E shtune, 27.04.2024, 09:27 PM (GMT+1)

Kulturë

Bujar Leskaj: “Gjuetia e Pëllumbave” (I)

E marte, 11.05.2010, 09:59 PM


“GJUETIA E PËLLUMBAVE”

-një ditar apo një akuzë? -

Nga Bujar Leskaj

I

Në fillim, për respekt të shtresës shoqërore që prezantonte, fillova ta lexoja me dëshirë dhe i sigurtë në shkuarjen deri në fund, një roman relativisht të gjatë, me 745 fq, siç është “Gjuetia e Pëllumbave” e autorit Henrik.S.G (Henrik Gjoka), fitues, edhe i çmimit letrar “Petro Marko”, me një tjetër roman, me të cilin ka plotësuar të gjithë ciklin e gjatë e të tmerrshëm të sundimit diktatorial për 50 vjet në Shqipëri. Bëhet fjalë për romanin “Metaformoza e një brezi të humbur”, botuar në vitin 2007.

E nisa, pra, leximin me konceptin e zhbirimit të historisë, por gjithçka ishte befasuese, tepër tronditëse dhe kjo mënyrë leximi më lehtësoi nga barra e detyrimit, thjesht moral, për ta çuar deri në fund. “Gjuetia e pëllumbave”, më bëri ta lexoja me një frymë, duke ecur faqe pas faqeje, rresht pas rreshti, gjithmonë e më i bindur se, po lexoja tashmë një vepër, të shkruar bukur edhe artistikisht, por edhe besnike, e atij pasqyrimi tronditës së një pjese të asaj historie që, të gjithë ne, po mundohemi ta lexojmë sot, me një sy tjetër, me një këndvështrim tjetër.

Personalisht, ndaj një romani të tillë, të shkruar nga një autor, që i ka jetuar vetë peripecitë më të mëdha të diktaturës, unë e ndjeva të fortë detyrimin moral, për të shkruar dhe analizuar mesazhet që i zbulova tek kjo vepër.

Nëpërmjet kodeve letrare të perceptimit të asaj historie monstër të diktaturës, e cila na ka rrënuar, nëpërmjet prekjes dhe ndijimit emocional, më mirë se kushdo qoftë, Henrik Gjoka na i paraqet ngjarjet, në një mënyrë që, askush të mos guxojë dot, për ta mohuar atë kalvar vuajtjesh, nëpër burgjet e kampet e diktaturës. Në këtë këndvështrim, romani, në fjalë, përveç vlerave artistike është në radhë të parë një dokument historik i pakontestueshëm, që do të përbënte vlerë, për cilindo historian, që ka marrë përsipër të rishkruaj historinë e Shqipërisë, nën sundimin e diktaturës komuniste të Enver Hoxhës. Natyrisht, kjo është punë e tyre, ndërsa unë, jo vetëm thjesht si lexues do të përshkruaj konceptimin tim personal, përmes shijes subjektive dhe kërkimeve objektive të procesit të një studimi letrar, mbështetur edhe në referenca të kritikëve më të shquar të letërsisë shqipe. Por, si fillim, dua të theksoj se:

Ajo që, sipas një analize të letërsisë sotme, të kryer nga studiuesi Sabri Hamiti, në librin e tij  “Albanizma” - konstatohet si mungesë - vjen e plotësuar, në aspektin krijues e letrar, nga romancieri Henrik S.G. (Henrik Gjoka). Sabri Hamiti shkruan: “Sot për sot, nuk mund të pohojmë që ekziston një sistem shkrimi i letërsisë së burgut e të llogorit në letërsinë shqipe, as një sistem teorik i formalizuar i kësaj letërsie, por ekzistojnë shembuj të veçantë të individëve ilustrativë, qofshin këta çlirimtarë, qofshin lirimtarë, që shkruajnë për izolimin ekstrem, si përvojë personale… . Po japim regjistrin e  botimeve të mëvonshmve:

1.Arshi Pipa “libri i Burgut

2.Adem Demaçi “Dashuria kuantike e filanit”

3.Zef Pllumbi “Rrno vetëm për me tregue’

4.Kasëm Trebeshina: “Tregtari i skeleteve”

5.Teki Dervishi: “Palimpsest i Dush Kusarit”

6.Visar Zhiti: “Ferri i çarë”

7.Grup autorësh: “Libri i lirisë” (Shih “Albanizma”, fq.48).

 Këta janë disa tituj, deri në kohën, që Sabri Hamiti u është referuar për studim, por në Shqipëri, veçanërisht, kjo lloj letërsie ka vijuar me më shumë vepra dhe autorë dhe, për fat të keq, nuk është po aq e studiuar, është mjaftuar me ndonjë promovim tepër modest…

Duke lexuar romanin e Henrik Gjokës, më duket edhe më kuptimplotë historishkrimi që ka bërë At Zef Pllumi, në veprën e tij madhore, “Rrno me tregue”, “Ridënimi” i Fatos Lubonjës, “Ikje nga trilli i perëndive” i Amik Kasoruohos apo “Plaku i kënetës” i Bedri Çokut, etj sepse mendoj se vetë autori, ishte një nga ata djem që ishin shenjuar nga diktatura. Për fije të perit, atij dhe shumë të tjerëve, iu shkëmbye dënimi me vdekje me torturat e kampeve dhe të burgut…. Mos vallë, për të dëshmuar? Fati e deshi që, njerëz si këta, të jetonin, si dëshmi për të rrëfyer vuajtjet, edhe në emër të atyre, që u ekzekutuan dhe s’kanë mundësi më që të flasin.

Me ndjesinë dhe përvojën e hidhur të gulagut shqiptar, që autori vetë e ka përjetuar, shpjegohet saktë edhe arsyeja, se përse personazhet janë në këtë roman pa emra konkretë, por shënohen me përemra ose epitetet që i kanë vënë njëri-tjetrit në burg, si Ai, Tjetri, Fizikanti, Australiani, Sovjetiku, Bufoni, Demoni, Shefi i Ri, Kartelisti, Nëna, Biondi, Kryeministri, Xhelati, Shkodrani, etj, etj.

Kjo, duket se shton edhe një argument më tepër, që historia  e sjell në një vepër letrare, është një histori e jetuar. Nga ana tjetër, mospërdorimi i emrave konkretë, i jep më shumë guxim autorit, që të mos i shmaget, për asnjë arsye, së vërtetës historike dhe, në mënyrë perfekte, kjo mënyrë e emërtimit të personazheve kthehet në stilemë, gjë që e bënë edhe më të veçantë stilin e autorit, i cili, edhe në mbyllje të romanit, ku flet për atë që ndodhi pas fitores së Demokracisë, vijon të ruaj të njëjtin stilizim të emrave të personazheve si Fshatari i Xhaketës, Vëllai, I mrekullueshmi, Tjetri, Ai, Shkodrani, Vogëlushi, Skocezja, Toreadori, etj. Duke e lexuar këtë vepër, kupton se autori e mbart me vete si dëshmi dhe si kërkim letrar, së bashku, burgun dhe historinë tragjike të gati gjysmëshekullit. Ai sjell dëshmi për jetën e shqiptarëve të njëlloshme, brenda dhe jashtë burgut: 

Çfarë nuk do të kisha dhënë, në ato çaste, për të mundur t’i ndërroja, qoftë edhe për një sekondë të vetme, kalimtarët nëpër Champs-Elysee, me kokëqethurit e kampit të Spaçit, ose të paktën me mjeranët e zbehtë të burgut të Burrelit, fizionomi, të cilat mbetën të pashlyera nga mendja ime përgjithmonë” (f.9.GJ.P).

Autorit, edhe në liri, i fanitet si një në një teatër tragjik, si në një zhgjëndër, vetëm burgu-gulag, për të cilin nuk ka gjuhë në botë që mund ta përshkruaj:

“…e dija mirë sa e vështirë është të përshkruash atë vend, i cili mbetet gjithmonë i paeksploruar plotësisht. Kjo, për faktin, se mendimtarët e shquar, psikoanalistët, sociologët dhe filozofët, pse jo dhe antropologët; ata asnjëherë nuk kanë mundur që të zbresin deri aty poshtë, poshtë fare, në vrimat e Gulagut” (f.10.GJ.P).

Dhe, jo vetëm mënyra e të ndjerit, por siç thotë autori, vetë gjuha e romanit krijon një marrëdhënie me historinë e vërtetë dhe sesi ka ardhur kjo në vepër, e mësojmë prej autorit:

Jo pak hezitova, për gjuhën që do të përdorja në roman. Bëra të pamundurën që, disa nga personazhet e mi të mos e ndyjnë gojën, dhe kur ia dola mbanë kësaj, ata po më ngjanin si prostituta të veshura me petkun e murgeshës. U trondita, pata shkelur të drejtën e tyre, për të qenë original, vulgarë e të pacipë, perversë të lindur. Hoqa dorë nga kjo marrëzi e imja. Më pas, ia lejova dhe tregimtarit vetë, shpërthimin e herëpashershëm…” (f.10.GJ.P).

Me këtë, dua të theksoj se, veçanërisht, romani i Henrik S.G. nuk është vetëm një histori e rrallë faktesh denoncuese, por mbi të gjitha është letërsi e vërtetë, që, thjesht, për nga tematika e fabula, identifikohet si letërsi burgu. Por, që ky roman shquhet për narracionin artistik universal, shprehës, simbolik  e figurativ, do të dëshmohet nëpërmjet shumë pjesëve të përzgjedhura, në këtë vepër voluminoze. 

Protagonistëve, mjerimi në burg, nuk u lë më vullnet, që ta shijojnë lirinë e tyre, sepse, përgjatë dënimit që shpesh zgjat deri në fund të jetës, u është grabitur çdo shpresë e bukur…

Ai kurdoherë e kishte parë vendin e tij si një burg të madh, dhe brenda tij, plot të tjerë më të vegjël, më specialë” (f.20.GJ.P).

Brenda burgut të burgut (themi kështu, sepse si burg ishte jeta e gjithë shqiptarëve), shfaqen disa personazhe protagonistë, të cilët, sigurisht, sillen brenda nga jashtë, duke qenë më parë, nën tutelën e survejimit policor të shtetit.

Një pjesë e përshkrimeve, qëndrojnë natyrshëm në portretizimin emocional e sentimental të personazhit-AI-, që edhe pse duken të tilla, qëllojnë po aq fort në ndërgjegjen tonë, sepse, metamorfoza që ka vepruar në një galeri të madhe personazhesh të kësaj vepre, nuk është tjetër, veçse ajo metamorfozë frenetike, që na gërryen edhe sot brenda nesh, ku shumë kemi humbur, në kuptimin e shijimit dhe të zbukurimit të jetës, të ëndrrës dhe shpresës për të ardhmen.

Kështu, metamorfoza të tilla, të ngjyrave alegorike, kaq të forta, na prezantojnë në roman me TJETRI-n, personazh, dhe AI-në, personazh. Dy miq të ngushtë, djem të rinj, më në fund takohen- e ku tjetër, veçse në burg, ky është destini… -TJETRI pohon: “kampi qe e vetmja pikë e rruzullit, ku mund të takoheshin dy personazhe miq…

“Sa keq që erdhe edhe ti këtu! Kush të paska mallkuar ty miku im?!, -i thotë AI, personazh, TJETRI-t, personazh. TJETRI përgjigjet:

Ah, sikur ta dije sa shumë e kam ëndërruar këtë ditë! Besomë mua, edhe jashtë nuk rrihej më. Jeta u bë një moçalishte e vërtetë, kundërmonte batak

Ky është një pohim tragjik për gjysmëshekullin e jetuar në historinë e Shqipërisë.

