E merkure, 01.05.2024, 08:02 AM (GMT+1)

Kulturë

Bedri Tahiri: Kur dashuria mund urrejtjen

E enjte, 06.05.2010, 09:04 PM


Bedri TAHIRI

 

KUR DASHURIA MUND URREJTJEN

 

 (Liridon Miftari: Dhjetë vezët e Dragoit Parkalipso, KOHA, Prishtinë, 2008)

 

Është kënaqësi dhe krenari e veçantë për të gjithë mësimdhënësit kur nxënësit e tyre arrijnë rezultate në mësime, por edhe më shumë kur ata kapërcejnë ato caqe dhe bëjnë emër duke lënë gjurmë edhe në krijimtarinë artistike. I tillë është edhe Liridon Miftari që sot na ka tubuar për të mirë, për ta përuruar librin e tij të parë “Dhjetë vezët e Dragoit Parkalipso”.

Kënaqësia ime është e dyfishtë, meqë unë, pos si nxënës, tashmë e kam edhe koleg, andaj, pasi më është besuar fjala, po e jap vlerësimin tim për librin dhe autorin.

Kushdo që e lexon librin “Dhjetë vezët e Dragoit Parkalipso” dhe nuk do ta dinte moshën e autorit, padyshim, do të krijojë përfytyrim tjetër për të, do ta mendojë më të rritur, më të pjekur, më të moshuar.

Pse e them këtë?!

E them me plot arsye, sepse, niveli artistik dhe tematika e librit nuk përkojnë aspak me moshën e tij. Shtjellimi i ngjarjeve, mbushur me situata, rrëfime e intriga misterioze të peridhës së mitologjisë helenistike dhe përmbyllja e tyre në dobi të së mirës, lë për t’u lakmuar edhe nga penat më të sprovuara. Dhe, ma thotë mendja, e gjithë kjo është rezultat i imagjinatës së tij të bujshme krijuese dhe i leximeve të shumta kureshtare nga kjo fushë.

Ngjarjet, edhe pse, të shumtën, rravgohen nëpër tisin e mjegulluar mitik e mistik, kanë një rrjedhë të mbarë dhe gjithmonë priren drejt pozitivizmit, drejt përmirësimit, për të kulmuar në një rrafsh konvencional të triufalitetit të dashurisë mbi urrejtjen, të së mirës mbi të keqen, të së bukures mbi të shëmtuarën...

Të gjithë personazhet, me përjashtim të Uran Shkrelit, dhe mbarë gjeografia e veprimeve rrëfimore janë ireale. Megjithatë, meritë e autorit është se ata emra e toponime i ka trilluar vetë, pa i huazuar e pa u mbështetur në tabanin e ndonjë mitologjie. Ata vërtitën nëpër labirinthet e botës së mistershme në kërkim të vezëve të Dragoit Parkalipsa.

Kryeheroi i  romanit, PINOJA, të përkujton Odiseun homerik. Ai është këmbëngulës dhe, që nga momenti kur Lorosi ia lë amanet anijën dhe shtegëtimin, nuk ndalet së vepruari deri në fitoren përfundimtare. Në figurën e tij mishërohen natyrshëm dashuria, mirësia, pastërtia, guximi, sinqeriteti. Në përpjekje për të zbuluar fijën e lëmshit të enigmës e ndihmojnë që të gjithë shpirtbardhët, madje edhe sirenë Etona.

Gjatë aventurave të tij të rrezikshme e sakrifikuese, hasim episode të larmishme që në formë dromcash pasqyrojnë ngjarje nga më të ndryshmet. Ta zëmë, vlen të përmendet dashuria e Pinos me vajzën e bukur Aferozë, e cila, si një pe i kuq, e përshkon veprën fund e krye. Apo, më e qëlluar se të tjerat është  rinjohja e tij me të motrën, Enegjininë, një motiv i njohur që nga lashtësia dhe shumë i përhapur në letërsinë tonë popullore dhe atë botërore.

Dashuria për librin, për diturinë dhe për çelësin e kësaj bote, mësimin, dalin të sublimuara suksesshëm në personazhin e vetëm të botës shqiptare, te Uran Shkreli. Ai është një  njeri i vetmuar e i izoluar, që, edhe pse gjeni, të gjithë injorantët e marrin për të çmendur, një realitet i hidhur që historinë e përcjell në vazhdimësi. Vetëm përmes mësimeve që dalin nga librat e tij të shumtë zbulohet  enigma që mban pezull gjithë ngjarjen: Dragoi i fundit, Parkalipso, katër ditë para se vdiste, dhjetë vezët e tij i fshehu në një shpellë të malit Antër. Ato ia la dhuratë njerëzimit, por e pengonin malin për t’u rritur, andaj mali, po nuk u lirua prej tyre, do t’i mallkonte njerëzit. Mirëpo, për t’i zbuluar ato, duhej gjetur harkun dhe shigjetën e artë.

Uran Shkreli, edhe kur po jipte shpirt nga dora e Morosit shpirtzi, thotë: Unë po shkoj, por po ua lë pas dritën që gjithmonë do t’u ndriçoj! Këtu edhe konsiston poenta e librit se çelësi i kësaj bote është libri!

Dhe, rrjedha e ngjarjeve pëson thyerje, enigmën e zbulon dikush tjetër, e zbulon ajo që personifikon urrejtjën dhe smirën, e zbulon Heberona e Re. Por, pushteti i saj tiranik, qe jetëshkurtër. Sakaq, në skenë del shpëtimtari i vërtetë, Pinosi. Ai, në dyluftim, e plagos Heberinën e Re, e cila, para se të vdes pendohet, duke iu dorëzuar e tëra Pinosit e duke thënë  se mallkimi i vërtetë është: Ta urresh dashurinë!

Një përfundim të ngjashëm nxjerr edhe autori kur thotë: Triumfoftë gjithmonë dashuria mbi urrejtjen, lakminë, pasurinë, pushtetin!

Një mësim i mirë për të gjithë e përgjithmonë!

Prandaj, duke e përmbyllur fjalën time, edhe njëherë autorit, i cili premton shumë, i dëshirojë jetë të gjatë dhe suksese në mësime e në krijimtari!

Ju faleminderit për vëmendje!

 

Vushtrri, më 7 maj 2010



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora