E merkure, 01.05.2024, 04:40 AM (GMT+1)

Kulturë

Luan Malltezi: “A ka të drejtë prof. Frashëri?”

E premte, 07.05.2010, 08:11 PM


“A ka të drejtë prof. Frashëri?”

 

Nga Luan Malltezi

 

Më 2009, shtëpia botuese “Onufri”, botoi të përkthyer në shqip veprën e albanologut të shquar kroat, Milan Shuflaj (1879-1931) “Qytetet dhe kështjellat e Shqipërisë kryesisht në mesjetë”. Autori e kishte botuar atë për herë të parë në gjuhën gjermane, më 1924 në “Wiene & Leipzig”, me titull “Städte und Burgen Albaniens hauptsächlisch während des Mittelalters”. Botimi shqip vinte kështu te lexuesit shqiptarë pas 76 viteve. Libri natyrisht u prit mirë nga lexuesit. Studiuesi i njohur Virgjil Muçi, në një shkrim të tij, e vlerësoi këtë botim, si një nga arritjet më të rëndësishme të vitit. Dhe sigurisht kishte të drejtë. Shuflaj ka qenë një nga historianët e shquar të kohës, që është marrë me studimin e historisë së Shqipërisë në mesjetë. Ai është autor i shumë artikujve dhe botimeve serioze mbi historinë e Shqipërisë. Ai ishte një nga historianët që mori përsipër botimin shkencor të dokumenteve arkivore të Shqipërisë për periudhën e mesjetës. Shuflaj e filloi këtë punë të madhe dhe të vështirë bashkë me historianët e shquar K. Jireçek dhe L.Thalloczy. Të dy këta njihnin thellë historinë e Ballkanit në mesjetë; Jireçek kishte botuar ndërkohë Historinë e Serbisë dhe Historinë e Bullgarisë. Këta studiues të mëdhenj ndërmorën për disa vite me radhë kërkime në arkivat e Dubrovnikut, Venedikut, Napolit; ata vunë në lëvizje si bashkëpunëtorë të tyre një numër të madh arkivistësh nga këto vende, për hulumtimin e fondeve të vjetra arkivore për historinë e Shqipërisë. Më 1913 dhe 1918, këta historianë dolën përpara opinionit shkencor me botimin në dy vëllime me dokumente për historinë e Shqipërisë në mesjetë. Vëllimet mbanin titullin në gjuhën latine Acta et diplomata res Albaniae mediae aetatis illustrantia.

Botime të tilla kishin kryer vite më parë edhe vendet e tjera të Ballkanit. Shqipëria ishte e fundit, që realizonte këtë objektiv të madh shkencor. Me botimin e dokumenteve të saj për studiuesit ishte hapur edhe rruga shkencore për një njohje më të gjerë të historisë së popujve të Ballkanit në mesjetë. Në këtë botim me vlerë të padiskutueshme edhe në ditët e sotme, Shuflaj kishte marrë përsipër barrën e rëndë të organizimit të të gjithë botimit, të përgatitjes së dokumenteve, të përfshirjes së literaturës historike, të përgatitjes së hyrjes dhe të gjithë aparatit të ndërlikuar shkencor.

Pas këtij botimi, Shuflaj, tashmë një personalitet i madh shkencor, u bë një nga njerëzit më të nderuar në Shqipëri. Publicisti dhe studiuesi i shquar shqiptar Mit’hat Frashëri, i cili mundi të hyjë në korrespondencë me të, u përpoq të vinte në lëvizje shtetin shqiptar për të përballuar shpenzimet e nevojshme financiare për botimin e vëllimeve të tjera, që duhet të shkonin deri në vitin 1571. Deri atëherë, shpenzimet i kishte hequr Perandoria Austro-Hungareze, por kjo e shkatërruar nga Lufta e Parë Botërore. Ndërkohë kishin vdekur Jireçek dhe Thalloczy. Shuflaj u ftua në vitin 1930, në Tiranë nga shteti shqiptar, i cili garantoi edhe përkrahjen e nevojshme financiare. Por, pas kthimit të tij në Kroaci, Shuflaj, i cili mbahej nën survejim nga policia serbe, u vra nga serbët në atentat në Zagreb, më 18 shkurt 1931. Vrasja shkaktoi pikëllim të thellë te njerëzit përparimtarë të botës; Ajnshtajni dhe Manni e denoncuan këtë akt banditeks, duke i bërë apel Ligës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut në Paris. Për Shuflajin dhe veprën e tij “Qytetet dhe kështjellat e Shqipërisë” shkroi pak ditë më parë edhe prof. Kristo Frashëri artikullin e tij, i cili u botua në dy numra të gazetës (dt. 24 -25 prill 2010). Autori bën një vlerësim kritik mbi veprën e albanologut kroat, duke tërhequr vëmendjen për konceptet e tij të kufizuara në trajtimin e historisë së Shqipërisë. Për hir të së vërtetës, duhet të them se nuk ishte kjo që tërhoqi vëmendjen tonë; sigurisht, ka vend për kritika të tilla dhe ato janë bërë nga historianët tanë, lidhur me shtrirjen më të gjerë të tokave shqiptare në mesjetë etj.

Në artikullin e tij na ka bërë përshtypje fakti se autori në numrin e parë të gazetës, hidhej në një sulm të egër ndaj personit tim. Sipas tij, ne kishim bërë një veprim të madh abuziv, korruptiv, duke botuar këtë vepër, kishim shkelur të drejtat e autorit, nuk u kishim treguar lexuesve përkthyesin e veprës etj. Kjo vepër, shkruan ai, ishte përkthyer nga Instituti i Historisë në vitet ‘50 dhe se kopja ndodhet sot në arkivin e atij Instituti me shifrën përkatëse.

Nga artikulli nuk mund të mos binte në sy se prof. Frashëri nuk bënte asnjë vlerësim pozitiv për botimin shqip të kësaj vepre, nuk shkruante asnjë rresht, nëse i vlente apo jo lexuesit dhe studentit të sotëm, nëse ky botim ishte apo jo cilësor, sikundër e meritonte studiuesi i madh kroat, miku i shqiptarëve Milan Shuflaj. Autori i largohej këtyre çështjeve, duke shkruar se “nuk dinte gjermanisht”. Ne sigurisht na vjen keq për këtë qëndrim, por kjo është punë e tij. Dhe tani të kthehemi te kritika e tij, a qëndron ajo? Si studiues më duhet të them, se bie plotësisht dakord me vërejtjen e zotit Frashëri; botimet duhet të shënojnë emrin e përkthyesit, ky është një qëndrim serioz për çdo botim të rëndësishëm shkencor. Emrin e përkthyesit duhet ta mbante edhe botimi ynë. Po atëherë pse nuk e ka?! Me këtë pyetje futemi në brendësi të problemit. Tek vepra për të cilën po diskutojmë çështja paraqitet ndryshe: Në përkthimin shqip, që disponon arkivi i Institutit të Historisë, vepra nuk e ka të shënuar emrin e përkthyesit. Përse ka ndodhur kjo, pse mungon emri i tij, këtë nuk jemi në gjendje ta shpjegojmë. Ndoshta kjo ka ndodhur për faktin, se përkthyesi nuk ka qenë i lidhur me pushtetin dhe nuk ka qenë i interesuar të vinte emrin si përkthyes. Personalisht mendoj se përkthyes mund të ketë qenë D. Rodiqi, apo ndoshta profesori i nderuar B. Dashi, që kam pasur rastin ta njoh nga afër. Po kush mund ta dijë saktë? Vetë prof. Frashëri mendon se, duhet të ketë qenë inxhinieri dhe arkeologu prof. J. Adhami. Mundet të ketë qenë, por Frashëri nuk jep asnjë fakt, që provon këtë. Në rrethanat kur nuk njihnim përkthyesin, menduam se mund të hapnim një diskutim për lexuesin, se cili mund të ishte përkthyesi, por a mund ta bënim këtë, a kishte kuptim të diskutonim një problem të tillë, që nuk kishte të bënte me Shuflajn? A mund të ishte serioz ky qëndrim? Sipas Frashërit po; ne përkundrazi menduam si zgjidhje më të mirë ta linim këtë çështje të hapur dhe të shënonim vetëm punën tonë si përgatitës për botim, pra jo si përkthyes. A qëndronte kjo zgjidhje? Për z. Frashëri jo, sepse ne, siç shkruan ai, nuk dinim gjermanisht; për ne po, sepse ne dinim gjermanisht; pa njohjen e gjermanishtes as që mund të mendohej puna për botimin shqip të veprës. Sigurisht gjermanishtja që njohim, nuk na lejonte të ndërmerrnim përkthimin e veprës, por kjo nuk na pengonte të kishim një mendim për përkthimin shqip. Nga kontrolli i përkthimit nuk na u duk i saktë përkthimi i kapitullit të parë. Kjo na detyroi t’ia jepnim këtë kapitull për një përkthim të ri shqip mbesës së doktor Tereskës, martuar në kohë të tij me një austriake. Me këtë përkthyese, që e kishte gjermanishten gjuhë të nënës, menduam se mund të vazhdonim punën për të kontrolluar të gjithë librin dhe emrin e saj ta vinim lirisht si përkthyese të veprës. Por me këtë përkthyese puna nuk vajti mbarë; pas përkthimit të kapitullit të parë, ne nuk ramë më në kontakt me të, me gjithë përpjekjet tona me të shoqin dhe të atin për t’u lidhur me të; zonja në fjalë, që ishte inxhiniere, nuk iu përgjigj disa herë thirrjeve tona në celular. Pse vallë, mos iu duk vepra e vështirë, apo nuk kishte kohë?

Në mungesë të saj, u detyruam ta bënim vetë verifikimin e përkthimit, duke u konsultuar për pjesë të veçanta me prof. Anila Omari, gazetarin Fatos Baxhaku, përkthyesin e gjermanishtes të Institutit të Historisë, përkthyesen e gjermanishtes së TV Shqiptar etj. Me gjithë këtë punë, që mori kohë në botimin shqip, nuk vumë emrin e asnjë përkthyesi. Kjo sigurisht nuk është për të mos u vlerësuar, por të kemi parasysh se përkthimet, që disponon Instituti i Historisë në arkivin e tij janë në një nivel shumë të ulët. Përkthyesit sigurisht kanë qenë të mirë, por përkthimet e tyre kanë hyrë në arkiv të daktilografuara nga punonjës të tjerë, pa u kontrolluar nga përkthyesit. Për shkak të gabimeve, përkthimet nuk kuptohen shumë herë çfarë duan të thonë; shënimet, nga ana tjetër nuk kuptohen se kujt i përkasin në tekst. Përkthyesit pra merrnin pagën për përkthimin (sigurisht një pagë sa për të thënë), por përkthimi futej në arkiv i daktilografuar plot gabime. Në këto rrethana, ka vend të shtrohet pyetja, a është bërë një punë e mirë në botimin tonë të veprës së Shuflajt? Zoti Frashëri mendon se jo; ne mendojmë se gabon, gjithsesi libri është në qarkullim tashmë për lexuesin dhe i takon atij të flasë. Z. Frashëri duhet të ketë vënë re që botimi ynë ka indeksin e së gjithë veprës që Shuflaj vetë nuk e kishte bërë.

Së dyti, z. Frashëri duhet të kishte sqaruar më parë pse ishte përfshirë z. Malltezi me këtë botim?

Ai mund ta kishte zbuluar këtë, nëse do të pyeste pse ishte bërë ky botim. Unë kam rastin t’u bëj të ditur lexuesve se puna për botimin e këtij libri ka nisur jo nga unë, por nga Drejtoria e Institutit të Historisë dhe ka nisur me të drejtë. Pse? Sepse pas viteve ‘90 Drejtoria bashkëpunon me institucione kërkimore shkencore të Kosovës dhe zhvillon me to aktivitete të ndryshme. Drejtori i Instituti të Historisë, prof. Marenglen Verli, më tha se Instituti i Historisë së Kosovës kërkonte të merrte dhe të botonte në Kosovë veprën e mësipërme të Shuflajt dhe se ai mendonte se, do të ishte në dinjitet të Institutit tonë, që përgatitjen për botim ta bënim ne si Institut dhe konkretisht unë, si një specialist i departamentit të mesjetës. Mendoj se, z. Verli kishte plotësisht të drejtë. Pasi e pashë përkthimin shqip, i bëra të ditur z. Verli se botimi kishte nevojë për një rishikim në botimin shqip dhe se kjo kërkonte një fond financiar shtesë. Prej tij nuk mora përgjigje, sepse në Institut filloi reforma akademike.