Pastaj TJETRI: “Sa i shëmtuar qenka kampi, pleq të ngordhur të sheh syri nga të katër anët,si kufoma të flakura jashtë varrit.”

Kampi, ashtu si burgu, përshkruhet si një gjiriz i vërtetë. Krahas njerëzve me karakter të fortë dhe heronjëve të vërtet aty (në vecanti mbas vitit 1973) ka edhe spiunë, gënjeshtarë, mashtrues, palaço, karagjozë, llafazanë, ngatërrestarë të pashoq. Spaçi, shpesherë, bëhej shtëpia e të burgosurit për njëzet vite e më shumë, ndonjëherë dhe shtëpia deri në pleqëri e vdekje, ku i burgosuri pësonte metamorfozën. Ku shpesh të burgosurit (ajo pakicë e cila ishte thyer nga diktatura) e ndërronin komoditetin e tyre me mjerimin e të tjerëve, duke i spiunuar ose torturuar, dukuri kaq shumë e komplikuar dhe e pakuptueshme për njerëzit jashtë rrethimit të kampit.

spiunët dhe informatorët duan që kampi të jetojë nën peshën e ankthit dhe terrorrit; përndryshe, në kushte moti të butë, viktimat do të mendonin për hakmarrjen e tyre”, shkruhet në roman.

Dhe më tej, në këtë roman, Henrik S.G. futet thellë në rrethinat e psikanalizës:

Informatorët dhe spiunët nuk e duronin dot kohën e qetë pa ngjarje. Në situata terrori, ata ndiheshin më të sigurtë se kurrë.” (nga “Gjahu i pëllumbave”.)

Jo pak ironi e sarkazëm ka në këtë roman, kur rrëfehet për hetimet dhe ngjarjet që pasonin: “hetimi mbi krimin e tradhëtisë së lartë, të kryer tek nevojtoret, në formën e thirrjes për kundërrevolucion,  filloi atë pasdite….”, shkruan autori.

Duke marrë përsipër, që të jetë koherent në përshkimin brenda kampit të rrethuar me gjemba, jo pa qëllim, ai e ndërthur me ato që ndodhin jashtë tij, për të dhënë idenë e një rrethimi të egër të të gjithë vendit nga tirania e terrori.

Vdekja e së ëmës, vrasja e të vëllait, jeta e përbuzja në internim, apo dhe bisedat e shokëve të tij në rërën e plazhit, e shfaqin të plotë kohezionin mes asaj që ndodhte brenda dhe jashtë kampit me gjemba, ku e kishin detyruar të jetonte rininë e tij. Në një nga momentet e vetmisë së tij, kur kishte kohë pa marrë letra nga e ëma dhe i vëllai, kur kontaktet me botën jashtë ishin ndërprerë, ai po bëhej indiferent, edhe ndaj të ëndërruarit për gjëra që i mungonin. Ai vetë pohon se jeta e tij prej të gjalli kish mbaruar….  

* * *

Vërtet ka qindra njerëz, qindra ngjarje dhe qindra persona që mund të shkruajnë historinë për diktaturën, por ngjarjet dhe personat, për të cilët shkruan romancieri Henrik Gjoka (i cili mbas daljes nga burgu në vitin 1991, jeton e shkruan në Francë) meritojnë respektin e veçantë, jo vetëm për ato që kanë vuajtur, por edhe për vendin dhe rolin, që duhet të luajnë dëshmitë e tyre, në qoftë se duam që, e vërteta të zërë vendin e saj në historinë tonë.

Vendet, që shfaqen në këtë roman, ndodhen diku në atdheun tonë, dikur të izoluar nga bota përreth, sot të hapur, qoftë edhe si një muze për këdo që do ta vizitojë, dhe ne ende mizorinë e asaj diktature, të cilën e merr përsipër, që ta paraqesë vetë autori, në romanin “Gjuetia e pëllumbave”, nuk e kemi aq larg, sa për ta harruar. Nuk e kemi aq të pamundur, sa për të mos e analizuar dhe sa për të mos e njohur të vërtetën e saj. Në këtë pikë, e ndjej të nevojshme të nënvizoja diçka:

 Sot për sot, mesazhet e këtij romani duhet të merren të drejtpërdrejta, sepse personazhi AI dhe TJETRI janë njerëzit tanë. Janë këtu mes nesh, i takojmë çdo dite, modest për heroizmat e tyre në kohën e diktaturës, dikush shfaqet edhe i deziluzionuar nga sa shpresonte me këtë tranzicion të gjatë të shoqëruar me një dekomunistizim të zbehtë. Me sa duket, i tillë është dhe vetë autori i librit, që karakterizohet, jo vetëm nga një sy zhbirues, por edhe nga një gjykim i tillë, thellësisht zhbirues.

Në roman, fati i personazhit kryesor kryqëzohet, jo pa qëllim me jetën e TJETRIT, jashtë dhe brenda burgut, e historia vazhdon me ëndrrat e të vëllait, për t’i ikur këtij ferri dhe shuarjes së kësaj ëndrre me një breshëri mitralozi.

Shumica nga personazhet e këtij romani, janë persona konkretë, si i Burgosuri i Mrekullueshëm (Bedri Çoku), Djali i Kryeministrit të Vetëvrarë (Bashkim Shehu), Fizikanti (Fatos Lubonja), Kovaci (Enver Shaqiri) e emra të tjerë, kalvari i të cilëve në diktaturë, tashmë njihet publikisht.

Kushtet, që e detyruan autorin ta shkruante romanin, i kanë forcuar edhe ndjesinë e një detyrimi të vetëdijshëm, për t’i renditur ngjarjet në mënyrë kronologjike. Një tjetër detyrim i lexuesit të vetëdijshëm, më ka dhënë ndjesinë, për t’i analizuar të gjitha këto ngjarje, duke prekur me dorë historinë e vërtetë të vendit tim, që më shumë se çdo vend tjetër i botës, e pësoi nga sistemi komunist. Por, edhe një tjetër detyrim, akoma më i madh, të bën përgjegjës, duke parë se si shumë nga këta individë, portretet e të cilëve janë gdhendur nga autori, kanë pësuar, siç e pohon edhe ai vetë, “një metamorfozë të paparë, ndonjëherë, në historinë e njerëzimit.”  

                                                           ***

Studiuesi Sabri Hamiti, në veprën e tij “Albanizma”, kur i referohet letërsisë së burgut, shkruan se:

“është thënë moti, nuk ka më të vështirë, sesa të kujtohet jeta e lirë në robëri”. Duke rrokur këtë fjalë të urtë, ai na jep një këshillë të mençur: “Shoqëria shqiptare sot, duhet ta kujtojë jetën e robërisë në liri. Çështja është se, ky kujtim është edhe më i zorshmëm, kur intesifikohet për t’u bërë një krijim letrar”(shih, “Albanizma”.S.Hamiti, f.49.

Henrik S.G, ky shkrimtar i shquar i letërsis bashkëkohore shqipe e më tej, i ka sfiduar të dyja vështirësitë, pikërisht, duke e intesifikuar epokën e atij kalvari të madh, në një krijimtari të madhe letrare, me dy vepra “Gjuetia e pëllumbave” dhe “Metamorfoza e një brezi të humbur”, sepse ai ka ditur të rrëfejë nga brenda burgut, heroin, duke e gdhendur portretin e tij në liri dhe në pjesën e fundit të romanit, e anasjelltas.

Imazhi që na kalon përpara syve, në këtë roman, na njeh me një djalosh të dëshpëruar, që tek mikeshat e tij po ngjallte mister, ndoshta ngaqë mendonte ndryshe…, e për të, si për të gjithë të tjerët, jo rrallë survejimet nisnin nga raportet intime, caku më i fundit nga ku mund ta poshtëroje një qenie njerëzore. Në këto kushte, heroin e pashpresë, do ta kërkonte vetë rruga e arratisë: “Askush,  veç vështrimit pyetës të Vëllait, syve të trishtuar të Nënës, nuk do ta pengonin atë në rrugën e tij. Por, atë natë, ai kishte shmangur takimin me ta….. Kish pritur me një durim rraskapitës ditë më të mira, por ato qenë keqësuar akoma më shumë. Edhe braktisja, që po iu bënte njerëzve të dashur, edhe ajo i qëndronte brenda shpirtit, pa lëvizur, si një kamë e ngulur thellë në mish, që tani nuk rridhte më gjak. Ajo kamë qëndronte atje prej kohësh, qëkur ai kishte menduar, për të parën herë, të largohej nga ai vend, kur ishte vetëm 16 vjeçar. Më pas, në çdo rast, kur qe përgatitur për arrati, kish ndjerë se nuk do të kthehej kurrë në vendlindje.”(nga “Gjuetia e pëllumbave”) .  

Le të mbështetemi tek nyja lidhëse e të gjitha situatave, në kompozicionin e veprës, që e çojnë heroin drejt arratisë. Pa rrëfyer gjatë të zezat që e detyruan, ato dalin në dritë nëpërmjet një sendërtimi të veçantë kompozicional: Gjithçka brenda dhe jashtë Gulagut, në këtë vepër, vjen nga tipizimi plot veçori artistike i fytyrave të gardianëve, të inkuizitorëve, të Demonit, të Perversit, të Prokurorit, etj, etj. Dhe zanafilla e këtij kompozimi të madh narrativ, nis që nga kapja e “shkelësit” të kufirit, heroi siç është, përballja me fshatarët e doktrinuar, të zhytur në mjerim, pisllëk e arna, nxënësit e shkollave të zonave kufitare, të traumatizuar nga shëtitja butaforike e gjoja “armikut”. Duke lexuar këtë roman, e kupton shumë mirë se kush është Kanibali i drejtorisë së Punëve të Brendshme, se cilët janë xhelatët me uniforma, kopeja e elektrizuar e policëve, që u krijon trauma psiqike edhe fëmijëve.

Romani zhvillohet nëpërmjet disa ngjarjeve nënshtresore, që nga kupola e qeverisë deri tek dhoma e gjumit të një individi, nga gjirizet e institucioneve, deri tek ato të Gulagut. Kjo hartë kaq e shtrirë, i jep një hapësirë shumëdimensionale veprës, e cila zgjerohet edhe me efekte të tilla si humori i zi dhe shprehjet ironike të autorit. Të gjitha këto vihen re në përballjen, gjithë kontraste, të personazheve, ku piku arrin në ballafaqimin e psikologjisë së të burgosurëve ordinerë me atë të të burgosurëve politikë. Zbulohet se psikologjia e ordinerëve është shumë e ngjashme me atë të gardianëve, të hetuesve dhe të prokurorëve të shtetit. Ata janë njësoj..., natyra kriminele.

                                                              * * *

Këtë roman e zbukuron artistikisht klubi i madh i personazheve, ku çdonjëri përfaqëson një formë të caktuar botëkuptimi dhe ideologjie, dhe e bënë edhe më ngjeshur simbolikën artistike dhe ngarkesën ideo-emocionale nën trysninë e totalitarizmit.

Dramaticiteti i veprës rritet, kur të burgosurëve politikë u fusin në të njëjtat qeli të burgosur ordinerë dhe, ata, ordinerët i kanë dhënë autorit më shumë detaje, d.m.th. më shumë “brumë”, për të gdhendur personazhet e shpërfyruar nën pushtetin e dhunës dhe ideologjisë komuniste. P.sh. një nga personazhet negative, Perversi, në ngjarjet e mëtejshme në këtë roman, ka jo pak lidhje analogjike të personazhit të burgut me “perversët lider”.

Ky element kudo ndodhet dhe vepron, e bënë jetën e të tjerëve përreth një ferr të vërtetë. Ishte Perversi, fizionomia e pështirë e tij, që la gërvishtje të thella në koshiencën time. Është tronditës fakti që, kjo fizionomi bie shumë më poshtë se ajo e xhelatit. Është poshtëruese për historinë e Gulagut, që i burgosuri pervers e urren të burgosurin e ndershëm, gjë të cilën xhelati nuk e bën...” (f.10.GJ.P).  

Shëmtia e gulagut “mishërohet në shkëlqimin e Perversit”, shkruan autori.

Mirësia në hije, “vështron me sy të përlotur triumfin e Perversit”. Në Gulag, shquhet më fort antagonizmi moral, sesa jashtë tij:

Kjo është Mirësia e vendosur për mosbashkëjetesë me Perversin, por krejt e pafuqishme, për ta mposhtur atë. Është edhe Mirësia tjetër, e cila ka kurajon dhe kulturën e tolerancës dhe, e pranon kompromisin me Perversin. Kjo nuk i largohet atij, nuk ia shpreh përbuzjen, në asnjë formë, përkundrazi, ndodh që i jep shoqëri dhe luan me të. …..hanë bashkë….dalin shëtitje nëpër rruginat e Gulagut, bisedojnë miqësisht për gjëra madhore: artet e bukura, filozofi, femra, poezi e politikë……(me tej) Kështu dhe jashtë Gulagut, Mirësia e vetmuar, mbetet përsëri e tillë, ndërsa Perversi herë e mëshiron atë, herë e përbuz, të tjerët e shohin pa vend qëndrimin e saj…” (f.100. GJ.P).

Këtu përveç universalizimit të marrëdhënies njerëzore si vizion, mesazhi për dy format antagoniste të species njerëzore i kalon përmasat e objektit letrar e historik:

Duke i parë nga ky këndvështrim, të dy format e jetës antagoniste të bashkëjetesës në Gulag, nuk pata ndonjë dëshirë për t’i cilësuar me emra”, thotë autori në parathënien e tij. Zhdukja e emrave të personazhit e dërgon lexuesin në një mënyrë më të drejtëpërdrejtë tek mesazhi i këtij romani, që me sa duket është unik në letërsinë bashkëkohore shqiptare.

Ngjarjet në Gulag, janë sa reale në përmbajtje, aq subjektive në formë, ku me këtë të fundit merret arti i fjalës, i shprehur denjësisht në këtë roman. Mishërimi i autorit, AI, prezantohet i shtrirë përtokë, me qepallat të ngjitura nga gjaku, me një dhimbje të fortë si një thikë e mprehtë që e bënë të humbasë ndjenjat. Ai, ishte i vetmi “objekt” në atë vrimë (dehumanizimi) dhe, shfaqet për lexuesin me detajet që na përgatisin për të udhëtuar nëpër Gulagun e shpikur nga një një Demon i keq. Me emrin Demoni do të thirret deri në fund të veprës së shkrimtarit Henrik.S.G. vetë diktatori Hoxha, i cili, i mbushi burgjet brenda me bijtë e këtij populli dhe tokën jashtë këtyre burgjeve e njomi me lotë nënash. Dhe Nëna, për autorin është i vetmi imazh engjjëllor që i shfaqet në burg, ajo vjen si një rrugë bashkimi me Shpresën e Lirisë, me Zotin, në kohën kur Demoni bënte kërdinë brenda e jashtë burgut: “Nëna i fërkonte këmbët  e ftohta, heshtëte….Filloi të lutej me duart e ngritura lart, sikur kërkonte ndihmë nga qielli dhe lotët filluan të rrjedhin mbi faqet e vyshkura. Papritur lotët u shëndrruan në pëllumba të bardhë, ata fluturuan nëpër dhomë, duke flladitur fytyrën e tij….” (f.16.GJ.P).

E nëna lëshon mallkimin për Demonin, para vdekjes së saj tragjike: “Qofsh i mallkuar, ti kriminel i këtij populli, në jetë të jetëve. Dhëntë Zoti dënimim më të madh për ty. Në ferr, aty do të japësh llogari për të gjitha.” (f.17.GJ.P).

Ndërsa shkrimtari nis  përshkruaj e nënvizoj të gjitha këto rrëfime, brenda lexuesit lind kjo pyetje:

Vërtetë ka njeri që, nuk do ta besonte dot takimin me ferrin të këtij shkrimtari, të këtij shqiptari të përvuajtur, të mishëruar tek personazhi AI, por edhe tek TJETRI. Vërtetë ka njeri që nuk do t’i besonte vuajtjet e këtij njeriu që rri larg nesh, pas aq shumë torturash vdekjeprurëse, vuajtje me të cilën ai nisi rininë e tij me “supën e neveritshme, me bukën hedhur përtokë nga gardianët,me  bidonin e urinës në atë qeli të ndotur e të ftohtë”.  Mjerimi shpirtëror i heroit ka të njëjtën ngjyrë të zezë, si atë ditë që deshi të arratisej, sepse “kishte vënë re se njerëzit e mirë, bëheshin çdo ditë e më të mirë, ndërsa të liqtë, bëheshin më të rrezikshmën,si metastaza kanceroze. Ata që, për vite me radhë kishin  fshehur veset e tyre nën lëkurë, tashmë, të lodhur nga ky stërmundim, i kishin nxjerrë në sipërfaqe, qenë shëmtuar fatalisht.” (f.19.GJ.P).

Duke iu referuar mënyrës se si studiuesi Sabri Hamiti i ka prirë zanafillës së studimit të letërsisë së burgut, e cila vijon të jetë në rrugën e studimeve dhe perceptimeve të autorëve të nivelit të këtij studiuesi të njohur të letërsisë shqipe, vetë statusi i Henrik S.G., në romanin “Gjuetia e Pëllumbave”, është një status i dyfishtë i “Kreatorit” dhe “Misionarit”, referuar termave të S.Hamitit në librin e tij “Albanizma”, (fq. 116, 117, 118), (dhe perifrazuar nga ana ime-B.L për autorin Henrik S.G) i cili shkruan: “në kohën zero dhe në pikën e nisjes së shkrimit, autori, madje pa e ditur, ia parashtron vetes statusin: statusin e kreatorit, krijues e zbulues, apo statusin e misionarit, që është status moral, nacional, shoqëror dhe ideologjik, por gjithnjë nga pika e vetmitarit”. 

Në dritën e kësaj analize, vepra e Henrik S.G., pavarësisht statusit të misionarit, vlerë që e merr spontanisht, nuk e zbeh aspak statusin e kreatorit, pra vlerën artistike. “Gjuetia e Pëllumbave” nuk është një vepër e porositur, siç do të ndodhte në epokën e realizmit socialist ( duhet të mbërrijë tek lexuesi e paramenduar-.S.H.), por është krijimtari e një autori, që e projekton veten nëpëmjet personazhit, duke e shumëfishuar artistikisht tek dhjetëra pesonazhe, që e kanë refuzuar që në gen diktaturën. Dhe diktatura, po ashtu, denoncohet si shprishëse e genit më të mirë, duke zbuar, engjëjt, të urtët, intelektualët e kombit, dhe duke e shpërfyturuar kombin vetë me lirinë e veprimit që u linte pjellave bastarde. Autori nuk thotë vetë ndonjë nga këto fjalë. Vepra flet kështu, me gjuhën e koduar artistikisht. Heroi jeton në burg, dhe shprehet me gjuhën e mprehtë të narratorit, për të vijuar me dhimbje “procesi”: “ke derdhur shurrën në tokë, herë tjetër derdhe gjysmën në bidon, pije gjysmën… dhe aty shfaqet fytyra mizore e gardianit, që i ulërinte djaloshit, për ta larë atë gjak, të cilin, ata ia kanë derdhur vetë… Këto janë situata paradoksale. AI, torturohet, sepse paska lexuar libra dhe nga ana tjetër, xhelati sadist, ai që nuk lexon kurrë, bënë filozofi:

“Monotonia ta merr shpirtin në zanatin tonë. Ja pse nuk më durohet sa të filloj me ty! Akoma nuk ta njoh zërin, ulërimën, rënkimin”.

Gjatë leximit të romanit “Gjuetia e pëllumbave” rritet dramaciteti, por me një jehonë tepër të nëndheshme, edhe pse në rrafshe tragjike, kur shfaqen ngjarjet, shfaqen zhurmat, por duke u mbartur e rënduar njëkohësisht në atë galeri të madhe personazhesh. Kjo mbartje e qëllimtë, e bërë nga autori, mundëson paraqitjen e detajeve artistike të pafundme, për ta pëshkruar dhimbjen, sikur të jemi në një teatër gjigant të shfaqjes së “komedisë njerëzore”. Në një rast, këtë barrë të dhimbjes tek Vëllai-personazh, autori e përshkruan kështu: “kur e pa që jeta si shqitej, ai nisi të lëvizte”. Është një nga personazhet që gati vdes nga dëshpërimi për vdekjen tragjike të nënës, shkaktarë të së cilës bëhen edhe “njerëzit e thjeshtë të popullit”, siç klasifikoheshin në atë kohë, nuk bëhen shkaktarë vetëm xhelatët... Nëna vdes në ngricë, sepse një shofer miniere, sa merr vesh se ajo kishte djalin në burgun e Burrelit, e zbret nga makina, duke i thënë se nuk ishte për “armiqtë e popullit”.  

“-Pse të është dënuar djali?

-Për politikë.

 -Nuk qenka dënuar, as për vjedhje, por për politikë, domethënë armik i popullit”, thotë me ton të keq shoferi.”. 

Pa pikë mëshire, ky shofer e braktis Nënën e gjorë, mes atyre maleve, dhe mëngjesi atje e gjen të ngrirë, të akulluar, pa jetë...

Kapitull pas kapitulli, në roman lexuesi sheh imazhe ogurzeza të një ferri dantesk. Sheh Fizikantin, që e torturojnë barabarisht, sepse ai nuk donte të futej në minierë, ngaqë kishte parandjerë se atje do ta asgjësonin, dhe asgjësimi i tij, megjithatë nuk do të vononte, risku qe fatal për të:

“e zhveshin, e lidhin në hyrje të galerisë e lënë të kallkanoset nga të ftohtët dhe, kur i afrohet “vdekja e ëmbël”, e zgjojnë nga ajo lloj vdekjeje dhe e shkulin si një lloj stalakmiti, atë copë njeriu të ngrirë në akull, dhe pjesë trupi i shkulen të ngjitura në shtyllë.” Llahtarat e torturave burg janë të papërshkrueshme dhe kjo nuk është e vetmja histori. Henrik S.G shkruan:

Një operativ sigurimi në mes të Tiranës, i qepet dikujt, për ta çuar në burg dhe e realizon këtë, shkaqet mund të jenë të ndryshme analogë me ato brenda burgut, ku një gradian i qepet një të burgosuri dhe nuk i ndahet këtij deri në fund.

Një histori tjetër:

Tjetri, miku I Ai-së, ishte i survejuar që nga burgosja e AI-së dhe spiunët nuk gjejnë motiv që ta burgosin. “Sulmin e parë të dukshëm, TJETRI-t  ia bënë në punë. Duke gjetur si pretekst miqësinë e tij me një mësuese.  Ajo qe e martur, kështu që i akuzuan për dashuri klandestine, “imoralitet” kishte thënë sekretarja e partisë. Një mëngjez të bukur, ai e pa veten të papunë”. (GJ.P.f.311)

Ndryshe nga Ferri i Dantes, ku personazhet vuajnë për shkak të mëkateve të tyre, në romanin e Henrikut, zhvillohet një process diametralisht i mbrapshtë, këtë herë dhe në këtë vend flakët e ferrit mbërrijnë deri tek enjëgjejt. Janë ata që vuajnë e torturohen më shumë, sepse shumica, turma, qoftë kjo dhe nga shtresa e të burgosurëve politikë e ordinerë, kthehen në qenie të sëmura e nervoze: “një pjesë e madhe humbasin përgjithmonë qetësinë shpirtërore, të tjerë bëhen agresivë të paarsyeshëm, si vetë jeta që ata jetojnë. Duke u ndodhur tërë kohën nën dhunë e diskriminim, mendjet e tyre të vrara zhvillohen vetëm në këtë fushë, shumë prej tyre mbeten të trishtuar përgjithmonë, të tjerë të trembur, në ankth të pashuar” (f. 185, Po aty)

              * * *

Burgu i Burrelit, karakterizohet si burgu më i urryer për kohën, si një ferr i vërtetë, sidomos në dimër, saqë të burgosurit e ndërronin me dëshirë qelinë e akullt me punën e rëndë në minierë. Çdo ditë, veshët e tyre dëgjonin “premtimet e xhelatëve për zhdëpje në dru”,

Dhe filozofia e vetë ferrit, në burgun famëkeq të Spaçit, përcaktohet nga fjalët e një të burgosuri:

“pushteti i policit këtu përcaktohet nga kamzhiku, ndërsa pushteti i të burgosurit nga ndihmat, këto që ti ke këtu”

Në fjalët e një të burgosuri tjetër është pasqyruar fizionomia e një shteti të sëmurë, që shkakton edhe mjerimin e turmave jashtë burgut.  

“Ç’shtet isëmurë,- mendoi ai. Polici urren gjyqtarin dhe të akuzuarin, në të njëjtën kohë. Gjyqtari urren policin dhe të akuzuarin. Urren edhe atë turmën atje, që ka hapur sytë për të përpirë ngjarjen, ndërsa turma vetë, kjo urren policin, gjyqtarin, prokurorin dhe të akuzuarin (Gj.P.f.66).

Fizionomia e shtetit është totalisht e pasyqyruar gjatë gjithë procesit narrativ, ndërsa si shembull do të mjaftonte edhe njëri nga rastet, rasti i Zëvendësministrit, që mbulonte sektorin e kampeve dhe burgjeve, i cili pothuaj vjell vrerin e të gjithë filozofisë së dhunës shtetërore:

“në kampe dhe në burgje, duhet gjithmonë, qetësi, rregull. Përse paguhet një komandë e tërë, një kope me gardianë. ..duhen dhe shtatë javë të nis kongresi. Mund të filloni që nesër punën me ta. Rastin për t’i terrorrizuar e gjeni vetë ju, nuk është e vështirë. .. Pra, filloni që tani, dhe kur të fillojë kongresi, ata do të jenë të raskapitur nga druri, biruca dhe të pangrënit. Kështu që do të vinë si delet në sallën e televizorit dhe do të ndjekin punimet e kongresit, pa u ndjerë” (f.35.GJ.P). 

Në këtë proces të kalvarit, lexuesi do të zbulojë me qindra faktorë dhe pasoja të ushtrimit të totalitarizmit nga lart-poshtë. Ja si shfaqet psikologjia e fshehtë e krimit, në emër të doktrinës, gjatë një çasti kur Drejtori i Burgut po e dëgjonte Zv. Ministrin me një ndjenjë indiferentizmi:

ai po e shihte shefin tek fliste tërë pasion, me siguri, autoritet dhe mendonte: Kur do të vish ti gjë qafërrjepur të kalosh ca kohë në birucat e mia. Do të fut në të njëtën vrimë ku kanë kaluar edhe paraardhësit e tu. Atyre u vlente më shumë lëkura, njëmijë herë më shumë se ty, por ama kur erdhën aty, i luteshin me lot në sy një gardiani idiot që, t’u hapte derën për të bërë shurrën. Ty do të lë ta bësh në brekë, se dukesh kokorosh. E di mirë që do të vish, jo shumë vonë. Më habit kjo historia juaj, që të gjithë vini atje pas njëri-tjetrit dhe kurrë nuk e kuptoni këtë sa jeni gjallë, por rriini e na çani bythën këtu me të njëjta dokrra gjithë jetën” (f.36.GJ.P).

Procesi i kalvarit të jetuar nëpër burgje, shpërfaqet pothuaj me të gjitha aktet kriminale të njërës prej diktaturave më të egra e më persverse në botë. Edhe pse të vërtetat ngjajnë të pabesueshme, por edhe për faktin vetë, që duken tepër të pabesueshme, ato na gdhenden përjetësisht në kujtesë dhe të detyrojnë t’u përulesh këtyre heronjve, për vuajtjet që hoqën, duke u përballur me armikun e vërtetë të popullit, shtetin komunist.

Si kokat e meduzës shfaqen në roman “Operativët e zonave, ata që rrogën e tyre e siguronin, duke shkatërruar jetë njerëzish”; dhe për kontrast, zvarranikët e Kabinetit me bazë klasën punëtore të Hoxhës:

vetë ministri, vinte edhe ky nga klasa punëtore. Hante dhe pinte si bishë. E ëma nuk e kishte pjellë të bukur, as ai vetë nuk bënte ndonjë përpjekje për siluetën e tij, barku i qe varur mbi rripin e pantallonave, koka si daulle, keq e më keq, me ca flokë si qime miu. Shkurtabiq. Për faqe të zezë. S’e ku i gjente Hoxha këta çapaçulë. Çudi e madhe për një bukurosh të studiuar në Francë, që e mbush byronë me ca druvarë e stallierë. Nejse, ai e di si e ka punën, ç’plane ka  për popullin e tij…!”(f.36-37.GJ.P)

Dhe të ngacmojnë pasojat e një procesi vrasës, e një operacioni degradues në popull, kur shfaqet një nga faktet më dramatike të zbuluara në këtë roman, që terrori nuk u bëka më përshtypje shqiptarëve:

Tek u jepte udhëzime ushtarëve të tij, ministri fliste në dialektin e krahinës ku qe lindur, Peqinit. Ndonëse aty flitej për terror, ata qeshnin me shakatë e tij, thoshin mes tyre se ministri ishte shumë popullor dhe i thjeshtë…” (nga romani Gj.P.)

Akoma më tepër dramatik këtu në roman, është edhe gjenocidi i shkaktuar në popull, shtetarët komunistë kanë denigruar e shfarosur familje të tëra:

“..kam njohur të atit e tij, i biri është kopje e të atit,- i thotë ministri Prokurorit,- ka miq kudo, ka simpatizantë në sfrera të ndryshme të shoqërisë”. Ky lloj gjenocidi, ishte i llogaritur, i qëllimshëm. Ministri thotë se “kur e arrestuam herën e parë, para Kongresit të kaluar, nuk bëmë dot dy dëshmitarë bashkë…”. Tashmë ata kanë në dorë mjtetet për gjenocidin e nisur: “Futi dhe nenin 55, sepse 47-ën e bëri vetë.”, -thotë Ministri.

Shfarosja e tërbuar, që u bëhet familjeve, instrumentohet nga vetë ministri, i cili vjell urrejtje: “…kopje e tij është, hidhet pas femrave si ujk, si i ati, sakrifikon për të tjerët, si i ati, si i ati ka një qëndrim të hidhur ndaj pushtetit popullor....,pesë djem polli nëna e tyre, katër i nxorri armiq, si të duket ky bilanc” ( f.38.GJ.P).

“Çfarë urrejtje ishte kjo që mund të vepronte kurdoherë me një tërbim të çuditshëm, -thotë autori, -dukej si një sëmundje patologjike, si një tumor që rritej në kafkën e tyre, e që dita ditës bëhej më i madh e më i rrezikshmëm. I rrezikshëm, jo për ata që e kishin, por për të tjerët, mbi të cilët këta të sëmurë ushtronin një dhunë të tërbuar”.

Autori nëpërmjet ngjarjeve dhe emocionove të veprës, na çon në shtjellën e disa analizave interesante që kanë ndjekur procesin historik gjatë sundimit të Demonit-E.Hoxha. Prej tij, ishte shpikur institucioni i urrejtjes, i dhunës, si një zinnxhir ankthi. Autori përshkruan gjendjen e gardianëve që, mezi çprisnin që t’i vinte radha ministrit të tyre për të rënë në burg…

                                  * * *

Historia e këtij romani është një rast unik i denoncimit të një shteti, që e ktheu Shqipërinë në një vend torturash dhe mjerimi: Bjondi, një djalë i ri, plaset në qeli dhe qan i hidhëruar se e ka lënë gruan vetëm në shtëpi. Xhelatët s’e kanë për turp të mburren me pervesitetin e tyre dhe brutalisht i përgjigjen se do të merren ata me gruan e tij… (.fq.45)

 Dikur, në rininë time, leximi i romanit “Ditari i Ana Frankut” më ka lënë mbresa shumë të thella, shoqëruar me një ndenjë keqardhje për një Anë të panjohur, diku në një vend të largët, e detyruar të vuaj nga një rregjim, për egërsinë e të cilit kishim lexuar nëpër libra. Sot, leximi i romanit “Gjuetia e pëllumbave” të Henrikut, më ka lënë mbresa, po aq të thella, për një djalë shqiptar, i detyruar të vuajë nga një regjim, për egërsinë e të cilit kemi mjaft fakte të para me sytë tanë.  

Ky roman, ka një rrjedhë kronologjike, fillon që nga dita e parë e arrestimit të personazhit, AI,  e deri në atë fund, të prekshëm, të dhimbshëm, të ikjes pa zhurmë, nga ajo botë që i mohoi të drejtën e të jetuarit. Lexuesi prezantohet që në hyrje të romanit me një tërheqje zvarrë, në një qeli të errët, të një djaloshi, që nuk e kish kuptuar ende, përse e kishin marrë. Ai është aty dhe kujton se ndoshta është shkak një poezi e shkruar nga ai vetë ne adoleshencën e tij, e cila mbyllet me tre vargje të ftohta, rrënqethese, si vetë jeta e tij:

Kisha ftohtë/Shiu rrëzohej si lotët/Nata rëndonte si vdekja.

Në Gulag, siç e quan autori burgun e Burrelit, Ai-personazhi-“ zbuloi në ato vogëlima, thelbin e jetës së burgut, filozofinë e jetës së përditshme në kampet e përqëndrimit, të cilën ai nuk e njihte aspak dhe që po e magjepste, që në castet e para të saj..”( Gj.P.f.95)

Historitë Gulagut, që ai dëgjonte, i dukeshin si diçka që nuk po ndodhnin në realitet, por diku jashtë atyre mureve, dhe personazhet e tij, Bufoni, Djaloshi, Bujtësi, Pukiani, ushtarakët, të gjithë lëviznin si në skenën e një teatri, që ai sheh me sy mbyllur, që prej birucës së tij. “Me atë që po shihte, kuptoi edhe skenarët e dramave,që tashmë ishin krjet ndryshe nga ato të disa viteve të shkuara, ndryshonte filozofia, nuk shihje askund ngjyra të forta si ato të gjakut, mjerimit e revoltës. Ai kishte dëgjuar se pas masakrës së 73-shit, në kampin e Spaçit, për të shtypur revoltën filozofia e MPB paskesh ndryshuar. Skenari i asaj drame u shkrua me gjakun e të burgosorëve dhe u duartrokit nga diktatori i vendit, meqenëse ajo ishte në lartësinë që e kërkonte koha .” (f.125, po aty)



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora