E merkure, 01.05.2024, 03:54 AM (GMT+1)

Kulturë

Mazllum Saneja: Poezia bashkëkohore polake – Jerzy Ficowski

E premte, 07.05.2010, 08:58 PM


JERZY FICOWSKI  -  POEZIA BASHKEKOHESE POLAKE

 

Zgjodhi dhe perktheu nga polonishtja;

MAZLLUM SANEJA

 

DEFINITIVUM

 

Krzysztof Czy?evskit

 

Në shkëmbinjtë e rrëpirët

në gërmimet e kohës

shtrëngova duart

në shembëllim

të fierëve të kohëve të lashta

që Chiromanti i përjetshëm

të më lexojë

 

e di dikur njëherë

do të jem thesar i gjetur

i nxjerrë nga thellësirat e panjohura

përplot begati të të durueshmëve

si kripta e Tutenchamonit

i paprekur  nga plaçkitja

 

shtrëngohem

dhe nuk nxitohem

 

Më parë duhet  të vdesë

 

Varshavë  1995-1999

 

NESËR PRAPË DO TË VIJË

 

 - Kujtimit të shenjtë të Nënës sime- përgjithnjë e pranishme

 

Gjithnjë më e vogël më e dobët

dhe përditë gjithnjë më shumë

dhe për të me nxitim

lulëzojnë lulet e vona

 

në mes orës katër e pesë

pasdite

shumë vonë

nesër prapë do të vijë

 

nuk pate as kohë

as për medikamente

koha me shpejtësi kaloi pranë

dhe mezi arrite me kohë

të na lidhësh plagët

 

pas teje

mora pakëz ajër

që të marr frymë

vetëm me psherëtimën tënde të thellë

 

nuk mund të dish

se dikush ka ndier mungesën tënde

sepse duhesh më tej

të ia dalësh mbanë

 

pafundësisë

pa fymëmarrjen e fundit

me shenjën e kryqit

të kryqëzosh

shenjat e këqija  të zodiakëve

 

Nuk bën të dish

 

Unë kam mjaft kohë

të gjitha nga ti

për jetë më mjafton

 nesër prapë do të vijë

                                                        8 – 17 X 1971

 

LUTJE PËR MORRAT E SHENJTË

 

                      Ishte pranverë e vitit 1944 në kohën e

                      dezinfektimit të morrave në kampin e

                      përqendrimit të Ciganëve

                      Auschvitz-Birkenau*

                     

funde fustani shalle

të zbehta në vendin e dezinfektimit

të tëra në ngjyra mbrojtëse

 

në lulëkuqe zhabina skabioza

në rast të livadhit

që nuk mund të ndodh

 

Ciganja në banjën e Birkenaut

pa ngjyra

me grushtin e shtrënguar

të mbuluar

me rrjedhën e ujit të gjatë

 

dhe në pëllëmbë të duarve fsheh

një copë të jetës

farën e ikjes

ndërmjet vijës  së jetës

dhe vijës së zemrës

në udhëkryqe

të profecisë

 

e fshehu në pëllëmbë të duarve

morrin e fundit

e cila gjithnjë largohet

kur vdekja vjen

këndoi Ciganja

në banjën e Birkenaut

 

svanta d?uv

na d?a mandyr

 

ti morr i shenjtë

mos më lër

nuk bën ti të shkosh

vetëm ty të kam unë

zoti në skëterrë nuk është

 

motrat tua shkojnë

nga të vdekurit tanë

ti rri me mua

më shpëto

morr i shenjtë

 

duke vrapuar ngriti kamxhikun e mbikëqyrësit

ia shtrëngoi  me vidhë gishtërinjtë e saj

ti vjedhëse çfarë ke aty tregoje

këtë  diamant

monedhë floriri

 

Dhe morri u zhuk

dhe ylli ra

 

dhe mbeti dora e tharë

dhe qielli i zbrazët

dhe hyri në qiell

përtej tymit tym

përtej tymit tym

  

* Brzezinka- Birkenau, kamp i përqendrimit, në afërsi të Auschvitzit

 

KIRÁ

 

   Motrës dhe shtëpisë së

   fëmijërisë sonë

 

 numër 47 rruga Filtrova

qielli nuk ka lëvizur

dhe asnjë re

sa më lartë me zogun

sa më poshtë me brumbullin

a thua aeroplani i vogël porsi ai

me dy palë krahë

që fluturoi me klangorin

deri në folenë e aerodromit

 

e mbart këtë adres

si tatuazh kujtese

sikur të harroja

për fëmijën që vjedhurazi

u shua në duart e mia

në sytë e mi në mua

ajo atje banon

 

hëna kundërmuese

jasemin në të gjitha fazat

në grumbull sjelli te dritarja

në kopshtin e qytetit

në periferi të jetës

ku babai na mbolli

dheun e ukrainës së vet

 

o magjira të zhavarinave

o degëzime të stinëve

o shkurre gjembore të shartuara

me fenerin e Varshavës

 

 nganjëherë asaj rruge kaloi

me shportë

të blerësve të kancerit

dhe prapa këndoi

 

kirá – kirá –kirá – kira

 

kacavareshin së prapi

sikur të provonin

duke mos dal  nga shporta

të tërhiqen prapa nga vetvetja

 

Ende është po ajo rrugë

unë nuk e di këtë rrugë

dhe horizontin e ndarë më dysh

agimin qimeashpër nga retë

si qeni i vrarë

në shinat e tramvajit

 

e shkëput nga ëndrra kuisja

e veturave me radion e MC*

dhe klithmat e autoambulancave të ndihmës

                                      së shpejtë

 

ndaj zgjohem diku gjetkë

adresa e panjohur

zgjohem shkoj  prapa

përmes grykave të ngushta të thellë

zhavarinave

dy here të varrosura

 

kirá – kirá – kirá – kiraaa

 

gjithnjë më thellë kredhem

në jasemin

në të bardhën e pastër

të papërcaktuar

 

* Milicia civile

 

 

DROHOBIÇ  1920

 

-  Në kujtim të Bruno Schulzit

 

Në sheshin e Drohobiçit

në pllakatën e Gorgoni Tobiasit

në mbrëmje këmbë të holla shkelnin duke shkuar

duke vulosur me emblemën e takeve te larta

shkonin para vetvetes duke ecur përpjetë

me çorape të zeza

përmes pulpës së këmbës

deri te llastiku i çorapeve të larta

 

Qëndroi Bruno prapa këndit të muzgut

me vështrimin e hedhur

dhe e mbërthen çorapën e zez

dhe uli sytë

dhe u duk kometa e trikotazhës

duke tundur bishtin

vraponin kafshë të zodiakut

të stërvitura me kamxhik

 

atëbotë nga mitra e zez

e librit zohar

lindi urithi i magjisë së tokës së zez

urithi në periferinë e thellë

derisa Brunoja profet në rrugën e Florianit

e ushqeu me dorë

duke pëshpëritur

o bir biri im

 

TË DY NËNAT TUA

 

Bjetës, ia kushtoj me dashuri

 

Me Toren*  e kotë

nën yllin e lidhur

të lindi nëna

 

dhe dëshmon për të

i sigurt jo i vrarë

për plagën e kërthizës

si shenjë e ndarjes përgjithnjë

e cila nuk arriti me kohë të lëndoj

 

ti e di

 

Pastaj fjete në dengun e qepur me lecka

të marr nga getoja

dikush tha se në kutinë e postës

ngulur me gozhdë

diku në rrugën “Novolipie”

me derdhjen e ajrit

pa hyrjen e frikës

të fshehur në qerre me tulla

 

Ike fshehtas nga ky arkivol

duke shpëtuar fshehurazi

nga ajo botë në këtë botë

deri në anën ariane

 

dhe zjarri pllakosi

këndin e zbrazët pas teje

 

Ndaj nuk qave

vaji ishte vdekjeprurës

medikamentet për qetësim

të vunë në gjumë

me ninullën e vet

dhe pothuaj fare nuk ishe

që mund të jesh

 

Dhe nëna

e shpëtuar në ty

ka mundur tashmë të hyjë në vdekjen në grumbull

lumturisht jo e tëra

duke u larguar

ka mundur të të jap

në vend të kujtesës

shëmbëllyeshëm me vetveten

dhe datën dhe emrin

 

 

aq e kaq

 

dhe menjëherë  nxitoi

rreth ëndrrës tënde

dikush i rastësishëm me nxitim

dhe mbeti gjatë përgjithnjë

dhe të fshiu nga bonjakëria

dhe të mbuloi me dashuri

dhe i dha përgjigje

në fjalën tënde të parë

 

Këto dy nënat tua

të mësuan

të mos çuditësh aspak

kur flet

Jam i gjallë

 

* Libër i shenjtë i Hebrenjve

 

LETËR  MARC CHAGALLIT

 

 I

 

Sa keq , që nuk e njihni Roza Goldin

trëndafilin e artë më të hidhëruar

Ajo pati vetëm shtatë vjeç atëbotë kur mbaroi kjo luftë

Atë kurr nuk e pashë

po ajo sytë nuk i lëshoi nga unë

dy herë borërat janë shkrirë në ta

dy mijë herë kanë vdekur

sytë e vajzës gjashtëvjeçare Roza Gold.

 

       Vëllau doli natën, piu ujë nga pellgu dhe vdiq. E varrosëm natën në pyll. Mbaj mend njëherë xhaxhai doli nga bunkeri, dhe më nuk është kthyer. Kemi ndenjur të fshehur 18 muaj, derisa rusët kanë ardhur. Aspak nuk kemi ditur të ecim e të shkojmë  dhe tani ende i kemi këmbët  e dobëta. Derisa Roza   është gjithnjë e hidhëruar dhe e pikëlluar, shpesh qan dhe, nuk dëshiron  të argëtohet me fëmijë.

          Sa mirë që nuk e njihni Roza Goldin!

Do të shpërthente me tymin degëza e jargavanit, në të cilën shtrihen të dashuruarit. Violinën e muzikantit të blertë do ta prenin në fyt. Porta e kirkutes do të shndërrohej në hi apo do të mbyllej me tulla. Ngjyra do ta bënte shkrumb e hi pëlhurën.

 

Sepse klithma e fundit, klithma më e tmerrshme

është gjithnjë vetëm heshtje

 

Sa keq, që nuk e njihni Frickin!

Nëna e tij e lindi sakaq para luftës

Po ai dëshiroj të jetë harengë që ka kripën e vet

apo mizë që mund të zukat

sepse atij i lejohej për një çast të jetë

Në ëndërr e kish parë prapa dollapit qepën

dhe si të mos qajnë sytë nga ëndërra të tilla?!

 

      Ndenja prapa dollapit, darkë nuk hëngra. Kur dikush vinte,

qëndroja në heshtje, madje askurrë nuk qëndrova në diell.

Mbulohesha me jorgan, i cili ishte përplot morra. Mendova se ashtu

gjithnje do të jetë. Ata thonin se do të shkojnë për në Cz?stochov*,

dhe do të më braktisin. Për një çast dëshirova të qaj, po mendova pastaj se sapo të shkojnë, unë do të dal prapa dollapit.

 

 Sa mirë qe nuk e njihni Frickin

që shtirej si merimangë prapa dollapit!

Në dritaren e blertë rri e bija

Përmes viteve zien samovari nga Vitebski

Tymosin llambat me vajguri

Harenga me krah bekon nga qielli panairet

Tekefundit për çfarë t’i besohet Frickit

Sepse Fricki nuk është Zot.

 

      Dhe një ditë ia behu mamaja dhe më mori në një banesë tjetër, ku m’u desh t’i them mamasë  “zonjë”. Nganjëherë harroja  t’i them mamasë “zonjë” dhe atëbotë mamaja shumë shqetësohej e nervozohej. Po unë vështirë e kisha të mësohesha me këtë, aq vështirë, sa  nganjëherë i pëshpëritja disa herë në vesh mamasë : “Mami, mami, mami”. Dhe i  bëra pyetje: “Mami, më thuaj kur të mbaroj lufta, a thua mund të them ty me zë – “mami”?”

 

* Qytet në Poloni



(Vota: 5 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora