E diele, 28.04.2024, 09:28 AM (GMT+1)

Kulturë

Shqiptarët e Amerikës

E merkure, 12.05.2010, 06:39 PM


Nga Arjola Hekurani, Gazeta Shqip

 

“I speak albanian” (“Unë flas shqip”), me këtë titull vjen në Tiranë ekspozita e fotografit Roland Tasho. Në rreth 120 fotografi të ekspozuara në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë, vijnë 300 portrete të emigrantëve shqiptarë në Amerikë, të cilët kanë përshkuar një rrugë të suksesshme në tokën e premtuar

 

Një rrëfim suksesi përmes fotografisë

 

Fotografinë, ai ka zgjedhur ta përdorë më së shumti si një mjet të rëndësishëm dokumentimi. E ka zgjedhur për të realizuar një projekt, i cili vazhdon prej vitesh. Një ide fikse e fotografit Roland Tasho, i cili prej kohësh sjell për publikun e dashamirësit e punëve të tij, portrete të emigrantëve shqiptarë, të cilët kanë arritur sukses në vendet ku kanë zgjedhur të jetojnë. Një mënyrë për t’u treguar të gjithëve se Shqipëria nuk është ajo që përcjellin mediat, shqiptarët nuk janë vetëm kriminelë, apo njerëz të rrezikshëm. Personazhet e fotografit janë ana tjetër e medaljes. Kësaj here, Roland Tasho ka vizituar Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ka fotografuar shqiptarë të cilët i përkasin emigracionit të ri, por edhe atij të vjetër. Shqiptarë që e kanë prejardhjen prej emigrantëve të fillimit të shekullit XX dhe atyre që shkelën në tokën e premtuar pas viteve ‘90 me të famshmen lotari amerikane. Janë të gjithë të suksesshëm dhe të realizuar. Janë artistë, biznesmenë, ekonomistë... i përkasin fushave të ndryshme dhe vijnë në Shqipëri përmes një ekspozite e cila u çel dje në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë. Nën titullin “I speak albanian” (“Unë flas shqip”) ekspozita është realizuar me financim të Ambasadës Amerikane në Tiranë, Ministrisë së Kulturës e fondacionit “Soros”. Dje, në përurim, mes të pranishmëve, morën pjesë edhe ambasadori amerikan në Tiranë, John Withers, dhe ministri i Kulturës, Ferdinand Xhaferaj. Ekspozita “I speak albanian”, shoqërohet edhe me një album fotografik.
I jeni kthyer sërish ciklit të emigrantëve. Kësaj here jeni zhvendosur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Si i gjetët shqiptarët që jetojnë atje, në vendin e lirisë?

Shqiptarët atje i gjeta shumë mirë, madje shumë më mirë se në vendet rrotull nesh. Ishin të lumtur e të qeshur. Meqenëse Amerika është vendi i mundësive të mëdha dhe shumë i hapur, pashë se emigrantët shqiptarë kanë gjetur veten mjaft mirë atje.

A ishte e vështirë për ju të binit në kontakt me këta shqiptarë?

Unë kam kontaktet e mia si gazetar, si personazh mediatik herë pas here e kjo ma ka lehtësuar punën. Duke pasur lidhje edhe me gazetarë të tjerë që jetojnë e punojnë në Amerikë, atëherë nuk e kam pasur të vështirë të bie në gjurmë të këtyre shqiptarëve të suksesshëm. Vështirësi, nëse do t’i quaja kështu, kanë qenë për mua më shumë distancat e mëdha, kalimi nga njëri vend në tjetrin për t’u takuar me shqiptarët. Megjithatë fakti që po bëja gjithçka për realizimin e një albumi, fryma e të cilit është mjaft pozitive, e thjeshtonte dhe e bënte gjithçka edhe më të lehtë.
Vetë emigrantët, si e pritën idenë e realizimit të një albumi-portret për komunitetin e shqiptarëve në SHBA?

Interesant është se të gjithë personazhet, pjesë e këtij albumi, ndër më të integruarit dhe të suksesshmit në Amerikë, fillimisht nuk kishin shumë dëshirë për fotografuar. Por kur u shpjegoja se bëhej fjalë se isha nisur me një qëllim të mirë për emigracionin, atëherë pranonin me shumë kënaqësi.
Çfarë servirni për publikun në këtë ekspozitë?

Në këtë ekspozitë ka kryesisht 120 fotografi me rreth 300 personazhe brenda. Gjendet aty edhe emigracioni i vjetër shqiptar por edhe ai i riu. Kam përzgjedhur kryesisht emigrantët e suksesshëm, për të dhënë idenë e një Shqipërie ashtu siç ajo është në të vërtetë në Amerikë.
Kjo nuk është hera e parë që ju fotografoni e përcillni përmes një albumi portrete të emigrantëve shqiptarë, të cilët kanë arritur të integrohen më së miri në vendin ku jetojnë. Në fakt si lindi kjo ide tek ju si fotograf?

Ideja për të sjellë cikle emigrantësh shqiptarë të suksesshëm ka lindur kur unë nisa të ekspozoja jashtë Shqipërisë dhe vija re paragjykimet e kështu nisi gjithçka. Për rastin konkret, vajtja ime në Amerikë kishte të bënte me një emocion të veçantë, pasi e njihja emigracionin në këtë vend, falë lidhjeve familjare që kisha pasur që kur isha fëmijë. Ky udhëtim drejt SHBA-së ishte për mua edhe një lloj përpalljeje me ëndrrat e mia të fëmijërisë për Amerikën me realitetin amerikan. “Komuniteti shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës” është një projekt që u financua nga ambasada amerikane në Tiranë, Ministria e Kulturës etj. Ky projekt ishte shtysa që më bëri të ndërmerrja këtë udhëtim për të fotografuar e për të sjellë para shqiptarëve të Shqipërisë disa portrete të patriotëve të tyre që sjellin mesazhe suksesi nga kontinenti i largët. Synimi im ishte të fotografoja sa më shumë nga shqiptarët e rinj dhe të dokumentoja sukseset e tyre.
Në këndvështrimin tuaj, a ka ndryshim mes shqiptarëve të Amerikës dhe atyre që jetojnë në vende të tjera?

Po, sigurisht që ka ndryshime mes emigrantëve shqiptarë në Amerikë dhe atyre që jetojnë në vende të tjera. Dihet shumë mirë që Amerika është vend i begatë dhe shqiptarët që kanë gjetur veten atje, kanë arritur të përshkruajnë një rrugë të suksesshme, dhe janë të integruar shumë mirë.
Cili është projekti i ardhshëm menjëherë pas përfundimit të kësaj ekspozite?

Menjëherë pas këtij cikli, do të vazhdoj dokumentimet e mia me shqiptarët që jetojnë në Francë dhe në Austri. Do të vazhdoj me këtë projekt kushtuar komuniteteve shqiptare kudo që janë vendosur nëpër botë, sepse është një punë e imja që e kam nisur me shumë dëshirë dhe që ka gjetur mbështetje edhe prej institucioneve. Gjithnjë imazhet e këtyre shqiptarëve do të pasqyrohen me ekspozitë dhe me libër. Sepse mendoj që libri është një dokument i rëndësishëm, për mua ai është më kryesori.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora