Kulturë » Berisha
Sejdi Berisha: Filozofia e kripës, madhështia e kitarës dhe Verrat e Llukës
E enjte, 06.05.2010, 09:58 PM
Sh p ë r p u th j e
Sejdi BERISHA:
FILOZOFIA E KRIPËS, MADHËSHTIA E KITARËS DHE VERRAT E LLUKËS...!
Ka shumë gjëra, ka edhe shumë sëmundje , ka edhe shumë ngjarje e sjellje që ta zënë frymën. E, kur zihet fryma, dergja dhe ileti e sosin jetën kurse shpirtin e bëjnë çifut, zi. Kështu, historia përzihet me problemet më të rënda e më të dhembshme. Të gjitha bashkë, si të brejturit, zakonisht ta shkatërrojnë harmoninë, kurse e vërteta, shpeshherë shndërrohet në iritim dhe në dashuri të armiqësuar me vetveten. Nëse ka kështu,... atëherë, kjo të detyron për të menduar thellë, drejtë e mirë. E,... kjo s’është gjë tjetër pos shpërputhje...!
1.
Muaji maj është muaj i çuditshëm, dhe, sikur kështu edhe gjithmonë ka qenë. Gjelbërimi dhe lulet, në këtë muaj dalldisin mendjen dhe zemrën. Andaj, dasmat, gëzimet, hidhërimet, dhembjet e lumturitë, pothuaj se të gjitha, në maj, janë të lidhura nyje me zgjidhje e pa zgjidhje, me mbamendje e me harresë, me data e me shenja,... me inat dhe inatosje!
Këtu e njëzetë vite më parë, kisha marrë rrugën për në një tubim historik, në ç’drejtim ia kishin mësyrë i madh e i vogël nga Llapi i Gollaku, nga Presheva e Gucia, nga Drenica e Podujeva, nga Gjilani e Hasi dhe nga tërë Dukagjini. Drejtë këtij tubimi, secili në vete bartte dhembje, mall, histori, ngjarje trishtuese e tragjedi, por edhe shpresa për t’iu dhënë fund gjërave më të liga të njeriut. Për t’iu dhënë fund të ligave, që, me shekuj gjakun e kishin quar peshë, e kishin derdhur pa kuptim, që na kanë pedatur nevojë e pa nevojë. Dhe, mbi pesëqind mijë shpirtra, e bashkë me ta edhe shpirti im, atëbotë ishin tubuar tek Verrat e Llukës, për t’i treguar vetvetes shumëçka, për t’i dhënë korrigjim jetës dhe historisë. Ngase,... gjakmarrjes duhet shkulur rrënjët, e cila gjithnjë nëpër shekuj kishte hapur varre,... kishte lëshuar rrënjë të thella, si bar gomari!
I tërë ky tubim, i ngjante atëherë amanetit për tu mos hasmëruar kurrë më. Dhe, më sa më kujtohet, Verrat e Llukës me një faqe të veçantë historie, shumë më përpara, u shndërruan në lapidar të mesazhit dhe të shtrëngimit të duarve, të rrugëtimit më të veçantë të njeriut mbase edhe kombit. Ia falëm vetvetes njëqind e njëmbëdhjetë gjaqe dhe afro pesëdhjetë të tjera aty për aty në mënyrë spontane. Ishte kjo madhështia që ndriti rrugën e ardhmërisë, ishte një nismë e re me përgjegjësi për ta ndërruar pasqyrën e shikimit, mënyrën e komentimit, për ta ndërruar pasqyrën e rrugës së drejtë të historisë. Për këtë gjë, mori vesh, u mahnit e lakmoi e tërë bota!
Tani, pas njëzetë vitesh, Verrat e Llukës, ende e kanë një mëllo, një dangë në shpirt e një tjetër në zemër. Ngase, amaneti nga këtu ende qorton. Por, nejse! Edhe tani u mblodhën këtu mijëra shpirtra për të na përkujtuar se çfarë kishte ndodhur para njëzetë vitesh,... për të na qortuar sërish për shtimin e ndërgjegjes, të përgjegjësisë e të kujdesit. Për të na përkujtuar se çfarë e si ndodhi e rrodhi jeta deri me sot,... se çfarë po ndodhë sot, e si do të jetë nesër. Dhe sikur më troket fortë në zemër, që, duhet pasur kujdes se gjaku është rebel, e nganjëherë dinak, i padëgjueshëm, kurse hakmarrja një ligatinë që shiton. Andaj, Verrat e Llukës,... hej,... a e dini historinë e Verrave të Llukës?! Verrat e Llukës janë histori, dhe kanë histori,... kanë gojë e nuk flasin. Andaj, mos t’ua hapin gojën!
Pajtimi,... Po, pse ka nevojë edhe tash të merr fuqi kjo fjalë?! Sa irriton, kjo...!
2.
Po. Gjërat e tilla edhe sot e kësaj dite irritojnë, të cilat, gjithherë na kanë përthurur këmbë e duar,... edhe mendjen. Te Verrat e Llukës është përjetësuar një datë,... një ditë e rëndësishme për plagët e shekullit. Por këtë ditë, në zemër të tokës sonë, të kësaj toke kaq të lashtë, shih, pikërisht me një maj, tani, ndodhin edhe dy ngjarje që kanë frymë dhe duhmë të smirës, të inatit dhe të shkapërderdhjes. Një tubim proteste, ku derdhet e villet vrer për,... hajt, të themi për gjithçka që por rrjedhë në tokën,... edhe tash, hajt, të themi në tokën me krenari,... në tokën e shqipeve!
Ngjit me këtë protestë, rrjedhë tubimi tjetër për të shënuar ditën e Një Majit. Edhe ky tubim në tokën e shqipeve. Puqen dy tubime skajshmërisht ndryshe të një kombi, të një gjaku! Dhe, çfarë përthurje kur i bashkon mendimet e qëllimet e këtyre dy ngjarjeve në sheshet e krenarisë së kryeqytetit të vendit me njëqind vjet përvojë shtetësie!!! Në këtë rast, shpirti e zemra bashkë ma rrahin mendjen: çfarë ecje brendapërbrenda kombit?!! Çfarë paradoksi, çfarë anakronie të cilat sikur reflektojnë rrjedhën e helmit të sindromës së njeriut për ta mos dashur vetveten! Kështu, reflektojnë e bëjnë “dritë” përplasjet, mos durimi e mos uniteti, si sëmundja, dhembja dhe çoroditja më e pashpjeguar në këtë kohë. Çfarë shpërputhje, e cila kthen prapa vrap e vrap, kurse, bota na pret t’i bashkangjitemi. Po,... ajo e pret dhe e sodit një popull kaq të lashtë...!
3.
Dëgjoj njërin në pushimoren e Gërmisë të këtë thënë:
-Me festue?! Një Majin,... more,... e feston ai që e ka gjendjen e mirë për të kremtuar e për të festuar. Kështu,... nuk festohet. -kishte ngritur supet duke ikur dhe, sikur mbi vete mori një histori problemesh, tonelata kripë djerse të punëtorëve që kanë punuar, që punojnë e shfrytëzohen. Ani, se puna është madhështi. Ajo, të bën krenar...
Po ta elaborosh këtë “mesele” dhe të bësh krahasimin me tërë ata njerëz që kishin dalë për tu relaksuar në këtë “pushimore”, do të na detyrohej debati i pezmit dhe i dhembjes, i cili do të shpaloste libra e libra me tregimet e kripës, me ëndrrën e bukës, me etjen e lojës së fëmijëve dhe me marrinë time që ngatërrohem me këto gjëra aq të pakuptimta! Ndoshta, apo sigurisht, dikush kështu edhe do të thoshte, mbase edhe thotë.
Por, duke shëtitur poshtë e lartë, dëshiroja t’i harroj të gjitha këto. U ndala tek një familje, e cila mbi barin e njomë e kishte shtruar sofrën e vet të bereqetit dhe të gëzimit familjar. Përreth sofrës, më shumë kishte fëmijë. Nga një distancë i shikoja dhe ushqeja shpirtin me tërë atë begati të tyre, me tërë atë kënaqësi dhe lumturi që kishin. Tërë këtë “ceremoni” e bënte domethënës ushqimi që kishin servirur pranë secilit anëtar. Sidomos, ishte sihariq flija, e cila, si duket edhe sot, nga familjet tona më shumë gatuhet dhe përgatitet me rastin e festave:
-Po. Për këtë ditë maji kemi dalë këtu me fëmijë. E kemi gatuar një fli, e cila, besa do mund, kohë e durim. -thotë plaka me një buzëqeshje të çiltër dhe të sinqertë duke mos ia humbur mundin vajzës së saj:
-Vajza e ka gatuar,... por edhe unë jam “përzier” nga pak. E shihni. Të gjithë e hanë me lezet. Merreni një copë,... urdhëro dhe përvoje!...
Posa i doli fjala e fundit nga goja, dora me fli i ngeli e ngrirë në ajër, sepse, si vetëtima ia ktheva shpinën, sepse, lotët më shpërthyen, çurg. Nuk e di pse. Ndoshta mu kujtua nëna ime dhe flija që na gatuante për festa. Mu kujtuan ato duar të praruara të saja dhe aq të ngrohta e me aq peshë të mundit. Kështu i kanë të ngrohta duart, të gjitha nënat. -thash vet më vete duke i fshirë lotët haptas dhe pa fije turpi. Disa që atypari loznin me top, më shikuan dhe u “ngarkuan” me dyshimin për lotët e mi!
Më erdhi keq që ia prisha disponimin asaj familjeje. Që atyre fëmijëve nxora telashe me lotët e mi, të cilët,... nuk kanë kurrfarë domethënie. Ama, bash kurrfarë peshe në këtë ditë feste. Po, po...!
Sërish mu kujtua ai njeriu që e ceka pak më lartë, që pat thënë: “...Kështu,... nuk festohet! Por, çfarë ka të bëjë kjo me këtë tani...
4.
Në botë ka probleme të ndryshme, të cilat, ato tonat, siç thuhet, na i shkërdhejnë, na i bëjnë pulë. Edhe kjo shpërputhje e forcon jetën dhe kuptimin për te.
Kitara, në të gjitha kohërat dhe në të gjitha situatat, fisnikëron mendjen dhe kënaq shpirtin. Këngën e bën shtegtar dhe pjesën më të ngrohtë të njeriut, edhe atëherë kur ai qan. Interesant. Për këtë arsye, ky instrument është i dashur. Ama, shumë i dashur. Andaj, kudo, në qytet e fshat, në shkollë e në teatër, në fushë e në mal, kitara ta mbështjellë qenien me forcën dhe me madhështinë më të shtrenjtë të njeriut. Ky instrument, edhe ruhet si histori, për të rrëfyer për çdo gjë,... më të bukur.
Këto ditë kisha lexuar, në një qytet të Polonisë, në shesh të tij, ishin tubuar e ishin bashkuar mbi gjashtëmijë kitaristë nga i tërë rruzulli i botës. Ishin takuar në mes vete, dhe çfarë është edhe më interesant; ata, të gjithë e kishin luajtur një melodi, e kishin kënduar një këngë. I kishin rrahur të njëjtët tela. Çfarë madhështie,... çfarë uniteti shpirtrash! Sa mirë. Kitara ka tinguj që zgjojnë...!
Në vazhdim dua të them, se, asi mu imponua historia e Verrave të Llukës, mu kujtua edhe mësuesi im, Ali Sutaj. Nuk e harroj mësimdhënien e tij, karakteristikat e jetës dhe as gazetarinë e tij, po ashtu karakteristike. Por, tërë historinë e kësaj ma kishte rrumbullakuar një qytetar nga Lluka e Deçanit, prej nga ishte edhe mësuesi im, i cili, derisa isha duke ndenjur me disa miq në restorantin “Victory”, ma ndërpreu bisedën duke mu afruar kujdesshëm e me shenjë respekti të veçantë:
-Të pashë nga larg dhe me qëllim erdha për të përshëndetur, por edhe për tu falënderuar për shkrimin që ke bërë për Ali Sutajn në librin kushtuar këtij intelektuali të rrallë e karakteristik. E di që e ke pasur mësues, por shkrimi i Juaj për te, ka diçka më shumë se për mësuesin. Të lumtë për mendjen dhe për dorën! Kaq pata!...
U stepa dhe u krenova në të njëjtën kohë. Por,... një drithërimë me përshkim të të ftohtit, ma ngacmoi tërë trupin, por edhe këtë mendjen time të çuditshme për mësuesin, për mësimin e pësimin, për rëniet dhe ngritjet e njeriut, të cilat m’i ngjajnë lumit të pashtershëm, të furishëm e nganjëherë edhe të frikshëm...!
Tash, dua të them edhe diçka. E pakuptimtë është kur rri vetëm, kur e pi kafenë vetëm, kur vetëm të mbyllet goja, kur flet me vetveten, kur mediton duke u sorollatur si në rrethin e çmendurisë!
-E pi kafenë ngadalë, duke pritur se do të më shoqëroj dikush. Por, edhe këtu si në mërgim, thua se nuk më njeh kurrkush... I vetmuar atje,... i vetmuar këtu! Po, si bën kështu?! -më thotë një bashkëvendës, i cili nuk i kishte dy ditë që kishte ardhur nga kurbeti për t’i kaluar disa ditë në vendlindje.
-Po,... si nuk më flet askush as këtu?!...
-Je i zemëruar?! -e pyes me kureshtje.
-Po, si jo! Edhe i zemëruar, edhe i vetmuar, edhe i mërzitur, edhe i indinjuar. Nuk di si ta shpjegoj këtë mjegulli hidhërimi. Kështu, pothuaj se më iku jeta... -ma shtrëngoi dorën dhe me çykë të zorit më uli tek vetja.
-Ulu, të lutëm vetëm pakëz!
-Hë,... je mërzitur në vendlindje kaq shpejtë? -sërish e pyes pothuaj njëjtë e si me gjysmë ironie.
-Jo! Këtu ndjehem mirë edhe nëse s’më flet askush,... sepse, tek e fundit, unë flas me rrugët e qytetit,... flas me ujin e lumit,... flas me zogjtë, ose, në fund të fundit, flas me vetveten, duke kujtuar se po flas me të gjithë. -uli kokën dhe fshehu lotët që ia përlanë rrudhat e fytyrës, shumica e të cilave nuk ishin të pleqërisë!
Ndenja pak minuta si në therra, dhe ika. Ika shpejtë, bile. Si të më ndiqte dikush. Më, nuk e pashë të hidhëruarin kurbetçar. Ia kishte therur prapa...!
5.
Jeta, jo rrallë, është si katrahurë. Vërehet kjo. Vërehet edhe nga shkrimi i “tensionuar”. Çuditërisht, kjo sikur ma detyroi ta kujtoj një orë letrare në një shkollë fillore, që e kisha organizuar në nëntorin e vitit të kaluar kushtuar Ditës së Flamurit. Atë ditë, ishin tubuar shumë nxënës-talent të vargut poetik. O, Zot! Ata vogëlushë me ëndrra e dëshira të mëdha, me padurim pritnin për t’i lexuar vargjet e tyre kushtuar Flamurit dhe Atdheut. Atë ditë pata thënë:
-Po, sa shumë borxh u kemi gjeneratave!
Si në kllapi më rrodhen fjalët që tërë kohën dëshiroja t’i deshifroj disi ndryshe:
-Po, de,... se uniteti,... filozofia e kripës,... madhështia e kitarës dhe Verrat e Llukës janë revoltë e cila ka rrugëtuar e rrugëton, e që,... po them, ndoshta, askush dot nuk e kupton. Ecën e ecën revolta, bashkë me njeriun...!