Prof. Frashëri, siç thamë, flet për një akt korruptiv për botimin shqip të këtij libri. Dëshiroj t’i them zotit Frashëri ta provojë këtë. Me këtë rast jam i detyruar të bëj të ditur, se libri u botua me shpenzimet e mia financiare; asnjë firmë private, asnjë shoqëri nuk e ka financuar botimin e tij. Ai është një botim luks, me letër të verdhë dhe me kapak të fortë. Shuflaj e meritonte këtë botim. Libri është botuar në 500 kopje dhe kushton 1000 lekë; prej të cilave 200 shkojnë në favor të shitësit. Pas kësaj, dëshiroj të pyes prof. Frashërin si mund të quhet kjo punë një akt korruptiv, sepse mua në fakt më rezulton krejt ndryshe; ky botim përkundrazi më ka gërryer financat e dobëta personale! Nga botimi i një libri asnjë nuk bëhet i pasur. Me këtë dua të besoj, se as prof. Frashëri nuk është bërë i pasur pse ka vënë në shitje librin e tij “Skënderbeu” me çmim 180 lekë. Unë mendoj se prof. Frashëri nuk ka fituar asgjë me këtë botim përveç faktit të rëndësishëm, që ka vënë emër me këtë botim si historian.

Botimi ynë kërkoi edhe shpenzime të tjera përveç botimit, kështu libri kishte shënime të shumta shkencore. Kjo më detyroi të bashkëpunoja me z. Vjollca Noti, redaktore dhe specialiste në fushën e botimeve. Znj. Noti u shkurtua nga puna në kuadrin e reformave dhe mua m’u desh ta angazhoja në këtë punë me shpenzimet e mia personale tre muaj me radhë.

Në këtë mes pra, nuk qëndron çështja e korrupsionit që “shqetëson” prof. Frashërin; por një çështje tjetër, që për mua ka rëndësi të jashtëzakonshme: duke botuar një libër të Shuflajt, ne lidhim emrin tonë me këtë të historian të shquar kroat. Ky është një nder i madh dhe unë besoj se e meritojmë për punën që kemi bërë për përgatitjen e librit për botim. Unë dëshiroj të them, se për emra të tillë të mëdhenj, për njerëz, që kanë i dhënë kombit vepra të rëndësishme kam dëshirë të lidh emrin tim, duke ju shërbyer atyre. Kjo ka qenë arsyeja p.sh., që kemi botuar bashkë z. Delvina disa libra të rilindësit tanë të madh Mit’hat Frashëri, siç janë “Diturija” (Tiranë, 1999); “Udhëtarët e huaj në Shqipëri” Tiranë (1999); “Mit’hat Frashëri, ministër Fuqiplotë në Athinë” 1923-1926, (Tiranë 2002), “Foleja Kombëtare” (Tiranë 2008). Kjo është një dobësi e jona dhe kjo dobësi na pëlqen.

Sa për vërejtjen e fundit të prof. Frashërit, se botimit duhet t’i kishin bërë një hyrje, duke i bërë vërejtje autorit ne do të donim të mos përgjigjeshim fare, sepse e gjykojmë pa vend sidomos kur kritikat që bën profesori mbi veprën, nuk kanë të bëjnë me veprën e botuar. Ne donim të botonim dhe të nderonim autorin, duke dhënë veprën e tij. Për sa i takon vërejtjeve, kritikave për çështje të veçanta, këto janë të zakonshme në punën tonë si studiues; këto i kemi bërë dhe do t’i bëjmë kur të merremi si studiues me këto probleme.



(Vota: 5 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora