Kulturë
Albert Zholi: Flet Prof. Dr. Afërdita Veveçka-Priftaj
E enjte, 20.05.2010, 05:38 PM
Departamenti i Fizikës, Universiteti Politeknik i Tiranës (UPT)
Ja çfarë përmban Karta e Bolonjës
Në shkencat ekzakte studjojnë më tepër meshkuj se sa femra
Nga Albert ZHOLI
Znj. Afërdita , në Akademinë e Shkencave po flitet për reformë; ku konsiston kjo reformë?
Në fakt para gati 2 vjetësh, qeveria shqiptare në kuadrin e integrimit të kërkimit shkencor dhe të arsimit të lartë në një sistem të vetëm, ndërmori edhe reformimin e Akademisë së Shkencave. Me ristrukturimin e sistemit të kërkimit shkencor, Akademia e Shkencave e Shqipërisë tashmë vepron nëpërmjet një bashkësie të zgjedhur shkencëtarësh, të organizuar në seksione dhe nuk administron më institute/qendra kërkimi si më parë. Në vazhdim të reformimimit synohet që roli i Akademisë së Shkencave të marrë një rëndësi të veçantë dhe përgjegjësi në nivel kombëtar, për të qenë një organizëm konsulent dhe ekspert i shtetit dhe shoqërisë. Akademia e Shkencave, si institucioni elitar i kërkimit në vend, synon përcaktimin e prioriteteve të veprimtarive për kërkim e zhvillim, që ato t’i përgjigjen më së miri zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik të vendit, duke patur gjithashtu objektiv të saj
arritjen e standardeve europiane në të gjitha studimet shkencore shqiptare.
- Si është niveli i mësimdhënies dhe i përgatitjes së studentëve në UPT në krahasim me Universitetet private?
Mendoj që ka një traditë të mirë përsa i përket nivelit të mësimdhënies në Universitetin Politeknik të Tiranës, të paktën për lëndën e Fizikës që unë jap prej shumë vitesh dhe kjo traditë është transmetuar gjatë viteve. Kjo ndoshta edhe për faktin që para disa dekadash në degën e Fizikës, shkonin studentët më të mirë, gjë që pasqyrohej edhe në cilësinë e kuadrove të ardhshëm. Përsa i përket përgatitjes së studentëve mendoj që kjo lidhet ngushtë si me mësidhënien, me cilësinë e studentëve dhe me nivelin e kërkesës ndaj tyre. Ndonëse unë kam fatin të jap mësim në fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit të UPT, ku vijnë studentë nga më të mirët, konstatoj me keqardhje që niveli i përgatitjes së studentëve ka një rënie në karhasim me disa vite me parë.
Nuk mund të bëj një krahasim me universitetet private sepse nuk jap mësim në to.
- Ju jeni Akademike; a ka arësye që numri i femrave Akademike është shumë më i vogël se i meshkujve?
Nuk mendoj se ka ndonjë arësye objektive, pra që femrat janë më pak të afta profesionalisht se meshkujt, përveç atyre subjektive nje nga të cilat lidhet edhe me mentalitetin mbizotërues maskilist Shqiptar, që e ngadalësojnë përparimin e femrës që në etapat e herëshme të karierës së saj, sepse të qënit Akademik është kulmi i një kariere. Mendoj që ky nuk është vetëm fenomen shqiptar, sepse edhe në Akademitë e Shkencave të vëndeve të tjera të botës besoj (nuk kam ndonjë informacion të saktë) që numri i femrave Akademike është gjithashtu shumë i pakët. Megjithatë e rëndësishme është që ka disa arritje pozitive në këtë drejtim dhe shpresojmë që numri i femrave Akademike Shqiptare të rritet në të ardhmen.
Si është niveli i mësimdhënies , baza didaktike në UPT në krahasim me universitetet europiane?
- Do të ishtë e pavërtetë po të thosha që në UPT ne kemi mjete didaktike apo laboratorike si në universitetet europiane, që kanë një traditë dhe mbeshtetje financiare shumë më të mirë se ne. Megjithatë mund të them që në UPT ka mjaft përpjekje dhe arritje për përdorimin e mjeteve didaktive bashkëkohore; mjaft pedagogë përdorin leksione apo prezantime ne “poëer point”, duke i bërë ato më tërheqëse për studentët. Në disa raste vetë studentët, sidomos ata të viteve të larta paraqesin po në këtë mënyre prezantimet e tyre. Veç kësaj nga ana e qeverisë ka një predispozitë për të financuar blerjen e pajisjeve laboratorike bazë, me qëllim ngritjen e cilësisë së mësimdhënies. Ajo që “çalon” dhe që pengon realisht punën, është mungesa e pajisjeve kërkimore shkencore, blerja e të cilave kërkon investime relativisht të mëdha. Sidomos në fushën e shkencave ekzakte siç është fizika e
aplikuar (që është një shkencë eksperimentale), duhen pajisje të sofistikuara që një studim të ketë vlerë, besueshmëri dhe të konkurojë në shkencën botërore. Por me krijimin e Agjensisë së Kërkimit, Teknologjisë dhe Inovacionit, nëpërmjet së cilës qeveria do të financojë projekte të ndryshme kërkimore-shkencore, shpresojmë të ketë përmirësime në drejtim të pajisjeve shkencore edhe në UPT.
- Kohët e fundit flitet për mitmarje dhe korrupsion në radhët e pedagogëve. Cilat janë arësyet dhe si mund të luftohet ky fenomen i shëmtuar?
Mendoj se nuk mund të ketë asnjë arësye që të justifikojë mitmarjen apo korrupsionin në radhët e pedagogëve. Nëqoftëse ka të tillë, ky do të ishte një turp i shëmtuar, sepse veç të tjerave pedagogët që arsimojnë dhe madje edukojnë brezin e ri do të jepnin në këtë rast një model jashtëzakonisht të keq. Është detyra e organeve të specializuara të shtetit, sikurse edhe në fushat e tjera, të gjejë dhe të luftojë me ashpërsi korupsionin qoftë ky edhe në arsimin e lartë. Sigurisht komuniteti i pedagogëve, i studentëve, madje edhe prindërve mund të ndihmojë në këtë luftë, duke denoncuar rastet, por detyra kryesore është e shtetit.
- A ka zënë femra shqiptare sot, pozicionin e duhur në shoqëri?
Kjo është një temë shumë e gjerë dhe barazia gjinore është subjekt debati edhe në shoqëritë e përparuara demokratike. Përsa i përket femrës Shqiptare, sigurisht që nuk mund të themi që ka zënë pozicionin e duhur në shoqëri, sepse meriton shumë më shumë se sa ka arritur. Nuk mund të mohoet që pozicioni i grave ka ardhur duke u përmirësuar me zhvillimin e shoqërisë Shqiptare dhe ka mjaft gra të suksesëshme në shumë fusha si në shkencë, ne biznes, në art etj. Nuk mund të mohohet gjithashtu që ka patur dhe ka përpjekje dhe sensibilizime të herëpasherëshme edhe nga politika, për të rritur numrin e grave në vendimarje, në politikë, ne poste drejtuese etj., por megjithatë këto arritje janë shumë pak, në krahasim me problemet që hasin gratë e shtresave të ndryshme të shoqërisë Shqiptare, apo me vështirësitë dhe përballjet që duhet të kapërcejnë gratë në karierë, krahasuar me burrat.
- Në Universitete kryesisht në degën e fizikës dominojnë meshkujt; ka arësye dhe cilat janë?
Kjo është e vërtetë; madje kujtoj që kur unë kam mbaruar universitetin ne vitin e 5te, në kursin prej 15 studentësh ne ishim vetëm dy vajza. Por ky fenomen vihet re edhe në universitetet e vëndeve të tjera, ku në shkencat ekzakte si fizikë apo matematikë studjojnë më tepër meshkuj se sa femra. Kjo ndoshta lidhet me vështirësinë e studimit të këtyre shkencave si dhe me shkallën e vështirësisë së avancimit të mëtejshmë në karierë në këto shkenca, ku tradicionalisht kanë “sunduar” meshkujt. Ndoshta vajzat zgjedhin profesione më të “lehta”, mqënëse në jetë ato kanë edhe përgjegjësi të tjera si familja dhe fëmijët.
Por unë mund të them me siguri, që përgjithësisht në degët e Inxhinjerisë Fizike dhe të Inxhinierisë së Ndërtimit ku unë jap mësim prej shumë vitesh, studentet vajza janë më të përgjegjëshme, më të rregullta dhe me rezultate më të mira se studentët djem.
Ç’është Procesi i Bolonjës dhe a ka zënë vend ai në Universitetet Shqiptare?
Procesi i Bolonjës që ka një dekadë që aplikohet në vëndet e Europës, është një reformë e shumëfishtë me qëllimin për të krijuar një hapësirë Europiane të arësimit të lartë, bazuar në bashkëpunimin ndërkombëtar dhe shkëmbimin akademik. Pra me fjalë të tjera krijimi i “identitetit Europian” të arsimit të lartë. Reformimi i arsimit të lartë Europian sipas Bolonjës, lindi si nevojë e ndryshimit të rolit dhe vlerave të arsimit të lartë në shoqëritë moderne, të globalizuara dhe gjithnjë e më shumë komplekse, ku nevojiten njerëz sa më të kualifikuar. Sipas këtij procesi, u krijuan cikle të reja studimi (3+2 vite), sisteme të transferimit dhe grumbullimit të krediteve etj. Me implementimin e Kartës së Bolonjës, sistemet e arsimit të lartë në vëndet Europiane janë të organizuara në mënyrë të tillë që i lejojnë studentët të lëvizin nga një vend në tjëtrin (brenda hapësirës
Europiane ) me qëllim studimi të mëtejshmë apo punësimi. Në arsimin e lartë Shqiptar procesi i Bolonjës ka filluar të zbatohet që nga viti 2003 – 04 dhe kjo është një gjë e mirë për studentët Shqiptarë, sepse i jep mundësi atyre të vazhdojnë një cikël studimi (për shembull studimet master) në një universitet perëndimor, duke transferuar kreditet e fituara në universitetet Shqiptare.
Por duhet thënë që ndonëse është bërë progres në dekadën e fundit, implementimi i procesit të Bolonjës edhe në universitetet e Europës,nuk ka kaluar pa kritika (krahasuar me sistemin e vjetër të arsimit të lartë) dhe mbeten akoma një sërë sfidash për dekadën e ardhëshme. Mendoj se si çdo sistem i ri, i nevojitet koha e nevojëshme për t’u përshtatur dhe përmirësuar.
Mendimi juaj për politikën Shqiptare postkomuniste?
Është një sukses i madh që Shqipëria arriti të shkëputej nga sistemi komunist dhe la pas vitet e errëta të diktaturës, që e penguan vendin të zhvillohej normalisht. Por ndërtimi i demokracisë është një proces i gjatë dhe i vështirë dhe për mendimin tim ka të bëjë me emancipimin e shoqërisë në tërësi, d.m.th njerëzit të edukohen me respektimin e ligjit, të të drejtave të njeriut, të pronës private etj. Për mua demokracia është “diktatura” e ligjit. Historia ka treguar se edhe demokracive më të mira perëndimore (sepse demokraci ideale nuk besoj se ka), ju janë dashur dhjetëra dekada për të arritur atje ku janë. Në këtë kuptim shoqërisë Shqiptare, përfshirë këtu edhe politikën Shqiptare i duhet mjaft përpjekje dhe kohë për t’u emancipuar sipas modeleve demokratike. Ndonëse nuk mund të mohohen sukseset e arritura në shoqërinë Shqiptare postkomuniste në mjaft fusha (ndër të cilat tregu
i lirë, liria e fjalës, shtypit etj.), është e qartë që sistemi demokratik nuk është akoma i konsoliduar. Specifikisht për politikën Shqiptare, mendimi im është që duhet të emancipohet dhe të mësojë të funksionojë sipas modeleve demokratike perëndimore.