E enjte, 24.07.2025, 09:25 PM (GMT+1)

Kulturë

Libri që mbajti nën fre Veriun

E marte, 11.05.2010, 09:32 PM


Nga Jorida Pasku

 

"Kanunin e Lekë Dukagjinit" një botim anastatik i veprës së vitit 1933, përmbledhur dhe kodifikuar nga At Shjefën Gjeçovi. Në hyrje kujtimet e Konicës nga vizita e vitit 1913 në kuvendin françeskan në Shkodër dhe analiza e Gjergj Fishtës për vlerat juridike e qytetare të Kanunit

 

Një botim me fletë të verdha që ruan estetikën e atyre botimeve të regjura nga koha. Ky është së jashtmi "Kanuni i Lekë Dukagjinit" i vitit 2010, i treti në serinë e botimeve Françeskane të Shkodrës që i qëndron besnik botimit të vitit 1933. I përmbledhur dhe i kodifikuar nga At Shtjefën Gjeçovi (1874-1929), hapet me shënimet biografike të përmbledhura nga miku i tij At Pashk Bardhi.

 

Vijon me parathënien e At Gjergj Fishtës, që i ka bërë një analizë vlerave juridike dhe qytetare të Kanunit, rëndësinë që ka pasur në kohën kur ligjet i bënte Turqia dhe më tej Fishta argumenton hedhjen poshtë të idesë se: "kanuni pat vlerë juridike, për njerëz t'egjër".

 

Nga Faik Konica janë përfshirë mbresat e një vizite të shkurtër dhe një bisedë në dhomën e vogël të famullisë së At Shtjefën Gjeçovit, në Gomsiqe, atë dhomë që ai e përshkruan "një biná prej guri, e ndritur dhe e paster, gjysm'e zbrazur nga plaçka po e mbushur dhe e zbukuruar nga zêmëra e madhe dhe buzëqeshja e të zotit të shtëpisë".

 

 

Ligjet që mbanin "fre" Veriun e Shqipërisë, Gjeçovi i mblodhi gjatë kohës që gërmonte për përmbledhjen folklorike "Visari Komtar" (1910), një botim që nuk pati jetëgjatësi pasi lufta shpërtheu dhe kohë të vështira e prinë Shqipërinë.

 

Materialin për Kanunin, Gjeçovi e botoi pak nga pak në të përkohshmen "Hylli i Dritës", që filloi të botohej pikërisht atë kohë, më 1913. Këto të dhëna i marrim nga shënimet e Gjergj Fishtës, që beson se nëse Shtjefni nuk do të ishte vrarë pabesisht natën e 14 tetorit 1914, Kanuni do të ishte edhe më i plotë, edhe më interesant.

 

"A. Shtjefni vijote pa i a dá kurr nder rmime e studjime mbí kanûn, edhé pat shtue materjal tjeter të rí kshtû, qi botimi definitiv i kanunit do të kishte dale, nen ç'do pikpame, nji veper pernjimend fort e interesantshme. Veç shka se u vrâ mizorisht në Jugoslaví, e i hupen edhé dorshkrimet, posë qi vepra i mbet pa krye", shprehet Fishta.

 

Me këto shënime dijetari i hap sytë gjithkujt për rëndësinë e Kanunit dhe po ashtu shuan edhe kureshti të vogla për lexuesin siç janë: kuptimi etimologjik i fjalës Kanun, pse i vënë emrin "Kanuni i Lekë Dukagjinit", ku ka qenë zbatuar, etj..

 

"Fjala kanûn, s'ká dyshim, se etimologjikisht rrjedhë prej fjalet greqishte xav?v-qi don me thânë: mastár, njajo vegel drunit a e ndonji brumi tjeter, qi vjen me terhjekë viza të ndrejta", rrëfen Fishta jo fort i sigurtë nëse ka qenë Lekë Dukagjini ai që e ka kodifikuar i pari Kanunin, apo sepse "ká pasë vlerë legale ndër "Lekë" (Malsorë të Mbíshkoders) e në Dukagjin-Dukagjini nder kohë të kalueme përfshîte Shalë e Shosh, Pukë e Iballe, Mirditë, Kthellë e Selitë e Zhuben (Malsín) e Lezhes)."

 

Duke i referuar librit "Serbtë edhé Shqyptarët" të Dr. Šufflay, Fishta del në përfundimin se "Kanuni i Lekë Dukagjinit dikúr ká kênë i kodifikuem".

 

Po ku qëndron rëndësia e Kanunit për funksionimin më së miri të shoqërisë dhe Shtetit sipas tij? Fishta pikë së pari, shpjegon se janë arsyeja e vullndesa ato që e drejtojnë një shoqëri, që të përshtatura për një hapësirë më të madhe, atë të një shteti, përkthehen në ligj dhe autoritet.

 

Ky burrë i urtë mëshon mbi faktin që ligji duhet të jetë i dobishëm dhe "due me thânë të préme mbas psihes e mbas nevojve të njimendta të popullit, qi do t'i majë; e se prandej fuqia ligjdhânse e nji Shteti, para se të presë nji ligjë të ré, duhet t'a njofë mirë shpirtin e popullit e t'i peshojë sa duhet nevojët e kohvet e të vendit, për të cillat ajo ligjë pritet.

 

Per ndryshe ligja del dhûnë e jo hullí jete". Duke dhënë këto arsye, me të drejtë ai bën pyetjen: "Po kû mâ mirë e mâ kjarët se nder ligjet doketare të nji kanuni ligjdhanësit e shtetit kan për të njoftë shpirtin, karakterin e nevojët e vërteta të popullit?"

 

Ai i mbyll shënimet me shtjellimin e vlerave juridike të Kanunit, që nuk u ndaluan as në kohën e Turqve dhe me hedhjen poshtë të mendimit se " kanuni pat vlerë juridike, për njerëz t'egjër".

 

Duke bërë një kategorizim të kulturave në Kulturë Kristjano-Oksidentale, kulturë Greko-Romake të hershme, Kulturë legjendare e heroike, Kulturë Barbare, Kulturë e Egër, ai i gjen vend kulturës së maleve, mes kulturës së atyre popujve që "kan per qellim t'unjisimit të tyne të miren e përbashktë, si kjo kuptohet prej kulturet kristijane a greko-romake, por qi prej erresijet të mendes, në të cillen kan rá neper rrethâna të vshtira per ta, nder perlime t'autoriktetit perkatës e në të prém të ligjvet pergjithesisht nuk marrin në kujdes perfekcjonimin kultural e materjal të kolektivitetit, tue i a lanë ket barrë krejt inicjativës private".

 

Rreshtat që Konica ka shkruar në parathënien e këtij botimi janë një prehje e këndshme nëpër kujtime që ai ka për At Shjefnin, gjatë një vizite në Kuvend të Françeskanëve në Shkodër më 1913. Ja si na e sjell më afër portretin e famulltarit:

"I mesmë nga gjatësia e trupit, pakë si i thatë, me një palë sy të zeza ku çkëlqente mendia po edhe zëmërmirsia, At Gjeçovi fitonte menjëherë besimin dhe dashurinë.

 

Fjalët i kish të paka po kurdoherë në vënt. Vetëm kur në të kuvënduar e sipër takohej nonjë pikë mi të cilën kishte diturí të veçantë - si përshembëll Kanuni i Lekë Dukagjinit ose vjetëritë greko-romake - At Gjeçovi çelej ca mê gjatë, dhe ahere ish gëzím t'a dëgjonte njeriu".

 

Konica i mbyll kujtimet e tij me përshkrimet e njeriut që fshihet pas petkut të famulltarit: "Bir i përulët i Shën Franciskut, me një diturí pa tingëllim, po edhe Shqipëtár i kthiellt, At Gjeçovit, që përkiste çdo mirësí, nuk i mungój asnjë hidhërim, asnjë çpifje, mê çudítshmia e të cílave ndoshta është të mohúarit se ay ish Shqipëtár".

 

At. Shtjefni lindi në Janjevë (Kosovë) më 12 korrik të vitit 1874. Mësimet fillore i kreu në vendin e tij dhe gjimnazin në kolegjin e Françeskanëve në Troshan. Më 1888 ai shkon në Bosnje, ku hyri në Urdhër të Françeskanë në Kuvend të Fojnicës.

 

Në Kuvendin e Derventës e të Banjalukës mori mësimet filozofike, ndërsa ato teologjike, në kuvend të Kreshevës. Më 25 korrik 1896 erdhi në Shqipëri. Shërbeu si famulltar në Pejë, në Laç të Kurbinit, e në Gomsiqe (Mirditë) e më vonë në Zymb.

 

At Shjefnin nuk e vlerësuan vetëm për zellin që dëftoi në mësimet fetare dhe patriotike, por edhe për vlerat që i dha literaturës me botimet e veta, "Jeta e shë Luçís, pajtores s'arkidieçezit të Durrsit" (1904), "Agimi i qytetnís" (1910), "Shna Ndou i Padues" (1912), "Atil Reguli", përkthim i lirë i dramit me tri pamje të Pjetër Metastasit (1912), "Vajza e Orleans-it ose Joana d'Ark" (1915).

 

At Pashk Bardhi nuk lë pa përmendur edhe vrasjen në pabesi të At Shjefnit, më 14 tetor 1929, në orën 3 në mesditë, as t'i lërë në paqe vrasësit e tij. Diku ai shprehet: "Ndonsé në rrethe të Prizrenit e të Gjakovës, e dijnë të gjith se kush janë gjaksit e At Shtjefnit, me gjith këta na vjen keq, pse nuk rezulton qi atyne u ka hî ferr në kâmbë per ket punë."

Si një falënderim për veprën e tij në kohën që rroi, Bardhi shkruan:

 

"Pushosh në paq, o ATë Shtjefen! Provinçja Françeskane e Shqypnís e atdheu mbarë, të cillët ti aq fort i deshte, e per të cillët aq fort u mundove, e i nderove me vepra t'ua, kurr nuk kanë më te harrue".

 



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx