Kulturë
Poezi nga Pilo Zyba
E hene, 10.05.2010, 09:33 PM
Pilo Zyba
NËNËS TIME
Një titull ka çdo vepër e shkruar,
Brënda mban gëzime, dashuri e dhimbje,
Ti, je titulli i romanit të bekuar
Që në vite shkroi e vogla familja ime.
Dt. 9. 5 . 2010
SA BORXHE TË KAM GRUA
- gruas sime -
Kaq vite e dashur, kaq vite
Kokën në kraharorin tënd mbështeta,
Atje gjeta prehje, pashë rite e mite,
Nuk di, kaq kohë ëndërrova a fjeta!?
Atje pashë burimin e ndjenjës të rrjedhë
Në vreshtat e shpirtit tim pa pushim,
Atje lulëzoj, këndoj dhe vjel
Një ndjenjë, një mall, një krijim.
Atje, atje mes rrahjes së zemrës
Shoh rruzullin, si rreh, si lëviz,
Qëndra e botës është zëmra e nënës,
E gruas, që botën e kthen në filiz.
Ah, e dashur si rrodhën vitet
Dhe unë poeti që vargje këndova,
Frymëzimet nga ndjenja jote i vadita,
Një varg, një vjershë nuk të dhurova!
Sa borxhe të kam e dashur se di,
Fjala, ledhatimi të lumtur më bëri,
Botës i dhurova një këngën - poezi
Ty tu dhurova si isha i tëri,
Dhe bota jote të lumtur më bëri!
9/5/2010 Monevasia greqi