët e çamëve janë veçanërisht emocionuese. Te njëjtat kenge, por ne stile te ndryshme, kendohen nga greket e Epirit. Ata i këndojnë greqisht ata shumë elementë i kanë të adoptuar nga këngët e shqiptarëve por që ia kanë përshtatur jo vetëm të folurës por edhe ambientit ku jetojne. Pra kjo muzikë ka një shtrirje të caktuar dhe jashtë kufijëve të Shqipërisë se sotme. Shtrihet në një kufi që është midis dy lumenjve, Shkumbinit dhe Kalamas (Thiamisit te hershem). Kjo është një muzikë dhe një këngë që ia vlen të dedikosh kohën, mundin, energjitë, pasionin për të nxjerrë më pah. Këtë e bëj për ia bërë më të qartë botës perëndimore. Tani ka një konferencë që bëhet 15-20 shtator në Sardenjë ku mblidhen etnomuzikologë nga vende të Europës dhe diskutohet pikërisht kjo – kënga shumëzërëshe e Mesdheut. Atje do të kete edhe nga ata që vijnë nga veriu. Ne padyshim kemi te veçanten tone me kenget vëndçe Ne kemi gjuhen dhe harmoninë modale harmonike. Çështja e emërtimit apo termit “polifonik”,është nje gje e diskutueshme. Emertimi eshte bere nga etnomuzikologët jo ne kuptimin e përkthimit fjale per fjale, poli -fonos (shumë zërësh), por ne kuptimin teknik te struktures klasike, që do të thotë se kur njëri zë zhvillohet, tjetri dëgjon dhe pastaj te gjithe se bashku qendrojne peshe mbi ison. Pra është gërshetimi i zërave. Kohët e fundit jam marrë shumë me këto lloj këngësh. Kam shkuar disa herë në Kalabri dhe Siçili dhe kam dalluar qe edhe atje ka gjurme te isos dhe te shumëzërëshit. Shqiptaret janë larguar per ne Itali a Siçili nga shekulli i 15 dhe kanë ruajtur në mënyrë të fanatike këngën e liturgjisë edhe këngën tradicionale të jashtë kishës. Në këngën e liturgjisë nuk e gjen ison, ndërsa në këngën tradicionale elementët e isos janë te zbehta. Atëherë sapo kishte filluar ky element të krijohesh. Në Ballkan gjatë 500 vjetëve isoja u forcua shumë, mori një rol thelbësor në trajtimin e kenges. Një studiues italian ka dalluar kohet e fundit gjurmë të isos dhe në këngën liturgjike. Kjo eshte fare e panjohur per mua.

 

Profesioni juaj real është dirigjimi, kur keni shkuar jashtë shtetit a ishit në ato nivele profesionale, duke patur parasysh se keni studiuar në akademinë shqiptare , a i përshtateshit kushteve të vendit ku shkuat në nivel profesional?

 

Profesioni im ka një specifikë të veçantë. Është gjuhë e pafolur, në ndryshim nga piktura nga dramaturgjia, filmi, teatri. Muzika është me një gjuhë ndërkombëtare, ku të gjithë flasin me të njëjtat parametra, dhe të gjithë flasin me të njëjtën mënyrë. Nuk është e vështirë që një dirigjent që lëviz nga vendi i tij dhe shkon në një shtet tjetër të mos vlerësohet nqs është i aftë, kjo varet nga aftësia e tij. Nëqoftëse je i mirë ata të pranojnë. Asnjëri nuk të merr atje me hatër. Unë shkova bashkë me familjen time në një festival. Bëra një kërkesë, pastaj një provë dhe hyra në orkestrën e Universitetit të Lidsit.

Kisha eksperiencë të madhe këtu në Shqipëri pranë Radiotelevizionit. Në Angli krijova marrëdhënie profesionale dhe solide me kolegët e atjeshëm. Kjo më ka shërbyer shumë se për mua dirigjimi ka qenë për mua baza e jetës e të ardhurave dhe të veprimtarisë sime. Tani jam dhe dirigjenti dhe muzikologu.

 

Duke patur parasysh se keni punuar në Radiotelevizion, çfarë eksperience ruani kryesisht nga festivalet e radiotelevizionit shqiptar, cilat janë ditët që i kujtoni me shumë ëndje dhe kush janë ditët që i kujtoni me dhimbje?

 

-Festivali në atë kohë (para ’90-es) ka qenë ngjarja kryesore e vitit. Atëherë kishte vetëm një orkestër qe bente te vetmin festival televiziv. Nuk kishte atëherë siç ka sot disa festivale dhe niveli padyshim është rritur mjaft. Duke qenë vetëm një, dashur pa dashur Ferdinand Deda unë ishim në epiqendër. Muzika, stili, botëkuptimi ishte më ndryshe. Njerëzit kanë nostalgjinë për ato festivale edhe pse ishin disi statike, të ngurta dhe tekstet kanë qenë të politizuara. Megjithate, nje pjese e mire e melodive ishin të bukura, madje mjaft të bukura.

Por me festivalin merreshim një muaj në vit, 11 muajt e tjerë merreshim me muzikën simfonike e vokale. Bënim koncerte dhe regjistronim vepra pa fund, ku shumica ishin vepra shqiptare dhe në fund të vitit pastaj ishte festivali. Cdo festival kishte të veçantën e tij, ku impenjimi ynë ishte maksimal.

 

Cfarë ruan si ditën më të bukur në këto vite?

 

Ishte padyshim bashkëpunimi me kompozitorët, por dhe këngëtarët e të gjitha grupmoshave. Këngëtarët shumica ishin amatorë por të ngrohtë.

 

Në radiotelevizion ka qenë e pranishme edhe kritika, kush është mendimi juaj për festivalet post komuniste, si edhe për muzikën e lehtë ku thuhet se ka huazuar shumë?

 

Mendoj se ka një përparim të jashtëzakonshëm të muzikës së lehtë sot. Ndoshta më shumë se në çdo degë tjetër të muzikës. Me teknologjinë e re që është krijuar, intonacioni është shumë më i pastër dhe shumë më i pëlqyeshëm. Këngëtarët kanë shumë eksperiencë sepse dalin edhe jashtë vendit. Por kënga edhe do të ketë huazime. Gjithnjë ka pasur huazime. Do te mbetet ajo më e mira, më pak e huazuara, më origjinalja, më e veçanta, ajo që evokon ndjesi të vendit nga buron, pra nga Shqiperia.

N.q.s do të shikojmë të gjitha pikat e shitjeve të disqeve, muzika popullore 4-5 vitet e fundit po ecën më shumë se muzika e lehtë. Kush është mendimi juaj?

Nëqoftëse është e vërtetë kjo, kjo është një mrekulli. Kjo është një mrekulli sepse duke parë se shumë kanë emigruar jashtë vendit. Muzika e vendit është krijuar në qindra vjet dhe nuk është një gjë që mund të zhduket kollaj në 10 apo 20 vjet tranzicion.Ky është realiteti që muzika tradicionale nuk ka për tu zhdukur kurrë, ajo do te kete sigurisht baticat e zbaticat e saj.

 

Festivali 11, përmendet dhe sot nga ço këngëtar dhe kompozitor. Kush është mendimi juaj për fesivalin e 11-të?

 

Festivai i 11-të ishte shpërthimi për një kthesë të madhe. Jo vetem ne muzike, por edhe në drejtim të artit figurativ e letërsisë ka pasur gjithmonë dëshira për kthesa, për largime nga stanjacioni, ndoshta si reagime ndaj pushtetit, partisë që të krijonte gjithmonë një gjendje tensioni që të mos arrinte njeri që të mendonte ndryshe. Festivali i 11-të nuk kishte asgjë të tepërt. Atje ishin të gjitha këngë të bukura, këngë me puls e ritmike. Ai nuk ishte çoroditja e muzikës por ishte tensioni dhe coroditja e partisë.

 

Eno midis dirigjimit dhe librave studimorë. Me kë është i dashuruar kohët e fundit Eno Koço?

 

Dirigjimi është një punë që e bëj falë eksperiencës së gjatë investimit që kam bërë në dekada në të. Megjithate, është fushe e veshtire për të çare ne maja te larta. Ndërsa shkrimet e mia në fushë të muzikës shqiptare zgjojnë mjaft interes në perëndim, ndoshta se e kane te lehte t’i lexojnë drejt e në anglisht. Nuk jam unë që gjykoj mbi veten time, është kritika që më gjykon. Kur kritika reagon tregon se je ne vëmendje të diskutimeve.

 

Ju ditët e fundit keni përkrahur nismën e Institutit të Jetimëve, për ditën e 20 Majit, çfarë mund të na thoni për ditën e jetimëve?

 

Nuk ka gjë më të bukur në këtë botë se sa të investosh për fëmijët jetimë. Unë në fëmijërinë time kam qenë në të njëjtën pozitë dhe e di se sa nevojë kanë këta fëmijë. Ata janë njerëz si çdo njeri tjetër fatkeq që duhen përkrahjen maksimale. Jeta ka provuar se shumë e shumë fëmijë pa prindër kanë çarë në jetë dhe kanë bërë mrekullira njësoj ose edhe më mirë se të tjerët. Ndoshta të bën jeta më të fortë dhe më vendosur, por kjo nuk është me të gjithë jetimët. Do të ishte një gjë e mirë kur çdo pjesë e shoqërisë të bënte sado pak në drejtim të fëmijëve jetimë si z. Cumani. Ne festimin e ditës se jetimeve fatkeqësisht nuk do te jem ne Tiranë, por po të isha, të gjithë mbështetjen time do ta kisha dhënë në këtë drejtim. Edhe një përshëndetje ka vlerën e saj.

 

Disa momente nga më të bukurat si në botime dhe në udhëtime?

 

Një ndër botimet është libri që ja kam dedikuar nëns time *Tefta dhe koha e saj*, te cilin do të doja ta zgjeroja. Eshtë shkruar edhe më parë për nënën time, por shumë gjëra janë glorifikuar , ndoshta ishte nevojë e kohës që të nxirrte heronj. Ndërsa lidhur me udhëtimet, ishte momenti kur pashë hallën time në Rumani. Nuk e dija që ekzistonte. Ishte momenti që ndryshoi jetën time. Ndjeva një njeri që më donte shumë. Ajo kishte vite që kishte humbur kontaktet me vëllanë e saj, nuk e dinte që unë kisha lindur. Por botimet me karakter hulumtues kanë tjetër natyrë dhe vlerë sikundër dhe tashmë udhëtimet e shumta më kanë bërë më selektiv...

 

Cfarë i mungon muzikës shqiptare sot?

 

I mungon kritika, kritika profesionale.



(Vota: 2 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx