E diele, 28.04.2024, 07:06 PM (GMT+1)

Kulturë

Baki Ymeri: Mbrëmje kushtuar Kadaresë në Bukuresht

E marte, 11.05.2010, 09:59 PM


Ismail Kadare, Xhelku Maksuti (me syza) etj, Bukuresht, 1974
Ismail Kadare, Xhelku Maksuti (me syza) etj, Bukuresht, 1974
MBRËMJE KUSHTUAR KADARE-së NË BUKURESHT

 

Nga Baki Ymeri

 

Ismail Kadare është bërë i njohur prej më shumë se tre dekadash në Rumani. Në vitin 1973 është botuar për herë të parë romani “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” përkthyer nga Foqion Miçaço, shqiptar bukureshtar me prejardhje nga Fieri, dhe nga ajo kohë romanet e tij janë botuar gjatë gjithë këtyre viteve duke gëzuar admirimin dhe vlerësimin e lexuesit dhe specialistëve të letërsisë në këtë vend. Një vit më vonë (1974), erdhi Kadareja për herë të parë në Bukuresht, duke qenë i shoqëruar nga Dr. Xhelku Maksuti, Foqion Miçaço dhe admiratorë të panumërt shqiptarë dhe rumunë. Këto ditë, Drejtorja editoriale e letërsisë artistike në Shtëpinë Botuese Humanitas, Denisa Comanescu, e ka mbartur shkrimtarin shqiptar në të gjitha Shtëpitë Botuese ku ka punuar, në Shtëpinë Botuese Univers, Polirom dhe tani në Humanitas. Redaktorja e letërsisë së huaj në Rumani, Denisa Comanescu, e mirënjohur në këtë cilësi, librat e botuar prej saj bëjnë pjesë në kolonën “Rafti i Denisës”, duke qenë kësisoj një çertifikatë e fortë për lexuesin e letërsisë së huaj.

 

Përveç Sherban Tabakut, Renata e Luan Topçiut, tekstet e Kadaresë janë përkthyer nga shqipja edhe nga përkthyesi i talentuar Marius Dobrescu, i cili ka bërë të mundur që shkrimtari i shquar shqiptar të shijohet dhe admirohet nga lëçitësi rumun. Shtëpia Botuese Humanitas, këto ditë, në Librarinë Carturesti, me iniciativën e Denisa Comanescu-t, organizoi një mbrëmje kushtuar shkrimtarit më të njohur në botë, Ismail Kadaresë, pas botimit të romanit “Mesagerii ploii/Mesaxherët e shiut” (Kështjella). Me këtë promovim të veprës së Kadaresë në gjuhën rumune, morën pjesë dashamirë të panumrët të fjalës artistike të këtij autori shqiptar, shkrimtarë dhe kritikë rumunë, gazetarë të shtypit të shkruar, televizione etj.

 

Romani “Kështjella” ishte vetëm një shkas për të folur për biografinë e tij, për veprën e Kadaresë në përgjithësi, për jetëgjatësinë e saj, për dukurinë universale që përbën vepra e tij etj. Për vlerat estetike të romanit, por dhe të risive të prozës së Ismail Kadaresë, për stilin e tij, për kuptimet simbolike dhe alegorike të romanit, për kontekstin historik kur është shkruar vepra, si dhe për probleme të tjera të teknikave letrare, folën Denisa Comanescu, drejtore editoriale e Humanitas fiction. Sipas zonjës Comanescu, proza e Kadaresë është një prozë moderne që pavarësisht nga koha që është shkruar, ruan mesazhe universale, e shkruar me teknika letrare që i sigurojnë kësaj vepre jetëgjatësi. Romani “Kështjella” i shkruar qysh në vitet 1970, lexohet dhe sot me ëndje dhe kërshëri, dhe prodhon kënaqësi estetike. Përkthyesi Marius Dobrescu, foli për punën me përkthimin e Kadaresë ndër vite, dhe për botimin e 7 veprave të tjera që pasojnë të dalin, si projekt i Shtëpisë Botuese Humanitas. Përkthyesi i Kadaresë në gjuhën rumune foli për biografinë e autorit dhe për situatën politike kur është shkruar romani. Për interpretimin e veprës ai iu referua vetë autorit për tre mundësi leximi të veprës së tij.

 

Mesaxjerët e shiut
Mesaxjerët e shiut
Kryeredaktori i Gazetës “Adevarul Literar si artistic” (E vërteta letrare dhe artistike), Cezar Paul-Badescu, vuri në dukje përshkrimin e kampit otoman dhe e konsideroi veprën si një gid që na bën të udhëtojmë dhe të shohim gjithçka që përgatitet në një betejë, të gjitha këto duke e bërë kureshtar lëçitësin modern.  Kritiku dhe studiuesi Dr. Luan Topçiu (eseist i shquar, përkthyes dhe sekeretar i ambasadës shqiptare në Bukuresht), mes të tjerash tha: “Në këtë roman, jo sondimi i lëndës bruto, por domethënia e thellë e kësaj lënde i siguron autenticitetin veprës. Naracioni i Kadare-së të ofron një qetësi së jashtmi, por fsheh në fakt dinamizmin e brendshëm. Ajo ndërtohet përmes ansamblimit e njësive të vogla të rrëfimit, ndaj mund të konsiderohet si një organizëm i gjallë, ku asgjë nuk është e kërkuar, e sforcuar apo artificiale. Fakti që romani emeton më shumë hizotope, bën që vepra e Kadaresë të lexohet sot, jo vetëm sipas interpretimit që Shqipëria ishte larguar nga Traktati i Varshavës, as vetëm me pushtimin rus të Çekosllavisë së atëhershme dhe se jo vetëm kontekstet politiko-historike shpjegojnë në mënyrë të kënaqshëme veprën e Kadaresë.”

 

Shkrimtari dhe dramaturgu i mirënjohur rumun, me origjinë shqiptare, Vlad Zografi, i biri i të mbesësë së Dhimitrë Zografit që vajti me delegacionin e Ismail Qemalit në Vlorë (Poliksenia-Lika Zografi). pasi bëri të ditur origjinën e tij shqiptare, bëri një inkursion në historinë e Shqipërisë, në ekzistencën dhe përmasat mitologjike-historike të Skënderbeut, duke përmendur origjinën shqiptare të dramaturgut të famshëm rumun, Ion Luca Carageale (shq. Jon Luka Karaxheale), të poetit Gelu Naum dhe të shkrimtarit të mirënjohur botëror, Ernesto Sabato, duke ilustruar një ide që të gjithë këta shkrimtarë, duke përfshirë dhe Ismail Kadarenë, janë mbartës të një tensioni të brendshëm. Tension, sipas Vlad Zografit, që pasqyrohet dhe në dy romanet e famshme të Kadaresë “Kështjella” dhe “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, ku përshkruhen të huajt që mbërrijnë në Shqipëri, të cilët përshkruhen me luks detajesh të rendit fizik dhe psikologjik, kurse për praninë e shqiptarëve ekziston një terr, ku nuk dallohen shqiptarët, por vetëm tensioni i tyre. Sipas Vlad Zografit, Ismail Kadare po luan atë rol që ka luajtur Eskili për grekët antikë.

 

Ismail Kadare ka lexuesit e tij besnikë në këta 30-vjet që botohet në Rumani dhe çdo ditë fiton lexues të rinj.

Dr. Luan Topçiu para mikrofonit
Dr. Luan Topçiu para mikrofonit



(Vota: 12 . Mesatare: 2.5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora