Kulturë
Presidenti Topi dekoron Sabri Hamitin me Urdhrin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”
E hene, 10.05.2010, 09:55 PM
Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi dekoroi sot me Urdhrin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” zotin Sabri Hamiti me motivacionin: “Për kontributin e pazëvendësueshëm në mendimin modern shqiptar në studimet albanologjike si dhe për rolin e luajtur në përballimin e sfidave historike me të cilat u ndesh populli shqiptar në fund të shekullit XX”.
Me këtë rast në Presidencë u zhvillua ceremonia zyrtare, ku pas ekzekutimit të himnit kombëtar dhe leximit të dekretit presidencial të dekorimit nga Sekretari i Përgjithshëm, Aleksandër Flloko, në praninë dhe të të ftuarve, familjarëve, Ambasadori i Kosovës në Tiranë, Gazmend Pulaj, deputetë, akademikë, historianë,
gjuhëtarë, etj.
Me këtë rast, Presidenti Topi para se t’i dorëzonte Urdhrin e lartë “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” u shpreh: “Është kënaqësi për mua që në këtë ditë, e cila përkon edhe me ditëlindjen tuaj, të marr në konsideratë jo vetëm me cilësinë e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, por edhe të mikut, i cili prej kohësh ka ndjekur dhe, në të njëjtën kohë, ka bashkëpunuar në shumë linja të rëndësishme të rritjes së standardit të demokracisë në politikë, në institucione, por edhe për çështje të një rëndësie të veçantë, sikurse është çështja kombëtare.
Në këtë ditë, duke bërë vlerësimin për ju, në të njëjtën kohë, jam i motivuar të vlerësoj gjithë veprimtarinë tuaj, tërë përkushtimin tuaj për çështjen kombëtare, por sot unë jam i lumtur që ky vlerësim bëhet kur, për më shumë se dy vjet, Kosova është një shtet i lirë dhe i pavarur, është një shtet që po konsolidohet çdo vit. Unë gjithmonë e them se kam komoditetin që, në të gjitha takimet me partnerë të rëndësishëm ndërkombëtarë, madje të një rëndësie globale, të krenohem për arritjet e jashtëzakonshme që ka bërë Kosova dhe institucionet e saj gjatë këtyre dy vjetëve për projektimin e një shteti shumetnik, të një shteti që, ndonëse është i ri, ka vlera shumë të vjetra historike të kulturës, të identitetit; padyshim, në të gjitha këto vlera ju, zoti Hamiti keni firmën tuaj dhe do të vazhdoni ta lini atë edhe në të ardhmen.
Unë këtë e përjetoj si një emocion të veçantë, sepse është çasti i vlerësimit të personaliteteve nga Kosova. Do të flas pa letër, sepse ka aq shumë gjëra për të thënë për ju, sa nuk mund të futen në dy faqe letër zyrtare që e kërkon kjo ceremoni. Ju keni dhënë një kontribut të veçantë në botën e letrave, në botën e mendimit filozofik. Jeni nga ato figura autentike, për të cilat i gjithë populli shqiptar, pavarësisht se ku jeton e punon, në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni apo në Mal të Zi, krenohet. Ai ju ka dhe do t’ju ketë një pikë shumë të rëndësishme referimi.
Edhe një herë urimet më të mira për ju, familjen tuaj, gjithë institucionet ku bëni pjesë dhe gjithë shoqërinë mbarëshqiptare në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi e kudo ku jeton!”
Ndërsa zoti Sabri Hamiti, tepër i emocionuar, e falënderoi Kreun e shtetit shqiptar duke theksuar: “I nderuar dhe i çmuar Presidenti Topi,
Miq të mi të dashur dhe shumë të çmuar,
Zoti President, nuk mund ta fsheh që jam i prekur thellë me nderimin që ju më bëni sot në emrin tuaj dhe të Shqipërisë.
Shenja e Skënderbeut na kujton jo Heroin Kombëtar, por diçka më shumë, referencën evropiane të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Barleti e bëri Skënderbeun Hero Kulturor evropian, jo vetëm shqiptar. Unë mendoj se tani këto dy emra, këto dy figura reference të kulturës sonë kombëtare, Gjergj Kastrioti dhe Barleti, e kanë krijuar përgjithmonë paradigmën e njeriut, e Heroit Kulturor Shqiptar. Kjo është provuar empirikisht dhe historikisht më vonë, sepse figurat e mëdha të kulturës sonë, faktikisht deri më sot, kanë mbetur brenda kësaj paradigme. Nga Barleti, te Buzuku, Bogdani, De Rada, Naimi, te Fishta e Konica për të mbërritur te më të vonshmit si Kadare e Rugova; natyrisht që ky rend vazhdon, sepse kemi të bëjmë me një traditë. Në të njëjtën kohë, kjo na tregon se ne kemi një kulturë të kundërvënies dhe kundërvënia për lirinë, në të vërtetë, është gjendja më e fuqishme e vetëdijes. Kjo është provuar në Shqipëri dhe në Kosovë kohët e fundit, siç thatë edhe ju, zoti President. Ne i nderojmë të gjithë ata që janë në këtë paradigmë të historisë e kulturës.
Në se më lejohet të jem personal, në këtë çast, këtë nderim të lartë ia kushtoj familjes: prindërve të mi, që nuk i kam më, të cilët e kanë dashur shumë Shqipërinë dhe e kanë dashuruar Shkodrën; mikes sime, Hyries, djalit, ortakut, brezit të dytë, vëllezërit etj.