Kulturë
Bilall Maliqi: Ëndrra e papërfunduar
E hene, 17.05.2010, 09:57 PM
ËNDRRA E PAPËRFUNDUAR
(Agron Boriçi “Ëndrra” (dramë), Preshevë, 2010, faqe 68)
Nga BILALL MALIQI
Agron Boriçi, ka katër dekada që merret aktivisht me veprimtari skenike, si regjisor, skenarist dhe aktor.Ka inskenuar 30 drama të zhanreve të ndryshme , ka përgatitur 8 recitale skenike, 2 filma dokumentar, ka inskenuar e shkruar mbi 50 skeqe humoristike. Autor i dramës “Aga Ymeri”, “Kalorësi i Apokalipses”, “Berberhonja”, tre pjesë të “Kabare Tv Llaçka”. Është njëri ndër themeluesit e Festivalit tradicional “Ditët e Komedisë Shqiptare” në vitin 1994,.Përveq që është marrë aktivisht me skenën , është edhe autor i librit “Sherri i Preshevës në derë të Stambollit”. Për punën e tij është shpërblyer me çmime të ndryshme ku veçohen :dy çmime për regji më të mirë, tri për aktrim dhe një për tekst më të mirë.Kryesisht veprimtarinë e tij e ka realizuar në Teatrin e Qytetit të Preshevës.
Krijimtaria
Ditë më parë nga shtypi doli libri i tij i dytë, por kësaj rradhe i zhanrit dramatrik, zhanër ky mjaft deficitar dhe i vështirë me titull “Ëndrra”.Me t’u hapur kopertinat e këtij libri lexuesi menjëherë has në personazhet e tij, me kureshtje futet thellë në dialogjet që zhvillohen brenda vetë librit.
Libri apo skeleti është i përbërë me këta personazhe:Udhëtari-pacienti, I riu, Punëtori, Pianeci, Bixhozxhiu, gruaja dhe mjeku me një anë dhe tema e ngjarja që zhvillohet, ku zhvillohet etj., në anën tjetër…
Tema
Agron Boriçi në këtë dramë trajton një temë universale që tregon ecejakje të popullit tonë, i cili popull është gjithnjë në rrugëtim.
Universaliteti krijues i autorit shihet së pari në zbulimin dhe jetësimin e personazheve të kësaj drame.Ngjarja zhvillohet këtu dhe kudo në mjediset tona me ne dhe rrethë nesh.
Stacioni i trenit është vendngjarja dramatike, ku ndeshen mes veti dikund në mes të natës shumë kategori njerëzish të ndryshëm disa edhe me vese negative, intelektualë etj, të cilët futen thellë në lojën që Agroni e ka ndarë në personazhe.Dialogimi në mes tyre është shumë interesant dhe lexuesi nuk do të mund të ndal leximin deri te epilogu i dramës.
Në skenë paraqet mjeshtërisht autori mençurinë, budallallëkun, paditurinë dhe ëndrrën e papërfunduar të të riut.
Së pari në skenë paraqitet punëtori i stacionit të trenit dhe I riu, ku në vazhdim, për t’u paraqitur më vonë edhe udhëtari me të cilin I riu zhvillon shumicën e dialogut e që shohim një temë dialoguese shumë interesante, ku në vazhdim udhëtari nga halucinacionet e tij iu dukej se shihte njeriun me buçet lulesh, pastaj me çadër me mantel të bardhë etj, etj.
Ëndrra
Ishte e papërfunduar. I riu përderisa flinte në zyre të punëtorit assesi nuk mundej ta shihte ëndrrën deri në fund, dilte diçka dhe ia prishte ëndrrën, kësaj radhe pikërisht ishte udhëtari që ia ndali ëndrrën ta kryente deri në fund. Aty përplaseshin shumë mendime në dialogun në mes të riut dhe udhëtarit të cilin në epilog e shohim dhe e njohim si pacient të reparetit të psikiatrisë.
Pjesë e dramës janë edhe personazhet Pianeci i cili në stacion të trenit paraqitet si i dehur e shpesh i përsëritke fjalët më të njohura të tij dhe besoj edhe të gjithëve që konsumojnë alkoolin , “E bën hardhija e pin daija”, kjo pra ishte thënia e pianecit, personazh ky me vese negative të shoqërisë.
Gruaja tani e mveshur me epitetin lavire apo grua e përdalur iu ofron të riut dhe udhëtarit të gjejnë rehati në dhomën e saj e të paguajnë atë “qef” me të holla.Edhe personazhi grua në këtë vepër simbolizon anët negative të shoqërisë dhe botës femërore.
Figura e bixhozxhiut paraqitet në stacion me ato lojëra të tija mashtruese ku paraqitet edhe zënka në mes trekëndëshit pianec-grua-bixhozxhi, se cili më parë do të ketë myshternj.
Epilogu
Në stacionin e trenit mjeku dhe infermieret improvizojnë një spital. Në spital shtrihet tani udhëtari-pacient i cili kishte braktisur më parë spitalin dhe kishte dalur në stacion treni. Në vazhdim paraqitet dialogu në mes të mjekut dhe të riut për udhëtarin pacient, sëmundjen e tij të pashërueshme, I riu dëshironte ende të jetë objekt bisede me udhëtarin tani pacient, ku zhvillohet një dramë e vërtetë në mes këtyre dy personazheve dhe në fund I riu i thotë mjekut, këtij nuk do ti ndihmojnë as injekcionet e botës.
Vlera
Drama “Ëndrra” e regjisorit, skenaristit dhe aktorit të njohur preshevar Agron Boriçi ka një vlerë të veçantë sepse përmes kësaj drame jep mesazh të qartë shoqërisë për eliminimin e të gjitha veseve negative në shoqërinë tonë në njërën anë dhe se për shqiptarët duhet ndreçur “ora “ e prishur dhe se si popull kemi nevojë të vetëdisohemi për një ardhmëri më të mirë në një shoqëri gjithëpërfshirëse.
Është e nevojshme që kjo dramë sa më parë të ketë lexim dhe rilexim në skenë, pra të gjithë artëdashësit ta shohin këtë dramë në skenë…