E hene, 29.04.2024, 08:29 PM (GMT+1)

Kulturë

Luan Çipi: Sekretari shpirtgrymur, pehlivan e dredharak

E marte, 11.05.2010, 07:44 PM


Bota është e ndarë me të mirë e me të këqinjë, të mirët flenë më mirë natën, të këqijtë e kalojnë më mirë ditën

W. Allen

 

SEKRETARI SHPIRTGRYMUR,  PEHLIVAN E DREDHARAK

 

Nga Luan Çipi

 

Sul Bala sapo kishte ardhur në Vlorë me detyrën e Sekretarit të Parë të Komitetit të Partisë së Rrethit. Siç dihet, kjo detyrë, për zonën që mbulonte, ishte mbretërore, komandë e vetme drejtuese dhe urdhëruese për gjithë jetën politike, ekonomike e sociale të juridiksionit përkatës. Asgjë themelore nuk bëhej, në asnjë qelizë jete, pa dijeninë dhe lejen e Sekretarit të Parë. Deri në njëfarë mase, si të ishte ky person, ashtu do të ishte e gjithë fizionomia rajonale. Nga ai varej frenimi, zbythja apo ecja para.

            Sula, që në fillim e prezentoi veten si dorë e hekurt, njeri që qëllonte si me topuz e të bënte gjëmën, por, njëkohësisht, shumë i mbrapshtë, që veç bërtiste gjithë ditën e shante para e mbrapa, me një fjalor që do t’ia kishin zili dhe rrugaçët më të rëndomtë. Me sa duket ishte mësuar në veri, me tradita bajraktarizmi, ku nuk gjente asnjë farë kundërveprimi... Duhet thënë, për hir të së vërtetës, se kuadrot dhe komunistët e Vlorës, me të cilët ai kishte marrëdhënie të përditshme, të çuditur dhe të hutuar nuk reagonin, por e duronin dhe prisnin deri ku do shkohej. Ata ngurronin të kundërvepronin më shumë, se shumica e tyre ishin plot merita lufte e pune dhe mendonin që ai përfaqësonte Partinë, idealin e tyre, por dhe, siç thuhej, kishte lidhje të forta lart. Këto janë një kapitull më vete, por unë do të përqendrohem te një ndodhi nate të jetuar, kur punoja në

 Kombinatin e Konservave të Vlorës.

             Atë natë shoku Sul kthehej nga Tirana, ku kishte marrë pjesë në një mbledhje të Komitetit Qendror të Partisë së Punës. Mesnatë. Dimër. Në shtëpinë e vet nuk e priste njeri, se ende nuk ishte mbartur familjarisht në Vlorë.

            Në Kombinatin e Konservave shumica e fabrikave punonin me tri ndërresa, për natyrën e veprimtarive sezonale, të kaldajave, furrave dhe frigoriferëve, ndalesa e të cilave shoqërohej me dëme të mëdha ekonomike dhe me mbishpenzime. Në turnin e tretë nuk punohej me vrull, po, si të thuash, gjendej Kola në punë. Diku edhe flihej.

            - Ku është ai dezhurni? A ka nëpunës roje këtu? - bërtet me zë të lartë e të çjerrë, i egërsuar Sula, kur sheh që s’e begenisin, s’e presin dhe s’i përkulen.

            Nga zyra e nëpunësit të rojës, detyrë që bëhej me radhë, sipas një grafiku nga të gjithë nëpunësit, del Metja, dezhurni i asaj nate, një burrë i moshuar, shumë i qetë dhe i sjellshëm, Përgjegjës i Fabrikës së Miellzimit të Peshkut.

       - Urdhëroni, kush më kërkoi? Uau! Shoku Sul! Më falni, po ju, si u gjendët këtu, se portën e madhe e shoh të mbyllur dhe çelësin e kam unë të varur aty brenda? Shikon edhe njëherë nga porta. Jo, s’i kishte thyer kush zinxhirët. Ngre kokën: ajo katër metra e lartë, e gjitha me hekur!

            - Edhe ke guxim të më pyesësh si hyra? Maskara! Ti po flije! Të zura në gjumë.

            - Jo, shoku Sul. S’e bëj unë atë. E kam zakon që nga lufta. Rrija brenda, siç e kemi rregullin, për telefonin, po edhe sepse shumë ftohtë është sonte.

            - Në gjumë, në gjumë të gjeta, jashtë loje, je i djegur, je jashtë gatishmërisë luftarake. Për këtë pushohesh nga puna... Dhe, pas pak, sheh një grumbull punëtorësh kuriozë. Po ju, të tjerët, nga mbitë këtu?

            - Ne jemi punëtorë të frigoriferit të madh, aty pranë. Dëgjuam zhurmë, ju pamë juve në dritën e projektorit, ju njohëm dhe, në shenjë respekti, erdhëm t’ju përshëndesim. Në emër të shokëve u përgjigj më i riu, Veliu, një dukatas i zgjuar, i shkathët dhe shakaxhi.

          - Hë, ti hajde të më shoqërosh, jo ky burokrati gjumash, i pushuar nga puna. Unë dua tëbëj një vizitë kontrolli te punëtorët e turnit të natës. Ku  po punohet tani?

            - Urdhëro, shoku Sul! Është nder i madh për mua, - thotë Velua.

 Dhe nisën të vizitojnë punëtorët në turnet e natës. Ndërkohë, një nga frigoriferistët ishte nisur më parë dhe i kishte njoftuar ata, për mos t’u zënë gafil nga ky kontroll superior, i befasishëm.

            Duke shkuar rrugës për te punëtorët, sekretari entuziast pyeti:

            - Po, nga më njohe mua ti, o Velo?

            - Si mos të të njihja. Ju jeni një nga burrat më të shquar të Kombit. Ke luftuar, i dërguar nga Partia, si një nga komisarët e parë shqiptarë në Kosovë, ke qenë Sekretar i Parë në Dibër e në Durrës. Atje në Dibër ke shpikur edhe atë që u quajt lëvizja e madhe me goditje të përqendruar, në formë aksioni… 

Sulës iu bë shumë qejfi. Këta vlonjatët, mendoi, nuk qenkan aq të pabindur, aq të painteresuar e mendjemëdhenj. Ja Veliu, një punëtor i thjeshtë dhe po tregohet i kulturuar dhe me bagazh.

          - Po, mirë, o shoku Sulo, nisi të hapet Veliu, po këtë natë të egër gjete ti për kontroll? Nuk ke frikë se merr ndonjë plevit, me këtë moshë që ke dhe, largqoftë, kushedi se ku përfundon? Nuk qetësohesh fare, more burrë, nuk çlodhesh, nuk ha, po më vjen direkt nga një rrugë kaq e largët, duke u kthyer në mesnatë nga Tirana, ku je nisur që pa gdhirë?

          - Kështu na ka kalitur Partia dhe shoku Enver!

            - Bravo, Sulo, bravo!

        Kishin mbaruar kontrollin dhe po ktheheshin. Patën mbërritur, tamam, kundruall portës së madhe të hyrjes, e cila ende qëndronte e mbyllur me çelës dhe me ata zinxhirët e rëndë.

            - Po, mirë, o plakush i dashur, - vazhdoi pyetjen Velua i dëshpëruar, kur, aty, ulur në një gur pa Meten e pushuar nga puna, me kokë të varur poshtë e që gati qante nga shqetësimi për fatin e kalamajve të vet dhe që dridhej nga të ftohtit, - porta është e mbyllur me zinxhirë, ti nga kalove?

            - Si, nga kalova? U ngjita nga hekurat pa vështirësi, - u mburr, me krenari, pa u thelluar, sekretari.

            - Pse, ore, pehlivan je ti? Dhe vazhdoi më tej:  Më duket se është hera e dytë që e bën këtë. Nga mania për të zënë njerëzit në gjumë, ti kacavirresh nëpër porta e mbi tela, si tarzan Gjyzeli.

            - Po, e vërtetë është, kam hipur dhe një herë tjetër dhe prapë në gjumë e gjeta dezhurnin tuaj.

          - E po, për herë të tretë nuk do të kalosh dot, - i tha me vendosmëri punëtori i mençur Velo, që s’kishte se ç’të humbiste dhe vazhdoi: Ne mbi telat e portës do të lëshojmë korrentin elektrik dhe, po guxove të hipësh, do të ngelesh aty si monument kulture.

            Sulës i erdhi krejt papritur. Vetëm në këtë çast ai e kuptoi se Veliu, nga Dukati i Vlorës, po tallej me të, që herët në mëngjes.

            - Luanin, - tha, - Luanin e dua sot në ora dhjetë të jetë lart në zyrë tek unë, të japë llogari për këta të papërgjegjshëm dhe horra, që ka grumbulluar rreth vetes.

            Dhe atje, në zyrën e sekretarit, unë e di se ç’hoqa.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora