E shtune, 04.05.2024, 02:30 PM (GMT+1)

Kulturë

Hapen ditaret e Shuteriqit

E diele, 16.05.2010, 10:54 AM


Nga Admirina Peçi

 

Dhimitër Shuteriqi ka mbajtur ditarë gjithë jetën e tij. Në to shënonte thujse gjithçka që rrokte interesat e tij të ditës, apo të studimeve e letërsisë që ai shkruante. Arkivi i tij, tejet i pasur, strehon dhjetra fletore a dosje ku janë sistemuar datë pas date ditarët dhe letërkëmbimet. E mes tyre hasim edhe gjurmët e një prej pasioneve më të madha të tij, foklorin.

Shfletojmë disa fletë prej këtyre ditarëve. Viti shënon 1983. Ai shkruan diku, “...mblodha vazhdimisht folklor gjatë këtyre 40 e sa vjetëve. Më shumë qëmtova, se kohën s’e pata që të mbledh sistematikisht. Mblodha si e solli rasti, i volitshëm e i pavolitshëm, në Shqipëri dhe nëpër ngulimet shqiptare jashtë atdheut...”

Mynever Shuteriqi, zonja e tij, që është ngulur në atë arkiv të pafund prej disa vitesh, që kurse i shoqi u largua nga kjo jetë, kujton se e ka hetuar interesin e të shoqit drejt kësaj fushe që në kohën kur ishin të dy në mal, në bazën ilegale të shtypit të Partisë, pikërisht aty ku edhe ishin njohur e dashuruar.

Zonja Shuteriqi, kujton se gjatë kohës që kaluan së bashku në mal, në bazën e fshatit Stërstan asaj i kishin bërë përshtypje disa interesa të veçanta të Dhimitrit.

“Kur ndodheshim mes fshatarëve, pas bisedave të zjarrta e të gjata për luftën dhe për një mori problemesh të tjera, që kishin të bënin me pasluftën e sidomos me shqetësimet për të ardhmen e tyre, si reforma agrare, dalja nga varfëria, arsimimi i fëmijëve e të tjera si këto, Dhimitri kthehej në një terren tjetër, të panjohur për mua. Interesohej për legjendat, toponiminë, folklorin, fjalët e rralla dhe i shënonte ato me kujdes të veçantë gjuhësor në fletorkat e tij të vogla të xhepit (të sajuara prej tij). Ndoshta këtu zë fill edhe hyrja e tij në shkencë, që më vonë do të bëhej së bashku me krijimtarinë letrare, pasioni të cilit iu përkushtua me vetmohim”. Zonja e tij kujton sot, se që nga ajo kohë Shuteriqi “vëzhgonte me interes kostumet e fshatarëve, qëndismat e hijshme të këmishëve e çorapeve, që ata vishnin në ditë festash”. Zonja Mynever tregon se vajza e shtëpisë ku ata qëndronin, Sina, “e fejuar, që na sillte përditë ushqim, sqimatare siç ishte, vishej gjithnjë pastër e bukur, me këmishë të bardhë e të qëndisur me ngjyra të lehta, përgjithësisht të bardha. Një ditë Dhimitri shtangu pas këmishës së saj dhe guxoi ta ndalonte e ta pyeste me hollësi për motivet e qëndismave, për ngjyrat, për llojin e penjve etj, si të ishte një qëndistar”.

Për këtë paison ai fliste vazhdimisht. Madje edhe në letrat që i dërgonte zonjës së tij, ku veç fjalëve të dashurisë, do të ndalej shpesh në vëzhgimet e tij rreth kësaj fushe. Në një letër të vitit 1951, ai i shkruan bashkëshortes së tij nga Bulqiza, “...gratë e këtushme veshin këmishë e brekë të bardha. Brekët i mbajnë si pantallonat tona sport; me tirqe të bardha ose të zeza, si kallçe apo çizme. Kanë xhoka të zeza me vija të kuqe shumë të hijshme, të tëra prej leshi, po të punuara me finesë të vërtetë e me shumë gusto. Në kokë mbajnë shamia të mira mëndafshi me shumë lule, si ajo shamia e kostumit të Rajcës...”

