Kulturë
Vullnet Mato: Ndonëse tani jam burrë
E shtune, 15.05.2010, 10:54 AM
Vullnet Mato
NDONËSE TANI JAM BURRË
Ndonëse jam burrë i rritur tani,
po kur vjen vjeshta
e zverdhen portokallat,
kur rëndohen
kopshtiet e vendlindjes së artë,
më pushtojnë lotët
për vjeshtrat e para
që lashë pa shijuar
shumë vite larg.
Sepse kur vjen vjeshta
e di çdo më thotë:
për fëmijërinë dhe nënockën
që më rriti me halle,
me thërrime varfërie
të çukitura si zog,
që më lëngëzohej goja
për një portokalle.
Dilja i trishtuar
të shihja ato zverdhje vjeshte
dhe me thëngjij
vizatoja një zog te porta.
“Ç’është ai zog? “
nëna më pyeste,
“Jemi vëllezër të dy“, i thosha.
Ndonëse tani
jam burrë i kapërcyer
dhe gjurmoj
në shumë vjeshtra më vonë,
ato vjeshtra me çukitje urie,
do i kujtoj
me hidhërim gjithmonë...
Si të mos lotoj
për dënimin e pamerituar,
kur na hoqën triskat e bukës në vjeshtë,
kur nëna qante
që s’kish gjë në duar,
kur më gërryente
dhe komunizmi donte të qeshë?...
Eh !... Vetëm nëse
më mbarohen lotët,
për kohërat
me ato të hidhura vjeshtra,
do më duhet t’i them
lamtumirë botës,
se me siguri do më ketë ardhur vdekja...