E merkure, 01.05.2024, 05:39 AM (GMT+1)

Kulturë

Gazeta Illyria: Intervistë me Shkëlzen Gashin, autorin e biografisë së Adem Demaçit

E diele, 09.05.2010, 06:40 PM


INTERVISTË ME SHKËLZEN GASHIN, AUTORIN E BIOGRAFISË SË PAAUTORIZUAR TË ADEM DEMAÇIT

 

Kam shpjeguar gati një shekull të Kosovës nëpërmjet jetës së Demaçit

 

Ndoshta jua kanë bërë shpesh këtë pyetje, por mbase është e pashmangshme: pse zgjodhët Adem Demaçin për t’i shkruar biografinë?

Sepse Adem Demaçi është personaliteti politik shqiptar i gjysmës së dytë të shekullit të kaluar që më ka intriguar më së shumti. Me emrin e tij lidhet pothuajse krejt rezistenca e gjysmës së dytë të shekullit të kaluar dhe e këtij fillimshekulli, lidhje kjo që për fat të keq tash është ndërprerë.

Kur dhe si nisët ta shkruani librin?

Librin nisa ta shkruaj në fillim të vitit 2008 dhe e përfundova në fillim të vitit 2010. Pra, punova krejt vullnetarisht plot 2 vjet në këtë projekt. Por, më duhet ta them se po të mos ishte ndihma e shumanshme e sa e sa njerëzve, përgatitja e këtij libri kish me zgjatë larg më shumë dhe nuk kish me qenë kështu siç është aktualisht.

Lehtësia e të shkruarit për ata që nuk njihen shumë është se çdo gjë që të shkruash përbën një surprizë; anasjelltas, një figurë kaq e njohur si Demaçi vjen me sfidën se mjaft njerëz dinë shumë për të ose të paktën kështu mendojnë. Çfarë aspektesh e bëjnë këtë libër interesant për lexuesin?

 

Janë dy libra të shkruar për jetën dhe veprën e Adem Demaçit, ashtu siç na e rrëfen ai. Njëri i shkruar nga gazetari slloven Matijazh Hanzhek, e tjetri nga ai boshnjak Fahrudin Radonçiq. Të dy janë në formë të intervistës vetëm me Demaçin dhe të botuar më 1990, pra 20 vjet më parë. Libri im për Demaçin nuk flet vetëm për periudhën deri në vitin 1990 kur ai lirohet përfundimisht prej burgut (kjo është vetëm gjysma e librit), por edhe për dy dekadat e fundit të veprimtarisë së ngjeshur politike të tij. Po ashtu, për këtë libër nuk e kam intervistuar vetëm Demaçin, por edhe familjarët, mësuesen e shkollës fillore, shokët e klasës, bashkëvuajtësit, miqtë, kolegët, bashkëpunëtorët e oponentët politikë, gazetarët, luftëtarët, asistentët e shoferët, që e kishin njohur, shoqëruar, e që kishin bashkëpunuar me të në kohë të ndryshme të jetës së tij.

Kam përdorë si burime të gjithë librat që i ka shkruar Demaçi; të gjithë librat e shkruar për Demaçin; librat më të rëndësishëm që trajtojnë aspekte të historisë së Kosovës prej fillimit të shekullit të kaluar e deri më sot; intervistat që Demaçi i ka dhanë prej vitit 1989 e deri më sot nëpër gazeta, revista, radio e televizione të ndryshme të Kosovës dhe më gjerë, por edhe artikuj autorialë të Demaçit nga gazeta të ndryshme. Kam përdorë edhe dokumente të ndryshme që kanë të bëjnë me Kosovën, jetën dhe veprën e Demaçit. Me pak fjalë, e kam shpjeguar gati një shekull të Kosovës (1912-2010) nëpërmjet jetës së Demaçit, ndaj edhe motoja e librit: ‘Një shekull i Kosovës nëpër një jetë’. Së fundmi, dorëshkrimi i librit u formësua edhe duke përfituar nga dhjetëra lexues, kryesisht figura të publicistikës, që duke e marrë pa ngurrim disa herë në dorë, e komentuan e më dhanë komente, vërejtje e sugjerime.

 

Njëra arsye pse u lavdërua ky libër është vetëpërmbajtja juaj për të mos shprehë asnjë koment a përshtypje për ngjarjet. Në vend të kësaj i keni renditë ngjarjet siç kanë ndodhë duke ia lënë reagimet lexuesit. Çka ju ka çoi te kjo mënyrë e të shkruarit?

 

Libri nuk është lavdëruar vetëm për vetëpërmbajtjen time; sidoqoftë, dua të them se kam pasë nëpër duar artikuj e libra që e madhëronin Adem Demaçin, por edhe të tillë që e fyenin dhe e poshtëronin, por nuk kam gjetë asnjë artikull a libër që për jetën dhe veprën e Demaçit ofron vetëm fakte relevante ‘të renditura kronologjikisht e të përkufizuara politikisht’, siç shprehet Arbën Xhaferi, e të pakomentuara, duke ia ‘lënë këtë kënaqësi lexuesit’ (sërish sipas Xhaferit), dhe për më shumë, të gërshetuara me kontekstin historik të shekullit të kaluar të Kosovës 1912-2010.

 

A nuk mendoni se duke shkruar biografinë e dikujt që është gjallë lihet gjithmonë jashtë një kapitull i fundit i jetës që mund të jetë gjithashtu i rëndësishëm?

 

Po, kjo që thoni është e saktë. Prandaj edhe po e përcjell aktivitetin publik të Demaçit edhe pas publikimit të biografisë, në mënyrë që pas vdekjes së tij – uroj të jetojë plot 111 vjet sa thotë se ka në plan – ta ribotoj biografinë me plotësime. Përveç kësaj, vazhdimisht po i shënoj vërejtjet, sugjerimet, këshillat që po më vijnë nga lexues të ndryshëm të librit.

 

Keni bashkëpunuar ngusht me Adem Demaçin për këtë biografi, mirëpo në fund, ai deshi t’i hiqte disa pjesë. Ju nuk pranuat dhe raporti mes jush, me sa di, u rrënua. Lexova se është përpjekë t’ju hedhë në gjyq dhe që ta pengojë promovimin e librit. Cila është marrëdhënia mes jush tani?

 

Kur e nisa hulumtimin, Demaçi pranoi të intervistohej, me kusht që para botimit ta lexonte dorëshkrimin dhe t’i korrigjonte pasaktësitë eventuale, por edhe që biografia të botohej me autorizim prej tij. Demaçi e lexoi tekstin para botimit dhe m’i dha do vërejtje fort të dobishme, për çka i jam shumë mirënjohës. Mirëpo, duke marrë rolin e censorit, kërkoi arbitrarisht t’i hiqte gjashtë të vërteta, të cilat nuk m’i ka thënë mua në konfidencë, siç po shpifin bashkëpunëtorët e tij, që njëkohësisht janë edhe anëtarë të ShIK-ut. Ato të vërteta janë deklarata nga intervistat për media, nga konferencat për shtyp, në polemikat me kundërshtarë, nga mbrojtjet e tij gjatë hetimeve në paraburgim, e kështu me radhë.

Momentet që ka kërkuar të hiqen janë këto: ai ku sqarohet kërkesa e Demaçit më 1958 për likuidimin e udhëheqësve kryesorë komunistë të kohës në Kosovë, Dušan Mugoša e Fadil Hoxha (f. 24, paragrafi II); qortimi që i bën më 1999, gjatë ditëve të lutës, Pandeli Majkos, Kryeministër i Shqipërisë (f. 155, paragrafi II); vlerësimi i tij për Ismail Kadarenë pasi refuzon ta nënshkruajë Marrëveshjen e Rambouillet-së më 1999 (f. 166, paragrafi II); fërkimet që ka pasë më 1999 me anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Fatmir Limaj e Jakup Krasniqi (e gjithë f. 169); arsyet që jep më 2 mars 1999 për dorëheqjen nga posti i Përfaqësuesit të Përgjithshëm Politik të UÇK-së (e gjithë f. 170); cilësimet e tij për Agim Çekun, Hashim Thaçin, Ramush Haradinajn, Veton Surroin, Fatmir Sejdiun pak ditë pas protestës së VETËVENDOSJE!-s më 10 shkurt 2007 (f. 205, paragrafi II).

