E merkure, 01.05.2024, 12:43 PM (GMT+1)

Kulturë

Skënder R. Hoxha: Toponimia e Dushkajës (VII)

E diele, 09.05.2010, 07:41 PM


TOPONIMIA E DUSHKAJËS

 

Nga Prof. SKËNDER R. HOXHA

 

 

       9. TOPONIMIA E KATUNDIT JANOSH   

    

    a) Disa të dhëna dhe një historik i shkurtër i këtij vendbanimi

      

      Janoshi shtrihet rreth 10 km. në veri të Gjakovës. Është vendbanim fushor i tipit të dendur dhe ka sipërfaqe prej: 254 ha, 89 arë, 31 m. Janoshi për qendër administrative, arsimore, kulturore ka Gjakovën, ndërsa i takon krahinës së Dushkajës. Territori i tij përkufizohet: me Sapotin (vl.), Palabardhin (vp.), Trakaniqin (jl.), Lugun e Bunarit (l.) dhe Novosellën (j.). Thuhet se katundi Janosh është i moçëm. Kur vizitova fshatin për të vjelë toponimet (në vitin 1985), informatorët: Adem Sokoli (1906) nga Janoshi dhe Gjokë Geci (1938), shkollar i parë i këtij katundi (arsimtar i biologjisë, i cili tash jeton dhe punon në Pejë), nuk dinë ndonjë të dhënë rreth vjetërsisë së katundit të tyre. Lidhur me emrin e Janoshit, plaku Adem Sokoli tregon një legjendë: - Thonë se në kohë të vjetra, në një lëndinë të Janoshit (mere), është gjetur një gur në të cilin ishte e shkruar fjala JANA, por thuhet se aty ishin gjetur edhe themele të kishës.1) Kështu, sipas kësaj që ruhet në traditë të janoshit, emri i këtij vendbanimi mund të ketë prejardhje nga fjala Jana (?).

   Në dokumentet e shkruara si vendbanim përmendet në defterin kadastral osman të Sanxhakut të Shkodrës, të vitit 1485, me emrin Jednosh, varet nga Peja, me 28 shtëpi, 4 beqarë e dy të veja.2)

   Në periudhat e mëvonshme nuk e kemi gjetur në dokumentet e shkruara. Disa nga banorët e tanishëm, siç janë Gecët, ndër më të vjetrit në fshat, thuhet se kanë ardhur nga fshati Palc i Tropojës para shumë vitesh. Këtu kanë gjetur disa banorë shqiptarë, të cilët në atë kohë shpërngulen. Më pastaj vijnë edhe banorë të tjerë.3)

  Në këtë vendbanim është ruajtur toponimi  - Orizet, që dikur thuhet se aty ka qenë i mbjellë orizi.

    Me këtë emër është i shënuar në sallnamet e Vilajetit të Kosovës të vitit 1893 (1311 h), të vitit 1896 (1314 h) dhe të vitit 1900 (1318 h).

    Popullata në vitin 1913 i kishte bërë rezistencë pushtetit malazez dhe e kishte kundërshtuar ndërrimin e fesë me dhunë. Mirëpo, pushteti malazias, ata të cilët e kundërshtonin, i vritnin, siç i ndodhi Luigj Palit dhe 50 shqiptarëve të tjerë më 20 shkurt në fshatin Janosh.4)

    Në këtë vendbanim shqiptar, në periudhën ndërmjet dy luftërave botërore, u kolonizuan 22 familje kolone malazeze, 21 prej të cilave nga Mali i Zi e 1 nga Bosnja e Hercegovina, kryefamiljarët e të cilave kishin këta emra:

 

Selo Janoš

 

SRCG (Nga RS e M të Zi):

 

Ajkovi? Pavle

Avdijevi? Marko

Bulaji? Rade

Bulaji? Lazar

Vukoti? Dušan

Vukoti? Milan

Gagovi? Stoja

Durkovi? Kosa

Guberini? Ra?o

Deki? Mileta

Deki? Milutin

Zari? Doko

Ivanovi? Veliša

Ivanovi? Petar

Maslovari? Vojo

Jaksi? Jovo

Radulovi? Duro

Tatar Pero

Stijovi? Branko

Foli? Vladimir

Radulovi? Savo

 

SRBiH (Nga RS e B dhe H):

 

Corlija Krsto 5)

                   

   Në një raport nr. 320 C III, datë 8.VIII.1930, dërguar nga Shkupi, të Konsulit të Përgjithshëm të Mbretërisë Shqiptare, dërguar Ministrit të Punëve të Jashtme në Tiranë, thuhet se: Sipas ligjit toka duhej t’iu jepej atyre të cilët e punojnë, mirëpo, për shqiptarët veprohet në të kundërtën. Toka u merret shqiptarëve, të cilët janë bujq, dhe u jepet atyre të cilët nuk merren me bujqësi. I është marrë toka Sokol Hajdarit nga Janoshi i Gjakovës, i cili ka mbetur në rrugë me 30 anëtarë të familjes dhe i është dhënë sekretarit të Bashkësisë së Gjakovës, malazezit Jovo Joksiq. Edhe 50 familjeve të tjera shqiptare në këtë vend u ndodhi e njëjta gjë e më pastaj iu dha serbëve dhe malazezve. Malazezët në vitin 1941 kanë ikur nga ky fshat, mirëpo, gjatë tërheqjes kanë djegur pothuajse tërë fshatin dhe i vrasin tre persona.

    Në vitin 1945 dy familje nga ky vendbanim shpërngulen në Shqipëri (familja e Bashuk Bajramit. Nga ky vendbanim ka të shpërngulur në Amerikë, Prizren, Pejë e gjetiu.

  Shënime statistikore tregojnë se: Janoshi në vitin 1879 kishte 14 familje shqiptare katolike; në vitin 1918 – 19 familje me 225 banorë shqiptarë; sipas regjistrimit të vitit 1921 – 14 shtëpi me 263 banorë; në vitin 1948 – 39 shtëpi me 241 banorë; në vitin 1953 - 37 shtëpi me 260 banorë; në vitin 1961 – 37 shtëpi me 264 banorë (171 shqiptarë, 18 malazez); në vitin 1971 – 39 shtëpi me 273 banorë (255 shqiptarë, 15 malazez, 3 të tjerë); në vitin 1981 – 38 shtëpi me 284 banorë (264 shqiptarë, 19 malazez, 1 të tjerë).

  Në katundin Janosh sot jetojnë kryesisht shqiptarët, të konfesionit katolik, të gjithë të fisit Berishë (Mertur). Ceremonitë fetare i bëjnë në Kishë të Becit. Më parë në këtë katund kishte edhe shqiptarë të konfesionit mysliman, por ata ishin shpërngulur. Edhe pse toka e Janoshit nuk është gjithaq pjellore, popullata e këtushme kryesisht merret me bujqësi, por edhe shkollimi nuk është lënë pasdore. 

  Toponimet e katundit Janosh të Dushkajës, që i vola drejtpërsëdrejti në terren dhe me ndihmën e informatorëve, po i paraqes këtu të mbarështruara dhe të renditura sipas alfabetit dhe llojit të toponimeve. Ndërkaq, si pikë orientuese, me rastin e vjeljes së këtij materiali toponimik, morëm mikrotop.Ulica Janoshit, që gjendet në mes të fshatit.

 

    b) Lënda toponimike e vjelë në terren

   

    1. Toponimia e arave:

 

- ARA KRONIT (jl.), /Quhet kështu kjo arë ngase në të është një krua./,

- ARA RAM’ MUL’S (l.), /Emri i mbeti sipas këtij pronari të dikurshëm. Tash është pronë e malë Miftarit./,

- LIVADHI KUQIT (p.), /Ka qenë livadh e tash është arë. Emri i mbeti edhe sipas llagapit të këtij pronari të dikurshëm (?). /,

- LIVADHI LLOÇIT (p.), /Në këtë arë na lloç (baltë), ndaj i mbeti ky emër./,

- LIVADHI MALAZOGIT (p.), /Kjo arë dikur ka qenë livadh dhe, mbase, dikur pronë e zotnive Malazogu nga Gjakova, ndaj i mbeti ky emër./,

- LIVADHI MLLAKIT (p.), /Emri i mbeti sipas llojit të drurit Mllak që ishte në të./,

- LIVADHI PALLOSH’S (p.), /Arë që dikur ka qenë livadh dhe pronë e zotnive Palloshka nga Gjakova, prej nga i mbeti ky emër./,

- LIVADHI THATË (p.), /Emri i mbeti sipas rrethanës se nuk ujitet, është i thatë./,

- LIVADHI VERRIT (p.), /Kjo arë kishte qenë livadh dhe se në të kishte pasur verra (V e rr –i = lloj druri)./,

- LLUGA (j.), /Quhet kështu ngase kishte qenë llugë, është çelur, e tash është arë./,

- LLUKACET (j.), /Inf. nuk dinë pse iu mbeti ky emër. Mbase sipas emrit të një përroi aty – Llukac./,

- MELLISHTA (l.), /Ngase në këtë arë ka mellë – lloj deltine./,

- T (l.), /Këtë emërtim toponimik e gjejmë edhe në toponimi të disa katundeve të tjera të Dushkajës. Emërtime të sajuara sipas fjalës  r r e z e, vende që iu bie rrezja, rrezja e diellit = Rt./,

- RRETHI (p.), /Ngase e rrethonin me gardh, i mbeti ky emër./,

- SOJISHTAT (p.), /Sipas inf. quhen kështu këto ara ngase janë tokë e mirë (soj)./,

- TOPILLAT (p.), /Thuhet se emri i këtyre arave kishte mbetur mbi bazë të rrethanës se dikur mbanin ujë, ishin të përmbytura në ujë./,

- TRAKANIQE (l.), /Ngase janë afër katundit Trakaniq, i quajnë kështu./.

 

2. Toponimia e kodrave:

 

 - KODRA (j.), /Janë kodra që përkufizojnë territorin e katundit Janosh me katundet Trakaniq dhe Novosellë./.

 

3. Toponimia e krojeve:

 

- KRONI JANOSHIT (jl.), /Ky krua mban ujë gjithherë dhe është pronë e katundit Janosh, ndaj quhet kështu./,

- KRONI TOPILLAVE (p.), /Gjendet në toponimin Topillat./,

- KRONI VERRAVE (j.), /Ky krua ka përreth verre (lloj druri), është në verrishtë, ndaj quhet kështu./.

 

4. Toponimia e lagjeve:

 

- MAHALLA EPËR (v.), /Ngase është në pjesën e epërme të fshatit./,

- MAHALLA POSHTËR (në qendër), /Kështu e quajnë vendësit këtë lagje e cila është pjesa qendrore e katundit Janosh./.

 

5. Toponimia e lëndinave:

 

- LEDINA HATIPIT (p.), /Mbase emri do t’i ketë mbetur sipas ndonjë Hatipi të dikurshëm (pronar) ?/,

- ORIZET (l.), /Konsiderohet se dikur kanë qenë të mbjella me oriz, ndaj iu ka mbetur ky emër./,

- ULICA EPËR (v.), /E quajnë kështu këtë lëndinë ngase është në pjesën e epërme të katundit./.

 

6. Toponimia e livadheve:

 

- GABELET (j.), /Informatorët thonë se ndoshta quhen kështu sipas asaj që janë tokë e ligë, përndryshe, ndonjë të dhënë tjetër nuk dinë. Mund të qëndrojë këtu edhe rrethana se në një kohë ta kenë punuar gabelët (jevgjit) ?/,

- HODROJET (l.), /Inf. nuk dinë pse iu mbeti ky emër./,

- LIVADHET E TRAKANIQIT (l.), /Quhen kështu ngase janë afër katundit Trakaniq, në atë krah./,

- LIVADHI KRONIT (l.), /Ky livadh është afër Kronit të Janoshit, ndaj quhet kështu./,

- LIVADHI MADH (l.), /Ngase është i madh./,

- LIVADHI THATË (j.), /Quhet kështu ngase nuk ka ujë dhe rri i thatë. Është pronë e Marka Vukës nga Novosella./.

 

7. Toponimia e lugjeve:

 

- LUGI LIPOCIT (vp.), /Quhet kështu ngase është afër toponimit Lipoc./.

 

8. Toponimia e maleve:

- CUMRAT (l.), /Mbase emri do t’iu ketë mbetur nga fj. cung –u, -at (cumrat), vend me cunga (?)./,

- ZHARI (v.), /E gjejmë edhe në toponime të Radoniqit dhe të Zhdrellës. Konsiderohet se i mbeti emri sips druve të mira që ka në këtë mal, që bëjnë prush. (Shih, Z h a r – Zharishte)./.

 

9. Toponimia e rrugëve:

 

- DRUMI KODRAVE (j.), /Rrugë që bie nëpër Kodra, ndaj quhet kështu./,

- DRUMI ORIZEVE (jl.), /Ngase bie nëpër Orize./,

- RRUGA E LIVADHEVE T’VERRIT (j,), /Çon në Livadhe të Verrit, ndaj e mori këtë emër./,

-RRUGA PËR RODONIQ (v.), /Rrugë që çon për në katundin Radoniq (katund ky tash i përmbytur në Liqenin Akumulues të Hidrosistemit “Radoniqi”)./,

- RRUGA RRETHIJEVE (p.), /Kjo rrugë çon në fushën e quajtur Rrethijet, ndaj quhet kështu./,

- RRUGA SOJISHTAVE (j,), /Ngase çon në toponimin Sojishtat./.

 

10. Toponimia e ujërave (hidronimia):

 

- PRRONI JANOSHIT (j.), /Ky Përrua buron në Topilla (ara dhe livadhe) dhe derdhet në Përronin e Trakaniqit. E përdorin janoshasit për ujitje të tokës etj./.

 

11. Toponimia e varreve:

 

- VORRET E JANOSHIT TE VORRI FRATIT (j.), /Thuhet se në kohën e mbretit Nikollë, të Malit të Zi, afër Kronit të Janoshit e kishin pushkatuar një frat (për fe) dhe e kishin varrosur aty. Tash, aty afër, janë edhe varrezat e katundit Janosh, ndj quhen kështu./.

 

12. Toponime të veçanta:

 

- GURT’ E HALILIT (v.), /Informatorët thonë se ka pasur ujë dikur aty, si burim, në të cilin hudhnin gurë, ndaj i mbeti ky emër./,

- LISAT BINAK (v.), /Kanë qenë dy lisa të vjetër – binak, e sipas tyre u sajua ky mikrotop./,

- URA TOPILLAVE (p.), /Është urë mbi Përrua të Janoshit – afër toponimit Topillat, prandaj quhet kështu./.

 

    *   *   *

    Sipas regjistrimit serb të vitit 1991 ishin të regjistruar 19 banorë malazez.

    Vëllazëritë: Geci, Kukeli, Berisha dhe Krasniqi, si dhe dy shtëpi malazeze para luftës.

    Në vitin 1999 Janoshi kishte 38 shtëpi shqiptare me afro 300 banorë dhe 2 familje malazeze. Fshati i shpëtoi rrënimit. Një person është i vrarë në vitin 1991 në kufi me Shqipërinë. Në këtë vendbanim, gjatë luftës së fundit, kanë qëndruar refugjatë nga Juniku, Hereçi etj.6)

 _______________

 Referencat:

 1) K a l l ë z i m  i Adem S o k o l i t  (1906) nga Janoshi, dhënë autorit më 4.XII.1985, në Janosh.

 2) Defteri…, f. 305.

 3) Dr. J. O s m a n i, Vendbanimet e Kosovës, …, f. 172.

 4) Arhiv Crne Gore, Cetinje, Fond: Ministarstvo Unutrašnjih delova, Upravno odelenje, Izveštaji iz Djakovice, od 27.02.1913, fas. 133, nr. 680, datë 9.03.1913.

 5) Dr. M. O b r a d o v i ?, Vep.cit.,…, f. 325.

 6) Dr. J. O s m a n i, vep. cit., f. 172 – 173. Shih burimet në fusnotat: 7,8,9.

 

 

   

    

 

  10. TOPONIMIA E KATUNDIT KRALAN

   

   a) Disa të dhëna dhe një historik i shkurtër i këtij vendbanimi

    

    Kralani është ndër fshatrat më të mëdha të krahinës së Dushkajës. Qendër administrative, arsimore e kukturore ka Gjakovën. Ky katund shtrihet nja 20 kilometra në verilindje të qendrës komunale, Gjakovës.

     Në veri, përkufizohet me territorin e Jabllanicës , në lindje me Bistricën e Deçanit, e cila është kufi natyror që ndan Dushkajën me disa katunde të komunës së Klinës dhe me disa të komunës së Pejës. Bistrica e Deçanit derdhet në Drinin e Bardhë mu në krahun lindor të territorit të Kralanit; pastaj, në juglindje, Kralani përkufizohet me Drinin e Bardhë, në jugperëndim me Rakovinën, në perëndim me territoret e Cërmjanit dhe të Gërgocit, ndërsa në veriperëndim me malet e Zhabelit.

     Territori i Kralanit përfshin një sipërfaqe të madhe, por toka e këtushme nuk është edhe aq pjellore, me përjashtim të atyre sipërfaqeve që shtrihen buzë Drinit të Bardhë dhe të një pjese tjetër buzë Bistricës së Deçanit. Përveç sipërfaqeve të tokave që shtrihen buzë Drinit… dhe Bistricës…, e tërë sipërfaqja tjetër e tokës së këtij katundi ka konfiguracion kodrinor dhe luginor, ku edhe lagjet janë larg njëra – tjetrës, ngase secila gjendet në ndonjërën prej këtyre kodrave.1)

      “… në një kodrinë në lagjen e Zeqve, atë vend e quanin Te Kisha, ose Kisha e Zeqve. Aty ekzistojnë varreza shumë të moçme me gurë të mëdhenj të mbetur në dhe. Flitet se rreth atij lokaliteti ka ekzistuar vendbanimi i vjetër që nga koha iliro – dardane, por i pastudiuar. (…)

   Në Krisobulën e Deçanit të vitit 1330 është regjistruar vendbanimi me emrin Kralupi, për të cilin nuk jemi të sigurt të jetë fjala për Kralanin e sotëm të Dushkajës. Në këtë krisobulë është i regjistruar edhe vendbanimi në feudin e Deçanit me emrin Vardishane me 12 shtëpi. (…) Në dokumentet osmane nuk e kemi hasur emrin e vendbanimit Kralan. Si duket ishte i braktisur, por lagjja e tij e afërt Vardishta ishte e banuar dhe përmendet në dokumentet mesjetare.

     Me emrin Krelan është i regjistruar në sallnamet e Vilajetit të Kosovës të vitit 1893 (1311 h), të vitit 1896 (1314 h) dhe të vitit 1900 (1318 h).

    “Edhe sipas informatorëve, ky vendbanim një kohë ishte i braktisur. Rithemelohet nga banorët që vijnë para 300 vjetëve, si të krishterë nga fshati Loxhë e Pejës, Nepole e Lugut të Baranit, e disa nga vende të tjera.

   Beglerët në këtë lokalitet shpesh i kanë ndërruar çifçinjtë. Një kohë ka pasur edhe çifçinj serbë, raje, që kanë jetuar nga Zabeli i Halitve e deri te Kodra e Dushkut. Ata i kishin shtëpitë nga thuprat dhe Brenda një nate kanë ikur. Mirëpo, Jastrebovi, rreth vitit 1879 nuk i regjistron këta, por thekson se në Kralan jetojnë 20 shtëpi shqiptare. Si duket këta kanë jetuar pas vitit 1900 dhe si duket ishin vllehë?

    Nga ky vendbanim disa shtëpi janë shpërngulur në Shqipëri pas vitit 1913, ndërsa më vonë janë shpërngulur edhe në vende të tjera. Një person gjatë kohës së Turqisë kishte shkuar në Kairo dhe ishte pasuruar shumë. Një familje kishte shkuar në Toplicë dhe më vonë, në vitin 1878, është kthyer në fshatin Verboc të Drenicës dhe e ka ruajtur mbiemrin Kralani.Disa familje janë shpërngulur në Gjakovë, Pejë, Prishtinë, Mitrovicë, Ferizaj, Prizren e gjetiu.”2)

    Gjatë periudhës famëkeqe të kolonizimit të Kosovës, në lokalitetet Vardishtë, Kodra e Mollës e pjesë të tjera të territorit të Kralanit u vendosën 37 familje malazeze e serbe, si:

 

   Selo Kraljane

 

SRCG (Nga RS e M të Zi):

 

Adži? Novica

Adži? Mato

Adži? Stanoje

Bijeli? Nikola

Davidovi? Jovan

Davidovi? Radomir

?ekovi? Novo

?ekovi? Gavro

Ze?evi? Novak

Ljubi? Mihailo

Jekni? Mihailo

Jekni? Spasoje

Mili? Vu?i?

Mila?i? Mili?

Mila?i? Radovan

Miloševi? Vidosava

Miloševi? Stanisava

Lakuši? Milun

Lakuši? Batri?

Karadzi? Novak

Orovi? Stanoje

Pavli?i? Krsto

Radevi? Radivoje

Rako?evi? Miloš

?uriši? Mate

 

SRBiH (Nga RS e B dhe H):

 

Vukanovi? Risto

Porobi? Danilo

Porobi? Nikola

Sirovina Nikola

Turnjanin Mijo

Periši? Aleksa

Tamidži? Marko

 

SRS (Nga RS e Serbisë):

 

Nikoli? Svetozar

Nikoli? Stojan

Stojanovi? Denko

Stevanovi? Danilo

 

SRH (Nga RS e Kroacisë):

 

Radi? Jovan 3)

              

     Pushteti agrar kolonëve iu dha tokën më të mirë të popullatës vendëse dhe tokën utrinë. Ata i vendosi në shtëpitë shqiptare derisa ua ndërtoi shtëpitë pushteti dhe banorët shqiptarë. Malazeztë kanë qëndruar në këtë vendbanim deri në vitet 1958/59, kur i fundit e lëshon këtë lokalitet.

     Kralani kishte pësuar mjaft nga ushtria malazeze në vitin 1913. Ndërsa, pas Masakrës së Jabllanicës (fshat fqinjë) më 9 korrik 1921, ushtria, xhandarmëria, çetat dhe vullnetarët serbo-malazez ia mësyjnë Kralanit, krejtësisht të braktisur, vrajnë kryeplakun Sali Brahimin 60 vjeçar, plaçkitën dhe dogjën fshatin.

    Shënime statistikore thonë se Kralani: në vitin 1879 kishte 20 shtëpi shqiptare; rreth vitit 1905 – 15 shtëpi shqiptare; në vitin 1912 – 38 familje; në vitin 1918 – 37 familje me 713 banorë; sipas regjistrimit të vitit 1921 – 36 shtëpi me 375 banorë; në vitin 1948 – 54 shtëpi me 575 banorë; në vitin 1953 – 59 shtëpi me 622 banorë; në vitin 1961 – 62 shtëpi me 732 banorë (730 shqiptarë, 1 serb, 1 të tjerë); në vitin 1971 – 91 shtëpi me 997 banorë, të gjithë shqiptarë; në vitin 1981 – 103 shtëpi me 1195 banorë (1190 shqiptarë, 2 serbë, 2 myslimanë, 1 të tjerë).

     Katundi Kralan ka pesë lagje: Mahalla Shabazekve, Mahalla Çallakve, Mahalla Epër, Mahalla Keqe dhe Mahalla Pestë. (Lagjja e fundit është formuar vonë. Është e banuar me gabelë e magjupë dhe vetë kralanasit e qujtën kështu.)

      Siç më patën thënë pleqtë (informatorët): Osman Arifi (60 vjeç), i Mahallës së  Çallakve; dhe Ibish Hyseni (64 vjeç), i Mahallës Keqe, banorët e Kralanit janë të fiseve: Kelmend, Berishë dhe Krasniqe. Ndërkaq, banorët më të hershëm të këtij fshati thonë se janë ata të fisit Kelmend, të cilët, shumë moti, të ardhur këtu nga Vuthajt.

     Pasi që katundi Kralan ka hapësirë të gjerë gjeografike dhe sipërfaqe tokash të shumta, përveç këtyrë dy pleqve që i përmendëm më sipër, për vjeljen e lëndës toponimike të këtij lokaliteti (që e bëra më 1.X.1976), për informatorë pata edhe: Adem (Sadik) Brahimajn (60 vjeç), Balë Azemin (58 vjeç), (nga Mahalla e Shabazekve), kurse ndihmë të konsiderueshme më dha edhe mësuesi i po kësaj lagjeje, Tafil (Sadik) Brahimaj (40 vjeç)4).

     Për shënimin e toponimeve të territorit të Kralanit, për pikë orientuese patëm marrë mikrotoponimin Lisi Kuvendit. Në traditë të këtushme thonë se ky lis i madh, i cili gjendet në mes të fshatit është shumë i vjetër. Në të kaluaren, ky lis u bë i njohur ngase nën hijen e tij tuboheshin burrat, bënin “mexhlise”, apo kuvende. Pra, aty tuboheshin të bisedonin për çdo gjë me rëndësi.

     Për prejardhjen e emrit të katundit Kralan, pleqtë thonë se “emri i katundit Kralan ka mbetur ngase, dikur, këtu kishte jetuar krajli”. Sipas kësaj, emri i Kralanit del nga fjala  k r a l.

    Më poshtë po paraqesim materialin toponimik të territorit të Kralanit, me të dhëna rreth prejardhje së emrit të tyre, ndonjë legjendë, etj., të sistemuar sipas rendit alfabetik.

      b) Lënda toponimike e vjelë në terren

    

      1. Toponimia e arave:

     

     - ARA ALI AG’S (v.), /Sipas një Ali Agës, pronar i dikurshëm./,

     - ARA DARDH’S (vl.), /Dikur kishte qenë një dardhë e madhe aty./,

     - ARA HASANIT (vl.), /Sipas emrit të pronarit./,

     - ARA ISUFIT (vl.), /Sipas pronarit të dikurshëm./,

     - ARA JAVIC’S (v.), /Informatorët nuk dinë pse i mbeti ky emër./,

     - ARA KUKORRIT (j.), /Mbaronin kukorre (stane) aty, për ta ruajtur…, ndaj i mbeti ky emër./,

     - ARA KUQE (l.), /Kjo arë e ka tokën e kuqe, ndaj e mori këtë emërtim./,

     - ARA MADHE (l.), /Ngase është e madhe/,

     - ARA MAKSUTIT (vl.), /Sipas një Maksutit të dikurshëm./,  

     - ARA MI KRU (j.), /Gjendet sipër një kroi, ndaj i mbeti ky emër./,

     - ARA MOLL’S (j.), /Sipas mollës – lloj peme./,

     - ARA MOLL’S (v.), /Sipas mollës…/,

     - ARA N’BISHT (j.), /Ka formën e bishtit./,

     - ARA NËR SHPI (vp.), /Gjendet në krahun e poshtëm të shtëpive, ndaj e mori këtë emër./,

     - ARA QARRIT (vl.), /Sipas Q a r r –it, - lloj druri./,

     - ARA RAM’ ADEMIT (l.), /Sipas pronarit të dikurshëm./,

     - ARA STANIT (jp.), /Në këtë arë mbaron stane, për ta ruajtur nga shtazët e egra./,

     - ARA UKELL’S (jl.), /Sipas një pronari të dikurshëm – U k e l l a, që për një kohë kishte jetuar në Kralan./,

     - ARA VIDHIT (j.), /Emri i mbeti sipas  v i d h a v e, - lloj druri, që kishte aty./,

     - ARAT E BRAHIMZENUNVE (vl.), /Sipas pronarëve – familja e Brahimzenunve./,

     - ARAT E BUNARIT (j.), /Në këto ara është një bunar (pus), ndaj e morën këtë emër./,

     - ARAT E DEM’S (vp.), /Sipas emrit të këtij pronari të dikurshëm./,

     - ARAT E DERVISHIT (j.), /Sipas këtij Dervishi-t./,

     - ARAT E DRINIT (jl.), /Ngase janë afër Drinit…/,

     - ARAT E FRASHNIT (p.), /Sipas bimës drunore F r a s h ë r, që kishte aty./,

     - ARAT E GATA (vl.), /Sipas formës së tyre – të gjata./,

     - ARAT E GUCIT (jp.), /Dikur, frutat e këtyre arave i dëmtonin derrat e egër, ndaj edhe iu kishte mbetur ky emër. Në Dushkajë, po edhe në të folme të tjera, derrit i thonë  edhe  g u c./, 

     - ARAT E KUQE (v.), /Sipas tokës së kuqe që kanë këto ara./,

     - ARAT E LEDINAVE (jp.), /Ngase dikur kishin qenë lëndina./,

     - ARAT E LISIT (v.), /Sipas një lisi apo lisave, iu mbeti emri. L i s – dru i lartë e i trashë./,

     - ARAT E LLUGAV T’DRINIT (jl.), /Janë në lluga të Drinit të Bardhë./,

     - ARAT E LUGISHT’S (j.), /Ngase janë në lug./,

     - ARAT E LUGISHT’S (jl.), /Ngase është në lug./,

     - ARAT E MULLINIT (l.), /Sipas një mulliri, dikur, aty./,

     - ARAT E MUS’ TAHIRIT (p.), /Sipas pronarit të dikurshëm./,

     - ARAT E NËRMJEME (v.), /Janë ndërmjët arave të tjera, ndaj i quajnë kështu./,

     - ARAT E ROG’S MADHE (jl.), /Sipas top. Roga Madhe./,

     - ARAT E RRAFSHIT (vl.), /Ngase janë të rrafshta./,

     - ARAT E RRAHIT (j.), /Emri iu mbeti nga  r r a h, - tokë e çelur./,

     - ARAT E RROÇKOFAR’S (j.), /Informatorët thonë se këto ara e kanë “hangër” farën – nuk ka mbirë fara e hedhur në to”, ndaj emri iu mbeti nga  r r o ç k a t, që këtu ka kuptimin “me hangër, me përpi diçka…”./,

     - ARAT E SHTOGUT (vl.), /Përreth këtyre arave ka pasur  s h t o g, - bimë drunore, lloj shkurreje. Është ky një emërtim toponimik i sajuar sipas emrit të bimës drunore./,

     - ARAT E TAPRAKIT (p.), /Informatorët nuk dinë psei iu mbeti ky emër. Mbase nga fj. turke  t a p r a k, që  ka kuptimin – pasuri?/,

     - ARAT E VNESHTVE (v.), /Ngase dikur kishin qenë vreshta./,

     - ARAT E VNESHTVE (J.), /Sipas vreshtave të dikurshme./,

     - ARAT E VËSHTIT (jl.), /Kishte vreshta dikur aty, ndaj iu kishte mbetur ky emër./,

     - ARAT E ZABELIT (j.), /Sipas rrethanës se ishin afër zabelit./,

     - ARAT N’FUSHA (j.). /Janë në vendin e quajtur  Fusha./,

     - ARAT NËR SHPI (j.), /Ngase janë në anën e poshtme të shtëpive./,

     - ARAT NËRVANE (l.), /Emrin e morën sipas Vaut në Bistricë…, V a – vend i cekët në një lumë, ku mund të kalohet më lehtë. Këto ara janë afër këtij Vau./,

     - ARRNICAT (jl.), /I quajnë kështu sipas një bari – a r r n i c ë, sipas informatorëve, ndërsa unë mendoj se emri të ketë mbetur sipas rrethanës se aty dikur ka pasur  a r a , lloj peme./,

     - HURDUPI (v.), /Në traditë nuk dinë pse i mbeti ky emër./,

     - MALISHTAT (v.), /Dikur kishin qenë male, ndaj i quajnë kështu./,

     - NËRARAT (j.), /Gjenden afër Drinit të Bardhë dhe në pjesën e poshtme të disa arave të tjera, ndaj e kishin marrë këtë emër./,

     - RRAHI MADH (v.), /Tokë e çelur dikur, -r r a h, dhe sipërfaqe e madhe, ndaj e mori këtë emër./,

     - RRAHI VOGËL (v.), /Arë e vogël, e formuar nga një tokë e çelur, r r a h, prej nga edhe e mori emrin./,   

     - RRUTULLAKI (j.), /Ngase ka formën e rrumbullakët./,

 

 

      2. Toponimia e kodrave:

 

     - BABSHORI (j.), /Informatorët nuk dinë pse i mbeti emri këtij masivi shkëmbor, që ne e sistemuam në toponimnë e kodrave. Na duket duket se emri i këtij oronimi është i vjetër dhe ka për bazë fj. b a b-, me kuptim adhurimi e respekti ndaj ndonjë shenjtërie?/,     

     - BRIJA ARAVE (l.), /Kodër që është përbri arave./, 

     - BRIJA MULLINIT (jl.), /Afër kësaj kodre është një mulli i moçën, ndaj e quajnë kështu./,

     - BRIJA PASUL’S (j.), /Emri i mbeti sipas formës – b r i, dhe fasules (pasul)./,

     - BRIJA ZEK’S  (j.), /Në traditë të këtushme thonë se në këtë kodër ishte vrarë një fshatar me emrin Zekë, ndaj i kishte mbetur emri edhe kodrës./,

- ÇUKARJA (v.), /Kujtojmë se në këtë emërtim toponimik është strukur fj. ç u k: ë, -a./,

     - FËRKËMI ATIT (vl.), /Në traditë thonë se aty është një shkëmb guri, i madh, ku në të është e kalitur gjurma – f ë r k ë m i  i  a t i t, ku sipas kësaj e mori emrin edhe kodra./, 

     - GURZIMI (v.), /Është tokë me gurë, ndaj quhet kështu./,

     - KODRA COROBULLIT (vp.), /Nuk gjetëm diçka në traditë për preardhjen e  emërtimit të kësaj kodre./,

     - KODRA DUSHQEVE (vp.). /Emrin e mori sipas fj.  d u s h k,-u. Informatorët thonë se dikur, në këtë kodër, kanë mbledhur dushk për bagëti./,

     - KODRA LKURAVE (jp.), /Nuk gjetëm diçka rreth këtij emërtimi, por na thotë mendja se në atë kodër do të kenë gjuajtur, dikur, lëkura të bagëtisë, apo do të kenë mbledhur lëkura për ndonjë qëllim, rrethana këto në bazë të të cilave mund të jetë sajuar pjesa e dytë e emrit të kësaj kodre./,

     - KODRA MOLLAVE (vp.), /Në këtë kodër ka shumë molla të egra, ndaj i mbeti ky emër./,

     - KODRA QARRAVE (jp), /Sipas qarrave – lloj druri që ka aty./,

     - KODRA RRIL’S (j.), /Mbase në këtë top. struket folja  r r i- (?)/,

     - KËRRSHI GOG’S (j.), /Emërtimi mbase lidhet me antrop. apo part. Gogë?/,

     - MALI KABASHIT (vl.), /Sipas pronarit të dikurshëm, mbase me mbiemrin Kabashi./,

     - ROGA JAZIT (l.), /Ngase është afër një jazi./,

     - STUBLINA (l.), /Nuk është ruajtur diçka në traditë të këtushme që do t’na ndihmonte në ndriçimin e prejardhjes së emrit të këtij oronimi./,

- VNESHTËT E MDHA (vl.), /Sipas rrethanës se dikur kanë qenë vreshta dhe në sipërfaqe të mëdha./.

 

 3. Toponimia e krojeve:

 

    - GURRA MEHMET SHKODRËS (v.), /Sipas një Mehmet Shkodrës së dikurshëm./, 

    - KRONI BAL’S (v.), /Sipas një personi që quhej Balë./,

    - KRONI ÇALLAKIT (jl.), /Është i Çallakve…/,

    - KRONI ETHEVE (jl.), /Sipas ujit të ftohtë që ka, i kishte mbetur ky emër./,

    - KRONI GUCIT (jp.), /Është në kompleksin Arat e Gucit, ndaj edhe kroi mori këtë emër./,

    - KRONI I BAB’S RAMË (j.), /Sipas njëfarë Babës Ramë të dikurshëm./,

    - KRONI KEQ (j.), /Është në terren të keq dhe gati i zhdukur./,

    - KRONI MAHALL’S (vp.), /Është krua i mahallës, ndaj i mbeti ky emër./,

    - KRONI PAJAZIT RAM’S (j.), /Sipas emrit të pronarit.,/,

    - KRONI PALIT (jp.), /Mund ta ketë çelur personi me emrin Pal, apo të ketë qenë pronë e tij?/,

    - KRONI ROG’S (j.), /Sipas top. Roga, që gjendet aty./,

    - KRONI ROG’S SHKOZ’S (jp.), /Sipas Rogës së Shkozës.S h k o z ë,-a, lloj druri./,

    - KRONI ROG’S UGARIT (j.), /Është në Rogë të Ugarit, ndaj i mbeti ky emër./,

    - KRONI RRAHIT (jl.), /Është në top. Rrah,-i, ndaj quhet kështu./,

    - KRONI SADIKIT T’LOVE (j.), /Sipas një Sadikut që i ruante llopët./,

    - KRONI SARICAVE (v.), /Ky krua gjendet në top. Saricat, ndaj quhet kështu./,

    - KRONI SHABANIT (j.), /Sipas këtij pronari?/,

    - KRONI SHAVARIT (jp.), /Sipas Shavarit që ka aty./,

    - KRONI SHUSHIC’S (j.), /Sipas rrethanës së është në top. Shushicë./,

    - KRONI VARDISHT’S (vp.), /Gjendet në top. Vardishtë, ndaj quhet kështu./,

    - KRONI VERRAVE (j.), /E quajnë kështu, ngase aty ka verra./,

    - KRONI ZENELIT (j.), /Mbase, ky, Zeneli do ta ketë hapur këtë krua apo të ketë qenë pronar i tij./,

    - KRONI ZEQVE (l.), /Sipas familjes së Zeqve./,

    - KRONI ZYMERVE (j.), /Sipas familjes së Zymerve./.

 

 

     4. Toponimia e lagjeve:

 

    - MAHALLA ÇALLAKVE (jl.), /Në traditë të Kralanit thuhet se i pari kësaj lagjeje kishte qenë i majtë “çallak”, ndaj edhe i kishte mbetur ky emër./,

    - MAHALLA EPËR (p.), /Quhet kështu ngase gjendet në anën e epërme të fshatit.. Kjo lagje njihet edhe si Mahalla e Hereqve, sipas banorëve të saj që dikur kishin ardhur nga Hereqi i komunës së Deçanit./,

    - MAHALLA KEQE (v.), /Në traditë të këtushme thonë emri i kësaj lagjeje i kishte mbetur sipas rrethanës së dikur këtu kishin qenë çifçinjtë./,

    - MAHALLA PESTË (l.), /Kjo lagje e banuar nga gabelë e magjupë, është krijuar vonë. Meqë Kralani kishte katër lagje, kjo që u formua ishte e pesta, dhe për këtë e mori këtë emër./,

    - MAHALLA SHABAZEKVE (j.), /Emri i kësaj lagjeje i mbeti ngase i pari i saj quhej Shaban Zeka./.

        P.s.: Në toponiminë e lagjeve të Kralanit nuk janë përmendur shtëpitë e familjes së madhe të Zeqhajdarve (në lindje), sipas një Zeqë Hajdarit të dikurshë;

Brahimzenunt (në verilindje), sipas Brahim Zenunit; si dhe shtëpitë e disa familjeve të Rokovinve (në veri të fshatit), të cilët, këtu, dikur kishin ardhur nga katundi Rokovinë e Dushkajës.

      

     5. Toponimia e lëndinave:

 

    - FUSHA HEREQIT (p.). /Sipas Hereqve, është afër shtëpive të tyre./,

    - LEDINA GLLËNIT (p.), /Në mes të kësaj lëndine është një  g l l ë – lloj druri gjethembajtës, sipas të cilit e mori emrin./,

    - LEDINA KRONIT (jl.), /Sipas kroit që është aty./,

    - LEDINA VORREVE (p.), /Është fër varreve./,

    - ROGA BEGIT (p.), /Sipas ndonjë beu të dikurshëm./,    

    - ROGA BOLLODIC’S (p.), /Është në kompleksin që quhet Bollodicë, ndaj edhe kjo lëndinë quhet kështu./,

    - ROGA BRISË MULLINIT (l.), /Lëndinë afër mullirit, ndaj quhej kështu./,

    - ROGA DREDHZAVE (j.), /Ka dredhëza në këtë lëndinë./,     

    - ROGA DUSHQEVE (jl.), /Emri i mbeti nga fj. rogë dhe dushk – dushqe, ngase aty kanë mbledhur dushk për bagëti./,

    - ROGA FONGIT (l.), /Sipas një bari që e quajnë F o n g./,

    - ROGA GURR’S (vl.), /Sipas një gurre, gurrë kroi…/,

    - ROGA GUXHAVE (j.), /Emri i mbeti sipas rrethanës se në këtë lëndinë kanë luajtur barinjtë “guxhash”./, 

    - ROGA IBISHIT (jp.), /Sipas një Ibishit?/, 

    - ROGA KADRI MUS’S (p.), /Sipas këtij pronari./,

    - ROGA KRONIT ROG’S (j.), /Sipas mikrotop. Kroni i Rogës./,          

    - ROGA KRONIT T’BAB’S RAMË (j.), /Sipas kroit me këtë emër./,

    - ROGA KU U VRA I DOLLOVSI (vl.), /Legjenda thotë se në këtë lëndinë dikush e kishte vrarë një njeri prej fshatit Dollovë të komunës së Klinës./,

    - ROGA LKURAVE (jp.), /Sipas mikrotop. të tjera në të cilat është fj. lëkurë./,

    - ROGA LUGISHT’S (jl.), /Ngase gjendet në Lugishtë./,

    - ROGA MADHE (j.), /Ngase është lëndinë e madhe, e quajnë kështu./,

    - ROGA MADHE (vl.), /Është lëndinë e madhe./,

    - ROGA RISTËS (v.), /Mikrotop. që ka në përbërje emrin Ristë, pronë e përkohshme e kolonit me këtë emër?…/,

    - ROGA SHEHLERVE (jl.), /Sipas shehlerëve që, mbase, kanë ndenjur në atë lëndinë./,

    - ROGA SHTRAZ’S (vp.), /Ngase është në top. Shtrazë, quhet kështu./,

    - ROGA THIVE (p.), /Sipas derrave (thive) të egër që kishte aty./,

    - ROGA UGARIT (j.), /Mbase nga fj. ugar – që është lavrimi i tokës./,

    - ROGA VARDISHT’S (vp.), /Lëndinë, rogë, në Vardishtë, ndaj quhet kështu./,

    - ROGAT E DRUMIT (vp.), /Kështu quhen do lëndina përanash rrugës, drumit./,

    - ROGAT E SARICAVE (v.), /Lëndina që gjenden në toponimin Saricat, ndaj e morën këtë emër./,

    - ULICA BLINIT (vp.), /Sipas një blini – lloj druri, të moçëm, aty./,

    - ULICA ÇALLAKIT (jl.), /Ështe e Çallakve./,

    - ULICA LAKNAVE (jl.), /Sipas lakrave…/,

    - ULICA SHABANIT (j.), /Sipas një Shabanit, pronar./,

    - ULICA PRRONIT ÇALLAKIT (jl.), /Është afër Prronit Çallakit, ndaj e quajnë kështu./.    

 

    

    6. Toponimia e livadheve:

 

     - FONGISHTAT (p.), /Emërtim i sajuar sipas një lloj bari që e quajnë F o n g./,

     - FUSHA VIDHIT (jp.), /Ka pasur dikur vidha – lloj druri, aty, ndaj iu mbeti ky  emër./,

     - FUSHAT E SYL’ HAJDARIT (l.), /Sipas këtij pronari të dikurshëm./,

     - LIVADHET E BOLLODIC’S (v.), /Sipas top. Bollodicë, ku gjenden këto livadhe./,

     - LIVADHET E BUTA (l.), /Ngase tokën e kanë të butë./,

     - LIVADHET E DRINIT (l.), /Livadhe që shtrihen buzë Drinit të Bardhë, në krahun e djathtë të rrjedhës së mesme të tij./,

     - LIVADHET E FRASHNIT (v.), /Ngase ka pasur frashra – lloj druri, iu mbeti emri./,

     - LIVADHET E ISUFIT (vl.), /Sipas pronarit të dikurshëm./,

     - LIVADHET E KRONIT (v.), /Sipas kroit…/,

     - LIVADHET E LUGIT (p.), /Janë në lug, ndaj quhen kështu./,

     - LIVADHET E SHUSHIC’S (p.), /Janë buzë prroskës Shushicë, sipas së cilës e morën emrin edhe këto livadhe./,

     - LIVADHET E VARDISHT’S (vp.), /Ngase janë në toponimin Vardishtë./,

     - LIVADHET TE UDHA KOVAÇIT (vl.), /Janë afër mikrotop. Udha kovaçit./,

     - LIVADHI EGËR (jp.), /E ka barin e lig, ndaj e quajnë kështu./,

     - LIVADHI KOC’S (vl.), /Mbase sipas pronarit të dikurshëm ?./,

     - LIVADHI MAKSUTIT (vp.), /Sipas një Maksutit të dikurshëm./,

     - LIVADHI PRRU (j.), /Sipas përroit që është aty afër./,

     - LIVADHI RRASAVE (jl.), /Dikur këtu nxirrnin rrasa guri, ndaj këtë livadh e kanë emërtuar kështu./,

     - LUGI BOSTONIT (l.), /Dikur në këtë livadh mbillnin boston, ndaj i kishte mbetur edhe emri./,

     - LUGISHTAT (j.), /Ngase kanë formë të lugjeve, quhen kështu./,

     - LUGJET E ZABELIT (v.), /Janë livadhe afër zabeleve dhe nëpër lugje./,

     - SARICAT (vl.), /Informatorët nuk dinë të jetë ruajtur diçka në traditë rreth këtij emërtimi toponimik. Është atje një kompleks me këtë emër: male, livadhe, lëndina etj./,

- STUBLINAT (vl.). /Në terren nuk dinë pse iu ka mbetur ky emër./.

 

      7. Toponimia e lugjeve:

 

    - LUGI ARRNIC’S (v.), /Emri i mbeti sipas një lloj bari, arrnicë.Mendoj se ky emërtim ka mbetur nga rrethana se dikur aty duhet të ketë pasur  a r r a, pra nga emri pemës arr:ë, -a./,

    - LUGI BOLLODIC’S (vp.), /Informatorët nuk dinë pse i mbeti ky emër./,

    - LUGI GURR’S (v.), /Sipas një kroi – një gurre, aty./,

   - LUGI JAKUPVE (v.), /Është pronë e familjes së Jakupve, ndaj e quajnë kështu./,

   - LUGI KEQ (vp.), /Sipas shkurreve e therrave që ka nëpër këtë lug, u quajt – i keq./,

- LUGI KOC’S (vp.). /Mbase sipas Kocës?/,

    - LUGI KRONIT BAL’S (v.), /Sipas një kroi të Balës/,

   - LUGI KRONIT KEQ (j.), /Sipas një kroi të keq e mori emrin edhe lugu./,

    - LUGI KRONIT MAHALL’S (jp.), /Sipas një kroi,aty./,

    - LUGI KUMLLAVE (j.), /Sipas pemës k u m b u l l,-a, që ka në këtë lug./,

    - LUGI MIRË (vp.), /Ka kullota të mira në këtë lug, ndaj i kishte mbetur ky emër./,

- LUGI PROZHMIT (jp.), /Sipas fj. p r o z h ë m./,

    - LUGI RRAHIT (jl.), /Sipas fj. r r a h./,

    - LUGI SARICAVE (v.), /Një terren i gjerë aty, quhet Sarica, për të cilin nuk dinë pse ka mbetur?/,

    - LUGI SARIVAVE (vl.), /Ngase gjendet në Sarica./,

    - LUGI SHABANIT (j.), /Sipas një Shabanit të dikurshëm./,

    - LUGI SHUSHIC’S (j,), /Është në lokalitetin që quhet Shushicë./,

    - LUGI STUBLIN’S (vl.), /Në traditë të Kralanit nuk dinë pse i mbeti ky emër./,

    - LUGI THANAVE (vp.), /Sipas thanave që ka aty./,

    - LUGI VARDISHT’S (p.), /Sipas top. Vardishtë./,

    - LUGI VORREVE (p.), /Sipas varreve./,           

    - LUGI ZABELEVE (v.), /Sipas zabeleve në këtë lug./.

 

    8. Toponimia e maleve:

 

    - MALET E BRIJAV T’SHUSHIC’S (jp.), /Nga Brijat e Shushicës, edhe malet e morën këtë emër./,

    - MALET E BRIJAVE T’LLUG’S (jl.), /I quajnë kështu këto male sepse janë në Brija të Llugës./,    

    - MALET E REJA (p.), /Ishin male të reja, ndaj i quanin kështu./,

    - MALET E VARDISHT’S (vp.), /Ngase janë në Vardishtë, quhen kështu./,

    - MALI ARAVE (jl.), /Është afër arave, ndaj e quajnë kështu./,

- MALI BALT’S THIVE (vp.), /Sipas top. Balta Thive./,

   - MALI BATAKUQIT (l.), /Sipas tokës së kuqe që ka./,

    - MALI DRUMIT (v.), /Emërtim që lidhet me top. drum,-i. Që është aty./,

   - MALI FUSHAVE T’SYL HAJDARIT (vl.), /Emri i mbeti sipas këtij pronari të dikurshëm./,

   - MALI GURZIMIT (p.), /Sipas gurzimit…/, 

    - MALI KABASHIT (v.), /Sipas antrop. apo patro. Kabashi, që do të ketë qenë dikur pronar i këtij mali./,

   - MALI KODRËS RRIL’S (j.), /Sipas Kodrës së Rril’s./,

   - MALI KODRËS T’UGJT (j.), /Duket se emri i këtij mali mbeti sipas një kodre jo të lartë, të ulët, (këtu: t’ugjt, trajtë e të folmes popullore.)./,

    - MALI MSHTIJAVE (v.), /Informatorët nuk dinë pse i mbeti ky emër./,

   - MALI MULLINIT (l.), /Sipas mullirit që ishte aty afër./,

   - MALI PODIT T’ARAVE (l.), /Sipas Podit të Arave./,

    - MALI RRUG’S BUJASHKAVE (p.), /Sipas mikrotop. Rruga Bujashkave./,

   - MALI SARICAVE (v.), /Ngase është në Sarica./,

   - MALI SHPATINAVE (jl.), /Sipas konfiguracionit – shpat,-i, - shpatina./,

   - MALI SHPATIT QYMYRIT (j.), /Thuhet se dikur ka pasur qymyr aty?/,

   - MALI SHPATIT T’MAGARVE (j.), /Nga Shpati Magarve, i mbeti emri edhe malit, emërtim ku është future edhe emri i shtazës – magar (për gomar)./,

    - MALI SHUSHIC’S (j.),/Sipas Shushicës./,

    - MALI STARABULLIT (p.), ?Në traditë nuk gjeta diçka rreth këtij emërtimi toponimik, ndaj mbetet për t’u hulumtuar prejardhja e tij./,

- MALI VNESHTVE (v.), /Kishte dikur vreshta, ndaj i mbeti ky emër edhe malit./,

   - PËRLINA (j.), /Ky emërtim kishte mbetur sipas një lloj druri – p ë r l i n ë, thonë këtu ?/,

   - RRAHI DRUVE (j.), /Sipas druve…/,

   - SHPATI ROG’S IBISHIT (j.), /Mbase sipas pronarit të dikurshëm, Ibishit?/,

   - ZABELET E STUBLINAVE (l.), /Nga Stublinë,-a./,

   - ZABELI HAJRATIT (v.), /Ngase ishte hajrat./,

   - ZABELI PODRIMÇAKIT (l.), /Sipas një podrimçakut… ?/,

 

   9. Toponimia e rrugëve:

 

   - RRUG’T E REJA (v.), /Ishin rrugë më të reja, ndaj i quanin kështu./,

   - RRUGA ALI ISUFIT (vl.), /Mbase sipas këtij pronari të dikurshëm?/,

   - RRUGA BABSHORIT (j.), /Rrugë që bie nëpër oronimin Babshori./,

   - RRUGA BATAKUQIT (jl.), /Bie nëpër top. Batakuq,-i./,

   - RRUGA ÇALLAKIT (j.), /Sipas këtij patronimi të familjes së Çallakve që ishte pronare./,

   - RRUGA FUSHAVE (jp.), /Shpiente në fusha, ndaj e quanin kështu./,           

   - RRUGA GJAKOV’S (j.), /Quhet kështu kjo rrugë ngase çon në Gjakovë./,

   - RRUGA HAJNAVE (j.), /Mbase sipas fj. hajn,-i ?/,

   - RRUGA KPUZIT (vl.), /Rrugë që çon në fshatin Këpuz të komunës së Klinës, prej nga edhe i mbeti ky emër./,

   - RRUGA KU DAHEN UDH’T (jl.), /Kështu e quajnë një rrugë në të cilën ndahen edhe rrugë të tjera./,

   - RRUGA MAHALL’S (j.), /Rrugë lagjeje./,

   - RRUGA TAPRAKIT (p.), /Rrugë nëpër top. Tapraki./,

   - UDHA BUJASHKAVE (p.), /Sipas bujashkave./,

   - UDHA DHËNE (jl.), /Emri i mbeti sipas dhëne (deleve) që, zakonisht, binin nëpër këtë rrugë./, 

   - UDHA GURVE T’MDHAJ (jp.), /Sipas gurëve që ka aty./,

   - UDHA GËRGOCIT (p.), /Ngase çon në katundin Gërgoc të Dushkajës./,

   - UDHA HASANIT (j.), /Sipas një Hasanit, mbase pronar i kësaj rruge ?/,

   - UDHA JABLLANIC’S (vp.), /Kjo rrugë çon në Jabllanicë të Dushkajës, ndaj e quajnë kështu./,

   - UDHA KARVANIT (p.), /Thuhet se nëpër këtë rrugë dikur kanë shkuar karvanet…prej nga edhe i mbeti emri./,

   - UDHA KODRAV T’VARDISHT’S (p.), /Është rrugë nëpër kodra të Vardishtës, ndaj e mori këtë emër./,

   - UDHA KODRËS RRYL’S (jp.), /Sipas Kodrës së Rryl’s./,

   - UDHA LOVE (j.), /Zakonisht, nëpër këtë rrugë i kanë kthyer lopët nga kullotat, ndaj edhe e mori këtë emër./,

   - UDHA MSHTIJAVE (v.), /Bie nëpër top. Mshtijat, ndaj i kisht mbetur ky emër./,

   - UDHA MULLINIT (l.), /E quajnë kështu këtë rrugë që çon në mulli./,

   - UDHA PLUHNIT (p.), /Në këtë rrugë ka shumë pluhur, ndaj e quajnë kështu./,

   - UDHA RE (j.), /Rrugë më e re, ndaj e quajnë kështu./,

   - UDHA ROG’S DREDHZAVE (j.), /Sipas top. Roga Dredhëzave./,

   - UDHA ROG’S IBISHIT (jp.), /Bie nëpr Rogë të Ibishit, ndaj e mori këtë emër./,

   - UDHA SAN’S (jp.), /Nëpër këtë rrugë e bartnin sanën nga livadhet, rrethanë nga e cila i mbeti edhe emri./,

   - UDHA SAN’S (v.), /Sipas sanës që e kanë bartur nëpër atë rrugë./,

   - UDHA SARICAVE (v.), /Rrugë që bie nëpër top. Sarica, ndaj quhet kështu./,

   - UDHA ZABELIT T’HAJRATIT (v.), /Sipas top. Zabeli Hajratit dhe rrethanës se kjo rrugë bie nëpër të./.



(Vota: 22 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora