Kulturë
Nuhi Veselaj: Shumësi dhe shquarsia e emrave në shqipen standarde (VI)
E hene, 24.05.2010, 09:21 PM
SHUMËSI DHE SHQUARSIA
E EMRAVE
NË SHQIPEN STANDARDE
(konstatime, diskutime, propozime)
Nga DR. NUHI VESELAJ
nuhiveselaj@hotmail.com
(3) SHUMËSI I MASHKULLORËVE ME MBARESAT
E MIRËFILLTA -Ë,-E,-A MBI TEMA
konsonantike
Shembujt, sipas profilimeve formale të tyre, do të paraqiten me radhë sipas këtyre mbaresave -Ë, -E dhe -A dhe do të shihet më në hollësi dhe sa do të përforcohet sqarimi, apo jo, rreth profilimit të përdorimit të tyre sipas nënfushave të cekura semantike, do të shihet në vijim gjatë trajtimeve përkatëse.
A) Shumësi i mashkullorëve me mbaresën –ë
Formanti–ë në shqipen e sotme konsiderohet, siç u tha, si një mbaresë e specifikuar vetëm a kryekëput për shumësin e emrave, zakonisht të frymorëve të gjinisë mashkullore. Vërtet, kjo veçori a prirje shihet edhe në emërtimet e reja të kohës, por kjo çështje nuk del aq e thjeshtë. Ç’është e drejta, po me këtë mbaresë del i regjistruar edhe një numër i konsiderueshëm emrash jofrymorë, prandaj çështjen e bëjnë të diskutueshme. Dhe pikërisht për shkak se ndërkohë nuk pati koncept zgjidhjeje të ngjashme me tonën nga standardiologët tanë, ndodh që edhe aktualisht të përdoret kjo mbaresë edhe për emra jofrymorësh. Kemi bindjen se kjo shtrirje edhe te emrat jofrymorë për emërtime të reja po ndodh spontanisht dhe si duket pa nevojë. Na merr mendja se nëse kjo që thamë, sipas ide-propozimit tonë, konstatohet si e drejtë edhe nga standadologët tanë, ky spontanitet që po shfaqet nga mosnjohja e një prirjeje të tillë si gjedhe-dukuri, do të mund të frenohet pa vështirësi. Pra, pikërisht kjo çështje do të jetë objekt diskutimi e theksimi edhe në punimin tonë në vijim dhe këtë do të përpiqemi ta ilustrojmë me shembuj konkretë sipas profileve a nënfushave përkatëse semantike.
Zakonisht emërtimet si emra të tillë mashkullorë që shumësin e bëjnë me mbaresën -Ë janë fjalë-emra të ndërtuar me më shumë se një rrokje dhe që mbarojnë me bashkëtingëllore në temë dhe kanë theksin në rrokjen e fundit. Për nga fjalë-ndërtimi, në gjendjen e sotme emrat e tillë janë kryesisht fjalë të prejardhura me prapashtesa, por edhe me fundore të ndryshme, ashtu siç u cek pak më sipër, në nënkreun e parë..
Në të vërtetë, siç e thamë më përpara, shumësin e mashkullorëve me këtë mbaresë e ndeshim edhe tek emrat frymorë dhe ata jofrymorë, po cilët kanë përparësi dhe cilës nënfushë a cilit profilim i përkasin, le të ndiqen shembujt që i volëm kryesisht nga FSHS 2002 dhe po i paraqitim më poshtë.
a) Shumësi i emrave të frymorëve me mbaresën –Ë
Mbaresa –Ë përdoret për disa nëngrupe emrash frymorësh të gjinisë mashkullore, si p.sh.:
1) emërtime të njerëzve sipas vetisë së tyre: tullac-ë tullacë-t patriot-ë; memec-ë, dashamir-ë/t, fismir-ë/t, kryeneç-ë/t gojëters-i gojëtersë-t etj. –numër i pakufizuar;
2) emërtimet e njerëzvee sipas prejardhjes a vendbanimit të tyre, tipi: durrsak-u-durrsakë-t, dibran-i dibranë-t, gjakovar-i gjakovarë-t etj. – numër i pakufizuar;
3) emërtimet e njerëzve sipas profesionit a rangut shoqëror, tipi: anëtar-i anëtarë-t, shok-u shokë-t, mullis-i mullisë-t, bles-i blesë-t e kështu me radhë si: arsimtar-ë/t, toger-/t, artist-ë/t, drejtor-ë/t; kovaç-ë/t, komit-ë/t, major-ë/t, fotograf-ë/t, mjek-ë/t, atlet-ë/t gjeneral-ë/t, civil-ë/t, kriminel-ë/t, marangoz-ë/t, agronom-ë-/t, polic-ë/t, poliglot-ë/t etj. etj. – numër i pakufizuar;
4) emërtime kafshësh, tipi: patok-u patokë/t, majmun-ë/t, pinguin-ë/t, luan-ë/t etj. – pra, numër me mundësi të hapur shumimi.
Të vihet re se pas shembujve të të gjithë tipave e nëntipave të caktuar të frymorëve është shënuar treguesi etj. ose numër i pakufizuar ose numër me mundësi të hapur shumimi, që tregon se emrat e tillë për nga numri, siç u cek, nuk është i kufizuar, madje ka raste që edhe emrat që në ligjërime të caktuara merrnin shumësin me -N të palatalizuar në -J si çoban çobaj, luan luaj, politikan politikaj etj. tani marrin vetëm mbaresën -Ë çobanë-t, luanë-t, politikanë-t e kështu me radhë, jo çobaj-t, luaj-t, politikaj-t etj.
b) Shumësi i emrave jofrymorësh me mbaresën –Ë
Po japim edhe shembuj të gjësende-konkrete të regjistruar në FSHS (2002), si:
mëru-ri mërurë-t (mënoja e thikës) ose drunakuq-i drunakuqë-t, cipekuq-i cipekuqë-t, cinxakuq-i cinxakuqë-t (duke paraqitur mospërputhje me nëntipin këmishkuq/të siç e pamë më sipër); akumulator-i /ët, altoparlant-ët, autobus-i/ët, automat-i/ët, avion-i/ët, ashensor-i/ët, buldozer-i /ët, dhëmb- i dhëmbë-t lek-u lekë-çekan-i/ët, çekiç-i/ët, çikrrik-u/ët. çarçaf-i çarçafët, guralec-i/ët, gjerdan-i/ët, helikopter-i/ët, hidroplan-i/ët, karton-i/ët, kaluç-i/ët, kaptell-i/ët, kofin-i /kofinët, këllëf-i këllëfët, legen-i legen/ët, motor-i /ët, koftor-i/ët,myhyr-i/ët, peshqir-i/ët, qebap-i/ët, sahan-i –ët, sapun-i/ët, radiator-i /ët, traktor-i /ët, transistor-i/ët, vagon-i/ët, vapor-i/ët, zinxhir-i/ët, e ndonjë tjetër..
Shumica e shembujve të tillë, të cilët, si u tha, dalin të regjistruar në FSHS (2002) me mbaresën –Ë në shumës, në burime të tjera dilnin me mbaresë alternative, siç e pamë në nënkreun e mësipërm, andaj ne disa nga shembujt përkatës të këtij tipi semantik në nëntitullin e mëparshëm, mbaresën e shumësit e zëvendësuam ndërgjegjësisht me mbaresën –A, ngase kemi bindujen se e artdhmja e afërt do të jetë në mbështetje të veprimit tonë.
Sidoqoftë, kjo çështje domosdo doli si pikë e diskutueshme, ngase përzgjedhja e shumësit nga hartuesit e fjalorit në fjalë me mbaresën Ë, mund të thuhet se është bërë në mënyrë arbitrare pa u mbështetur në ndonjë kriter. Në realitet, kur kemi parasysh tërë sistemin emërformues si dhe thjeshtëzimin a klasifikimin e tij sipas nënfushave semantike, trajtat konkurruese me mbaresën –A dalin më të parapëlqyeshme, më praktike se këto me –Ë të shënuara arbitrarisht edhe, të cilat edhe mund a duhet të korrigjohen ose të zëvendësohen, por çka është me rëndësi, nëse bëhet korrigjimi a zëvendësimi ai del aq natyrshëm saqë nuk dëmton fare konceptet semantike, përkundrazi e përforcon rrafshimin si dhe qëndrueshmërinë e tyre sipas nënfushave të cekura semantike.
Nga sa thamë, mund të shprehemi me bindje të plotë se për nëngrupet a nënfushat e mësipërme nën pikën a) mbaresa -Ë paraqitet si formant i specifikuar me prirje specializimi, kryesisht për emërtimin frymorëve, por jo edhe të jofrymorëve, pika b), ngase shembujt nga kjo pikë, po përsërisim, sa i përket mbaresës së shumësit me arsye dalin të diskutueshëm.
Pra, nga sa u pa, formimet e shumësave me –Ë u takojnë emrave që përdoren për formimin e emrave të frymorëve, po mbaresat e tjera: (E dhe A) kanë prirje specifikimi, apo jo, edhe ato, siç është cekur në ide-propozimin tonë, apo jo, le ta ndjekim edhe më tej analizën në vazhdim.
B) Shumësi i mashkullorëve me mbaresën –e
Edhe mbaresa –e, ashtu si edhe mbaresa –ë, siç u tha më sipër, konsiderohet se fillimisht ishte e implikuar për shumësin e emrave asnjanës, mirëpo ndërkohë, sidomos në kohën tonë sipas raportit të fushave semantike konkretizim/abstraksion ose frymorë / jofrymorë lidhur me të dalin prirje të forta që kjo mbaresë shumësi të specifikohet si një mbaresë shumësi të emrave përkatës që shprehin procese pune ose nocione që ndërlidhen me procese të tilla Kjo prirje shihet, pikërisht, në femërorëzimin e shumësit të një numri të konsiderueshëm të emrave të veprimit të gjinisë mashkullore në gjendjen e sotme.
Në të vërtetë, mbaresën –E në shumës e marrin vetëm emrat mashkullorë me kuptim përgjithësisht abstrakt, por edhe ndonjë konkret dhe këtë të dhënë po e ilustrojmë me shembuj përkatës, dhe për këtë. përveç shembujve nga fjalori në fjalë, po e shfrytëzojmë edhe materialin nga Gramatika e Akademisë, por duke mos e ndjekur radhën që kanë shembujt aty. Ne trajtave përkatëse të emrave, siç mund të nënkuptohet nga analiza e deritashme, u japim përparësi sipas nënfushës a profilimeve përkatëse semantike që ndërlidhen me kuptimësi të procesit të punës. Pra, së pari, do të japim emra abstraktë me këtë mbaresë dhe së dyti do të cekim edhe emra të përgjithshëm gjysmë- konkretë ose edhe konkretë:
1) Shembuj të emrave abstraktë me mbaresën –E
Ja disa shembuj që e pohojnë atë që thamë rreth prirjes përkatëse:
a) emrat prejpjesorë të veprimit me prapashtesën –im, të cilët kanë këtë skemë zhvillimi: besim-i besime-t, adhurim-e adhurime-t, shkëlqim-e/t, gabim-e/t, qëllim-e/t, vendim vendim-e/t etj. – numër i pakufizuar;
b) emrat e huazuar-numër i konsiderueshëm por me model të qartë favorizues (në përgjithësi me fundoret –on, -um, ium, dhe-azh) të cilët tregojnë po ashtu veprime si p.sh.:aksion-i – aksione-t dhe kanë po këtë skemë zhvillimi edhe shembujt e tzjkerë si: batalion-e, duel-e, embrion-e, revolucion-e, stacione; albume, festival-e, forum-e, pazar-e, seminar-e, simpozium-e, homazh-e, stadium-e, panair-e, pastaj kros-i krose-t, kuartet-i kuartete-t, marsh-i marshe-t, moment-i momente etj. - numër i pakufizuar;
c) emrat që tregojnë kuptime abstrakte ose janë terma që zakonisht tregojnë rezultatin i një veprimi, paksa të profiluar, si p..sh.: fakt-i fakte-t, plan-i plane-t, fis-i fise-t, komb-i kombe-t, visar-i visare-t, lloj-i lloje-t, katërsh-i katërshe-t, kaptel-i kaptele-t, kujdes-i kujdese-t, motiv-i motive-t, llogaritëm-i llogaritme-t, ideal-i ideale-t, inat-i inate-te, kanun-i kanune-t, koment-i komente-t, front-i fronte-t, horizont-i horizante-t, aksident-i aksidente-t, organ-i organe-t, qejf-i qejfe-t, gazep-i gazepe-t, triumf-i truimfe-t, argument-i argumente-t, mister-i mistere-t,, ciklon-i ciklone-t, elektron-i elektrone-t, idil-i iduile-t, zakon i-zakone-t etj. - që kanë po ashtu skemë të ngjashme zhvillimi si fakt-i fakte-t, argument-i argumente-t e kështu me radhë - gjithsesi numër i pakufizuar.
Siç po shihet nga analiza shembujt e të tri pakave të trajtuara më sipër që mbulojnë koncepte të fushës së abstraksionit sa i përket prodhimtarisë dalin me treguesin: numër i pakufizuar, çka e përforcojnë ide-propozimin tonë rreth specifikimit të mbaresës përkatëse.
2) Emërtime vendesh me mbaresën –E
(ku kryhet ndonjë veprim)
a) Edhe emrat që tregojnë një vend të caktuar, ku kryhet ose nënkuptohet se emërtohet si i kryer një veprim i caktuar ose ku del i ndërlidhur një veprim a manipulim (zakonisht nga njerëzit) dalin në numër jo të vogël. Ja disa shembuj:
konvikti konvikte-t- kopsht-e, qytet-e, shtet-e, katund-e, vend-e; kat-i katet, kalifat-i kalifat-e-t, kabinet-i kabinete-t, klub-i klube-t, katund-i katunde-t, kombinat-e, korridor-i korridore-t, kulm-i kulme-t, kalldrëm-i kalldrëme-t, mriz-i mrize-t, muzeum-i /-e-t, pallat-e, restorant-e, stadium-e, hidrocentral-e, hotel-i hotele-t, kamp-e, kanal-e, mal-e, manastir-e mineral-e, panair-i/e-t, dyqan-e dyqane-t, pullaz-i-e-t, pus-i –e-t, shesh-et, themel-et, dikaster-et, kantier-e, varr-et etj.
- numër relativisht i madh me mundësi të hapur shumimi dhe të padiskutueshëm sa i përket shumësit me mbaresën -E, ku secili shembull ka po të njëjtën skemë zhvillimi ndërtimor e eptimor, si p.sh.: konvikt-i konvikte-t, mal-i male-t, e kështu me radhë.
Pra, numri i shembujve të tillë me mbaresën E të shumësit ka mundësi të hapur të padiskutueshme shumimi.
a) Po i shtojmë edhe disa emra që tregojnë (jofrymorë), po një mjet a pjesë të një organizmi ose të një mjeti me të cilin kryhet një veprim në një vend të caktuar, si p.sh.:
kurth-i kurthe-t, diamante-t, instrumente-t, kostume-t, frone-t, kafaze-t, rafte-t, sergjen-te etj,
Pra shumica e emrave të tillë me mbaresën –E, që mbarojnë me bashkëtingëllore dhe tregojnë një mjet veprimi ose një pjesë organizmi janë në numër të kufizuar në krahasim me nënfushat semantike që u cekën më sipër, prandaj edhe te këta shembuj konkretë shihet prirja me kalue tek emrat me mbaresën –A: raftat, kurthat, instrumentat etj..
Sidoqoftë, kjo mbetet çështje e diskutueshme.
3) Shembuj të emrave konkretë me mbaresën E
a) Ndodh që ndonjëri prej emrave konkretë që ka edhe elemente konkretësie, por edhe kuptimësi terminologjike me marrë shumësin me mbaresën -E Krahaso: diamante / diamanta, intrumente / instrumenta, dokumente / dokumenta, grushte/grushta, gjokse/gjoksa, kostume/ kostuma etj., prandaj, siç jemi shprehur më përpara, nëse në konceptin e shprehur përkatës ka më shumë elemente abstraksioni, atëherë duhet përdorur mbaresa -E, po nëse ai koncept ka më shumë elemente konkretësie duhet futur në veprim mbaresa –A, siç u përsërit edhe pak më sipër.
b) Janë disa shembuj të regjistruar në shumës me formantin –E, po sipas kuptimit që shprehiun shembujt përkatës në kontekst të caktuar munden me marrë mbaresë -A dhe në këtë mënyrë priren gjithsesi t’i bashkohen grupit të emrave që shprehin gjë-sende konkrete, siç janë edhe shembujt në vazhdim:
autobot-e/t, agregat-e/t, ambalazhe-t, atlas-e/t, atllas-e/t, diagram-e/t, kompas-t, lloz-e/t, pllakat-e/t, rebus-e/t, saç-e/t, sahat-e/t, saj-e/t shabllon-e/t, shporet-e/t, zarf-e/t
e ndonjë tjetër, të cilët si emra të gjë-endeve a mjeteve konkrete, vërtet, s’kanë kurrfarë lidhje me koncepte abstraksioni, siç kishin shembujt e pikës 1) dhe ata të nëngrupit a) të pikës 2), prandaj këta shembuj mund të spostohen pa pengesa në grupin e emrave mashkullorë me mbaresën -A, pa krijuar kurrfarë problemi as semantik as drejtshkrimor, si p.sh.:
autobotat, agregatat, ambalazhat, atlasat, atllasat, diagramat, dokumentat, kompasat, llozat, pllakat, rebusat, saçat, sahatat, sajat, shabllonat, shporetat, zarfat, e kështu me radhë.
b) Edhe emrat që tregojnë frymorë mund të quhen me plot gojën si
raste të vetmuara, ngase, jo pse është një numër shumë i vogël i tyre, në krahasim me nëngrupet e tjera, por edhe kuptimisht qëndrojnë edhe më larg se nëngrupi i mësipërm sa i përket kuptimësisë së abstraksionit. Në këtë nëngrup, me sa dimë, bëjnë pjesë vetëm këta shembuj:
virus-i viruse-t, insekt-i –e-t, mikrob-i mikrobet, personalitet-i personalitete-t, mis-i mise-t
e ndonjë tjetër, por që në të vërtetë edhe shumësi i tyre i emrave të gjallesave në burime të caktuara ndeshet mjaft natyrshëm me mbaresën –Ë dhe një prirje të tillë besojmë se duhet favorizuar pangurrim edhe për rastet e mësipërme. Është e vërtetë se kurrfarë pengese kuptimore nuk paraqitet nëse shumësin e emrave në fjalë e shënojmë me mbaresën –Ë si b.f. virusët insektët(!), personalitetët(!), mikrobët, misët edhe kështu me kohë, pasi që nuk prekin në sistem për të keq, po për të mirë. Shpejt mund të na mësohen veshët edhe për dy shembujt që i passhoqëruam me pikëçuditje. Po ritheksojmë faktin se, në bazë të prirjes që ekziston shembujt e tjerë as që paraqesin problem, nëse shënohen me mbaresën –Ë si b.f.. virusët, misët (femërorja miset).
Shënim: Në vazhdim do të vihen në pah edhe nëntipa të tjerë emrash që
marrin prapashtesa jo të thjeshta me E fundore si p.sh -qe, -gje, -je, -ëm, ël e ndonjë tjetër, prandaj është i drejtë konstatimi se te emrat me mbaresën –E, kur kemi parasysh fenomenin e ndërgjinishmërisë për nga numri mbizotërojnë në gjuhën tonë, si dhe të vërtetën tjetër, të pamohueshme, se çdo emër frymori i gjinisë natyrore mashkullore mund të femërorëzohet në njëjës kryesisht me prapashtesën –E (e që nënkuptohet edhe në shumës me mbaresë zero) sa herë që këtë e kërkon konteksti.
4) Venerime përmbyllëse rreth emrave mashkullorë
me mbaresën -E
Së pari, është me interes të ceket fakti se, siç e pamë nga shembujt konkretë, përveç emrave të kuptimit: fise, faje, vese, elemente dhe të proceseve të punës a proceseve teknologjike, mësime, zbulime, lavde, etj, me këtë mbaresë shënohet shumësi i emërvendeve me elemente konkretësie si rezultat i veprimit të punës së njeriut si: puse, qytete mure, varre, katunde etj.
Së dyti, si rrumbullakësim lidhur me sa u tha mund të thuhet se femërorëzimi i emrave mashkullorë në shumës me mbaresën –E përfshin zakonisht ata emra kuptimi që tregojnë veprime, si ata me origjinë vendëse ashtu edhe ata të huazuar, por që në përgjithësi me ta shprehen nocione abstrakte, ku del sadokudo e implikuar veprimtaria e caktuar e njeriut.
Gjithsesi, me sa u tha, veprimet abstrakte, d.m.th. emrat e jofrymorëve shumësin e bëjnë me mbaresën -E, ndërsa emra të gjësendeve konkrete me këtë mbaresë ka pak, kurse emra frymorësh edhe më pak, prandaj frymorët, siç e pamë më sipër dalin më natyrshëm se ata me mbaresën -Ë, kurse ata të gjë-sendeve konkrete edhe më natyrshëm dalin me mbaresën A, fakt ky që është cekur disa herë prej nesh edhe më përpara, por që në vijim do të përforcohet edhe më.
Sidoqoftë, le të ndiqet, pra. çështja e sapocekur, e cila prej nesh favorizohet subjektivisht, po duket sheshazi se ka mbështetje edhe objektive, ngase një favorizim i tillë shkon në dobi të qartësisë, thjeshtëzimit dhe konsolidimit të të shprehurit të gjuhës sonë.
C) Shumësi i mashkullorëve me mbaresën –A
U tha më përpara (sidomos në pjesën e parë të këtij punimi) se mbaresa –A në kohën e sotme del e specifikuar pothuajse plotësisht për shumësin e emrave femërorë (tipi themelor më prodhimtar), por, u përmend gjithashtu se ajo del edhe si formant shumësi edhe për disa nëntipa të emrave të gjinisë mashkullore e ndër ta u përmendën shembuj konkretë, qoftë si emra të gjë-sendeve, qoftë si emra frymorësh, çka e bëjnë çështjen mjaft të ndërlikueshme.
Së këtejmi ne pikërisht rreth kësaj ndërlikueshmërie, në vijim, do të bëjmë fjalë më në hollësi.
Sido që të jetë, nuk është lehtë të jepet përgjigje e plotë menjëherë lidhur me faktin pse mbaresa -A del më e specifikuar se të tjerat për emërtimin e gjë-sendeve konkrete të gjinisë mashkullore, ashtu edhe të asaj femërore, megjithatë, nëse ndiqen prirjet e caktuara, po ashtu nëse mbështetemi, siç u tha, në kritere semantike, siç e kemi vënë re ne, atëherë edhe përgjigjja mund të dalë e pranueshme, së paku në parim dhe ndërkohë mund të përvetësohet aksiomativisht si e vërtetë e padiskutueshme.
Dihet mirëfilli se në gjuhën e sotme për shkak të trashëgimisë jonjëvijëzore po komplekse, çështja nuk del aq e thjeshtë, pikërisht është fjala për raportin gjini natyrore/gjini gramatikore, ngase, përveç të vërtetës se ky formant (mbaresa –A) del si mbaresë e mirëfilltë shumësi pothuaj për të gjithë emrat femërorë të tipit më prodhimtar e aktiv që në njëjësin e shquar marrin nyjë-mbaresën –a, si pulë-a pula-t, tokë-a toka-t etj., ekziston prirja tjetër që emrat që tregojnë mjete gjithsesi gjë-sende a mjete konkrete edhe në gjininë femërore ashtu si edhe në atë mashkullore me marrë gjithashtu po këtë mbaresë në shumësin e pashquar. Kuptohet se është fjala për gjini gramatikore jonatyrore.
Më poshtë po i shënojmë disa shembuj të gjinisë mashkullore, duke i ndarë në katër grupe, sipas nënfushave a profileve të caktuara semantike që mbulojnë, dy nëngrupe me fundorë të rëndomtë dhe dy me togje fundoresh:
1. Emra jofrymorësh dhe frymorësh
Në vazhdim, pra, duke pasur parasysh faktin se mbaresa -A në shumësin e emrave përdoret edhe për emra jofrymorësh, të cilët dalin kryesisht të specifikuar si emërtime të gjë-sendeve konkrete, por nga trashëgimia del e implikuar edhe për emërtime frymorësh, zakonisht si emërtime njerëzish, por në numër më të vogël, të gjitha karakteristikat kryesore lidhur me këtë do të përpiqemi t’i paraqesim në dy nënkrerët vijues, duke respektuar nënfushat semantike që sapo u cekën. Sidoqoftë, kërkojmë nga lexuesi i nderuar që bashkë me kërshërinë ta shtojë edhe vëmendjen, sepse ideja e zgjidhjes, e propozuar prej nesh mund të jetë plotësisht e realizueshme, nëse kuptohet drejt në radhë të parë nga ekspertët por edhe nga opinioni i gjerë, i cili besojmë se nuk do ta refuzojë atë që e ka më të lehtë e më afër logjikës për ta përvetësuar.
Po ritheksojmë se, me sa e kemi vërejtur, një prirje e tillë atavikisht dilte me shenja identifikimi në ligjërimin e përgjithshëm, madje edhe vetë shembujt ilustrues që japin studiuesit në punimet e tyre e dëshmojnë këtë prirje që gjallëron spontanisht në gjuhën tonë, por tash kërkohet që të përkrahet e favorizohet jo spontanisht, por edhe institucionalisht dhe me vetëdije të plotë..
1) Shembuj jofrymorësh mashkullorë me mbaresën A
që emërtojnë gjë-sende a mjete konkrete:
Në mënyrë që lënda të jetë më e përkapshme emrat e gjinisë mashkullore të gjë-sendeve konkrete që shumësin e bëjnë me mbaresën -A të regjistruar në FSHS (2002) në zëra të veçantë, i merenduam në tri grupe, si më poshtë:
a) Emra të mirëfilltë me kuptimësi mjeti pune
a të një gjë-sendi konkret
Ja shumica e shembujve të regjistruar:
automobil-i automobilat, autovinç autovinçat, bel-i bela-t, brez-i brezat, bërryl-i bërryla-t, cef-i cefat, cep-i cepa-t, curr currat, çengel-i çengela-t, fitil-i fitila-t, gërshet-i gërsheta-t, grep-i grepa-t, gjemb-i gjemba-t, fes-i fesa-t, kandil-a kandilat, karafil-i karafila-t, kavanoz-i kavanoza-t, man-i mana-t, pipth-i pipthat, plep-i plepa-ta, plis-i plisa-t, plumb plumbat, plumbç-i plumbçat, poç-i poçat, qilim-i qilima-t, qiparis-i qiparisat, qyp-i qypat, rrogozi rrogozat, rrip-i rripa-t, spec-i-speca-t, sqep-i sqepat, stol-i stola-t, shatërkaz -i shatërkazat, shuk shukat, shul shulat, tel-i tela-t, top-i topa-t, trup-i trupa-t, telefon-i telefona-t, trëndafil- trëndafila-t, tyç-i /-a-t, thep thepat, thith thithat, vidh-i vidha-t, xip-i xipat, xham-i xhamat, xhep-i xhepa-t. xhup-i xhupat etj
Nga teoria e fjalëformimit kam mësuar (lexuar) se edhe 3 (tre) shembuj mund të japin kornizën e një modeli përkatës fjalëformues, model ky që mund të orientojë prirjen për me përthithë edhe shembuj të tjerë, e këtu, në shembujt e mësipërm, dalin në fakt mbi 50 shembuj të gjë-sendeve a të mjeteve konkrete të gjinisë mashkullore gramatikore, të cilët shumësin e bëjnë me mbaresën -A, andaj edhe ne na japin të drejtë të emnojmë dhe ta mbajmë të palëkundur bindjen se propozimi ynë i shfaqur rreth specifikimit të mbaresë -A nuk është në rrugë pa krye.
Së këtejmi, si rrjedhojë mund të thuhet se jo vetëm ekziston prirja, por ekziston faktikisht edhe vetë modeli që emrat e gjësendeve dhe të veglave konkrete të gjinisë mashkullore në shumës ta marrin mbaresën –A. Në anën tjetër aspak nuk duhet të na shqetësojë fakti, përkundrazi na ndihmon, pse edhe në gjininë femërore gramatikore emrat e gjë-sendeve konkrete marrin mbaresën -A. Sidoqoftë, për ne mjafton sa për ilustrim të krahasohen shembujt e mësipërm të gjinisë mashkullore me shembujt e të njëjtës fushë semantike të gjinisë femërore, si b.f.:
heshtë-a, heshta-t, ushtë-a ushta-t, spicë-a spica-t, mashë-a masha/t,gacë-a gacat, letër-a letra/t, e kështu me radhë - numër i pakufizuar.
Pra duke e pasur këtë fakt të ravijëzuar thellë në sistem, atëherë analogjikisht mund të thuhet se në gjuhën shqipe që nga trashëgimia (norma globale) ka pasur prirje ose model të ravijëzuar që të gjithë emrat e gjë-sendeve a të mjeteve konkrete, në radhë të parë të gjinisë femërore, por edhe të asaj gramatikore mashkullore në shumës me marrë mbaresën -A.
Andaj edhe ne, duke mos u larguar shumë nga kjo prirje ose nga modeli i sapocekur anojmë dhe shprehim, siç u tha, subjektivisht mbështetjen tonë rreth sforcimit të specifikimit të mbaresës -A për këtë fushë semantike, sepse pikërisht kjo mënyrë si rregull a metodë pune do të na ndihmojë për ta kuptuar e zbërthyer më mirë e më me lehtësi tërë ndërlikueshmërinë rreth kësaj çështjeje.
Në të vërtetë, me të përqafuar e përkapur edhe më mirë e më bindshëm zgjidhjen që na ofrohet njëherëpërnjëherë, duke i dhënë fuqi prirjes për të kaluar në model në formëzim e sipër, i cili në të ardhmen, mund të jetë edhe më i formëzuar, gjithsesi shqipja standarde fiton shumë edhe lidhur me thjeshtëzimin dhe konsolidimin e sistemit të drejtshkrimit të shumësit të emrave përgjithësisht.
b) Shumësi me -A i disa emrave të prejardhur me -Ë/S
Janë disa emra të prejardhur me prapashtesën ose fundoren -Ë/S, me të cilët shprehen emra të gjë-sendeve konkrete dhe shumësin e bëjnë me mbaresën -A, si p.sh.:
ajdis-i ajdisat, çelës-i çelësa-t, dorës-i dorësa-t, ujës-i ujësat, trupës-i trupësa-t, gishtës –i gishtësa-t, zhargës-i zhargësa-t të, laps–i lapsa-t, shkumës-i shkumësa-t, plandës-i plëndësat (planc-i planca-t), zhabës-i zhabësa-t etj.
Ky model për ne zgjon interes sepse kjo gjedhe mund të përthithë edhe shembuj të tjerë që shprehin koncepte të së njëjtës nënfushë semantike, d.m.th. gjë-sende konkrete, madje shtrirje të tillë nuk pritet vetëm sipas tipave të emrave nga shembujt e mësipërm me prapashtesën -S, por mund të shfaqen raste edhe më gjerë nga emrat e prejardhur me prapashtesa të tjera. Edhe kjo që sapo e thamë gjatë analizës do të argumentohet me shembuj konkretë..
c) Disa raste emrash mashkullorë pa model
Mbaresa -A e shumësit përdoret edhe në disa raste të emrave mashkullorë, që si duket nuk paraqesin model premtues, përkundrazi, dalin, pothuajse, si shembuj të vetmuar, si p.sh.:
1) gjalmë-i gjalma-t (me sa duket shembull i vetëm);
2) emra të formuar me formantin fundor -sh gjashtëkëndësh-i gjashtëkëndësha-t, gjashtëmuajsh-i gjashtëmuajsha-t, gjashtërrokësh-i gjashtërrokësha-t.
Sipërfundim
Siç po shihet vetëm nëngrupi i parë i emrave të mirëfilltë nën a) del më prodhimtar, gjithashtu edhe nëngrupi i dytë nën b) është aktiv, por jo aq prodhimtar, por edhe te ky grup shihet se emrat e prejardhur vetëm për të treguar gjë-sendin konkret kanë marrë mbaresën –a për dallim nga emrat e frymorëve të këtij tipi që marrin mbaresë zero.
Dy nëngrupet e tjera, nën c), nuk janë prodhimtare, por pasi shprehin po ashtu gjë--sende konkrete ne i radhitëm në pikë të veçantë. Mirëpo, Ç’është e vërteta,, edhe pse janë trajta të regjistruara, emrat e tillë si b. f. emri gjalmë-i gjalmat, për thjeshtësim rregulle, mund të kalojë në gjininë femërore pa krijuar fare ndonjë problem strukturor. Po ashtu edhe tipi gjashtëkëndësh -i gjashtëkëndsha/t pasi tregon term (emër kuptimi) mund të kalojë po ashtu pa krijuar problem tek emrat që shumësin e bëjnë me mbaresën -E: gjashtëkëndësh-i gjashtëkëndëshet, nëse kemi të bëjmë me terma, madje mundet me marrë mbaresë zero, nëse kemi të bëjmë me frymorë, si b.f. njëqindkëmbësh-i njëqindkëmbësh-it, e kështu me radhë.
2) Emra frymorësh me mbaresën -A
U përmend më sipër se një grup jo i vogël emra frymorësh dalin të regjistruar me mbaresën -A të shumësit. Këtë grup që e bën shumësin me mbaresën -A i ndajmë në tri nëngrupe:
a) Emrat me bashkëtingëllore në temë, si:
çun-i çuna-t, dem-i dema-t, derr-i derra-t, gjel-i gjela-t, kec-i keca-t, krimb-i krimba-t, qengj-i qengja-t, bilbil-i bilbila-t, pëllumb-i pëllumba-t, karkalec-i karkaleca-t, gjeldash-i gjeldasha-t, flokësh-i flokësha-t, qorr-i qorra-t, sokol-i sokola-t, sqepkryq-i sqepkryqa-t person-i persona-t ...
e ndonjë tjetër – gjithsej 16 shembuj. Numër ndoshta i konsiderueshëm, por gjithsesi i kufizuar;
b) emrat më –ë në temë si:
burrë-i (!), burra-t; si rast i vetmuar), babë-a babat, bacë-a baca-t, dajë-a daja-t, tatë-a tata-t. xhajë-a xhaja-t,
gjithsesi numër i vogël, i kufizuar, madje edhe këta priren me iu bashkue në shumës grupit të tipit, axhë axha axhë-t.
c) Emrat me prapashtesa të ndryshme, si:
zhytës-i zhytësa-t, dudësh-i dudësha-t, gërdhuq-i gërdhuqa-t, përbindësh-i përbindëshat,
e ndonjë tjetër, të cilët më mirë do të dilnin me mbaresën zero ose me mbaresën -Ë,(dudeshët,gërdhuqët, siç është rasti përbindëshit ose zhytësit (Shih, në Fjalorin drejtshkrimor 1976) – pra, janë pak raste me mbaresën –A dhe pa model mbështetës.
* * *
Siç po shihet nga shembujt e të gjitha pikave me të cilët emërtohen emra frymorësh prodhimtaria në asnjë pikë nuk del me treguesin: numër i pakufizuar, pra shembujt e tillë dalin si raste të vetmuara ose gjithsesi në numër të kufizuar dhe pa model shumimi.
Prandaj po të vëzhgohet kjo çështje më në hollësi, duke pasur për bazë parimin semantik si dhe synimin për thjeshtëzim, mund të thuhet pa drojë se disa shembuj (e në perspektivë me gjasë të gjithë) të frymorëve me mbaresën –A mund të marrin fare lirshëm mbaresën -Ë në vend të -A-së, si ata të pikës a): biblbilët, karkalecët, gjeldashët, flokët, sokolët, sqepkryqët e ndonjë tjetër, ashtu si edhe ata të pikave b) e c) si: babët, dajët, tatët; dudeshët, gërdhuqët e kështu me radhë, të cilët mbase vetëm rastësisht për mungesë koncepti, siç e shohim ne, nuk janë përfshirë gramatikisht në grupimin përkatës që po e propozojmë, ashtu si edhe emërtimi zhytës-at në vend zhytësit që nuk del, për çudi, i përfshirë arbitrarisht në grupin e emrave me mbaresë zero në burimet tona më të reja normëzuese..
Gjithsesi një thjeshtëzim i tillë që mund të bëhet me rigrupimin e shembujve është i mundshëm dhe praktikisht del shumë i dobishëm. Sidoqoftë, edhe te shembujt e tillë, sipas këndvështrimit tonë imponohet rishikimi i zgjidhjeve të regjistruara në burimet përkatëse.
Kur përmendëm dy tri herë termin thjeshtëzime kishim parasysh një të vërtetë tjetër se në të folme të caktuara, sidomos të Veriut, madje, jo vetëm këndej, po edhe më gjerë deri në viset jugore shumësi i disa emrave të njerëzve mund të dëgjohet edhe me mbaresën -A si p.sh: mësuesat, shoferat, mjeshtrat etj., që bie ndesh me drejtshkrimin e sotëm të koduar të gjuhës sonë, normë kjo të cilën e përkrahim ne, ngase mendojmë se një zgjidhje e tillë tashmë ka zënë vend dhe po praktikohet e po zbatohet me sukses.
Prandaj kthimi i emrave të tillë me -A në shumës, si me thënë, inatçe (gjoja si trajta gege!) na duket kthim mbrapa, pa kurrfarë nevoje. Po ia rikujtojmë lexuesit se prof.Aleksandër Xhuvani që në vitin 1926, në një gazetë të Shkodrës përftimet e shumësit të emrave të njerëzve (frymorëve) me mbaresën -A, jo vetëm i kritikonte, por atë dukuri e pati quajtur “llomështi e vjellë”, andaj edhe ne e quajmë një përdorim të tillë shumë të dëmshëm, ngase pengon prirjen e dukshme rreth specifikimit të mbaresave në fjalë sipas nënfushave semantike, siç po ceket mjaft fuqishëm në këtë punim.