Raporti im me Demaçin, për aq sa më përket mua, mbetet siç ka qenë më parë. Nga ana e tij duket se është acaruar maksimalisht sepse, me sa kam njohuri, ka provuar të më padisë në gjykatë, por gjykata ia ka kthyer mbrapsht padinë me shpjegimin se akuza nuk ka bazë ligjore. 

 

Kjo biografi besoj dallon nga mënyra se si shkruajnë përgjithësisht sot në Kosovë - e kam fjalën jo thjesht për Demaçin - qoftë në shtypin e përditshëm e qoftë në histori. Cila është arsyeja sipas jush që njerëzit shkruajnë vetëm me cilësime ekstreme, me adhurim ose urrejtje? A dilet dot prej këtij modeli?

 

Në thelb arsyeja kryesore pse njerëzit shkruajnë sipas modelit të romantizmit e të patriotizmit patetik është se nuk janë të pavarur, prandaj shndërrohen aq lehtë në kondomë të ‘politikanëve’ aktualë, të cilët nuk janë aspak të interesuar që të dalë në shesh e vërteta.

Merreni me mend, Qeveria e Kosovës për vitin 2010 ka nda për librin vetëm 24 mijë euro, me të cilat janë financuar kryesisht libra me poezi, nivelin e të cilave besoj se nuk kam nevojë t’jua them, ndërsa ka nda 600 mijë euro për t’ia shtuar hapësirat Institutit Albanologjik, i cili tash sa vjet del shumë rrallë me publikime, nivelin e të cilave e merrni me mend vetë. Krejt kjo ndodh sepse qeveritarët e Kosovës janë të interesuar që Kosova të ketë qytetarë që për kah edukimi janë nën nivelin e tyre, prandaj zotëron kjo gjendje e rëndë në çdo segment të arsimit në Kosovë. Prandaj kam pak shpresa se mund të dalim prej këtij modeli të të shkruarit.

Halli im kryesor është se këta qeveritarë po bëhen model për brezat e rinj, prandaj Shpia Botuese “Rrokullia” i ribotoi kujtimet e Hasan Prishtinës dhe biografinë time për Adem Demaçin, duke dashur kështu që këto dy personalitete t’i ofrojë si modele për brezat e rinj, edhe pse Demaçi kohët të fundit, për fat të keq, është afruar shumë me qeveritarët aktualë.

 

Po ju vetë, pavarësisht se s’ia keni shfaqë lexuesit në libër, besoj të keni pikëpamje personale lidhur me ngjarjet dhe në jetën e Demaçit dhe orientimet e tij. Cili episod nga jeta e tij ju ka bërë më së shumti përshtypje? A ka ndonjë moment kur mendoni se duhet të kishte vepruar ndryshe?

 

Jo episode të jetës së tij, por krejt jeta e tij, jo vetëm më ka bërë përshtypje, por edhe më ka motivuar dhe frymëzuar për rezistencë ndaj pushteteve, që të shumtën e herëve janë të padrejta në raport me popullin. Për lexuesit e gazetës suaj po e nxjerr një fragment nga libri, që ndoshta mund t’u duket interesant:

