E premte, 03.05.2024, 12:19 PM (GMT+1)

Kulturë

Bilall Maliqi: Vargje të mveshura me figura poetike

E diele, 23.05.2010, 07:54 PM


Vështrim

 

VARGJE TË MVESHURA ME FIGURA POETIKE

 

Nga Bilall Maliqi

 

(Albina Idrizi “Dashuruar në diell”, Sh.B. “Faik Konica” Prishtinë 2010, faqe 103)

 

Albina Idrizi tanimë është emër i njohur në letrat shqipe si një poete mjaft produktive dhe e kujdesshme sa i përket shkrimeve të saja. Kjo është dëshmuar edhe në botimet në të cilat ka lënë përshtypje si tek lexuesit  ashtu edhe tek syri i kritikës letrare në përgjithësi.

Kjo krijuese e talentuar e cila deri më tani  botoi përmbledhjen poetike për të rritur “Heshtja e mbarsur” dhe përmbledhjen poetike për fëmijë “Ëndrra me ylber”. Për ta provuar aftësinë e saj krijuese Albina në vitin 2009 doli me romanin “Hijet e kullave”, ky roman nga kritikët u vlerësua lart si për nga tematika që mëveshët romani por edhe nga vlera ideoartistike që ka ky roman dhe u përkthye në gjuhën rumune nga përkthyesi Baki Ymeri. Në saje të sukseseve të arritura Albina hyri edhe në antologjinë poetike shqip-rumanisht me titull “Tempulli i fjalës” (Tempul cuvantului).

Për ta treguar edhe më tutje forcën e saj krijuese Albina kohë më parë pra lexuesve doli me përmbledhjen poetike për të rritur me titull “Dashuruar në diell”, botuar nga Sh.B. “Faik Konica”, Prishtinë, 2010.

            Përmbledhja poetike që tani e kemi në shqyrtim është e ndarë në tri cikle poetike:”Me ty jam”, “Gjithmonë vjen një kohë”  dhe “Ëndrrat nuk vdesin kurrë”,  ku ngërthejnë në vete poezi të cilat për nga vlerat ideoartistike janë të qëndrueshme kanë tematikë të qëllueshme. Thuaja se shumica e poezive të librit kanë tematikë të dashurisë, por me një strukturim të vargjeve të cilave u ka dhënë forcë shprehëse dhe gjuhë të përparuar poetike.

            Nëse e marrim në shqyrtim poezinë e Albinës mund të themi se  para nesh do të kemi vargje gjysmë hermetike, diku-diku edhe hermetike gjë që me figura e metaforë bën që lexuesi të mundohet ta gjej mesazhin e saj përmes vargjeve drejtuar lexuesve dhe shoqërisë  në përgjithësi.

 

Figurativiteti

 

Në lexim e sipër të librit “Dashuruar në diell”, lexuesi do të ndeshet me vargje të cilat në vete ngërthejnë figura metaforike. Në poezitë  e Albinës hetojmë këto figura si: simbolin, krahasimin, alegorinë, simplokën, epiforën etj, të cilat figura i bëjnë poezitë e saj të qëndrueshme ideo-artistikisht dhe ideoestetikisht.

 

Marrë në përgjithësi vjersha e Albina Idrizit është alegorike meqë indirekt jep porosi të ndryshme si në motivin e dashurisë, por edhe në tema dhe motive të tjera që i trajton. Tek cikli i parë poetik mund t’i përmendim disa poezi të cilat shtojnë kureshtje tek lexuesit ”/ Me ty jam/, /Eja/, /Të dashurosh/, /Kur të pushoj së shkruari/, /Liria ime/ ,/ Dhembje e ëmbël/, /Edhe shiu ka ngjyrë/ , /Të jesh grua/, /Jam nënë/, /Heshtje e mbarsur/ etj., tek të cilat autorja është munduar ta shfaq tërësinë kuptimore dhe stilistike të vargjeve që kompletohen këto poezi.

Tek poezia /Jam nënë/, para nesh paraqiten vargje të ngjeshura me figura stilistiko-letrare të cilat janë evidente. P.sh.:

 

 

“Jam nënë, dhe

Kam durim, kam fuqi

Perëndie,

Kam etje, kam dashuri

Hyjnie”

 

Në këto vargje paraqitet figura e nënës, figurë ku autorja paraqet durimin e nënës edhe në çastet më të vështira , fuqinë e nënës e cila u pa edhe decenie më parë gjatë kohëzezës që përjetoi e përjetuam ne si popull.. “Fuqi perëndie”, këtu kemi të bëjmë me figurën e hiperbolës, por jo vetëm kaq po në këtë poezi kemi edhe figura të tjera si:Simplokën ku kemi përsëritjen e fjalëve në fillim të vargut. P.sh.

 

“Biri im!

 

“Jam nënë, dhe

Mund ta ha veten,

Mund ta vjell,

Mund ta përpij prapë”.

 

Biri im!

 

(Poezia “Jam nënë”, faqe 27).

 

Me figura të tilla kemi edhe poezi të tjera si /Gjithmonë vjen një kohë/ dhe poezia /Vetmia/, ku është e pranishme figura e simplokës dhe epiforës.

Tek cikli i dytë i titulluar “Gjithmonë vjen një kohë”, do t’i përmendim disa poezi të cilat përbëjnë skeletin e këtij cikli si:/Ballë për ballë me tokën/, /Poeti i tokës sime/, /Projekt i vonuar/, /Tartufi është këtu/, /Atë ditë/, /Gjithmonë vjen një kohë/, /Konkurs poezie/,  të cilat  në vete përbëjnë zgjuarsinë e autores që ta mbaj në kontroll vlerën stabile të poezive të saja.

Në poezinë /Projekt i vonuar/, paraqitet qartë një tablo reale e kohës së sotme e cila për fat të keq është  vonuar gjithçka dhe gjithkund jemi vonë:

 

“Gjithkund

Jemi vonë

 

Vonë jemi

Për gjithçka

 

Përrallë e harruar

            Në barkun e ujkut.

 

            Medet!”

 

(Poezia “Projekt i vonuar”, faqe 48).

 

Në këtë poezi të bukur vërehet lehtë edhe figura stilistike e inversionit…

 

 

Fuqia e fjalës

 

Edhe më tej Albina vazhdon mjeshtërisht të mbaj baraspeshën e fuqisë së fjalë që del nga shpirti si ekstazë dhe futet aty ku e ka vendin në poezinë e saj, i shpupurishë vargjet banon përjetësisht mes vargjeve fjala e saj, e kjo shihet qartë edhe në ciklin e tretë poetik të titulluar:”Ëndrrat nuk vdesin kurrë”. Nga ky cikël nuk mundemi pa i përmendur poezitë:/Mirëmëngjesi botë/, /Vdekur kam pa lindur akoma/, /Tregoje dashurinë’/, / shtrëngo dorën njeri/, /Më fal dashuri/, /Thellë në poezi/, /Fuqia e fjalës/, /Vetmia/, /Këshillë vetes/, /Metamorfozë/, /Nuk më mjafton të jem ëndërr/ etj., të cilat me sukses përmbyllin këtë cikël poetik dhe mbyllin kopertinat  e këtij libri  që më pas për të mbetur një kohë të gjatë në kujtesën e lexuesit si një libër që i plotëson kriteret e një libri të qëndrueshëm si në aspektin artistik dhe në atë grafik e që të merret dhe të ketë qasje objektive e korrekte edhe kritika letrare për këtë botim.

 

Vlera

 

Prej gjithë kësaj që u tha deri më tani për këtë përmbledhje poetike të poetes Albina Idrizi të titulluar  “Dashuruar në diell”, mund të themi lirisht se ky libër përbëhet me poezi që kanë vlera të kënaqshme artistike-letrare duke porositur autoren që edhe në të ardhmen të shkruaj dhe t’i  avancoj edhe më tepër vlerat e krijimeve poetike të saja drejt arritjes së qëllimit dhe dëshirës së  gjithë krijuesve që shkrimet  e tyre të jenë pjesë e krijimeve të letërsisë bashkëkohore shqiptare…

 

                                                                       “Epoka e Re”, e shtunë, 22 maj 2010

 

 



(Vota: 4 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora