Kulturë
Poezi nga Vullnet Mato
E hene, 10.05.2010, 08:39 PM
Vullnet Mato
FLUTURIMI ME KALË TË BARDHË
Krejt papritur babai,
trimosh i gjumit,
fluturoi me kalë të bardhë
përmbi Greqi.
Në shpjegime ëndrrash,
sqaroi absurdin,
kur truri kuturu
lundron në fantazi.
Por kali u bë kazmë
dhe shala lopatë,
për të rrënuar
të nesërmen e fëmijëve të tij.
Xhipsi i policisë
hungëroi në mesnatë.
Dhe babai bëri oh!
nga byzylykët e zinj.
Ne vocërrakëve
na rridhnin lotët në gojë.
Nëna dridhej te porta me lemeri.
Operativi ktheu sytë
të na qetësojë:
“Mos qani, po pështyni,
këtë armik të zi !”
Kali hingëlliu
nëpër kohërat e gënjeshtrës,
sa dhe qimet e bardha
ia bënë gjilpëra,
për të qepur trillimet
në dosjet e urrejtjes,
për bijtë e kuçedrës
që i shteroi krojet të tëra...
LOTI I GRUAS TRISHTON JETËN
Gruaja ujëvarat e saj të lotit,
i bën lulkuqe te lëndinat e faqeve.
Dashuria i ndez yjet e gjoksit,
dhuna ia shuan me breshër nate.
Shpirtin ia deh me gaz gojëmbli,
zemrën ia helmon sherri i hallit.
Brenda trupit i vallëzon engjëlli,
Rreth e qark i vjen rrotull djalli.
Kur s’ka t’i shuaj fëmijës urinë,
shtrydh qumështin e lotëve të saj.
Shkrihet në këmbë për të sëmurin,
siç tret selvia dëborën në maj.
Gjallërinë që i sjell ritmi i këngës,
ia ndrydh përgojimi i pabesisë.
Mendjen e ka te zëri i nënës,
trupin e kapit te njerëzit e shtëpisë.
Nderimi i kthehet në rreze drite,
fyerja ia largon humorin tutje.
Dimrin ia sjell dhe një mërzitje,
pranverën ia çel edhe një puthje.
Bukurinë që i merr shtatzënia,
ia jep bebja qumështor i gjirit.
Petalet e gazit që i çel fëmija,
nuk ia çel dielli trëndafilit.
Ngryset hirushe me përparëse fshese,
gdhihet perri edhe me pak dhurata.
Fustani i ri i jep hije mbretëreshe
me vezullim floriri nëpër unaza.
Lahet në dushin e përkëdheljeve,
shtrihet në dyshek premtimesh.
Mbështillet me çarçafët e reve,
zgjohet në mjegulla zhgënjimesh.
Kur mashkulli i përvetëson kurorën,
dhe inati i tij e bën të vetën,
dashuria e çiftit ka vetëm formën,
por loti i gruas trishton jetën.
Në lidhje ndjenjash po u shfaq dhuna.
dhe njeriut i dalin brirët e egërsisë,
dashuria e dhuna bëhen të kundërta.
Zbresin gruan nga peshorja e barazisë.
Vërshimi i lotëve i përzier me gjakun,
ngjall në deje Shotat e Maro Kondat.
Urtësia i shpalos në shpirt bajrakun
dhe zëri i gruas trondit kohërat.
Dikur lindjen ia quajtën mallkim,
por së fundi ardhja e saj mezi pritet.
Në kohën tonë gruaja vjen si bekim
dhe shuhet si hëna në qiell drite.
Kësaj zonje të madhe që lind njerëzimin,
i takon nderimi i mençur i globit.
Vetëm kush lind ajrin, ujin e blerimin,
meriton si ajo fronin pranë Zotit.
MU SHFAQ ZOTI NË ËNDËRR MESNATE
Mu shfaq Zoti
në ëndërr mesnate,
përmes lëmsheve planetarë
duke notuar.
Kish pamje njerëzore,
me përmasa gjigande.
Megjithatë guxova ta pyes:
Si mund të jem për ty
njeriu i merituar ?
Ai më pikasi me sy diellor
e më tha:
Të jesh njeri
si vetë përsosmëria e natyrës tokësore,
duhet tu gjasosh
majave të mëdha
që vështrojnë larg
me lartësitë e tyre qiellore;
Të jesh njeriu i që i duhet
më shumë tokës,
duhet t’i bësh realitet
të gjitha shpresat
dhe ta bashkosh veten,
me të gjithë ata,
që i kanë varur shpresat e madha te djersa;
Të ndjesh turp
edhe për dështimin që s’varet nga ty,
dhe të krenohesh si për vete
nga suksesi i të tjetrëve.
Mandej duke vënë gurin tënd
te muri i përparimit të ri,
të ndjesh se ndihmon
për të ngritur të nesërmen;
Të përpiqesh
në emër të rikrijimit model të botës,
duke fituar intelekt dijetari
dhe fisnikëri malësori.
Të zbresësh
te thjeshtësia e njeriut që rëmih tokën,
për të parë bukurinë bujare
të atij njerëzori.
Ai tha gjithashtu,
se të jesh njeri me saktësi,
duhet të përbuzësh vdekjen
duke sakrifikuar.
Të ruash imazhin e mirë
si të vetmen krenari,
dhe të përcjellësh në breza
dinjitet të trashëguar.
Dhe në fund
Zoti më cilësoi njeri të nivelit gjysmak,
në mes të majmunit
dhe homosapiensit të përsosur.
Por mos humb kurajën, tha,
vazhdo udhëtimin e gjatë,
se te fundi i kolonës
ke të tjerë afër kafshës së pangopur…
FSHATI KUFITAR
Fshati kufitar
me tela në zemër.
Përgjysmë të ndarë
motra dhe vëllezër.
Ëndrra dhe dëshira
këputur në mes.
Dielli dhe shirat
ndarë në dy pjesë.
Shkëmbinj e dhera
shtrirë të gjysmuar,
fise prerë në mes ,
breza të copëtuar.
Dashuri të palidhura,
dasma të pakënduara,
lindje të pauruara
vdekje të pangushlluara.
Varre stërgjyshor
pa lot nga dy anët,
fëmijë pa lodruar
të tyret me tanët.
Buzë të kyçura,
Sy të përmalluar,
Hapa të ndrydhur,
Rrugë të ndaluara.
Vetëm hije plepash
si duar të zeza
zgjaten natën fshehtas
nga njëra anë te tjetra.
Fshat me dy koka,
si shqiponjë e ndarë.
Ndreqe, moj Evropë,
gabimin e parë !
1985