Siç e vlerëson studiuesi Agron Xhagolli gjatë gjithë jetës së tij prof. Dhimitër Shuteriqi, zhvilloi një veprimtari të frytshme për mbledhjen dhe botimin e lëndës folklorike, për hulumtimin dhe studimin e folklorit. I ushqyer që në vitet e rinisë së hershme me dashurinë për këngën popullore, më vonë do të bëhet admirues i saj, i këngës së Elbasanit të tij të dashur dhe më pas i këngës popullore mbarëshqiptare.

Për lexuesit e Milosaos kemi zgjedhur disa faqe, pikërisht nga ditari i vitit 1983, ku Shuteriqi, flet gjërësisht mbi gjithë ngasjet, që ka patur në jetën e tij, drejt kësaj fushe. Po ashtu të plotë do të sjellim edhe letrën e shkruar më 18 gusht 1951 nga Bulqiza drejtuar zonjës së tij, ku ia ndalet gjerësiht edhe në përshkrimin e kostumeve të zonës, dhe traditave lidhur me to.

 

Fletë nga ditarët e Dhimitër S. Shuteriqit

 

Fort e dashur Mynever, Të përqafoj me mall shumë nga Bulqiza e largët, majë maleve të Dibrës e të Matit. Këtu është një vend i rrallë për bukuri. Merre me mend një luginë në lartësi 900 m, nga 2-3 km të gjerë dhe afër 14 km të gjatë e rrethuar me male të larta përmbi 1500 m, disa shumë të thata e disa të veshura me pyje ahu e sidomos pisha. Lugina është e tërë e gjelbëruar, e tërë livadhe. I përngjan fushës së Bicës pranë Martaneshit dhe më shumë Çajupit të Zagorisë. Po në mes të livadheve, rrjedh ujë si në Tushemisht e në Starovë, është një blatë si ajo që pamë bashkë disa ditë më parë, në mes të barit, zhugave e kallamishteve. Përmbi ujë zambakë të bardhë si ata të Volorekës, të panumërta. Thonë se ka edhe troftë (koranë malësie). Në këtë kohë, fusha është e mbushur me kositës, që kositin barin prej mëngjesit në mbrëmje, veshur me të bardha- me këmishë e brekë të gjata, kostum shumë piktoresk. Gratë i ndihmojnë për të ngritur mullarë të vegjël, që në mbrëmje i marrin në krahë të tyre e i shpien pranë shtëpive që i kanë rrëzë malit. Dimrit, siç e merr me mend, fusha mbushet me ujë, bëhet liqen i vërtetë (edhe këta “gjol” i thonë) i pakalueshëm. Gratë kanë kostume të rralla për bukuri, por vetë janë të shëmtuara e jo të bukura si mirditoret që pashë në Rubik e që (s’ta thashë më duket) janë të bukura për çudi (edhe kostumet fort të bukura i kanë mirditoret). Gratë e këtushme veshin këmishë e brekë të bardha. Brekët i mbajnë si pantallonat tona sport; me tirqe të bardha ose të zeza, si kallçe apo çizme. Kanë xhoka të zeza me vija të kuqe shumë të hijshme, të tëra prej leshi, po të punuara me finesë të vërtetë e me shumë gusto. Në kokë mbajnë shamia të mira mëndafshi me shumë lule, si ajo shamia e kostumit të Rajcës. Thonë se kur martohen, këto shamia, që vijnë nga jashtë, janë një dhuratë e domosdoshme që bën dhëdri. Pa atë dhuratë (që tani kushton 20 – 30 mijë lekë) nuk u bëka dot martesa!

Entuziaset njeriu të shëtisë fushës, të shohë kositësit, të dëgjojë kur mprehin e kalisin veglat e tyre dhe ti zërë syri këto kostume ku predominojnë ngjyrat e bardha e të kuqe, në mes të një gjelbërimi masiv prej 12 -20 km, rrethuar mes malesh të larta që ngjiten pingul në qiell!

E di, po të mollois për gjithë këto – sepse jo vetëm që jam entuziast për këtë vend, por kam mërzi të madhe që edhe ti nuk je këtu me mua, të jetojmë në këtë malësi të rrallë disa ditë bashkë. Të kishte vend ku të flije do të të lutesha të mos përtosh të bësh këtë udhë të gjatë (duhen dy ditë nga Pogradeci këtu). Duke të folë për këto bukuri, më behet sikur je këtu e shijon këto bukuri bashkë me mua, Mynever – po ti je në Pogradec – e tëra atje!

....

Mos të lodha Mynever? Tjetër skam. Këtu ha mirë. “Ujët” është “i ftohtë”, “era punëmadhe”. Po nuk mund t’i kompletoj këto fjalë të një strofe të Çajupit –se as “bilbili i a thotë” as “gra sorkadhe” s’ka veç teje që më mungon e kjo më mundon.

 

Të puth fort, tëndi Dhimitri

Dhimitër S. Shuteriqi Kur isha ende fort i ri, u ëmbëlsova me këngën e popullit. Im atë këndonte mirë

dhe ndër të afërmit tanë kishte këngëtarë të zot. Në Elbasan dëgjoheshin ato që i quajnë “kangë të vjetra”. Janë këngë qyteti, plot melizma. I përdorin edhe pak fshatra pranë, melizmat ua shtojnë. Nuk janë të lehta: zëri duhet të ngrihet gjer në më të lartat tone disa herë. Duke qenë shpesh krijime të bejtexhinjve, ato ruajnë turqizma shumë, që ne të rinjtë kishim nisur të mos i kuptonim.

Vetë pëlqeja mbi të gjitha këngët e dasmave, që dhe ato dëgjoheshin rëndom e jo vetëm në ceremonitë përkatëse. Çka prej tyre nuk ishte e lidhur me ritin, përbënte pjesën më të madhe të atyre këngëve, përgjithësisht lirike dhe të dashurisë, që nuk lidheshin zakonisht me ndonjë ngjarje, që i përcillnin melodi, të cilat mbeten menjëherë në vesh, gjithë dëshirime e malle, të dlira, nganjëherë buçitëse në ndjenjat e tyre, - “As u gremisç, moj lajthat’e! / Si m’ke syt’ e vetullat’e! / Syt’ e vetullat e nxime, / sikur t’m’paske vu mazin’e. / Ashtu m’paske bukurin’e. / - Bukurin’ un’ ty ta dhash’e, / e trashgofshim të dy bashk’e!”

Kjo këngë tjetër, thjesht dashurie, është prej atyre që nuk harrohej edhe në dasma: “Qoshk, o qoshk, o i mjeri qoshk, / zanç të bukurën rëposh! / I thefsh kamën ene gjunë, / heqimbash iu bafsha unë ...” Duken serte këngë si kjo, në ato dufe, po sa të ëmbla që janë!

Përpiqesha t’i mësoj këngët, bile dhe t’ua them, të paktën nën zë, bashkë me burrat, bie fjala kur ata ktheheshin prej pune, nga pazari o nga ullishta, dhe ndonjëri, çakërqejf, ia hidhte midis rrugës, - “E jalla u shemsh, o moj kala-je e Durrsit!” – thua se po nis një këngë trimash, ndërsa këngët e trimave sepse nisnin më se një herë në mënyrë të tillë, që tingëllonin të përmallshme, sigurisht se këngëtarët shprehnin dhimbjen e tyre për të rënët, - “Mun ke ura, o ke Zaranika, / vjen asqeri, hajde, me muzika...” Është kënga e Cen Kavajës, sot e njohur në gjithë Shqipërinë.

Ishte një tjetër këngë e tillë, mbi një Balash Barje, që e vranë në Elbasan njerëzit e Shevqet beut (Vërlacit), në kohën e “votave të para”, d.m.th. të ndeshjeve për demokracinë, në fillim të viteve 29, këngë që s’di a dëgjohet më dhe që niste kështu: “Mu në qesmet, mu në Leshnat, / atje isha tuj la sytë: / - pushka e par’, qi bani pam, / ngreu, Balash-o, se të vranë!”

Këngë të tilla thuheshin me meloditë e atyre të quajtura “të vjetra”, siç ishte, ndër të tjera, kënga e famshme e Ali pashës “me shtatë zemra”, së cilës refreni i kërciste si topi i tepelenasit në Janinë, - “Ali pasha i ngrat’ë / lufton dit’ e nat’e! / Ali pasha i mjer’ë / ç’u ba muhaser’e! / - Bini geg’, e bini, / fushek’ tek po kini! / Bini, tosk’ e geg’e, / fushek’ u nap vet’e!”

E imagjinoni fëmijën të këndojë këngë të tilla, - ato ishin të repertorit gati të gjithë moshave, - po që kur fëmija do të zinte edhe flutura, ai do të përsëriste në zgrip të buzëve vargje që ishin si namatisje, nga të cilat ai njihte shumë më pak, - “Flutur, flutur, palarée, / méerr mendt e bjer përdhée!” Gjelamani ishte një flutur e madhe, si një “balonë”, e bardhë e e shkruar vertikalisht me vija të zeza, po hajt ta zinje! Ishte më lehtë të këndoje një këngë ... Dhe mund të kujtoja plotë si ato të sipërmet.

Në Elbasan, legjenda e murimit tregohej për kalanë tonë. Mos ngjarja ishte e asaj kohe shumë të lashtë të një Vallnie, kur gjithçka ziente e shungullonte, sipas thënies popullore? – “Vëloi pushka si n’Vallnitë!”, po dhe: “Vëloi kanga si n’Vallnitë!”. Kalanë e kishte ndërtuar një sulltan Fati, që e pati thyer disa herë Skënderbeu me nam.

Si këngë, legjenda dëgjohej për një urë të paemëruar, e cila duhej të ishte më e moçme se Ura e Kamarës përtej Polisit. Mbi këtë paç kaluar katër-pesë herë gjatë viteve të fëminisë. Ashtu i matja lashtësitë. Dhe prej asaj kënge, të dëgjuar mbase vetëm një a dy herë, nuk e harroja një varg të tmerrshëm e që e dallon variantin si dëgjohet në Elbasan nga variantet e gjetiut: “Qaft’ e plast’ aj klysh majmuni!” egërsohej gjyshja për të voglin në sisë, kur nusja nuk dëgjonte t’u dërgonte bukën ustallarëve që ndërtonin urën. S’kuptoja mirë. Dhe imagjinoja atëherë, se ajo urë e paemëruar, si kalaja e qytetit tonë, do të kishte pasë qenë ngritur po nga ai Fati, që vërtet kishte murosur një nuse në themel, për të kaluar sulltani përsipër, i sigurtë.

Nga muri keq i rrënuar i kalasë, ishte ende në këmbë, në anën veriore, një pjesë qeagjiri, ku tregonin vendin tek e murosën nusen: atje pikonte një lëng i verdhëremë, - qumështi, që duhej të rriste foshnjën e mbetur jetim! Askush s’mëkohej më me atë qumësht, po nënat e reja e përdornin, - duke e pirë apo duke fërkuar gjirin, s’e kujtoj saktë, - kur s’kishin qumësht apo kur niste t’u shteronte para kohe.

Këngën e Aga Ymerit në Elbasan nuk e kam dëgjuar, por e dinin, që kur mund ta mbledhësh edhe sot. E kam dëgjuar motit në Shelcan të Shpatit. Dhe ai kalorës, që fluturonte ku ta dish se nga sa larg, - vendi më i largët ishte Arabistani, kur flitej për shërbimin ushtarak të kohës së Turqisë, - ai ishte si një shpend i mrekullueshëm shpëtimtar, të cilin nuk e di në çfarë përralle e gjeja, apo ma thoshte mendja se e gjeja. Dhe për këngën e motrës me nëntë vëllezër, të cilën më i vogli e martoi nëntë ditë larg, pastaj vëllezërit vdiqën që të nëntë dhe ai i vogli u ngrit së vdekurish, për t’i sjellë së përvëluarës nënë kërcure vajzën, që i treti, për atë këngë nuk kam dëgjuar. Po legjenda tregohej në librin tonë të këndimit, ku mbante titullin: “Besa që i dha s’ëmës”. Ajo ngjarje e llahtarshme ka qenë, pa dyshim, pjesa më e lexuar në atë libër të fëminisë sonë.

Gojdhëna e Gjorg Golemit tregohej si një histori e vërtetë dhe nuk ndahej nga ç’tregohej edhe mbi Skënderbeun. E kam mësuar në Bërzeshtë, ku dëgjohej përherë. Ka qenë viti 1925. Shumë së voni, do të zbuloja se ky Gjorg ishte Gjergj Araniti, që i dha të bijën Gjergj Kastriotit. Ai kishte pasë qenë kryezot i Librazhdeve dhe i Qukseve, si dhe i Shpatit e i ndonjë krahine tjetër nën Shkumbin, po dhe mbi Shkumbin. Në Shpat, atë gojdhënë nuk e ndanin prej historisë së një Kapedan Petroshi, të cilin turqit e kapën të plagosur rëndë dhe e shpunë përpara sulltan Fatiut, që u lëvdua se vendin “e shtrova!” dhe shpataraku ia pat: “Nuk e shtrove!” – “Fet olldi!”, “Fet ollmadi!” Kapedanit i kam parë shtizën në Shelcan, në konak të Petroshëve. Pra, do të përpiqesha t’i përpunoj ato legjenda në një tregim mbi ditët e sprasme të Gjorg Golemit e të Shqipërisë së Skënderbeut.

Kur nisa të krijoj vetë ndonjë vjershë a tregim, m’u zgjua prej vetiu dëshira që të qëmtoj edhe ndonjë këngë, sidomos në rrethin e familjes, ku ndonjëri i ruante “këngët e vjetra” në radhua, për t’i kujtuar mirë, bashkë me ndonjë këngë dasme apo të dashurisë. Sot di, se kjo bëhej që herët në lagjen tonë Kala. Kristoforidhi, pak këngë të Nezimit të përhapura në Elbasan, i pati mbledhur që në fund të viteve 40 të shekullit të kaluar. Dorëshkrimi më i hershëm me “këngë të vjetra” elbasanase është ai i një Spiro Papajani të vitit 1859. Ka pasur edhe dorëshkrime këngësh të bejtexhinjve, të qytetit tonë, po dhe të Beratit e të Shkodrës, gjer të Ulqinit, që dëgjoheshin te ne. Edhe në Elbasan njihej kënga e Memës së kohës së Bushatllinjve, apo ajo më e vjetër e kaçakut të detit, ulqinakut Haxhi Ali. Dhe për një elbasanase me emrin Mahmudie kishte kënduar një Sulejman. Është Sulejman Naibi, beratas i kohës së Nezimit. Ndonjë nga ato dorëshkrime e kam njohur më vonë dhe kënga për të cilën flas është gjetur në to, e titulluar “Mahmudia e stolisur”. Në një përmbledhje këngësh, që na ka lënë një Harallamb Papajan më 1877, ndofta i biri i Spiros, mund të lexohet edhe kënga e Aga Ymerit, mbase varianti i parë i mbledhur në Shqipëri.

U lidha ngushtë me këtë vazhdë fill mbas Luftës Nacional Çlirimtare, kur m’u desh të jap mësimin e folklorit në Institutin e Lartë Pedagogjik, detyrë sa e këndshme aq edhe e vështirë atëherë, por që më bëri t’i vihem punës me entuziazëm për krijimtarinë popullore: të hartoj një “Bibliografi të folklorit dhe etnografisë shqiptare” deri më 1944, të përgatis një tekst mësimor për folklorin, të botoj një traktat të vogël të metrikës shqipe (1947), të botoj një përmbledhje me 300 prej këngëve më të bukura të folklorit shqiptar (1955).

Mblodha vazhdimisht folklor gjatë këtyre 40 e sa vjetëve. Më shumë qëmtova, se kohën s’e pata që të mbledh sistematikisht. Mblodha si e solli rasti, i volitshëm e i pavolitshëm, në Shqipëri dhe nëpër ngulimet shqiptare jashtë atdheut. Gati përherë, megjithatë, edhe kur nuk arrita të zbuloj gjë me vlerë të vërtetë, hetova për gjendjen e folklorit. Kjo më ka shërbyer që edhe të mund të gjurmoj ndonjë këngë të rrallë, në mos dhe ndonjë cikël, t’i vihem ndonjë shkrimi apo studimi në këtë fushë aq të pasur dhe të përgatis për botim një përmbledhje të gjerë folklorike që shpresoj ta botoj (1). E kështu të bëj pjesë me zell në shoqërinë e pasionuar të folkloristëve tanë.

Më vjen mirë, - dhe e bëj mallëngjyeshëm, kur e lidh interesin tim për mbledhjen e folklorit me një traditë që njoha së hershmi: traditën e Mitkos e të De Radës, edhe atë që shkolla na e bëri të njohur me kohë, se kishim mësues që na flitnin me vlerësimin më të madh për ta e për shokët e tyre siç bënte një Kostaq Cipo në Liceun e Korçës.

 

(1) (U botua në vitin 1991 me titullin “Nga kënga e popullit” shënim i redaksisë)

Përgatiti për botim: Mynever Shuteriqi

 



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora