Kulturë
Nuhi Veselaj: Shumësi dhe shquarsia e emrave në shqipen standarde (II)
E diele, 09.05.2010, 07:58 PM
SHUMËSI DHE SHQUARSIA
E EMRAVE
NË SHQIPEN STANDARDE
(konstatime, diskutime, propozime)
Nga DR. NUHI VESELAJ
nuhiveselaj@hotmail.com
II. Shumësi i emrave femërorë
me mbaresAT përkatëse
Para se të ndalemi më në hollësi rreth shumësit të emrave femërorë në raportin: fundore / nyjë-mbaresë ose mbaresë shumësi, po ritheksojmë të vërtetën se si mbaresë të mirëfilltë (të thjeshtë) në gjuhën shqipe, gjinia femërore ka vetëm mbaresën –A. Por del edhe një e vërtetë tjetër. Ndërsa mbaresa –Ë nuk reflektohet fare si mbaresë shumësi tek emrat femërorë, siç u përmend në kreun mëparshëm, mbaresa –E femërore del e përdorur drejtpërdrejt te shumësi i disa emrave mashkullorë, duke e femërorëzuar në shumës emrin mashkullor, por pasi në Rezolutën e Kongresit të Drejtshkrimit (pika 5/b)) në porosinë që të trajtohet “përkimi i mbiemrave dhe përemrave me emrat mashkullorë që e bëjnë shumësin me –E “, pra (po sqarojmë) pasi –E-ja konsiderohet se mbaresë e emrave mashkullorë, prandaj edhe ne këtë çështje do ta trajtojmë më në hollësi po në pjesën tjetër (të dytë) të këtij punimi, tek emrat mashkullorë e këtu do të përmendim vetëm ndonjë rast, më fort si pluraliatantum.
Përveç mbaresës së thjeshtë, të mirëfilltë –A, që njëherazi është mbaresa më prodhimtare dhe aktive, siç u tha, shumësi i emrave femërore ka edhe mbaresën jo të thjeshtë –RA/-NA, pa e përjashtuar mbaresën -E, siç u cek më sipër si dhe ndonjë rast të formuar në mënyrë jo të rregullt (rastet aberrante).
Në vazhdim po i trajtojmë shembujt, të emërtuar me tre nënkrerë përkatës, me këto mbaresa, veç e veç, si vijon:
A. Shumësi i emrave femërorë me mbaresën -A,
B. Shumësi i emrave femërorë me mbaresën -RA/-NA dhe
C. Shumësi i emrave femërorë me mbaresën -E dhe rastet aberrante.
mbaresën e mirëfilltë –a
Me mbaresën –A, e bëjnë shumësin emrat e gjinisë femërore që shprehin nocione frymorësh, por edhe jofrymorësh, përkatësisht edhe emra konkretë, por edhe emra abstraktë.
Duke pasur për bazë fundoren e njëjësit të fjalë-temës së pashquar përkatëse lidhur me shumësin më –A, si dhe veçoritë emërformuese shembujt e tillë i ndajmë në katër grupe:
(I) emrat që në njëjësin e pashquar kanë –Ë fundore, e cila në trajtën e shquar del e paqëndrueshme,
(II) emrat femërorë të paranyjëzuar,
(III) emrat femërorë me togje tingujsh në temë dhe
(IV) dy tema të imponuara të femërorëve me mbaresën -A të shumësit dhe me përcaktim të topikës semantike të tyre që del theksueshëm si risi në studimet tona gramatikore.
(I) Emrat me -Ë fundore të paqëndrueshme:
Emrat si fjalë-tema me Ë fundore të paqëndrueshme dalin mjaft të ndërduarshëm dhe të ndërliqshëm për nga nënfusha semantike që mbulojnë si dhe për nga mënyra e ndërtimit të tyre.
Sipas fushës semantike që mbulojnë, në vijë të trashë, emrat e tillë mund t’i ndajmë në frymorë dhe jofrymorë.
1. Shembuj frymorësh
a) emra të përgjithshëm njerëzish dhe kafshësh:
nënë-a nëna-t, vajzë-a vajza-t, hallë-a halla-t, çupë-a çupa-t, cucë-a cuca-t; pulë-a pula-t, thëllëzë-a thëllëza-t, mëllenjë-a mëllenja-t, pelë-a pela-t, bijë-a bija-t, hollajkë-a hollajka-t etj. - numër i pakufizuar.
b) emërtime femrash sipas profesionit ose sipas rangut shoqëror a veçorive individuale, zakonisht me prapashtesën -eshë:
bujkeshë–a bujkesha-t, mëndeshë, drejtoreshë, poeteshë, doktoreshë, çobaneshë, bareshë; konteshë, baroneshë, mbretëreshë, princeshë, poeteshë, begeshë; shkodraneshë, sokoleshë, kopileshë, bilbileshë etj. - numër i konsiderueshëm.
2. Shembuj jofrymorësh (konkretë e abstraktë):.
1) gjësende konkrete:
arkë-a arka-t, amforë-a amfora-t, vijë- vija-t, lopatë-lopata-t, farë-fara-t, pëlhurë-a pëlhura-t, cisternë- cisterna-t shtresa-t, kullojsë-a kullojsa-t, ngarkojsë-a ngarkojsa-t, unazë-a unazat etj. - numër i pakufizuar;
2) objekte:
dhomë-a dhoma-t, ndërtesë-a ndërtesat, odë-a odat, shkollë-a shkolla-t etj. - numër i konsiderueshëm, por i kufizuar;
3) vende (toponime):
arë-a-t, kodrinë-a-t, breshkë-a breshka-t rrahinë-at, luginë-at, pllajë-at, qarrishtë-at, bungajë-at, pyllnajë-at, tokë-at, tokë-a tokat, luginë, luginat, shpatinë shpatinat, djerrinë djerrinat, ahishtë, punishtë punishtat, ahishtat, bungishtë bungishtat, elbishtë elbishtat etj. - numër i pakufizuar;
4) dukuri të natyrës:
cicërimë-a cicërima-t, bubullimë-a bubullima ngricë- a ngrica-t, furtunë furtunat etj. - numër i pakufizuar;
5) emërtime nocionesh të ndryshme
a) numërorë themelorë: dhjetë, pesë-a, gjashtë-a, shtatë-a, tetë-a, nëntë nënta, mijë-a pesë, gjashtë-a, njëmbëdhjetë-a, tridhjetë-a, nëntëdhjetë-a etj. - numër i kufizuar;
b) terma tekniko-shkencorë: gjëegjëzë-a gjëgjëza-t, analizë-at, elektrolizë-at, hipotezë-a-t, hipotenuzë-at, simbiozë-at, sintagmë-at, mënyrë-at, rasë-at, stilistikë-at, sintaksë-at, nyjë-at, fantazmë-at, kasaphanë-at; dasmë-a dasma-t, diafragmë-a diafragma-t, dogmë-a dogma-t, nismë-a nisma-t, rimë- rima-t, gjysmë-a-at, pikë-a pika-t, vizë-a viza-t- etj. - numër i pakufizuar.
c) nocione të tjera: vrimë-a vrimat, birë-a birat, ngërthesë-a ngërthesa-t, pengesë-a pengesa-t, ngallë-a ngallat, ngallicë-a ngallica-t etj. - numër i pakufizuar.
Të vihet re se pothuajse të gjithë fjalë-termat e huazuar marrin mbaresën e shumësit –A e jo mbaresë zero. Gjithashtu të vihet re se pas shembujve të sipërshënuar sipas të gjitha nënfushave semantike është vënë treguesi etj. ose numër i pakufizuar ose numër i hapur ose numër i konsiderueshëm, dhe nga kjo nënkuptohet prodhueshmëria e madhe e emrave të tillë në shqipen e sotme dhe si rrjedhojë kemi parasysh dukurinë që çdo emër i ri i kësaj gjinie sipas nënfushës përkatëse semantike që mbulon në perspektivë, do të jetë i qëndrueshëm, sepse e ka modelin e gatshëm hapur, ku mund të përfshihet ose të zërë vend në kuadër të gjedhes përkatëse. Pra me mbaresën -A, jo me zero mbaresë ose me fundoren –Ë.
Së këtejmi shtrohet nevoja që kësaj teme t’i kushtohet më shumë vëmendje seç është bërë në burimet e deritashme normëzuese.
(II) Rreth emrave femërorë të paranyjëzuar
Femërorët e paranyjëzuar i ndajmë në dy grupe:
1. emrat që zakonisht u takojnë nënfushave të ndryshme semantike me -Ë fundore të paqëndrueshme në temë dhe
2. emrat prejfoljorë pa -Ë fundore në temë
1. Femërorë të paranyjëzuar me -Ë të paqëndrueshme në temë
Edhe këta emratë paranyjëzuar me –Ë të paqëndrueshme i ndajmë në tri nëngrupe:
a) emërtimet e ditëve të javës: e hënë-a të hëna-t, e diel –a të diela-t etj.(numër i kufizuar kalke nga latinishtja që dallojnë nga dy shembujt e enjte dhe e premte që janë me burim vendës dhe bëjnë pjesë në grupin e shembujve me mbaresë zero.
b) emërzimi i numrave rreshtorë në funksion mbiemrash të gjinisë femërore: e dhjetë-a të dhjeta-t, e pestë të pestat, e gjashtë-a të gjashtë–at, e tetë – a të tetat etj. - numër i kufizuar;
c) emra femërorë të paranyjëzuar prejmbiemërorë e prejpjesorë (foljorë), kur tema merr -Ë fundore, tipi: e bardhë-a të bardha-t, e mirë–a të mira-t; e dhënë të dhëna-t, e dalë të dalët, e marrë të marrët etj. -numër i pakufizuar.
Meqë emrat nga pika c) dalin edhe si emra konkretë (të përgjithshëm) edhe si emra abstraktë, ne si çështje a temë të imponueshme në analizë do të veçojmë vetëm emrat e paranyjëzuar abstraktë, mirëpo për këtë më në hollësi do të bëjmë fjalë në pjesën Ç) të këtij kreu. Tani fillimisht do të trajtojmë emrat femërorë pa -Ë fundore, sepse problemi i emrave abstraktë është i njëjtë me ta. Siç dihet edhe te këta shembuj ekzistonte -Ë-ja fundore, por ndërkohë është reduktuar për arsye evoluimi (thjeshtëzimi) të natyrshëm që në këtë segment ka përjetuar gjuha shqipe gjatë zhvillimit të saj
2. Femërorë të paranyjëzuar pa Ë fundore në temë
Edhe emrat femërore mbi tema foljore (pjesoret që mbarojnë me -r fundore ose ato (pjesore) me togzanor, përkatësisht, të gjithë emrave të gjinisë femërore të formuar mbi bazë prejpjesoresh të të gjitha tipave të foljeve dhe të temave të mbiemrave pa Ë-në fundore i ndajmë në disa grupe, si:
a) Mbi bazë të foljeve:
a. me –YER:e lyer-a të lyera-t, faqelyer-a faqelyera-t, e ndyer-a të ndyra-t, shpirtndyer-a shpirtndyera-t, e ngjyer-a të ngjyera-t, flokëlyer-a flokëlyerat etj.;
b. me –ier: e përzier-a të përziera-t; e zier-a të ziera-t
c. me – uar: e shkruar –a të shkruara-t, e ftuar-a të ftuara- t etj
ç. Me -ur: e gjetur-a, e pjekur-a, e nisur-a, e pajisur -a etj. etj.
b) Mbi bazë mbiemërore:
a) e hekurt-a të hekurta-t, e mjegullt-a të mjegullta-t, e sigurt-a të sigurta-t, e rregullt-a të rregullta-t etj. -numër i kufizuar.
b) e zgjuet-a (e zgjuat-a!) të zgjueta-t, e shëmtuet-a të shëmtueta-t, e zbukuruet-a e zbukurueta-t e ndonjë tjetër
Sqarim: Sa për dijeni po sqarojmë se në genishte emrat prejfoljorë ose
prejmbiemërorë sipas pikës a), tri nënpikat e para (a.b.c.) kanë këtë zhvillim; e lyeme-ja të lyemet, e përzieme-ja të përziemet, e shkueme-ja të shkuemet, d.m.th. shumësin e bëjnë me mbaresë zero, ndërsa shembujt e nënpikës ç. kanë zhvillim të njëjtë si në letrarishte p.sh. e gjetun-a të gjetunat.
(III) EmraT femërorë ME togje tingujsh
në temë
Shembujt e tillë që mbarojnë me bashkëtingëllore të parashoqëruar me një zanore ose me togje tingujsh në temë, i ndajmë në dy grupe, së pari, sipas togjeve me zanore të qëndrueshme dhe së dyti, sipas togjeve me zanore -Ë të paqëndrueshme:
1) Shembuj me togjet me -ULL, -UR dhe -ËZ e -ËT
me zanore të qëndrueshme
Me zanore të qëndrueshme dalin emrat që mbarojnë me bashkëtingëllore, përkatësisht me fundoret që ceken në burimet përkatëse, siç janë formantet: -ull, -ur, por edhe –ëz e ët. Mënyra e formimit me formantin –ëz dhe -ët deri diku, sforcohet prej nesh, ngase në ndonjë burim normativ, formanti i tillë nuk përmendet fare ose nuk del i theksuar dhe ilustruar si duhet me shembuj përkatës. Te formantet e sapocekura -ëz e -ët, zanorja Ë nuk ndryshohet, d.m.th. me rastin e shquarsisë në numrin njëjës, nuk zhduket, ashtu si edhe te prejmbiemërorët prejpjesorë të emërzuar me fundore-togzanoret përkatëse:
a) Te shembujt me –ull, modeli del i përligjur: kumbull-a kumbulla-t, ngecull-a ngeculla-t vetull-a vetulla-t etj. etj. (numër i pakufizuar.
b) Me togun –ur: vetëm emrin flutur e ndeshim si emër të mirëfilltë, i cili ka këtë skemë zhvillimi: flutur-a flutura-t, mirëpo në këtë grup hyjnë edhe shembuj të tjerë si pluraliatantumi gjepura-t, kompozita nusebukur-a nusebukura-t, ashtu si edhe disa kompozita prejmbiemërore si: shtat-hedhur-a shtat--hedhura-t, buzëputhur-a buzëputhura-t, fatlumtur-a fatlumtura-t, si dhe mbiemrat prejpjesorë përkatës të emërzuar të gjinisë femërore si: e lumtur -a të lumtura-t, e lutur –a, të lutura-t, e puthur-a të puthura-t, e rysur-a të rysura-t etj - faktologji kjo që, nuk dimë, përveç emrit flutur, del e shënuar, apo jo, e cekur në burimet tona përkatëse normative?!
c) Me togun –ëz (prapashtesë jo gjithherë zvogëluese) ndeshim këta emra: arkëz-a arkëza-t, dorëz-a, gojëz-a, gurrëz-a, gjëegjëzë-a, kallëz-a, kugëz-a lulëz-a-t, mëmëz-a-t, mollëz-a-t, mjaltëz-a-t, ngojëz-a-t qafëz-a-t, qelëz–a-t, udhëz udhëza-t, zogëz-a-t, fshikëz-a-t, pjesëz-a-t, lidhëz-a-t e ndonjë tjetër - model i hapur, por hëpërhë numri i tyre nuk është aq i madh.
ç) Me togun -ËT ndeshim emra të emërzuar nga mbiemrat, si: e dobët e dobëta të dobëta-t, e ngathët e ngathëta të ngathëta-t, e cekët e cekëta të cekëta-t, e zbrazët e zbrazëta të zbrazëta-t, e shkathët e shkathëta të shkathëta-t etj.. – model i hapur, por numri i tyre nuk duket se është i madh.
2) Shembuj me togjet me Ë të paqëndrueshme
Emrat me formantet e tjera fundore si: -ër, -ël, -ërr, pastaj -ën, -ëll dhe –ëm, zanorja Ë e togut përkatës bie me rastin e shquarsisë të emrit përkatës, në njëjës e në shumës. Për të vërtetuar këtë që thamë në vijim po japim disa shembuj me togjet përkatëse sipas radhës së cekur.
a) Shembuj me formantet fundore –ër dhe –ël
Si formante ku –Ë-ja del e paqëndrueshme të konstatuara mirë në gramatikën normative, janë -ër dhe –ël. Ja disa shembuj, ku Ë-ja në raste të tilla del e eliduar:
a. me formantin –ër: tipi kodër-kodra kodra-t, motër-a motra-t, zemër-a zemra –t etj. etj., në FShS (2002) ndeshëm mbi 60 shembuj të tillë;
b. me -ël. tipi: vegël-a vegla-t, bubël-a bubla-t, në FShS (2002) ndeshëm mbi 50 shembuj të këtij nëntipi.
Emrat me dy formantet e sipërcekura dalin të trajtuara kënaqshëm në burimet tona normative, Prandaj, pasi nuk paraqiten te ta çështje problemore, edhe ne nuk po zgjatemi më shumë rreth tyre.
b) Shembuj me togje të tjera -ërr, -ën, -ëll, -ëm
me –Ë të paqëndrueshme
Si formante të tjera me Ë të paqëndrueshme janë: -ërr, -ën, -ëll dhe –ëm, të cilat nuk janë të gjitha aq prodhimtare, prandaj edhe nuk i ndeshim të trajtuara mjaftueshëm në burimet tona gramatikore. Ne këtu po i shënojmë të gjithë shembujt që volën nga FSHS (2002) dhe po i trajtojmë radhazi:
a. Me –ËRR, në Fjalorin në fjalë, ku ë-ja fundore del e zhdukshme në njëjësin dhe në shumësin e shquar ndeshëm këta emra:
çiçërr- çiçrra -t, çikërr- çikrra-t, çimërr çimrra-t, dokërr dokrra-t, ëndërr ëndrra-t, gomërr gomrra-t, hikërr hikrra-t, kaçikërr kaçikrra-t, kandërr kandrra-t, kokërr kokrra-t, mokërr mokrra-t, mudërr mudrra-t, pacërr pacrra-t, piskërr piskrra-t, puçërr puçrra-t, pupërr puprra-t, shkatërr shkatrra-t, vjehërr vjehrra-t, xhafërr xhafrra-t
- gjithsej 19 shembuj.
b. Me –ËN të parotacizuar, përveç rasteve ligjërimore paralele me rastet me –ër në letrarishte si lakën (lakër), mokën (mokër) dhelpën (dhelpën) etj., në fjalorin normativ i ndeshim këta 10 shembuj:
gardhën gardhna-t, gomën gomna-t, mashën mashna-t, zagën zagna-t, këmashën këmashna-t, lekën lekna-t, lisën lisna lisna-t mështekën-a mështekna-t, verzën verzna-t, vregën vregna-t,
prandaj ky fakt duhet të konstatohet edhe në burimet tona normative.
c. Me –ËLL ndeshëm këta dy shembuj: kapëll kaplla kaplla-t, krikëll kriklla kriklla-t dhe
ç. Me –ëm, këta tre shembuj: ufëm-a ufma-t parzëm-a parzma-t, vrizëm-a vrizma-t.
Sidoqoftë, disa nga formantet e sipërcekura me –Ë të qëndrueshme, por edhe të paqëndrueshme, në njëjësin e shquar i ndeshim edhe tek emrat në gjininë mashkullore, dukuri kjo për të cilën do të bëhet fjalë edhe tek emrat e gjinisë mashkullore, në pjesën tjetër të punimit si dhe në kreun e parë të pjesës së tretë të këtij punimi.
Ndonëse, sipas shembujve të vjelë nga FSHS 2002, siç po shihet, numri i emrave të gjinisë femërore me -ën, -ëll, -ëm, nuk është aq i madh, megjithatë del e nevojshme që rastet e tilla të njihen dhe të shënohen a konstatohen edhe në burimet tona normative. S’do mend se edhe kjo mënyrë veprimi lidhur me shquarsinë dhe mbaresat e shumësit mund të cilësohet si zgjidhje model a si një mundësi e hapur përfshirjeje edhe për një numër të pakufizuar shembujsh që mund të ofrohen në kontekste të caktuara sot e nesër, po sipas trajtave fundore të sipërcekura. Prandaj edhe këto raste (më –ërr, --ën, -ëll dhe –ëm), siç u tha, duhet të kihen parasysh nga lëvruesit e gjuhës sonë, në mënyrë që edhe këta shembuj, qoftë vendës qoftë të huazuar, ta zënë vendin përkatës në kuadër të gramatikës normative (praktike e shkencore) të gjuhës sonë.
(IV) DY TEMA TË IMPONUARA RRETH FEMËRORËVE
ME MBARESËN -A DHE PËRCAKTIMI I TOPIKËS
SEMANTIKE TË TYRE SI RISI
Nga tërë kompleksi i shumësit të emrave të gjinisë femërore me mbaresën -A na u imponuan dy çështje a tema të diskutueshme, ku nuk sillet në dyshim fare shumësi me mbaresën -A, por paraqiten si shembuj karakteristikë, kur është fjala te përcaktimi i topikës semantike të shembujve përkatës, d.m.th. vendi i tyre në radhën seleksionuese të tyre në kuadër të polisinonimeve ose edhe të polihominimeve përkatëse të tyre, lëndë kjo, si me thënë, që nuk del e trajtuar sa e si duhet në gjuhësinë tonë. Ne këtë lënde e kemi trajtuar në këto dy tema, t’quajmë: si vështrime të veçanta:
E para (1), emrat femërorë abstraktë të paranyjëzuar dhe përcaktimi i topikës semantike të tyre dhe
E dyta (2), emrat femërorë si prejpjesorë pandajshtesorë dhe përcaktimi i nënfushës semantike të tyre.
Prandaj këtyre dy temave jomjaft të trajtuara u kemi kushtuar më shumë vend në punimin tonë dhe po i trajtojmë sinënkrerë të veçantë.
(1) Rreth femërorëve të paranyjëzuar
abstraktë në shqipen e sotme
Në shqipen e sotme (letrare) me kuptimësi abstrakte, zakonisht me kuptim të figurshëm, pa u shkëputur nga kuptimet e tjera polisemantike, sipas lëndës që volëm në FGJSH 2006, (edhe pse në jetën praktike ligjërimore numri i tyre mund të jenë më i madh) dalin vetëm këta shembuj, të cilët po i shënojmë vetëm në njëjësin e shquar, trajtë kjo, të cilën këtë rast e konsiderojmë si trajtë mbizotëruese përfaqësuese, ngase nga trajta e pashquar mund të krijohen ngatërresa formale homonimike e semantike me bazën motivuese të mbiemrit përkatës.
Kuptimin e caktuar semantik, të secilës fjalë-njësi po e shënojmë brenda kllapash.
1. e bardha (vepër a sjellje e mirë) ,
2. e bëra ( diçka a vepër e bërë, që ka ndodhur),
3. e bukura (ndjenja e së bukurës, veti, të qenët bukur),
4. e cekëta (diçka e përciptë, gjykim jo i thellë),
5. e çara (pikë e dobët, mangësi, vend i çarë i një-gjë-sendi)
6. e çjerra (diçka e çjerrë, çirrmë, çjerr maskën, zbulimi i të këqijave),
7. e dobishmja (diçka që sjell dobi),
8. e drejta (shumë karakteristika pune rreth të drejtës dhe të së vërtetës),
9. e ëmbla (cilësia e këndshme jo e hidhur, ëmbëlsi jete),
10. e ftohta (punë pa ngrohësi),
11. e futura (diçka e futur me dredhi, hile ose objekt i futur diku)
12. e hedhura (shprehje e tërthortë ose plaçkë e hedhur),
13. e kaluara (ngjarje e kaluar, jo e sotme; e kaluar e mosharruar; e kaluar e harruar),
14. e keqja (diçka jo e mirë, gjendje e pakëndshme),
15. e dhembura (diçka me kuptimësi shqetësuese),
16. e lehura (llomotitje),
17. e liga (gjendje jo e shëndoshë, fatkeqësi),
18. e madhja (diçka që shfaqet e fortë, si gjë kryesore, madhore),
19. e mbara (diçka e mirë jo e prapë, mbarësi),
20. e mira (gjendje e pëlqyeshme, jo e keqe),
21. e prapa (prapësi, punë jo e mbarë),
22. e sh kruara (fati i paracaktuar, e thëna, diçka e shkruar),
23. e shpuara (ndjesi që sëmbon, objekt i shpuar),
24. e shkuara (kujtime, mbresa nga e kaluara, e shkuara s’kthehet dot),
25. e vjetra (dukuri jo e së sotmes),
26. e reja (dukuri e së sotmes),
27. e mundura (ajo që mund të ndodhë),
28. e zeza (një e keqe e madhe, fatkeqësi) etj.
Trajtimi i kësaj teme na u imponua për disa arsye e këtu po i përmendim vetëm dy që sipas nesh janë më të rëndësishmet:
së pari, shkrimisht forma e tillë del e njëtrajtshme me emra konkretë ose për koncepte jo të fytyruara, si dhe me nënfusha të tjera semantike jo plotësisht abstrakte të motivuara në njëfarë dore edhe nga mbiemrat, qoftë cilësorë, qoftë ata prejpjesorë sidomos,
së dyti, në burime të caktuara edhe kuptimisht emri i tillë del identik me asnjanësin përkatës ose del e zëvendësuar me emrat e veprimit me -im ose -je, andaj si pasojë nga studiuesit emrat e tillë të paranyjëzuar nuk dalin të shënuar, madje as të sqaruar kënaqshëm nga ana teorike, së këtejmi edhe ardhmëria e përdorimit të tyre nuk del me perspektivë të qartë.
Së këtejmi, këto dy fakte po i zbërthejmë fare shkurtimisht në dy pikat vijuese.
1) Rreth dallimit të identitetit semantik të femërorëve
abstraktë nga sinonimikët e tjerë
Lidhur me identitetin semantik të femërorëve abstraktë të paranyjëzuar për të pasur më të qartë njëtrajtshmërinë shkrimore në krahasim me koncepte të tjera konkrete ose të ngjashme do të mjaftohemi me dy shembuj konkretë, të nxjerrë po nga FGJSH 2006, duke e paraqitur përkufizimin e tyre, tekstualisht siç është dhënë aty
a) e larë e lara të lara-t:
1. larja e trupit, 2. larja e një detyrimi (e borxhit), 3. larja a shpëlarja e rrobave, 4. ushqimi i qullët për kafshët ose gjellë e pashijshme, 5. të linjtat ose rrobat e lara dhe 6. të përmuajshmet e grave.
Ne nuk kontestojmë vërtetësinë e kuptimeve polisemantike, siç janë shënuar në atë burim, por për mendimin tonë, pikërisht aty mungon kuptimi strumbullar abstrakt që ka të bëjë me bërthamën e kuptimit të fytyruar: me larjen a lamjen e marres, përkatësisht lamja e ndërgjegjes (me be), larja e gjynaheve etj., pra mungon ai kuptimi abstrakt i fytyruar, sepse ne pikërisht të shprehurit në mënyrë të figurshëm e quajmë emërtim primar të mirëfilltë që i përket emrit femëror të paranyjëzuar, i cili për destinim pikërisht a parësorisht e ka mbulimin e nënfushës së abstraksionit përkatës, andaj kërkojmë që hartuesit e fjalorëve të tillë normativë shpjegues në të ardhmen këtij koncepti t’i japim më shumë rëndësi, duke i dhënë vendin e parë në radhitje e pastaj mund të vargëzojnë kuptimet e tjera polisemantike.
b) E madhe e madhja (nuk e ka të shënuar shumësin):
1. jo e vogël (sasi), 2. jo e vogël, njeri (frymor). 3. gjyshe, 4.
diçka që shfaqet me shumë forcë, gjë kryesore 5. punë (vepër) e madhe, madhështi.
Për ne emërtimi i mirëfilltë është vetëm koncepti i fundit, që s’mund të mashkullorëzohet dot, sepse e ka simbolikën e madhores, e ka madhështinë morale, prandaj do të duhej që ky koncept të zinte vendin e parë në radhë, siç u propozua kjo zgjidhje edhe për shembullin paraprak.
Nga sa u tha del i theksuar mjaft qartë mendimi ynë shpërfaqur se semantika abstrakte e fytyruar ka përparësi radhe ndaj kuptimeve të tjera polisemantike, andaj kjo përparësui duhet të figurojë edhe në fjalorët nomative dhe pikërisht këtë segment do ta rrahim më tej në pikën vijuese.
2) Emrat femërorë abstraktë të paranyjëzuar me nënfushë
të qartë të përcaktuar semantike
Nga lënda që konsultuam lidhur me nënfushën semantike që mbulojnë emrat abstraktë të paranyjëzuar, pra, konstatojmë se dalin gjëra të diskutueshme. Për mendimin tonë nuk është vepruar mirë, kur në vende të caktuara, jo vetëm në fjalorët shpjegues normativë, siç e pamë, nuk saktësohet kuptimi themelor i emrave të tillë në fushën abstrakte, por edhe nga gjuhëtarët në zë (Kostallari, Xhuvani etj.) në mjaft raste një dallim i tillë nuk vihet re ose nuk del spikatshëm. Këtu e kemi fjalën se nuk del i qartë, pikërisht, raporti i kuptimit sinonimik abstrakt në njërën anë, ndaj atij konkret a me elemente konkretizuese, në anën tjetër dhe së këtejmi emri i caktuar kuptimisht nuk del i identifikuar drejt.
Këtë e themi, sepse në kontekste të caktuara teorike emrat e tillë njëjësohen me kuptimin, qoftë të asnjanësit përkatës, qoftë edhe të emrave sinonimikë prapashtesorë me -IM ose -JE. Shpesh ndodh, sidomos në përkthime të ngatërrohen nënfushat semantike të këtij treshi sinonimik (asnjanësi i paranyjëzuar, femërori i paranyjëzuar abstraktë dhe emri prapashtesor i veprimit), ngase që tre tipat shprehin nocione nga fusha e abstraksionit, po, me këqyrë hollë e hollë secili e ka të specifikuar nënfushën e veçantë të veprimit..
Sa i përket raportit sinonimik lidhur me kuptimësinë nga fusha e konkretizimit sipas shembujve që dhamë në pikën e mësipërme ky raport mund të jetë i kuptueshëm, ndërsa sa i përket raportit nga fusha e abstraksionit, mendojmë se duhet shtuar edhe diçka, sepse me sa duket, siç u tha, edhe tek studiuesit tanë të njohur vërehen paqartësi.
Sipas vëzhgimeve tona femërorët e paranyjëzuar nuk mund të zëvendësohen a të identifikohen assesi as kuptimisht as formalisht me asnjanësit, jo vetëm për nyjën e përparme dalluese për njëjësin që kanë, por aq më tepër sa i përket kuptimësisë, sepse asnjanësit mbulojnë konceptin e procesit të veprimit përkatës, i cili kryesisht nënkuptohet si proces ende i parealizuar, ndërsa me femërorët e paranyjëzuar kuptohet diçka e kryer, e cila, siç e jep konteksti, del si diçka e njohur më parë, së paku si realizim i procesit të synuar më parë.
Po ashtu, femërorët abstraktë të paranyjëzuar nuk mund të zëvendësohen as me emrat përkatës prapashtesorë me -IM ose -JE, sepse me prapashtesorët e tillë shprehet kryesisht a kryekëput koncepti i veprimit e në raste edhe ai i rezultatit të veprimit, koncept ky që dallon shumë nga ai që mbulon femërori i paranyjëzuar, i cili, siç u tha parakupton një punë a dukuri të kryer, madje, pa e përjashtuar edhe përvojën e mëparshme të njohjes lidhur me atë proces.
Sido që të jetë, sipas asaj që volëm në FGJSH 2006 nuk e kanë shumësin e regjistruar këta shembuj: e madhja, e mundura, e dobishmja, e bindura, e djegura e ndonjë tjetër, por nuk përjashtohet një mundësi shumësi edhe për rastet e tilla.
Sidoqoftë, për ne, ashtu si për çdo shqipfolës mund të dalë shumë i qartë diferencimi kuptimor i treshit, katërshit ose pesëshit sinonimik abstrakt ndërmjet: asnjanësit, femërorit të paranyjëzuar, prapashtesorit me -IM ose -JE, madje edhe femërorit pandajshtesor, i cili zakonisht shpreh veprime konkrete dhe në ndonjë rast edhe koncept abstrakt, por që nënkupton ecjen drejt konkretizimit..
Prandaj ky përshkallëzim semantik katër a pesë shkallësh i formave të sapocekura lypset vënë në dukje me qëllim njohjeje e zbatimi edhe më mirë në të ardhmen. Gjithsesi, këto dallime e përkime lypsen shënuar edhe në burimet tona përkatëse normative.
Kërkesa jonë rreth përcaktimit të topikës semantike të emrave femërorë abstraktë të paranyjëzuar si dhe dallimi nënfushave semantike sipas treshit sinonimik etj., nuk bie ndesh aspak me konstatimet e studiuesve tanë të njohur, prof. Ali Dhrimos, dr. Valter Memishit e të tjerëve, që e kanë studiuar në hollësi vargun polisemantik të mbiemrave cilësore e atyre prejpjesorë, ngase ne kemi të bëjmë ekskluzivisht jo me mbiemrat po me emrat e një tipi të veçantë të konvertuar ose të emërzuar po nga mbiemrat e paranyjëzuar.
E shohim të arsyeshme të cekim ndonjërin nga konstatimet e V. Memishit në raportin mbiemër prejpjesor i paranyjëzuar/ emër prejpjesor i paranyjëzuar. Ai kur flet për aftësitë fjalëformuese të mbiemrave prejpjesorë thekson qartë se këto aftësi “kushtëzohen nga faktorë brenda- dhe jashtëgjuhësorë. Ato përcaktohen nga struktura kuptimore e mbiemrave, nga vëllimi e përbërja e saj, nga mundësitë, veçanërisht, të lidhjeve sintagmatike e paradigmatike të këtyre strukturave, nga stili dhe forma e ligjërimit... Ndërsa mbiemri ka kuptim leksiko-gramatikor mbiemëror, mbiemri i substantivuar përdoret i mëvetësishëm dhe përmes tiparit emërton drejtpërdrejt vetë sendin që ka tiparin e dhënë. Pra ai fiton kuptimin themelor leksiko-gramatikor të emrit - sendësinë...”(Shih: Dr. V. Memisha, Dukuri semantike gjatë formimit të mbiemrave prejpjesorë, në gjuhën shqipe, Gjirokastër,
Gjithsesi emrat femërorë të mirëfilltë abstraktë me paranyjëzim është mirë ose duhet të shënohen veçan. Dhe së këtejmi të theksohet parësorisht kuptimi i mirëfilltë figurativ i tyre, ngase vetëm në atë nënfushë semantike janë të pazëvendësueshëm dhe nuk mund të mashkullorëzohen. Pikërisht këto veçori duhen pasur në konsideratë nga shqipfolësit a përdoruesit e gjuhës shqipe, por edhe nga studiuesit tanë.
Pyetjes, pse emrat e tillë dalin vetëm në gjininë femërore? Për mendimin tonë është pyetje me vend që kërkon përgjigje nga studiuesit e kësaj fushe. Sidoqoftë, ne mendojmë se përgjigjja edhe mund të jepet jo me aq vështirësi. Ne, pa hyrë në analiza më të thella gjykojmë se emrat femërorë të paranyjëzuar abstraktë kanë dalë vetëm në gjininë femërore e jo edhe në atë mashkullore më fort për shkaqe praktike, sepse gjinia mashkullore në gjuhën tonë del e zënë në funksion të trajtës përfaqësuese, e cila, siç u tha,.është koncept fort i përkapshim nga pikëpamja praktike.
Vërtet, emrat e tillë ashtu si edhe mbiemrat mashkullorë që emërtojnë frymorë, zakonisht njerëz, fare lehtë mund të femërorëzohen nga konteksti, por si trajtë përfaqësuese praktike mbetet, gjithsesi. trajta e gjinisë mashkullore.
Sidoqoftë, kjo çështje ia vlen të studiohet më në hollësi dhe thellësi, por, sido që të jetë, për mendimin tonë, shumimi i emrave të tillë të femërorëve të paranyjëzuar abstraktë ka të ardhme, por jo të ndërlidhur semantikisht në vend të asnjanësve ose të sinonimikëve të tjerë prapashtesorë pandajshtesorë, po për kuptimin e vet autonom të fytyruar që kanë, ashtu siç u përpoqëm ta shpjegojmë më sipër.