Në verën e vitit 1998, bashkë me Shasivar Makollin dhe Shefqet Sylejmanin, Demaçi shkon në fshatin Likoc të Drenicës për t’u takuar me përfaqësuesit e ShP të UÇK-së. Policët sërbë, të stacionuar në punktin te udhëkryqi i fshatit Komoran të Drenasit, ua ndalojnë veturën. Komandanti i punktit policor, pas identifikimit, i shpjegon Demaçit se nuk mund të bëjë asnjë metër më tutje, ngaqë jeta mund t’i vihet në rrezik. Demaçi i kërkon komandantit sërb të mos shqetësohet fort për jetën e tij, por t’ia hapë rrugën. Ndërsa komandanti i punktit shkon pak hapa më tutje për t’u konsultuar me kolegët, njëri nga policët i drejtohet kolegut të vet: «Ej, ?uo li si za ono, znaš, generala bez vojske?» (Hej, a ke ndie për atë, e din, gjeneralin pa ushtri?). I nervozuar, Demaçi nxjerr gati gjysmën e trupit jashtë dritares së veturës dhe me të madhe ia kthen: «A koju li ti pi?ku materinu svoju ?uvaš ovde i pržiš se na suncu, ako ja nemam vojsku, je li?» (E kënd pidhin e nanës tënde po e ruan ti këtu dhe po përzhitesh në diell, nëse unë s’paskam ushtri, hë?). Pasi marrin dokumentet prej komandantit të punktit, megjithë insistimin e përsëritur të tij për rrezikshmërinë e udhës, Demaçi me shoqëruesit vazhdojnë tutje.

Sa u përket momenteve kur mendoj se Demaçi duhej të vepronte ndryshe, për pikëpamjen time, janë dy kryesore në karrierën e tij politike, kur ai e humbi shansin për t’u bërë lider: 1. viti 1990 kur Demaçi refuzon të marrë timonin për ta drejtuar rezistencën në Kosovë dhe, për më tej, të gjithëve u bën thirrje që t’i bashkohen Ibrahim Rugovës; dhe 2. viti 1999 kur jep dorëheqje nga posti i Përfaqësuesit të Përgjithshëm Politik të UÇK-së duke e lënë UÇK-në në dorë të Hashim Thaçit, i cili realisht në terren ka pasë larg më pak ndikim sesa Demaçi.

 

Gjuha e librit ka elemente të gegnishtes, si në përdorimin e paskajores ashtu edhe në një numër fjalësh. A është kjo ndonjë “pakujdesi” e korrektorit apo zgjedhje e qëllimshme e juaja?

 

Në libër, përveç fjalëve të gegnishtes, të cilat janë fjalë të shqipes dhe prandaj nuk duhet t’u tutemi, e kam futë edhe paskajoren, por pjesërisht, kurse në botimet e ardhshme kam me e futë plotësisht.

 

Libri ka dalë si në shqip ashtu edhe në anglisht. A do të kenë mundësi shqiptaro-amerikanët që ta blejnë atë?

 

Libri përveç në shqip ka dalë edhe në gjuhën angleze dhe është përkthyer mjeshtërisht nga Elizabeth Gowing. Aktualisht libri është në shitje vetëm në Prishtinë, Tetovë dhe Tiranë. Së shpejti libri do të shitet edhe nëpërmjet internetit.

Keni thënë diku se tani doni t’i përvisheni një biografie të Presidentit Rugova. A është e vërtetë kjo? Çfarë sfidash mendoni se do të ketë kjo ndërmarrje e re dhe sa do t’ju ndihmojë përvoja me Demaçin?

Përvoja me Demaçin ka me qenë një lehtësim shumë i madh, por sfida kryesore do të jetë se projekti për Rugovën është shumëfish më i madh sesa ai për Demaçin. Duke qenë i tillë, financiarisht është jashtëzakonisht më i kushtueshëm. Prandaj, hë për hë jam duke shikuar se kush do të mund ta ndihmonte këtë projekt.

Disa thonë se historia shkruhet më mirë një brez më vonë, kur pasionet e kohës të jenë qetësuar. A mendon se librat që shkruhen sot do t’i mbijetojnë kohës? Si mendon se do të na shohin brezat e ardhshëm?

Pjesa dërrmuese e librave që shkruhen sot kanë për të qenë objekt talljeje për brezat që do të vijnë.

 



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora